Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim në Prishtinë me kongresistin amerikan Keith Self, ku është diskutuar për zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova. Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë takimit ka ngritur çështjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë dhe të tejzgjatur. Sipas tij, ai ka kërkuar mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një gjykim të drejtë dhe për lirimin e shpejtë të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, deputetit Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. “Shpreha shqetësimin tim lidhur me procesin e padrejtë ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë. Kërkova mbështetje për gjykim të drejt dhe lirim të shpejtë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin nga ky proces i dëmshëm, që ka tejkaluar çdo standard juridik dhe njerëzor, si dhe që kjo çështje të ngrihet edhe në Kongresin Amerikan. Padrejtësia ndaj çlirimtarëve duhet të marrë fund”, ka shkruar Hoxhaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
