Intervistë me kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci

RKL: Z. Gjinovci mund të na thoni fillimisht për dëgjuesit e radios ‘Kosova e Lirë’ se cila është puna dhe detyrat me të cilat merret Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës së Kosovës?

Gjinovci: Në  radhë të parë i përshëndes gjithë qytetarët dhe konsumatorët, ndaj dua t’i siguroj dhe garantoj se agjencia e ushqimit si agjenci ekzekutive  është përgjegjëse për kontrollin  e produkteve ushqimore, qoftë produkteve të cilat importohen qoftë produkte të cilat prodhohen dhe përpunohen nga ana e prodhuesve vendorë. Kështu që fushat e agjencisë dhe veterinarisë është një fushë mjaft komplekse që nuk përfshin vetëm kontrollin e produkteve ushqimore por është përgjegjëse edhe për kontrollin e shëndetin e mirëqenies së kafshëve në nivel vendi. Kështu që prioritetet dhe angazhimet e agjencisë së ushqimit janë dhe mbeten gjithherë mbrojtja e shëndetit publik, qytetarëve të vendit përmes ofrimit të produkteve të sigurta dhe cilësore. Kjo gjë  realizohet nga ana e stafit të  agjencisë  dhe nga ana e inspektorëve të agjencisë së ushqimit dhe të veterinarisë, përmes kësaj bëhet edhe  kontrolli i gjithë zinxhirit ushqimor që ndryshe quhet edhe kontrolli i ushqimit nga ferma në tryezë me qëllim të ofrimit të produkteve cilësore  dhe të sigurta për qytetarët e vendit dhe popullatën në përgjithësi. Kështu që fusha të cilën e mbulojmë është një fushë mjaft komplekse dhe e ndjeshme, mirëpo mundohemi që brenda kapaciteteve tona edhe profesionale edhe me numrin aktual të stafeve që kemi të jemi pranë konsumatorëve të vendit dhe të mos lejohet të ndodhet diçka e papritur dhe e padëshirueshme, duke pasur parasysh gjithherë parimin e mbrojtjes, e kujdesit dhe transparencës përballë konsumatorëve të vendit .

RKL: Çka do të ndodhë me sasinë e qumështit që ka rezultuar pozitiv në afla-toksinë?

Gjinovci: Siç e dini, agjencia e ushqimit dhe veterinarisë të gjitha rastet i ka bërë publike dhe gjithherë ka njoftuar konsumatorin dhe mbarë opinionin vendor lidhur me aktivitetet të cilat i ka pasur në terren lidhur edhe me rastet e pranisë së afla-toksinës në produktet e qumështit apo edhe produktet me origjinë bimore. Në kuadër të kësaj ne qysh me kohë kemi marrë veprime dhe hapa të nevojshëm dhe nuk kemi lejuar që të afrohen  pranë konsumatorit produkte të pasigurta që nuk janë cilësore apo produkte që është verifikuar tek këto prania e afla-toksinës. Të gjitha produktet të cilat verifikohen dhe të cilat vërtetohen se ka prani të afla-toksinës nuk do të lejohen që të përdoren nga ana e qytetarëve të vendit dhe konsumatorët e vendit dhe të gjitha ato produkte në radhë të parë do të kërkohen që të kthehen në vendin e origjinës prej nga vijnë.  Në pamundësi të kthimit të atyre produkteve në vendin e origjinës, ato produkte do të asgjësohen dhe nuk do të lejohen që të shërbehen në tryezat e konsumatorëve kosovarë.

 RKL : Sa janë të pranishëm inspektorët e Agjencisë tuaj nëpër pikat doganore të mallrave ?

Gjinovci: Inspektorët e agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë janë të pranishëm në të gjitha pikat inspektuese kufitare që nga ora 8 deri 20. Në kuadër të detyrës, ata realizojnë kontrollin e të gjitha produkteve ushqimore të cilat importohen qoftë nga vendet e rajonit apo edhe nga vendet e BE, por edhe nga vendet tej oqeanike. Kështu që të gjitha produktet të cilat  importohen i nënshtrohen një kontrolli të detajuar nga ana e inspektorëve të agjencisë sa i përket dokumentacionit mandej kontrollit të produkteve një nga një në mënyrë detaje. Herë pas here merren edhe produkte ushqimore të cilat dërgohen për  analizë laboratorike,  gjë që është edhe fjala përfundimtare nëse duhet të përdoren ose jo këto produkte ushqimore. Inspektorët e agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë janë në të gjitha pikat inspektuese kufitare dhe realizojnë  edhe kontrollin e produkteve me origjinë bimore dhe shtazore, sa i përket edhe cilësisë edhe sigurisë së tyre dhe mbi të gjitha as një herë në mënyrë të vetëdijshme nuk lejohet që të futen produktet e pasigurta, produkte jo cilësore apo që rrezikojnë shëndetin publik të qytetarëve dhe konsumatorëve të vendit.

RKL: Cilat mallra konsiderohen të rrezikshme për jetën e konsumatorëve e të cilat nuk lejohen të plasohen në treg?

Gjinovci: Të gjitha produktet ushqimore të cilat nuk janë të sigurta konsiderohen të rrezikshme. Të gjitha produktet ushqimore që nuk i nënshtrohen kontrollit dhe inspektimit janë mallra të pasigurta e që nuk lejohen të përdoren. Ato kontrollohen, monitorohen dhe fund vlerësohen nga ana e inspektorëve janë mallra të cilat nuk paraqesin rrezik për konsumatorë dhe qytetarë të vendit. Ndërsa mallrat të cilat futen në rrugë dytësore apo mallrat e kontrabanduara të cilat nuk kontrollohen nuk janë të sigurta dhe mund të paraqiten edhe të rrezikshme. Shpeshherë ka edhe  keqbërës e përfitues të pandershëm të cilat mundohen që mallrat e ndryshme t’i kontrabandojnë me qëllim përfitimin e tyre ekonomik mirëpo gjithherë momentin që inspektorët hasin në këto mallra ose produkte të cilat janë jo cilësore atëherë bëhet largimi i tyre dhe nuk lejohen të përdoren.  Është fat i mirë që agjencia e veterinarisë dhe ushqimit është një shtyllë e tretë në kuadër të agjencisë apo në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit. Ne kemi një bashkëpunim të mirë edhe me policinë dhe doganën e Kosovës dhe në momentin që edhe policia hasë në mallra të kontrabanduara apo në mallrat që nuk kanë të shoqëruar një dokumentacion  përcjellës, atëherë njoftohen autoriteti i agjencisë së ushqimit në këtë rast, informohen edhe inspektorët e agjencisë dhe atëherë ndërmerren masat konform ligjit. Të gjitha ato mallra që nuk kanë dokumentacion shoqërues dhe janë të rrezikshme dhe nuk janë futur në rrugë  ligjore institucionale, atëherë largohen asgjësohen dhe nuk lejohen të përdoren nga ana e konsumatorëve të vendit.

 RKL: Për çka mban përgjegjësi njësia për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve?

 Gjinovci: Drejtoria e shëndetit të kafshëve në kuadër të cilit bëjnë pjesë edhe njësia për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve është një drejtori mjaft e rëndësishme dhe përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në përgjithësi. Është edhe një drejtori për parandalimin e paraqitjes së sëmundjeve të ndryshme tek kafshët shtëpiake me qëllim të parandalimit të transmetimit të epidemive të ndryshme tek njerëzit.  Është përgjegjëse edhe për kontrollin e kafshëve në përgjithësi sa i përket edhe identifikimit edhe regjistrimit, lëvizjes e tregtimit të tyre, madje edhe me kontrollimin  të qenve endacak në zona urbane.

 RKL: Cili është bashkëpunimi juaj me Shqipërinë, a keni ndonjë plan për aktivitete të përbashkëta?

Gjinovci: Bashkëpunimi ynë me vendet e rajonit është mjaft i mirë. E sidomos  me  Republikën e Shqipërisë. Ne në javën e kaluar kemi qenë në një takim në Tiranë, ku jemi takuar edhe me autoritetin  kombëtar të ushqimit atje dhe me homologun nga Tirana, me ç’rast kemi diskutuar rreth vijave të ardhshme të bashkëpunimit me qëllim të zgjerimit në fusha të përgjithshme të cilat lidhen edhe me  fushën e sigurisë së ushqimit. Në këtë drejtim, ne kemi avancuar sa i përket edhe bashkëpunimit  edhe shkëmbimit të informacionit. Realisht ne çdo ditë njoftohemi nga autoriteti kombëtar i ushqimit lidhur me importin e produkteve ushqimore, të cilat kalojnë tranzit në portin e Durrësit, territorin shqiptar e që për destinacion kanë Kosovën. Jemi të njoftuar në baza ditore sa i përket të gjitha mallrave që vijnë në drejtim tonin, qoftë llojet e mallrave qofte edhe importuesve e eksportuesve. Poashtu  kemi ndërmend që autoritetit kombëtar ti japim një program që quhet sistemi i gjurmueshmërisë, i cili lidhet me kontrollin edhe të importit edhe të eksportit, projekt ky që është financuar nga komisioni evropian dhe instrumenti i asistencës teknike.

RKL: Me cilat komuna deri tani keni nënshkruar memorandum bashkëpunimi për transferimin e inspektorëve komunalë ?

Gjinovci: Me ligjin e ushqimit është e paraparë që inspektorët e kuvendeve komunale të transferohen në agjencinë e ushqimit dhe veterinarisë dhe në kuadër të kësaj kemi hapë zyrat regjionale ashtu siç është e paraparë me rregulloren.  Është hapur zyra regjionale në Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe së shpejti mendojmë ta hapim edhe në Prishtinë. Për momentin, marrëveshjen e memorandumit e kemi nënshkruar me komunën e Mitrovicës, Pejës, Gjilanit dhe së shpejti do të nënshkruhet edhe me komunën e Prizrenit. Jemi në fazën e nënshkrimit edhe me komunat tjera, mirëpo në radhë të parë kemi filluar me komunat e mëdha dhe mendojmë që në korrik të finalizojmë këtë proces sa i përket inspektorëve në agjenci të ushqimit. Përmes kësaj do të rritet si puna ashtu edhe efikasiteti. Objektivë e jona është transferimi i tyre deri kah fillimi apo fundi i korrikut ku është faza ku bëhet edhe rishikimi i buxhetit e që shpresojmë të mbyllim si kapitull gjatë vitit 2013 si dhe të bëhet një organizim më i mirëfilltë në mënyrë që të rritet niveli i kontrollit në masë më të lartë. Prapëseprapë ka mjaft fusha të cilat kanë nevojë të vlerësohen e të mbikëqyren nga ana e agjencisë së ushqimit. Ndërkaq jemi në fazën e nënshkrimit edhe me komunat e tjera, kështu që mendojnë që brenda këtij viti këtë proces ta përmbyllim me sukses.

RKL: Cila do të ishte porosoia juaj për konsumatorin?

Gjinovci: Dua t’i siguroj të gjithë konsumatorët dhe qytetarët e vendit se shqetësimin e parë për prodhimet të cilat mund të jenë të pasigurta e merr gjithherë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë para se të arrijë tek konsumatori.  Dua t’i siguroj ata se agjencia e ushqimit si autoritet për sigurimin e ushqimit, për çdo ditë jemi në kontroll të rregullt. Dua t’i siguroj ata se gjithë ato prodhime që importohen apo që prodhohen brenda vendit , mirëpo edhe prodhimet e tjera janë të sigurta dhe që kontrollohen nga ana e inspektorëve tanë. Kështu që nuk ka nevojë të krijohen panik për arsye se gjithherë Agjencia e ushqimit është ajo që kujdeset për qytetarët. Të gjitha prodhimet që kontrollohen nga ne janë prodhime të sigurta dhe cilësore.

Radio KOSOVA E LIRË
Prill 2013

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …