Emërllah Mexhid Kuçi (18.2.1976 - 9.3.1999)

Emërllah Mexhid Kuçi (18.2.1976 – 9.3.1999)

Emërllahu u lind më 18 Shkurt 1976 në fshatin Kotlinë të Komunës së Kaçanikut. Ai i takonte një familje ekonomikisht mesatare por me ide patriotike që gjithmonë me armë në dorë i kishin dalë zot atdheut. Ai vazhdoi rrugën e lavdisë rrugën e nderit kombëtar. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore “Naim Frashëri” në vendlindje. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, për të mbajtur familjen u detyrua të punonte punë të ndryshme private. Kosova ishte e okupuar nga Serbia dhe se situata po tensionohej edhe më shumë, ku për çdo ditë hapeshin varre për shqiptarët, kurse Emërllahu frymëzohej me ndjenjat të larta patriotike dhe kështu e ndërtonte fizionominë e një luftëtari të denjë për liri. Lufta u shtri edhe në Kaçanik, atëherë Emërllahu u inkuadrua në radhët e UÇK-së, në njësinë që vepronte në Kotlinë nën udhëheqjen e komandant, Milaim Lokut.
Në këtë njësi bënin pjesë këta ushtarë dhe Eprorë: Milaim Loku, Emërllah kuqi, Heset Loku, Ismajl Thaqi, Salih Vlashi, Nexhmedin Kuqi, Xhemajl Kuçi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Baki Loku, Izjah Loku, Cen Loku dhe Adnan Loku.
Në vazhdimin e suksesshëm të UÇK-së më 8 Mars 1999, forcat serbe marrin një ofensivë në fshatin Ivajë ku okupatori Serbë kishte organizuar një sulm me forca të mëdha të armatosura me armë të rënda më moderne dhe teknik të përsosur luftarake për luftime në territoret kodrinore, për asgjësimin e Ushtrisë Çlirimtare të kësaj treve me tërë popullatën civile. Sulmet ë forcave okupatore ishin të fuqishme dhe të shtrira në të gjitha drejtimet të fshatrave Ivajë, Strazhë, Gajre, Kotlinë etj. Përballë këtyre sulmeve qëndronin ushtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të vendosura në istikame për të mbrojtur këto fshatra që pritej depërtimi i forcave okupatore. Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” me kohë kishte vendosur njësit dhe i kishte përgatitur për mbrojtje. Në mbrojtje të fshatit Ivajë ishin të pozicionuara njësit e Batalionit të dytë, në mbrojtje të spitalit ushtarak dhe shtabit të Brigadës, ishin vendosur policia ushtarake në Ivajë të Vjetër dhe Gajre ishin pozicionuar njësit e Batalionit të parë kurse në Kotlinë dhe Puset e Nikës ishin vendosur njësit e Batalionit të tretë. Gjatë granatimeve të forcave serbe u shkatërruan dhe u dogjën shumë shtëpi.
Më 8 Mars luftimet ishin përqendruar mbi fshatin Ivajë, kurse më 9 Mars 1999 filluan luftime të rrepta në drejtim të fshatit Kotlinë, ku në krye të detyrës dhe krah për krah me komandantin togut, Milaim Lokun bie heroikisht edhe bashkëluftëtari i tij i pandashëm Emërllah Kuqi në mbrojtje të fshatit Kotlinë dhe të fshatrave për rreth.
Gjatë rrethimit të fshatit nga forca të shumta barbare e me një makineri të madhe ushtarake, u ndez luftë e pabarabartë, por në anën e luftëtarëve të lirisë mbizotëronte vullneti dhe dëshira e flakët për liri. Kjo dëshirë ishte më e madhe se të gjitha armët e kriminelëve dhe të gjithë pushtuesve Serbë.
Emërllahu ishte betuar se të vdesësh për atdhe e për liri është si të lindësh përsëri. Duke qenë vigjilent, detyrat i merrte me seriozitet të madh. Rruga luftarake e tij si dhe të gjithë bashkëluftëtarëve ishte e vështirë dhe me plotë sakrifica, por fitorja kundër një armiku shumëfish më të madh dhe të armatosur deri në dhëmbë bëri që lavdia e UÇK-së të ishte shumë më e madhe, meritat për këtë i takojnë Emërllahut dhe bashkëluftëtarëve të tij të rreshtuar në Brigadën 162 “Agim Bajrami’.
Ai bëri shumë punë në përgatitjen të Kotlinës për luftë, mori pjesë në betejën e 8 Marsit në Ivajës si dhe 9 Marsit në Kotlinë ku dhe ra heroikisht në krye të detyrës krah për krah me Komandantin e tij. Në mungesë të armatimit, nuk patën mundësi që t’i armatosin disa vullnetar kryesisht të rinj, me gjithë atë ata nuk u ndanë nga UÇK-ja dhe kryen shumë detyra si në vëzhgim, përcjellje dhe mbështetje në logjistikë. Emërllahu dhe bashkëluftëtarët e tij e kishin shumë vështirë të punonin, sepse për fat të keq nga fshatrat Kotlinë dhe Ivajë, kishte shumë bashkëpunëtorë të armikut të strukturuar në sistemin e okupatorit dhe në shërbim të okupatorit ndër të cilët ishin Faik Reçi, Sefullah Mulaku, Isak Luta, Bashkim Loku, Rexhep Luta, Shaban Kuçi dhe Enver Rexha. Këta kolaboracionist ishin të ngarkuar nga okupatori Serb si informator dhe polic lokal të Sërbisë. Detyra kryesore e tyre ishte të jenë kundër popullit të vet dhe vetvetes.
Gjatë luftimeve të 8 e dhe 9 marsit 1999 forcat Serbe shkatërruan dhe dogjën pjesërisht fshatin Kotlinë. Emërllah Kuçi kontribut të madh kishte dhënë edhe në luftimet e 8 Marsit ku nuk kishte lejuar depërtimin e forcave të armikut në drejtim të fshatit Ivajë, përmes Kotlinës. Pas një lufte të ashpër që u zhvillua më 8 mars 1999 në Ivajë dhe humbjeve që pësoi armiku, më 9 mars vazhduan luftimet në drejtim të fshatit Kotlinë, ku pas një lufte heroike ra në krye të detyrës ushtari i lirisë Emërllah Kuçi krah për krah me Komandantin e tij Milaim Lokun. Duke qenë se popullata civile ishte vënë në rrethim të forcave okupatore serbe, Emërllahu me bashkëluftëtarët e tij ndihmon evakuimin e popullatës, e cila nga fshati Kotlinë dhe Ivajë vendoset nëpër male. Më 8 Mars 1999, forcat serbe kishin vënë në rrethim të hekurt shumë nga pozicionet e lirisë, sidomos në fshtarat Ivajë e Kotlinë, Strazhë dhe Gajre. Pas luftimeve të ashpra, trupat serbe kishin depërtuar në fshatin Ivajë. Breshëria e armeve nga të dyja palët nuk pushoi tërë ditën dhe natën. Emërllah Kuçi nga komandanti i tij Milaim Loku kishte marr përsipër t‘i vëzhgojë lëvizjet e mundshme të forcave Serbe, të cilat po nga Glloboçica dhe Ivaja po bënin përpjekje të depërtonin në drejtim të Kotlinës.
Më 9 Mars 1999 Emërllahu ishte në pikën e vëzhgimit ku në atë moment në inspektim të kësaj pike ishte edhe komandanti i togut, Milaim Loku. Ishin duke vëzhguar dhe duke bërë pastrimin e terrenit në Kotlinë pas luftimeve të 8 Marsit. Ndërkohë, forcat serbe hetojnë vendin ku po vëzhgonin dy luftëtarët e UÇK-së dhe fillojnë me të gjitha armët të sulmojnë në drejtim të tyre, me predha nga armë të ndryshme.
Në luftë e sipër bie në altarin e lirisë. Trupin e Emërllah Kuçit dhe të Milaim Lokut, i tërheq vëllai i Milaimit, Hazbiu me disa bashkëluftëtarë. Më 18 mars 1999 në bashkëpunim me luftëtarët e lirisë i varrosin në varrezat e fshatit. Pas luftës, komanda e brigadës 162 “Agim Bajrami” organizon rivarrimin e dëshmorëve dhe me nderime ushtarake varrosen në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik.
Emërllah Kuçi pas vetes ka lënë nënën Remzie, vëllezërit Remzi e Sedki Kuçin, motrat: Havushen, Hanifen, Ibadeten, Mirveten, Hedushen, Shehiden dhe Metllahen.
Në njëvjetorin e rënies së dëshmorit, Emërllah Kuçi dhe bashkëluftëtarit të tij Milaim Loku, në nderim dhe përkujtim të tij u është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në fshatin Kotlinë. Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit Emërllah Kuçit, familjes së tij i kanë dhënë mirënjohje Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona e Nerodimes, Komanda e Brigadës 162 Agim Bajrami dhe Kuvendi Komunal i Kaçanikut. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …