F. Shkreli: Një pjesë e Murit të Berlinit vendoset në Qendrën e re të Diplomacisë Amerikane në DASH

Departmenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të arrijë të ënjtën më 13 gusht, 2015 në Washington për t’u instaluar në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara në Kryeqëndrën e Departmentint Amerikan të Shtetit (DASH).  Në njoftimin e DASH për media, thuhet se vendosja e një pjese të veçantë të Murit të Berlinit  në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane, do të bëhet me rastin e 54-vjetorit të mbylljes së kufirit midis Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor, më 13 gusht, 1961.

Departmenti Amerikan i Shtetit njofton se segementi unik i këtij muri që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington, është nënshkruar me dorën e vet nga disa protagonistë që  — secili në mënyrën e vet — luajtën rol në shëmbjen e Murit të Berlinit e të cilët janë ende gjallë, përfshirë ish-Presidentin amerikan, George H. W. Bush, ish-udhëheqsin e Bashkimit Sovjetik, Mikhail Borbachev, ish-Kancelarin gjerman Helmut Kohl, ish-Presidenti i Polonisë dhe ish-udhëheqsin e Sindikatës Solidarnoshq, Lech Walesa. Këtë pjesë të Murit të Berlinit që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington e kanë nënshkruar gjithashtu edhe Kancelarja e tanishme e Gjermanisë Angela Merkel dhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker.

Në njoftimin e bërë të mërkurën, DASH thotë se Muri i Berlinit shërben si një kujtesë e përhershme e historisë sonë të përbashkët si dhe e rolit të pazevendësueshëm në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve transatlantike, në të ardhmen.  Instalimi i kësaj pjesë të Murit të Berlinit në Qëndrën Amerikane të Diplomacisë do të mbikqyret nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe gjermanë.

Objektivi i Qëndrës së re të Diplomacisë Amerikane në ndërtim e sipër, sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, është për të paraqitur mënyrat e ndryshme të zhvillimit të diplomacisë amerikane si dhe rëndësisë së saj gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara. “Diplomacia dhe puna e diplomatëve tanë në mbi 250-ambasada, konsulata dhe misione të tjera diplomatike, është jetësore për fuqinë dhe imazhin e kombit tonë, dhe janë jetike për avancimin e interesave të tij anë e mbanë globit”, ka theksuar John Kerry. Në këtë Qëndër, ka thënë kryediplomati amerikan, vizitori do të zbulojë fakte mbi veprimtarinë dhe jetën e diplomatëve amerikanë dhe të familjeve të tyre në vende të ndryshme, të cilët me punën e tyre nderojnë dhe promovojnë vlerat dhe parimet e Amerikës anë e mbanë botës.  Si shtetas amerikan, nga kjo Qëndër e Diplomacisë, shtoi ai, ju do të mësoni se si diplomacia afekton drejtë për drejtë, jo vetëm interesat dhe mirëqenjen e kombit tuaj, por njëkohësisht ndikon edhe në jetën tuaj personale. Vizitorët nga vende të huaja do të zbulojnë diçka të re mbi Shtetet e Bashkuara që nuk e kanë ditur deri më tani, ka thënë Kryediplomati amerikan Kerry.

 United States Diplomacy Center pavilion

Muri i Berlinit ose, siç e ka quajtur ish Kancelari gjerman Villy Brandt, “Muri i Turpit” u shëmbë në vitin 1989, por lufta për shëmbjen e tij kishte filluar shumë më heret. Ishte fjalimi ish-presidentit amerikan, John Kennedydhe deklarata e tij, “Ich Bin Ein Berliner”, (Edhe unë jam Berlinas) në vitin 1963 në Berlinin e ndarë, që i tërhoqi botës vëmendjen mbi fatin e keq të Berlinit dhe të Europës së ndarë nga komunizmi. Ish-presidenti amerikan Kennedy ka thënë me atë rast, se “Ka shumë njerëz anë e mbanë botës të cilët nuk e kuptojnë ose thonë se nuk e kuptojnë ndryshimin e madh që ekziston midis botës së lirë dhe botës komuniste.” Ai u bëri thirrje atyre që të shkonin në Berlin e të shikonin për veten e tyre, ndryshimin midis perëndimit demokratik dhe lindjes komuniste: Lass’ sie nach Berlin kommen!

Ndërsa, 24 vjetë pas fjalimit të ish-presidentit Kennedy në Berlin, një tjetër president amerikan, ish-Presidenti Ronald Reagan në të njëjtin vend, aty në vijën që ndante Berlinin perëndimor nga ai lindor, në fjalimin e tij historik, i bëri thirrje ish-udhëheqsit sovjetik: “Nëqoftse dëshiron paqën, nëqoftse dëshiron begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe për Europën Lindore dhe nëqoftse kërkon liberalizimin…Z. Borbachev, shëmbe këtë mur.”

Fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë në Berlinin e ndarë midis lindjes dhe perëndimit kanë hyrë në histori si ndër fjalimet më të shquara për kohën kur janë mbajtur, fjalime të cilat sipas shumë historianëve kanë influencuar marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në zhvillimet politike në kontinentin e vjetër gjatë periudhës së luftës së ftohtë.  Si të tilla, fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë — Kennedy dhe Reagan — përcaktuan fatin eventual të Murit të Berlinit, duke mundësuar shëmbjen e tij në vitin 1989 – të atij “Muri të Turpit”, i cili për 28 vjetë qëndroi si simbol i shtypjes së komunizmit dhe i ndarjes së Europës dhe botës.

Sipas disa historianëve, fjalimi i ish-presidentit John F Kennedy në vitin 1963 në Berlin, bëri që bota ta shikonte Murin e Berlinit si simbol të shtypjeve politike të komunizmit, ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut, të popujve nën komunizëm. Ndërsa fjalimi i ish-presidentit Ronald Reagan më 1987, thonë ata, ndikoi drejtë për drejtë, në shëmbjen eventuale të murit. Nënshkrimi i ish-presidentëve amerikanë Kennedy dhe Reagan — në cilëndo pjesë të Murit të Berlinit dhe kudo që të vendosen ato, përfshirë edhe segmentin e veçantë që do të instalohet në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington — është i përjetësuar përgjithëmonë në analet e historisë së diplomacisë amerikane dhe të botës.

Frank Shkreli: Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Arshi Pipës

Dua të përshëndes Vatrën për organizimin e këtij tubimi sonte për të shënuar kujtimin e Profesor Arshi Pipës me rastin e 95-vjetorit të lindjes. Është me vend, në fakt është detyrim, që ky përvjetor të shënohet ashtuqë të mos hidhet në harresë ky burrë i madh i Shkodrës i cili me aktivitetin dhe veprat e tija që ka lënë pas, ka nderuar veten dhe kombin.

Marrim pra pjesë në kujtimin e një shqiptari të madh, për ta kujtuar sonte jo vetëm me miqë të vjetër të Arshi Pipës, por edhe me dashamirë të ri, të cilët ndoshta nuk kanë patur rastin ta njihnin sa ishte gjallë. E kujtojmë në shënjë  nderimi dhe respekti për veprën dhe kontributin e tij në fushë të ndryshme por edhe si patriot, dhe të një veprimtarie të shumëanëshme krijimtarie si në letërsi, në filozofi, në poezi, kritikë letrare dhe në fushën e studimeve politike, përfshirë shkrimet dhe veprat e tija mbi stalinizmin shqiptar dhe mbi Kosovën.

Si shqiptarë dhe si mërgimtarë, i kemi borxh Profesor Arshi Pipës dhe familjes së tij të vuajtur dhe të sakrifikuar. Në të vërtetë, kemi një detyrim moral që ta kujtojmë jo vetëm atë dhe vuajtjet e tija personale, por dhe sakrificat sublime të familjes Pipa në përgjithësi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, siç ishte vrasja e vëllait të tij dhe mbrojtësit të të pafajshëmve të elitës së kulturës shqiptare — përfshirë klerikët më të njohur katolikë të Shkodrës — avokatit të shquar shkodran, Muzafer Pipës.

Familja Pipa është njëra prej familjeve shkodrane dhe shqiptare, e cila me vendosmëri luftoi për të drejtën dhe për lirinë e çdo individi, për demokracinë e Shqipërisë dhe kundër vendosjes së diktaturës komuniste në atë vend.

Shëmbjen e komunizmit ai e kishte ëndërrë dhe shpresë.  Si patriot dhe si intelektual,  Arshi Pipa nuk pushoi asnjëherë  së luftuari drejtë këtij qëllimi dhe në mbështetje të drejtave të njeriut, të fjalës së lirë, dhe për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë dhe të Kosovës në përgjithësi — gjithmonë në një papajtueshmëri të plotë ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste, të cilën e urrente me pasion.   Visar Zhiti, një tjetër shkrimtar e poet që ka vuajtur tmerrin e burgjeve të regjimit komunist, pas takimit për herë të parë me ‘të në Washington, ka shkruar se shihej që Arshi Pipa, “ishte njeri i prerë, i pakompromis, ‘madhërisht i pamëshirshëm’ me diktaturën”.

Argumentat e Arshiut kundër diktaturës e kishin bazën në një përgatitje të gjithanshme arsimore, kulturore, politike dhe filozofike perëndimore.  Arshi Pipa, përveç përvojës akademike në universitetet më të njohura amerikane ku ka dhënë mësim për dekada — dituria dhe angazhimet e tija në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, e kanë gjithashtu bazën edhe në vuajtet e tija personale dhe të anëtarëve të viktimizuar të familjes së tij. Mishërimi i përvojës akademike, zgjuarsia e tij prej natyre dhe vuajtjet e veta dhe të familjes, e bënin Arshi Pipën një bashk-bisedues tepër interesant — ndonëse nganjëherë i pa kompromis — që njëherazi angazhonte me respekt si kolegun ashtu dhe kundërshtarin, duke paraqitur argumentat e veta me një gjallëri përbindëse të idealeve dhe qëndrimeve të tija. Ishte i fortë në argumentat e tija, i palëkundur në bindjet dhe parimet e veta.  Kishte pak fjalë, por bindëse!

Disa mund të thonë se Arshi Pipa ishte një personalitet kompleks dhe kritikët e tij do e karakterizonin ndoshta edhe si i pa kompromis në qëndrimet e tija. Dhe disa do të thoshin se ai ishte i vështirë në marrëdhënjet me të tjerët.

Por kritikët e mirëfilltë si dhe adhueruesit e tij e dinë se vepra dhe kontributi i Profesor Arshi Pipës peshon shumë më rëndë nga ato që kritikët e tij mund ti karakterizojnë si të meta ose mungesa të tija. Mund të mos jeshë dakort me Arshi Pipën për ndonjë qendrim ose pikëpamje të tij, por kjo nuk mund të përdoret për të mohuar veprat dhe kontributin e tij në lëmi të shumëta të gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe të mendimit politiko-filozofik, të botuara jo vetëm në shqip por edhe në një numër gjuhësh më të rëndësishme të botës, siç janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja. Bota është më e pasur dhe më e ditur mbi kulturën shqiptare dhe me më shumë njohuri mbi kombin shqiptar dhe historinë e tij, pikërisht falë punës dhe veprimtarisë së Arshi Pipës.

Prandaj, në këtë përvjetor të lindjes së tij, ta përkujtojmë Profesor Arshi Pipën ashtu siç e mbajmë mend kur ishte gjallë:

Një person me trup të vogël  fizik, por një figurë e madhe e kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë, publicistikës dhe të mendimit politik.

E mbajmë mendë si një atdhetar i përkushtuar ndaj fatit të kombit të vet dhe çlirimit nga komunizmi;

Si një person me një energji të palodhëshme anti-komuniste, kurdo dhe kudo e donte nevoja, me bindje të palëkundura në liri dhe demokraci për shqiptarët.

Përveç sallave universitare të Amerikës ku ai përhapte gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe studentëve amerikanë, ndodhte që Arshi Pipën ta gjenit edhe duke demonstruar në rrugë, përfshirë para Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri.  Sypatemebur dhe besnikë ndaj idealeve të veta, si në burgjet e Enver Hoxhës ashtu në mërgim, Arshi Pipa nuk kishte frikë prej asakujt. Përkundrazi regjimi komunist e kishte frikë atë.   I tillë ishte atdhetari, shkrimtari dhe poeti Arshi Pipa, një zë ndrysh doemosdo, por një zë i artikuluar shqiptar, një mbrojtës i së drejtës dhe i lirisë së njeriut. Për këtë arsye, gjatë gjithë jetës së vet, megjithëse jetonte në Amerikën e largët, ai ishte njëkohësisht, edhe një person i frikëshëm për diktaturën enveriste!

Me një rast në vitin 2005, ish-Presidenti Bamir Topi ka folur për sakrificat e familjes Pipa dhe duke përmendur specifikisht vëllezërit Arshi e Muzafer Pipa – njëri shkrimtar dhe tjetri jurist — ka thënë se, “Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari si zëri me i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbytë kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët”, ka thënë ish-presidenti shqiptar.    Diktatura vrau drejtësinë duke vrarë mbrojtësin e drejtësisë, të vëllain Muzaferin, por nuk vrau dot zërin e artikuluar të shkrimtarit dhe zërin ndryshe të Arshi Pipës, i cili jehoi në Perëndim.

Thuhet shpesh se pena është një armë më e madhe ose më e fortë se pushka.  Arshi Pipa, penën e përdori  me qëllim bujar, për të lartësuar mirësitë dhe bukuritë e njeriut dhe të natyrës dhe në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë.  Arshi Pipa, i cili i sjellë nder emërit shkrimtar dhe poet — në shkrimet dhe veprat e tija shohim se ai, edhe në vuajtjet më të rënda të njeriut përpiqet të kapë thelbin e vlerave dhe të virtyteve më humane dhe më të bukura, si dhe luftën dhe kacafytjen midis së mirës dhe të keqës, duke dëshmuar njëherazi edhe fisnikërinë e vërtyteve më të larta të kombit shqiptar.

Gjatë viteve në burgjet komuniste, Arshi Pipa ishte njohur dhe kishte lidhje e miqësi të ngushta me përfaqsues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me të në birucat  komuniste, përfshirë edhe Ipeshkvin dhe shkrimtarin Vinçenc Prenushin, për të cilin Pipa ka shkruar se madje edhe në rrethanat më çnjerzore nën të cilat jetonte në burg, Prenushi pasqyronte disa prej këtyre vlerave dhe virtyteve njerëzore të shqiptarit: “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë.”

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”,  Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke cilësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqsuesve të Kombit.”

Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e dalluar të letërsisë kombëtare ishte e qartë se, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë në të njajtën kohë si kundër fesë ashtu dhe kundër kombësisë”.

Ashtu edhe ndodhi! I bugosur, i rrahur e i torturuar, “lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkvuajtësin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, dhe u drejtohet lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim i vuajtjeve të mikut të tij, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën para vetes kur kritikonte komunizmin, por është  edhe një përfytyrim që ai do të dëshironte që të ri-krijohet sonte dhe të mbetet gjithmonë në ndërgjegjen tonë kur flasim për atë regjim. Prandaj nuk është për tu habitur se ishte ky përfytyrim, kjo skenë e shumë të tjera si kjo, që e bënte Arshi Pipën të papajtueshëm, ose siç ka shkruar Visar Zhiti, “madhërisht të pamëshirshëm” me regjimin komunist të Enver Hoxhës, të cilin ai e luftoi me të gjitha energjitë e veta. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit — Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet si, “simboli i të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën ne mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet.”

Por, Arshi Pipa, shkimtari dhe poeti i burgosur, i torturuar dhe i vuajtur në burgjet komuniste, fatbardhësisht e pësoi pak më mirë se Vincenz Prenushi dhe shumë bashkvuajtës të tjerë që i lanë eshtrat e tyre në burgjet dhe në kampet e përqendrimit, varret e të cilëve nuk dihen as sot.  Arshi Pipa mundi tu shpëtonte persekutimeve dhe vuajtjeve të mëtejshme me arratisjen dhe eventualisht me vendosjen e tij Shtetet e Bashkuara. Për fat të mirë të tij gjithashtu por ndryshe nga shumë bashkvuajtës të tij, të cilët ishin arratisur nga Shqipëria pas ardhjes së komunizmit në pushtet të cilët vdiqën para se të shikonin Shqipërinë post-komuniste, ai mundi të shihte më në fund shëmbjen e një regjimi nga i cili kishte vuajtur vet dhe i cili kishte viktimizuar dhe persekutuar familjen e  tij.

Por gëzimi për shëmbjen e komunizmit në Shqipëri dhe në mbarë Europën lindore, fatkeqsisht u këthye shpejt në një zhgënjim të bindjeve të mbrendshme që Arshi Pipa kishte për vlerat e kombit të vet. Ai  kishte vendosur të këthehej në Shqipërinë e pas diktaturës komuniste me qëllim që të mos këthehej më në Amerikë, por gjeti një vend aq të ndryshuar nga diktatura komuniste, një vend i cili i dukej si i huaj në krahasim me Shqipërinë dhe vlerat që kishte njohur ai. Ai shpresonte për një Shqipëri ndryshe pas shëmbjes së komunizmit. Por, megjithëse u largua për të dytën herë fizikisht nga Shqipëria, kësaj radhe nga Shqipëria post-komuniste, Profesor Arshi Pipa në të vërtetë kishte vendosur për së gjalli që të mos ndahej kurrë nga

Shqipëria duke i dhuruar bibliotekën e tij të pasur, përfshirë të gjitha veprat e tija e që ishte e vetmja pasuri që kishte —  Bibliotekës së Shkodrës.

Prania e tij në  qarqet perëndimore u kujtonte si shqiptarëve ashtu edhe të huajve se Shqipëria ka nxjerrur nga gjiri i saj akademikë dhe njerëz të kulturës si Arshi Pipa, të cilët ishin përfaqsues të denjë të kombit të vet – dhe të aftë për të konkuruar me më të mirët dhe më të zotët e botës perëndimore.

Profesor Arshi Pipa ishte pranuar me krahë hapur në Shtetet e Bashkuara për të dhënë mësim në një numër universitetesh anë e mbanë vendit.

Arshi Pipa besonte në liri dhe demokraci të vërtetë dhe ishte një zë i denjë në mbështetje të të drejtave të individit. Si i tillë, as veprat e Arshi Pipës as qëndrimet e tija ideologjike dhe politike të tija, që në të vërtetë shpesh ishin edhe kritike ndaj politikës së mbrendshme dhe të jashtme të Amerikës, vendit të tij të adaptuar, nuk kërcënoi as paqën as sigurinë, as rendin shoqëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, Amerika e pranoi atë ashtu siç ishte, si një vuajtës i komunizmit, si një mbështetës të lirisë dhe demokracisë — faji i vetëm i të cilit ishte se e donte Shqipërinë të lirë nga komunizmi ndërkombëtar.  Si rrjedhim, lind pyetja nëse Shqipëria post-komuniste e ka pranuar ose jo Arshi Pipën dhe të tjerë shkrimtarë e poetë shqiptarë në perëndim si ai, të arratisur nga komunizmi — dhe se si përgjigja ndaj kësaj  pyetjeje pasqyron mbi lirinë dhe demorkacinë e vërtetë sot në Shqipëri?

Unë jam dakort me deklaratën e shkrimtarit dhe poetit të madh Martin Camaj — 90-vjetori i lindjes i të cilit shënohet gjithashtu këtë muaj – dhe mik i ngushtë i Arshi Pipës se, “Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm atherë, kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studjojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhej si Arshi Pipa.”

Unë do të shtoja se Shqipëria nuk do të jetë vërtetë e lirë për derisa nuk ekziston një pajtim i vërtetë me bijtë e saj siç është Arshi Pipa — një pranim dhe pajtim me ta në fushën politike, mediatike, në kulturë e letërsi si edhe në qarqet akademike shqiptare.

Në përfundim dhe në përputhje me atë që ka thënë Martin Camaj, unë besoj se pa pranimin e  shkrimtarëve si Arshi Pipa,  dhe pa zhdukjen e paragjykimeve politike, letrare, dhe ideologjike ndaj shkrimtarëve të kombit si Arshi Pipa, dhe pa krijimin e një atmosfere për të kapërcyer dallimet politike dhe ideologjike të periudhës komuniste midis shqiptarëve, për ndryshe Shqipëria dhe kombi shqiptar do të mbeten si, “Një anije e palëvizëshme, e ngarkuar me zemrën e rënduar të poetit që simbolizon shpresat e tij të rreme”. (Arshi Pipa në librin e tij Montale and Dante)

U falënderoj për durimin!

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …