Brickos

Intervistë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi

RKL: Po bëhen më shumë se dy vjet nga qeverisja juaj në Rahovec. Cilat janë disa nga ndryshimet më të prekshme për qytetarin në këtë komunë gjatë mandatit tuaj?

Latifi: Fillimisht dua të përshëndes stafin e Radios ‘Kosova e Lirë’ sepse jeni radio me histori të veçantë, me histori të bujshme, me histori të dhimbjes krenare, një radio që nderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo radio mbart mbi supe një mision të rëndësishëm, pra vazhdimin e misionit të cilin e ka kryer me shumë sukses dhe kurajë pavarësisht vështirësive gjatë luftës. Siç e dini në Rahovec ka pasur zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat janë zhvilluar në nëntor të vitit 2010, me rastin e dorëheqjes të ish-kryetarit të komunës, z. Qazim Qeska. Ne kemi trashëguar një mandat që nuk është i plotë, por me ardhjen tonë në pushtet kemi filluar një praktikë dhe filozofi të re të qeverisjes me koncepte të qarta, me vizion të ri e me emra të ri. Besoj se nga data 10 janar kur e kam dhënë betimin para anëtarëve të komunës sipas ligjit ka filluar qartazi të shihet një rend, një qëndrim e një kulturë e punës te të gjithë shërbyesit civilë.  Në administratën e komunës së Rahovecit tashmë mund të shihen ndryshime esenciale në qoftë se bëjmë krahasime me të kaluarën edhe në ambientet e objekteve të komunës d.m.th objektet komunale si dhe në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit. Kemi bërë përpjekje të mëdha që të rrisim transparencën gjegjësisht veprimet tona të bëhen të njohura për opinionin e gjerë. Kemi zhvilluar debate të shumta me qytetarë, gjë që është element i ri i qeverisjes, pra ne realisht komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarë. I dëgjojmë me vëmendje shqetësimet e qytetarëve, kërkesat dhe nevojat e tyre, duke bërë një analizë reale faktike të gjendjes në teren dhe më pas planifikimin e buxhetit e bëjmë në përputhje me interesat thelbësore të qytetarëve të komunës së Rahovecit. Mendoj se kemi realizuar një punë mjaft cilësore dhe të suksesshme, por komuna jonë po ashtu ka nevoja të shumta të paplotësuara ashtu sikundër ka edhe hapësirë për më shumë punë. Rëndësi i kemi kushtuar edhe bujqësisë, e cila është krye-temë e qytetarëve të Rahovecit me theks të veçante vreshtarisë dhe prodhimit të rakisë e verës së rrushit, duke mos harruar as perimtarinë. Kujdes të madh i kemi kushtuar edhe investimeve publike, posaçërisht jemi kujdesur dhe i kemi dhënë mbështetje ngritjes së infrastrukturës, hapjes së rrugëve të reja, pastaj ndërtimit të objekteve të shumta shkencore, qendrave të mjekësisë familjare, ambulancave të mjekësisë familjare, ndërtimit të shkollave. Nuk kemi lënë anash as  mbrojtjen e mjedisit, ku ka pasur disa projekte të cilat komunën tonë e bëjnë më të pastër. Për herë të parë  pas luftës në mënyrë institucionale  kemi trajtuar varrezat e dëshmorëve, kemi rregulluar varrezat e dëshmorëve dhe jemi në fazën përfundimtare të ndërtimit të kompleksit përkujtimor ‘Maja e Shkodranit’. Ndërsa sivjet fillon faza e dytë e ndërtimit të kompleksit përkujtimor për gjithë dëshmorët e kombit, i cili është një projekt që i ka munguar komunës tonë 14 vjet pas lufte. Poashtu u kemi dhënë mbështetje grupeve të margjinalizuara  si shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, shoqatave të ndryshme të njerëzve me aftësi të kufizuara,etj.

RKL: A plotësohen këto nevoja edhe përmes bujqësisë, e cila ka proklamuar rreth 27 milion euro subvencione në fusha të ndryshme të bujqësisë?

Latifi: Patjetër dy vjet rresht fermerët e komunës sonë   nëpërmjet  drejtorisë komunale kanë aplikuar  masat që i ka vendosë MBPZHR-ja për subvencionim të bujqësisë. Numri që kanë përfituar nga këto grande nuk është i vogël, por mbështetja përsëri është e pamjaftueshme. Komuna jonë në krahasim me komunat tjera të Kosovës ka përfituar shumë, ne kemi insistuar dhe insistojmë që fermerët tanë të vazhdojnë të aplikojnë edhe më të përgatitur  që bashkë me komunën të dalin me aplikacione sa më të suksesshme. Në këtë drejtim kemi pasur mbështetje edhe nga donatorët e jashtëm si Komisioni Evropia, USAID, GIZ-i gjerman dhe Banka Botërore.

RKL: Cili është raporti i komunës me nivelin qendror rreth këtyre temave që i ceket?

Latifi: Të them të drejtën në vitin 2011 nuk kemi pas ndonjë mbështetje konkrete, e cila ka qenë vetëm simbolike. Përveç mbështetjes që e kemi marrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk kemi pas ndonjë mbështetje serioze. Por në vitin 2012 është rritur mbështetja e posaçërisht në fund të vitit kemi pas mbështetje konkrete nga ana e Ministrisë së Financave, pasi që me ato mjete ne kemi arritur të kryejmë shumë punë për qytetarët e komunës së Rahovecit. Ndërsa edhe në vitin 2013 ka një rritje të grandeve shtesë të Qeverisë së Kosovës në favor të realizimit të projekteve të rëndësishme të komunës së Rahovecit.  Ne e kuptojmë se Qeveria e Kosovës ka edhe projekte të tjera dhe ka shumë komuna që kanë nevojë për mbështetje, por prapëseprapë ne nuk jemi të kënaqur me shumën dhe mbështetjen që i jepet komunës së Rahovecit.

RKL: A ka anime në këtë rast për arsye se shpesh është akuzuar Qeveria se po investon më tepër në komunat ku kryetarët vijnë nga partia në pushtet?

Latifi: Nuk do ta cilësoja anim, por unë mendoj se ka më shumë hapësirë për ta mbështetur komunën e Rahovecit. Unë i kuptoj zhvillimet politike dhe ambiciet e njerëzve që punojnë në Qeveri d.m.th faktorit politik dhe institucional që të mbështesin ato pjesë ku mund tu kthehet si satisfakcion ose si mbështetje nga ana e qytetarëve. Çdo mbështetje që do të përfitonim qoftë nga  grandet qeveritare qoftë nga donatorët, unë jam i bindur thellë se ato nuk do të shkonin dëm, sepse ato do të zgjidhnin probleme me të cilat  ballafaqohen qytetarët e komunës sonë.

RKL: A ka arritur komuna juaj të krijojë një ambient tërheqës në vreshtari por edhe në fusha të tjera?

Latifi: Ish-ndërmarrja bujqësore-industriale ‘Rahoveci’ tashmë është privatizuar. Por janë edhe disa bodrume të vogla e të mesme që janë të licensuara e  zhvillojnë veprimtari tradicionale jo vetëm për t’i mbajtur familjet e tyre por edhe për t’i kontribuar forcimit të sektorit të vreshtarisë. Fermerët gjegjësisht pronarët e këtyre bodrumeve kanë vështirësi serioze për shkak se janë të diskriminuar nëse e bëjmë një krahasim me vendet në rajon. Pastaj pozita ndërkombëtare e Kosovës nuk u lejon atyre që të kenë një kuotë individuale, siç e kanë Serbia, Mali i Zi e Maqedonia në tregun e jashtëm. Ata kanë vështirësi edhe në zbatimin e kontratave, të cilët këta pronarë nënshkruajnë për t’i plasuar prodhimet tona në tregun e jashtëm. Pavarësisht këtyre vështirësive ka pas edhe kontribute ku kanë marrë pjesë donatorë të ndryshëm. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural por edhe komuna e Rahovecit si autoritet lokal kanë një angazhim të përbashkët në mënyrë që sektori i verëtarisë dhe vreshtarisë të kenë më shumë perspektivë, më shumë mundësi dhe më shumë rezultate. Mendoj se është kontribuar mjaft edhe në programin e rritjes së cilësisë së verës dhe rakisë së rrushit sepse jo vetëm në tregun rajonal por edhe atë evropian po kërkohet cilësi. Bodrumet tona, përfshirë edhe ato familjare ia kanë dalë mbanë që vera e Kosovës të shijohet në shumë shtete të BE, madje edhe në kontinente të tjera. Por ka akoma shumë mundësi që të mbështetemi konkretisht, mbase edhe me rishikimin e politikave për bujqësi,  me përmirësimin e ndjeshëm të politikave fiskale, në eliminimin e barrierave doganore si dhe shtimit të subvencioneve në mënyrë që prodhimet tona të jenë të barabarta për nga cilësia me ato të vendeve të Ballkanit perëndimor. E pata thënë edhe më herët që ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë akterët në mënyrë që festivali  i rrushit të jetë festë e jo protestë. Kemi ndërmarrë masa dhe veprime me kohë por edhe kemi komunikuar në mënyrë të rregullt me të gjithë aktorët që komuna jonë të shndërrohet në një ambient që vizitohet edhe nga fermerët e komunave të tjera, por edhe nga qarqet institucionale të Kosovës si dhe fondacionet e ndryshme që merren me bujqësinë. Ne po përpiqemi që t’i kalojmë edhe këtë vit problemet që i ka sektori i vreshtarisë, gjegjësisht venarët dhe vreshtarët. Ne sivjet si komunë kemi ndare mjete në formë subvencionesh, të cilat do tu jepen në bazë të disa kritereve atyre që mund t’i përfitojnë. Sigurisht fondi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural është shtuar  sivjet dhe janë marrë disa masa të reja, si dhe do të subvencionohen ata fermerë që kanë sipërfaqe të caktuara vreshtash.  Falë presionit që bëjnë institucionet tona lokale ndaj atyre qendrore po krijohet një perspektivë shumë më e mirë për bujqit tonë e shoqatat e tyre në mënyrë që bujqësia ta ketë një trajtim të duhur. Kemi probleme edhe me sektorin e perimtarisë, por sidoqoftë po ngriten kapacitet të reja. Është një qendër grumbulluese për pemë në Xerxë, projekt ky i bashkë-financuar nga komuna e Rahovecit dhe Komisioni Evropian. Me mijëra tonelata speca dorëzohen në atë qendër, ku më pas përgatiten për zhvillimin e procedurave të ruajtjes e të shitjes. Poashtu pritet edhe ngritja e një kapaciteti tjetër midis Rogovës dhe Xerxës për grumbullim, sortim e shitje të prodhimeve. Kjo do të thotë se Rahoveci po kthehet në një hambar të grumbullimit të prodhimeve bujqësore. Sigurisht që ka ende mundësi që të insistohet në ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e perimeve. Ne kemi prodhime cilësore, siç është rrushi, por nuk kemi kapacitete përpunuese. Ne po i mbështesim edhe gratë bujqësore në koperativën e grave fermere nga Krusha. Ato janë organizuar mjaft mirë, por edhe kanë mbështetje nga komuna në mënyrë që ato t’i shtojnë kapacitetet në të gjitha aspektet, që ato ta vazhdojnë traditën dhe ta pasurojnë me elementë të reja.

Hoça e Madhe do të jetë pjesë e Rahovecit dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që dikush tjetër të ketë rol udhëheqës në vendbanimet e komunës sonë, sepse janë përfaqësuesit e zgjedhur dhe ligjet e Kosovës.

RKL:
Rahoveci një kohë ka qenë në qendër të vëmendjes për zbatimin e Ligjit për Hoçën e Madhe. Është folur në medie se ndaj zyrtarëve të komunës është ushtruar presion nga bashkësia ndërkombëtare?

Latifi: Pothuajse për dy vjet kemi debatuar rreth projekt-ligjit për fshatin Hoçë e Madhe. Ne kemi kontribuar në mënyrë intensive që ky projekt-ligj të mos kalojë fare. Ne kemi bërë përpjekje konkrete që ta adresojmë këtë temë shumë serioze në institucionet relevante, duke filluar nga kryeministri, krye-kuvendari dhe ambasadat e huaja, duke dhënë argumentet tona sepse është e padobishme që të ketë një projektligj të veçantë për Hoçën e Madhe. Shumë nga  ligjet që thuhet se burojnë nga Pako e Ahtisaarit e që janë shumë jo-transparent e votohen pa debat publik madje edhe në Kuvend. Ne ndjehemi mirë që kemi arritur ta debatojmë dhe opinioni të jetë në dijeni se ka një përpjekje për ta bërë një ligj për Hoçën e Madhe. Ne kemi qenë të vetëdijshëm se nuk ka qenë aspak e lehtë që ta sfidojmë sa të arrijmë ta ndërprejmë procedimin e ligjit. Sidoqoftë kanë filluar angazhimet edhe të institucioneve qendrore dhe diplomatëve e ambasadorëve të huaj dhe kemi pas një debat mjaft të gjerë e të mundimshëm, e madje edhe presione. Ne mendoj se i kemi kaluar me sukses të gjitha këto përballje në fushën e argumenteve sepse në konsiderojmë se Hoça e Madhe është pjesë e Rahovecit sepse çdo përpjekje për ta veçuar e enkalivizuar është në kundërshtim me interesat e popullit të Kosovës dhe sikur i dëmton të arriturat e popullit tonë pas gjithë asaj lufte. Ne nuk e kemi ndërprerë debatin me banorë, edhe pse kemi pas debate të vështira me institucione të rëndësishme vendore e ndërkombëtare. Ligji ka kaluar në Kuvend me një diferencë të vogël të votave. Ne u përpoqëm që të ndikojmë në forma të ndryshme në amandamentimin e këtij ligji. Ne kemi pasur angazhime konkrete në amandamentim, por edhe aty ka pasur presione të vazhdueshme. Më pas Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar një interpretim, e cila i ka dhënë të drejtë vendimit të Kuvendit të Kosovës. Janë mbi 11 mijë qytetarë të komunës së Rahovecit që kanë nënshkruar peticion kundër ligjit dhe enklavizimit të Hoçës së Madhe. Më pas ka vazhduar presioni edhe për zbatimin e këtij ligji. Në takimet që kemi pasur me diplomatë perëndimorë, ne u kemi thënë atyre që të presim se çfarë po ndodh me veriun e vendit sepse nëse në veri të Kosovës ka një Ahtisaari plus, atëherë në brendësi të Kosovës mund të ketë një Ahtisaari minus. D.m.th të gjitha këto tema i kemi trajtuar e ritrajtuar e tash jemi në situatën ku me datën 28 shkurt Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim për themelimin e këshillit, edhe pse nuk i kemi ende emrat e këtij këshilli. Mendoj se komuna e Rahovecit nuk e ka merituar që të trajtohet në këtë mënyrë. Nuk mendoj që ligji për Hoçën e Madhe është një ligj demokraitk, ai nuk është zgjidhja më e mirë e rregullimit të çështjes së një fshati. Si kompensim për krejt kohën e humbur në këto debate të mundimshme, kërkoj edhe përmes Radios ‘Kosova e Lirë’ nga Qeveria e Kosovës që të ketë një fond për Rahovecin. Ne i kemi kërkuar edhe z.Zhbogar që të ketë një mini-konferencë të donatorëve sepse vetëm ndërmjet projekteve për ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike mund të tejkalohen vështirësitë. Pra vetëm përmes përmirësimit të infrastrukturës por edhe vepra të tjera të dobishme, ne do ta kemi më lehtë që të përballemi me ato pasoja që i ka shkaktuar debati i gjatë dhe koha e humbur për Hoçën e Madhe. Unë mendoj se Hoça e Madhe do të jetë pjesë e Rahovecit dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që dikush tjetër të ketë rol udhëheqës në vendbanimet e komunës sonë, sepse janë përfaqësuesit e zgjedhur dhe ligjet e Kosovës. Ne e dimë që në Rahovec ka pasur një luftë të rëndë e mundimshme e me dhimbje të shumta e me pasoja të mëdha siç janë të pagjeturit, duke përfshirë edhe intelektualin, profesorin e paharruar, Ukshin Hoti. Kjo ka qenë një temë e rëndë për të mos thënë e papërballueshme sepse ne kemi akoma plagë të hapura. Në momentin që arrihet të krijohen raporte të mira, del dikush e kërkon bërjen e një ligji të veçante. Ne vlerësojmë se gjendja në Rahovec është shumë e qetë, prandaj nuk ka pasur kurrfarë nevoje për hapjen e një rruge të tillë qorre sepse kjo e rëndon qytetarin. Ne jemi të interesuar që të vazhdojmë me projekte konkrete përfshirë edhe Hoçën e Madhe, por prapë më duhet të theksoj se ka qenë e padrejtë dhe e paarsyeshme që të imponohet një ligj i veçantë për një fshat kur dihet se në Kosovë janë dy mijë fshatra që nuk kanë trajtim të veçantë me ligj. Ne mendojmë se na është bërë e padrejtë sepse trashëgimia historike e kulturore nuk është e drejtë e rezevruar e askujt, por është trashëgimi e Kosovës e popullit tonë,  një trashëgimi e cila në periudha të caktuara ka pësuar metamorfozë dhe e cila herë-herë është përvetësuar në mënyra jo-shkencore.

RKL: Kryetar, si i  vlerësoni raportet e ndryshme për monitorimin e punës në Komunën e Rahovecit, p.sh raporti i GAP-it por edhe kritikat e partive opozitare. A mendoni se ato janë të njëanshme apo pasqyrojnë realisht mangësitë e Komunës së Rahovecit?

Latifi: Natyrisht edhe Komuna e jonë siç  ka suksese e të arritura ë njërën anë,  i ka edhe sfidat, dobësitë dhe mangësitë në anën tjetër. Pavarësisht se qëllimet, angazhimet, planet dhe përkushtimet tona janë që t’i bëjmë sa më perfekte por nuk ka mundësi.

RKL: Në raportet e komunave tjera shpesh e kanë demantuar raportin e GAP-it…

Latifi: Raportit të GAP-it  i  kemi dhënë një përgjigje me shkrim, në mënyrë të argumentuar me fakte relevante dhe në masë të madhe e kemi demantuar ato që i ka publikuar. Në radhë të parë nuk e dimë se kah i merr ato informacione GAP-i, nuk i dimë saktësisht burimet e financimit të kësaj organizate dhe ne me fakte ju kemi përgjigjur dhe në shkresën tonë janë të renditura një për një argumentet tona si kundërpërgjigje ndaj asaj çka ka dalë në publik nga portale informative, të cilat kanë prezantuar raportin e GAP-it. Natyrisht, ne përpiqemi në vazhdimësi që ta përmirësojmë cilësinë e punës tonë, që t’i luftojmë dobësitë dhe të gjitha aspektet që ndikojnë në imazhin e komunës sonë, sepse në konceptin tim si kryetar komune por edhe të ekipit tim, pushteti është mundësi për t’i ofruar shërbime më të mira qytetarëve, për t’u përdorur buxheti i komunës në mënyrë të drejtë, të përgjegjshme, transparente dhe në mënyrë të ligjshme. Ne jemi në luftë të madhe me fenomenin, që është mjaft i përfolur, atë të keqpërdorimit të parasë publike dhe konsideroj se ndodhin edhe teprime për sa  i përket shpenzimit, bie fjala të karburanteve, te druve, thëngjillit etj, por sidoqoftë ne kemi fakte të bollshme për t’i  arsyetuar deri në fund, në mënyrë të bindur shpenzimet e parasë publike të bazuar me ligjet në fuqi. Nuk besoj se raporti i GAP-it ka qenë shumë profesional. Ai nuk ka qenë  shumë real, ka pasur elemente të njëanshmërisë e që do ta cilësoja si raport tendencioz. Ne si autoritete, si njerëz të zgjedhur nga vota e kemi për obligim që të punojmë sipas ligjit dhe interesat e qytetarëve. Çfarëdo teme që ngritet dhe që e sulmon komunën, ligjin apo autoritetet komunale do t’u japim sqarime dhe informacione të plota. Në fund të fundit kjo edhe është detyra e jonë. Ata kanë kryer detyrën e tyre. Nuk them se ata e kanë kryer më së miri. Nuk them se ne në mënyrë të shkëlqyeshme i kryejmë të gjitha detyrat tona, por  kemi edhe shumë punë për të bërë.

RKL: Po flitet se në muajt shtator-tetor do të ketë zgjedhje të reja. Ju si kryetar aktual e keni përkrahjen e partisë që i takoni. A mendoni se do të vazhdoni ambicien për të qenë edhe më tutje i pari i komunës së Rahovecit?

Latifi: Ne jemi duke punuar dhe kemi gatishmëri dhe vullnet që të vazhdojmë tutje. Natyrisht, thashë se nuk është mandat i plotë dhe t’ju them të drejtën ne e kemi trashëguar një gjendje jo shumë të lakmueshme. Shumë probleme të mbetur pezull. Kemi pasur ballafaqime me sfidat dhe kemi edhe sot. Ne jemi të gatshëm që të punojmë për interesat e popullit deri në atë moment kur populli vendos ndryshe. Si kryetar komune kam gatishmëri që të vazhdoj me punën. Në qoftë se e kemi këtë vullnet të vazhdojmë, atëherë varet prej sovranit që të vendos për të na vazhduar neve punën apo për ta nisur dikush tjetër.

RKL: Ju dëshirojmë suksese juve, ekipit tuaj për të gjitha këto arritje që i keni bërë në zhvillimin e komunës së Rahovecit!

Latifi: Faleminderit!. Radio ‘Kosova e Lirë’ ka një traditë, një histori dhe e meriton një mbështetje shumë më konkrete nga të gjithë dashamirët e kësaj radioje që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit tonë dhe gjithë atyre njerëzve që pritnin me padurim informatat, komunikatat, njoftimet nga terreni. Kjo radio edhe sot e kësaj dite i shpalosë veprat e pavdekshme të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan në çlirimin e Kosovës. Ndjehem mirë si kryetar komune që jam këtu, në këtë radio dhe  i keni dyert e hapura. Ne do të përpiqemi që t’ju ndihmojmë aq sa kemi mundësi buxhetore sepse kjo radio ishte dikur krenaria e jonë, dhe kjo radio edhe sot ka nevojë për ta vazhduar një mision ende të pakryer, sepse Kosovën e presin shumë punë dhe forcimi i kësaj radioje është në interes të popullit tonë dhe  të gjitha atyre gjeneratave që kanë kontribuar për çlirimin e kësaj toke. Ne e kemi një komunikim të mirë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin me radion tuaj.

17 prill 2013
Radio KOSOVA E LIRË

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …