Tema të tjera...
Në seancën e Kuvendit u hap një debat i fortë pasi deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi sqarime nga kryeministri Albin Kurti për ndarjen e 146 mijë eurove për Eparkinë e Rashkës dhe Prizrenit, institucion fetar që në faqen zyrtare Kosovës i referohet si “Kosovë e Metohi”. Rrahmani ngriti shqetësimin se si është e mundur që përmes institucioneve të Kosovës të kalojnë mjete financiare për një organizatë që mohon shtetësinë dhe identitetin kushtetues të vendit. Në përgjigje, Kurti tha se bëhej fjalë për donacion të Ambasadës së Norvegjisë, i destinuar për ndërtimin e një ferme për nevojat e Manastirit të Graçanicës, ndërsa pagesa ishte realizuar përmes Zyrës së Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Megjithatë, Rrahmani insistoi se pavarësisht burimit të mjeteve, fondet kanë kaluar përmes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe kjo përbën përgjegjësi politike e shtetërore. Debati nxori në pah edhe një herë mungesën e ndjeshmërisë së qeverisë ndaj rasteve kur financohen struktura që publikisht përdorin terminologji që cenon sovranitetin e Kosovës. Për kritikët, arsyetimi se “nuk janë para të Kosovës” nuk e ndryshon faktin se transaksioni është bërë nën vulën e institucioneve shtetërore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
