Brickos

Intervistë me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja

RKL: Zotëri kryetar, gjatë viteve të qeverisjes në komunën e Lypjanit keni realizuar shumë projekte si asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e shkollave dhe projekte të tjera. A mendoni se keni bërë mjaft?

Shukri Buja: Hapësirë ka gjithmonë të punohet. Nuk jemi shumë të kënaqur sa kemi bërë për Lipjanin, por krahasuar me komunat tjera jemi mirë, sepse gjatë qeverisjes sime po bëhen 60 milion euro investime kryesisht në infrastrukturën shkollore, shëndetësore, në infrastrukturën e rrugëve apo të shërbimeve publike. Ndërsa ka edhe investime tjera jashtë këtij 60 milionëshi, sidomos të sektorit privat në ndërtimin e zonës industriale, e cila është në ngritje e sipër dhe kemi bërë një punë të mirë. Kemi përfunduar lidhjen e fshatrave me qytetet përmes rrugëve të asfaltuara, kemi bërë mbulimin rreth 80 % të rrjetit të kanalizimeve në komunën e Lipjanit, projektin për ujësjellësin për 14 fshatra që është në përfundim që të plotësojmë deri diku edhe ujin e pijshëm. Me shkolla jemi në investim e sipër. Kemi katër shkolla në ndërtim, ndërsa katër të tjera  janë ndërtuar më herët, të cilat dy janë ndërtuar nga ministria, ndërsa gjimnazi është në përfundim e sipër. Në infrastrukturën shëndetësore,  po ashtu kemi ndërtuar ambulanca ku ka pasur nevojë. Në fushën e kulturës, kemi rinovuar Qendrën Kulturore “Tahir Sinani”, jemi në ndërtim të dy sallave sportive në fshatin Llugagji dhe fshatin Shalë. Kemi ndërtuar disa fusha futbolli, kështu që po e rrumbullakojmë ngadalë të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

RKL: A jeni përkrahur meritueshëm nga qeveria e Kosovës?

Shukri Buja: Qeveria sidomos në fillim të mandatit ka qenë shumë e përkushtuar. Ka pasur fonde për komuna, po ashtu  dhe për komunën e Lipjanit. E falënderoj gjithmonë qeverinë, ministrat që kanë qenë edhe më herët, sikur ministri Fatmir Limaj dhe ministrat tjerë. Vazhdon përkrahja, por jo në nivelin në të cilin ka qenë më herët. Fondi është përqendruar sidomos në infrastrukturën rrugore, në rrugë nacionale, dhe këtu kemi mangësi. Po ashtu Ministria e Arsimit, për shkak të ndërtimit të shkollave më herët që janë kontraktuar dhe borxheve që ka nuk po mund të na përkrah në nivelin që dëshirojmë. Një e metë tepër e madhe nga Qeveria, është në veçanti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila qe gjashtë vite nuk e ndihmuar Komunën e Lipjanit. Po ashtu edhe Ministria e Shëndetësisë. Këto dy ministri duhet ta dinë se ekziston edhe një komunë, që quhet Lipjan.

RKL: A keni pasur projekte konkrete drejtuar këtyre dy ministrive, që nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje?

Shukri Buja: Kemi pasur disa herë projekte, sidomos projektin e stadiumit të qytetit drejtuar Ministrisë së Kulturës, për të cilën kemi pasur dhe kemi nevojë, mirëpo ende nuk kemi ndonjë përkrahje konkrete. Ministrisë së Shëndetësisë i drejtohemi vazhdimisht. Në mungesë të qasjes së kësaj ministrie, ne me buxhetin komunal kemi ndërtuar ambulanca e reja.

RKL: Sa i përket donatorëve të jashtëm, sa keni arritur të vilni nga ata dhe në cilin sektor keni bërë më shumë?

Shukri Buja: Kemi arritur të bashkëpunojmë mjaftë mirë me USAID-in amerikan, i cili përveç shkollës që ka investuar për komunitetin në Dobratin më herët, jemi në investim të përbashkët në bazë të politikave të USAID-it- 1+1 ( një euro USAID-i, një euro Komuna) dhe jemi në përfundim të projektit i cili rrumbullakon diku pesë milion euro investime të ujësjellësit për 14 fshatra. Po ashtu me USAID-in kemi ndërtuar një shkollë në Medvec. Me BE-në kemi përfituar në  projektin e trajtimit të ujërave të zeza të fshatit Dobrajë, kemi përfituar nga Bashkësia Evropiane projektin në dy fshatrat Medvec dhe Vrellë, që është një shumë 840 000 euro. Kemi përfituar po ashtu në renovimin e dy shkollave, projekte të cilat do të fillojnë tani, në shkollën “Vëllezrit Frashëri në Lipjan dhe shkollës në Llugagji. Kohëve të fundit na është konfirmuar se kemi arritur ti kalojmë tri komisionet e BE-së për Bibliotekën dhe Arkivin e qytetit të cilat do të ndërtohen në Lipjan, vlera e të cilave është 600 000 euro. Kemi donacione nga Fondi Zviceran i Ujërave prej 520 000 euro për projektin e 14 fshatrave dhe po ashtu nga Fondi Gjerman i Ujërave i cili ka realizuar projektin e ndërrimit të gjithë rrjetin e ujësjellësit në qytetin e Lipjanit. Pra kemi bashkëpunim të mirë me donatorët e jashtëm.

RKL: Sfidë për qytetin e Lipjanit ka qenë projekti me koncesion për kategoritë e luftës dhe kanalizimi i qytetit i cili nuk është plotësuar. Ku jeni tani me realizimin e këtyre dy projekteve?

Shukri Buja: Projekti i rrugës me katër korsi i cili përfshinë edhe ndërrimin e rrjetit të kanalizimit , ujësjellësit, telefonisë, rrymës etj, është në realizim e sipër. Është kontratë e cila është tenderuar vjet dhe iu ka dhënë operatorit “Eskavatori”, i cili vjet ka përfunduar një pjesë të rrugës dhe sivjet vazhdon me këtë kontratë. Shpresojmë se në muajin korrik do të jetë e përfunduar rruga me katër korsi me gjithë infrastrukturën. Do të vazhdojmë me këtë projekt për pjesën tjetër e cila do të jetë një kontratë dyvjeçare që  përfshihet nga hekurudha deri tek tregu  ku ka afër rrugën me katër korsi. Ndërsa për ndërtimin për kategoritë e luftës e cila është përcaktuar te lumi Sitnica, përveç problemeve pronësore që kemi pasur, kemi probleme edhe me ligjet të cilat janë ndërruar mjaftë shpesh. Pretendimi ynë fillimisht ka qenë që të jepet me koncesion, pastaj është ndërruar dhe ka ardhur në fuqi ligji i partneritetit publiko-privat, ndërsa tani në kohët e fundit që është një procedurë që është më e lehtë është dhënia e tokës në shfrytëzim për 99 vite, mundësi më e mirë zgjidhjen e problemit për projektin e kategorive të luftës. Jemi në procedurë të tenderimit për pjesën që është e komunës për 2,17 hektarë në të cilat do të ndërtohen gjashtë ndërtesa me projektin ideor që e kemi. Do të shpallen shumë shpejt nga Zyra e Prokurimit në mënyrë që të zgjidhim këtë problem, edhe pse ndërtimi mund të zgjatë. Që në kohën kur e kemi planifikuar e kemi ditur se do të kemi problem për shkak të vet natyrës së punës me koncesion, pastaj ndërrimeve të ligjeve që janë bërë, ashtu siç e kemi problemin me sheshe, në të cilat kemi hy në partneritetin publiko-privat dhe ka shumë procedura. Është edhe një aprovim që do të nxirret nga Këshilli Ndërministror, i cili udhëhiqet Ministria e Financave dhe presim që javën tjetër ta kemi këtë takim dhe ta marrim pëlqimin dhe të vazhdojmë me procedura. Do të thotë janë disa procedura ligjore, ndërrime të infrastrukturës ligjore që na kanë shkaktuar vonesa në këtë drejtim.

RKL: Sa jeni të kënaqur me punën e drejtorëve këtu në qeverisjen lokale?

Shukri Buja: Drejtorët janë kompetencë e drejtpërdrejtë e kryetarit, janë staf politik edhe pse menaxhojnë me drejtoritë. Momentin kur kryetari nuk është i kënaqur me ndonjë drejtor mund ta shkarkoj dhe dihet se është e drejtë e tij. Po të mos isha i kënaqur në nivelin e tyre, do të kisha marrë masën e shkarkimit. Nuk jam shumë i kënaqur me drejtorët, sepse ka hapësirë gjithmonë për të vepruar, por punët deri tani kanë shkuar mirë dhe nuk kam pas arsye për shkarkim. Ka vërejte në disa drejtori, zakonisht nga qytetarët. Ne kemi pasur edhe një vlerësim të performancës nga USAID-i. Shumica e drejtorive e kanë kaluar 50 përqindëshin, në administratë kemi 67 %, në shërbime komunale kemi 74%,.ndërsa në Drejtorinë  e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kemi performancë të ultë. Në bazë këtij studimi, në dy drejtori do të shikojmë që më mirë t’i qasemi punës, ku vlerësimi parametrave të qytetarëve ka qenë i ulët.

RKL: Cili është kontributi i Komunës në avancimin e sportit?

Shukri Buja: Jemi munduar të kemi një qasje të veçantë për sportin, edhe pse buxheti komunal nuk na lejon shumë të punojmë në këtë drejtim. Në aspektin e infrastrukturës kemi punuar më shumë. Kemi dy salla të sportit të cilat i potencova, në Shalë dhe Llugagji. Kemi ndërtuar mjaft moderne siç është ajo në Babush të Muhaxherëve, që është fushë e futbollit të madh. Po subvencionimi i sportit është mjaft problematik, për shkak se me ligj kemi një për qind nga buxhet komunal subvencione dhe nga ky subvencion subvencionet sporti, kategoritë e dala nga lufta , të varfëritë dhe me 1% nuk ka mundësi. Ne i subvencionojmë vetëm për të paguar kuotizimet, ndërsa futbollit i kemi dhënë më shumë rëndësi për shkak se është në ligën e parë Klubi “Ulpiana” dhe e kemi ndihmuar me mjete financiare, por nuk jemi në nivelin buxhetor në të cilën do të kishim mundur të veprojmë ashtu siç duhet ti qasemi sportit. Sporti në Lipjan në disa fusha ka dështuar si boksi i cili ka qenë fillimisht shumë mirë. Ende vazhdojmë me futbollin, basketbollin, me volejbollin, mirëpo është shumë vështirë të mbahen klubet, për shkak se ne vetëm mund ti subvencionojmë po jo edhe ti financojmë drejtpërdrejtë, sepse nuk lejohet me ligj.

RKL: Para ca kohësh jeni shpallur qytetar nderi i Bashkisë së Fushëarrëzit. Si jeni ndier?

Shukri Buja: Realisht ka qenë një kënaqësi e veçantë. Ata e kanë çmuar veprimtarinë time jetësore. E kanë çmuar kontributin që e kam dhënë në ilegale, gjatë luftës dhe ndërtimin e shtetit pas luftës. Është e veçantë të jesh qytetar nderi i Shqipërisë, kur dikur e kishim ëndërr të shkonim në Shqipëri. Nuk është vetëm çmim vetëm për mua por edhe për të gjithë ata që punuan në drejtim të çlirimit të vendit dhe veprimtarisë kombëtare.

22.03.2013

Intervistoi: Arbanë Qeriqi

Radio Kosova e Lirë

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …