Emil Lafe: Përçarja e gjuhës po vjen prej një grupi njerëzish nga Kosova

Profesor Emil Lafe është një nga njerëzit që dha dorëheqje  nga të parët prej strukturave që merren me gjuhën. Megjithatë, si një nga punëtorët e hershëm të shqipes, nuk ka hequr dorë nga cilësia e gardianit të saj.

Profesor Lafe, a i ka qëndruar standardi, sipas jush, problemeve të zhvillimit të sotëm të gjuhës shqipe?

“E them me bindje se shqipja standarde i ka qëndruar provës së kohës. Ajo është zhvilluar, pasuruar e latuar më tej, ka fituar vlera të reja. Letërsia artistike në të gjitha gjinitë, shkruhet në gjuhën e sotme letrare dhe krijuesit bëjnë përpjekje për ta pasuruar qoftë fjalorin e frazeologjinë, qoftë ndërtimin sintaksor dhe shprehësinë e saj; po ashtu kanë marrë zhvillim të madh botimet shkencore, përkthimi e publicistika. Të gjitha këto zhvillohen nën çatinë e përbashkët të standardit. Ka në këtë mes jo pak dukuri të papëlqyeshme, siç ka pasur edhe më parë. Vërej me kënaqësi se populli i thjeshtë, bartësi i gjuhës, është i vëmendshëm e i kujdesshëm për mbrojtjen e saj, i dhimbset gjuha e vet, shpreh mospajtim ndaj fjalës së huaj të panevojshme, ndaj shprehjes së papërshtatshme, ndaj përdorimit të dialektit në vend të një forme më të përbashkët të gjuhës ose ndaj përdorimit të shprehjes burokratike, kur mund të flitet më qartë e më thjesht. Zhvillimi i gjuhës nuk mund të pengohet. Gjuha zhvillohet bashkë me shoqërinë, me ekonominë e vendit, të rajonit e të botës. Çështja është që gjuha të mirëmbahet, të mbarështohet, pra të jetë nën një kujdes shoqëror e shtetëror të vijueshëm. Në shoqëri të tjera ndjenja e disiplinës gjuhësore është ngulitur shekuj më parë. Shqiptarët nuk kanë bërë ende as një shekull jetë në një shtet të organizuar, megjithëse vjet festuam 100-vjetorin e pavarësisë. Sistemi arsimor në këto vite tranzicioni ka shënuar vërtet arritje cilësore, por në shumë raste serioziteti i procesit mësimor dhe niveli shkencor e metodik i mësuesve ka rënie”.

Ju jeni shprehur se e gjithë ajo stuhi që bëhet është një sajesë me synime të paracaktuara, për të realizuar “orientimet” e ASHAK-ut për gjuhën standarde, që çojnë në përçarje gjuhësore. I përmbaheni ende këtij arsyetimi?

“Po, i përmbahem dhe për mua kjo po bëhet dita-ditës më e qartë. Një grup gjuhëtarësh të rinj kryesisht të Kosovës, kanë lënë mënjanë teorizimet e mjegulluara e sibiline të mësuesve të tyre dhe janë shprehur haptas kundër standardit të sotëm. Për këtë mund të bindet kushdo duke lexuar librin e tyre “Gjuha e këputun e shqipes” të botuar në Prishtinë para nja dy vjetësh. Njërin prej tyre, z. Rrahman Paçarrizi (sipas shënimeve të mia ka nisur të botojë në shtypin shkencor më 2004) ASHAK e ka caktuar anëtar të Këshillit e përgjegjës të grupit të atjeshëm për drejtshkrimin dhe me këtë funksion ai ka marrë pjesë në mbledhjen e këtyre ditëve. Të gjithë e dinë se në Kosovë njohësi më i mirë i teorisë dhe i praktikës së drejtshkrimit është prof. Isa Bajçinca, delegat i Kongresit. Por ai nuk gëzon simpatinë e zyrtarëve të ASHAK-ut, sepse nuk është nga ata që bëhen urë e vig të shkojë sipër i mirë e i lig, prandaj ia kanë caktuar vendin në grupin e sintaksës! Kështu është kur në vend të një Këshilli Kombëtar me caktim detyrash sipas përvojës e profilit, del një Këshill Ndërakademik ndërshtetëror, ku ASHAK-u ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me pjesën e vet dhe i jep vetes të drejtë të ndërhyjë si të dojë në pjesën këtej, kurse ASHSH-ja duhet të thotë “lepe – peqe”. ASHAK-u, sipas ndarjes së punës, duhej të organizonte edhe pjesëmarrjen në mbledhje të prof. Remzi Nesimit, i vetmi gjuhëtar nga Maqedonia. Dihet se ai ka probleme shëndetësore, por ASHAK-u as e ka pyetur ndonjëherë kolegun si është me shëndet, as i ka dërguar ndonjë njoftim a material. Pse? Sepse edhe prof. Nesimi i ka shprehur qartë e shqip qëndrimet e tij në mbrojtje të standardit dhe të Kongresit të Drejtshkrimit, si kongres i unitetit të kulturës kombëtare. As ai nuk bëhet urë e vig të shkojë sipër i mirë e i lig!”

 A po tejkalohet masa e kërkesave për ndryshim, nga kjo strukturë?

“Në drejtshkrim është tejkaluar së tepërmi! Tani priten edhe kërkesat për ndryshime gramatikore! Kur ia parashtrova me një relacion shpjegues kryesisë së ASHSH kërkesat e ASHAK-ut dhe paralajmërimin në formë shantazhi se mosmarrja parasysh e tyre “krijon mundësinë që kërkesat për përmbysjen e plotë të normës standarde të shtohen”, vetë kryetari Ylli Popa, u habit shumë dhe u shpreh: “Ne kemi thënë që të rregullojmë së bashku çështjet e pazgjidhura dhe çështjet e reja që dalin, jo të ndryshohen ato që janë vendosur tashmë!” Disa herë propozimet për ndryshime janë të tilla, sa të krijohet përshtypja se ky drejtshkrim i ri po përgatitet si për kurset kundër analfabetizmit, ku pjesëmarrësit fitojnë vetëm aftësimin e përdorimit të shkronjave për tingujt e të folurit të tyre të përditshëm dhe nuk marrin elemente të kulturës gjuhësore, siç i jep shkolla. Kërkohet me këmbëngulje ndryshim, ndryshim, ndryshim, për ta futur procesit në hullinë e krijimit të një standardi të dytë ‘me konsensus'”.

 

Profesor, pse duan që ta prekin standardin, sipas jush?

“Kjo ka të bëjë me qëndrimet e disa personave të veshur me pushtet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka një shembull domethënës për këtë: qëndrimi zyrtar i ASHAK-ut ndaj Konsultës Gjuhësore të Prishtinës dhe ndaj Kongresit të Drejtshkrimit. Me këto ngjarje Kosova dhe gjithë shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme u bashkuan kulturalisht në një gjuhë letrare të vetme me shtetin shqiptar, tek i cili kishin parë gjithmonë shpresën e shpëtimit. Por dikujt kjo nuk i ka ardhur mirë dhe është bashkuar me pikëpamjen se adoptimi nga ana e kosovarëve i gjuhës zyrtare të Tiranës ishte rezultat i propagandës nga Shqipëria përmes studentëve, disa prej të cilëve ishin me siguri agjentë. Kjo është një fyerje e rëndë akademike për ndjenjat atdhetare dhe emancipimin intelektual të rinisë kosovare të vitit 1968, që e detyroi regjimin jugosllav ta pranonte bashkimin gjuhësor. I mbërthyer rreth kësaj pikëpamjeje ASHAK-u as ka thënë ndonjë fjalë të mirë për ato dy ngjarje madhore të gjuhësisë e të kulturës shqiptare, pa le më të organizonte ndonjë veprimtari. Edhe kur kanë organizuar të tjerët, përfaqësuesit e ASHAK-ut sa kanë thënë ndonjë fjalë përshëndetëse dhe kanë dalë nga salla, sikur t’u zihej fryma nga ato që do të dëgjonin. Në veprimtaritë e organizuara në Tiranë për këto ngjarje, ata ose nuk kanë ardhur, ose kanë qenë thjesht vëzhgues. Dihet se Konsulta e Prishtinës e realizoi bashkimin gjuhësor me moton “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”. Në “Orientimet” e mirënjohura të ASHAK-ut gjejmë këtë shndërrim të qëllimshëm e domethënës: “Rrethanat shoqërore e politike të Kosovës më 1968 mundësuan që Konsulta Gjuhësore e Prishtinës të dilte me moton “Një popull – një gjuhë”! Fjalët komb dhe kombëtar janë të ndaluara në ASHAK. Ky orientim i ASHAK në çështjen kombëtare është tepër brengosës dhe duhet marrë seriozisht edhe këtu ndër ne”.

Intervistoi: Ben Andoni, ( Gazeta Shqiptare)

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …