Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për qasje denigruese ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke komentuar edhe sulmet e fundit politike ndaj Sami Lushtakut. Demaku deklaroi se, sipas tij, figura si Lushtaku do të vlerësoheshin ndryshe po të kishin rënë gjatë luftës. “Po të ishte vrarë gjatë luftës, por të ishte dëshmor e hero, do ta kishin barazuar pastaj afër Adem Jasharit. Këta po shihet që ne të gjallët iu pengojmë. Askush i gjallë nga pjesa e PDK-së e e UÇK-së për këta nuk mbeti i mirë”, u shpreh Demaku. Ai tha se eksponentë të VV-së po zhvillojnë një diskurs përjashtues ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë ende aktivë në politikë dhe jetën publike. Fadil Demaku, ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Agim Bahtirit nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili kishte thënë se veriu i Kosovës është “më i sigurt” sesa Skenderaj. Sipas tij, deklarime të tilla nuk janë të menduara mirë dhe po përdoren për qëllime politike. “Ky nuk e dinë as ku ka më shumë siguri, as ku ka më pak. Këtij veç i ka thanë dikush ‘thuje këtë,’ dhe ky e thotë. Nuk janë të vetëdijshëm për peshën e këtyre fjalëve. Dikush tjetër pas tyre i përdor, këta janë të përdorur dhe pa qenë të vetëdijshëm,” deklaroi Demaku.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
