Faik Miftari: Pse hesht Kosova për krimet izraelite në Gaza?

Sot ishte dita e 19-të e fillimit të sulmeve ushtarake nga ajri, toka dhe deti nga agresori cionist izraelit mbi “burgun” më të madh botëror në tokë, Gazën, e cila plot 8 vite është nën shtetrrethimin dhe bllokadën totale nga ana e Izraelit si nga toka, deti dhe ajri.

 

Agresori izraelit nisi sulmet ajrore dhe detare me 7 korrik 2014 duke bombarduar çdo ditë e natë në Gazë, ndërsa me 17 korrik 2014 filloi edhe ofensivën ushtarake tokësore me ushtrinë e tij duke depërtuar në Gazë. Agresori izraelit nuk kursen asgjë, duke bombarduar dhe vrarë edhe njerëz të pafajshëm, civilët, fëmijë, gra dhe pleq, ashtu që gjer në ditën e sotshme janë vrarë mbi 800 palestinez dhe rreth 5.000 palestinezë janë plagosur, shumica e të cilëve janë civil të pafajshëm. Me këtë Izraeli i ka shkel të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare që sanksionojnë luftën, të gjitha Konventat e Gjenevës dhe Protokolet shtesë të saja nga e Drejta Ndërkombëtare Humanitare si dhe të gjitha rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare Zakonore. Izraeli është duke shkatërruar pa dallim infrastrukturën , duke mos kursyer as shkollat, spitalet, xhamitë, centralet elektrike, ujësjellësin, madje, bile edhe objektet që janë nën mbrojte apo në menaxhim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

 

Bota zyrtare perëndimore e ashtuquajtur”civilizuese” edhe kësaj radhe, sikurse edhe tjera herë, kur është rasti i konfliktit arabo-izraelit, jo heshtur por publikisht e përkrah agresorin izraelit, i cili si i tillë i shkel të gjitha të drejtat ndërkombëtare humanitare njerëzore. Por atë që e bëjnë  qeveritarët e tyre perëndimore, qytetarët e tyre në mënyrë masive dhe me demonstrata të madhe publikisht kanë dal në përkrahje të viktimave të pafajshme palestineze, ashtu që gjatë ditëve të vikendeve të kaluara, të shtunën dhe dielën, por edhe gjatë këtij vikendi që vie, vërsulen rrugëve, bulevardeve dhe avenyve të metropoleve më të mëdha, me qindra, mijëra dhe miliona njerëz, anembanë rruzullit të tokësor, duke filluar që nga Washingtoni, Londra, Parisi, Berlini, Roma e shumë qytetet të tjera në Evropë dhe Botë.

 

Bota Islame zyrtare kryesisht hesht, qeveritë e tyre heshtin, e sidomos ato shtete të cilët do të duhej të jenë më të zëshme, sikurse Egjipti, Arabia Saudite, shtetet e pasura arabe të Gjirit, e kështu me rradhë. Përjashtim bëjnë disa shtete sikurse Turqia, Irani, Libani, Pakistani, Indonezia, të cilët janë më të zëshme dhe po përpiqen që t’i dalin në ndihmë popullit të përvuajtur palestinez që plotë 65 vjet nga okupimi dhe gjenocidi i paparë izraelit. Por qytetarët mysliman anembanë Botës Islame, përkundër qeveritarëve të tyre, nuk heshtin, por janë të zëshëm, sikurse të xhumave tjera, ashtu që edhe në ditën e sotshme të xhumasë, kur anembanë Botës Islame shënohet Dita e Përkujtimit të Kudsit (Jerusalemit), me qindra, mijëra dhe miliona njerëz kanë dalë në protesta dhe përkrahje të popullit të përvuajtur palestinez, që nga Stambolli, Ankaraja, Teherani, Kajroja, Amani, Islamabadi, Xhakarta e kështu me radhë.

 

Botën shqiptare në përgjithësi e për Kosovën në veçanti, e ka kapluar një heshtje e paparë ndaj agresionit izraelit kundrejt Gazës. Qeveritë shqiptare dhe presidencat shqiptare fare nuk ndihen, sikurse këto sulmet dhe bombardimet ushtarake që janë duke u zhvilluar në Gazë, nuk qenkan duke ndodhur në planetin tonë, por diku larg nesh, në planetin Mars. Politika e tyre e jashtme dhe diplomacia e tyre e mjerë, kryesisht servile dhe vasale nuk bënë zë fare. Po frikohen apo po shtiren se mos me ndonjë prononcim apo deklaratë të tyre do të prishin servilitetin e tyre ndaj shteteve të Kuintit, qoftë kjo edhe për një prononcim humanitar, në jo veç se tjetër në mbrojtje të civilëve të vrarë të pafajshëm të Gazës. Njashtu edhe nga subjektet tjera politike shqiptare që veprojnë kudo, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë e Ulqin, nuk ju ndihet aspak zëri i tyre. Po më katastrofale është se shoqëria civile si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, fare nuk bëzan, e cila di të reagojë shumë mirë edhe për një shkelje minimale të një drejte njerëzore të vetëm të një personi kush do qoftë ai, ndërsa në rastin e Gazës i ka kapluar gjumi i thellë dimëror, edhe pse jemi midis verës.

 

Por, për fat të keq, heshtja i ka kapluar edhe institucionet apo organizatat e ndryshme myslimane që veprojnë anekënd botës shqiptare. Përveç disa përjashtimeve të vogla, sikurse që ishte reagimi i Lëvizjes Islame Bashkohu (LISBA), Lëvizjes Vetëvendosje (VV-ja), aty këtu edhe të ndonjë analisti apo publicisti që publikisht e kanë ngritur zërin qoftë me shkrime apo prononcime ( të më falin gjithë ata që janë prononcuar , e nuk kam pas rast të përcjell). Pikësëpari, ata që do të duhet së pari të prononcohen dhe të deklarohen bile me një kumtesë apo deklaratë për opinion kundër agresionit palestinez, qe 19 ditë me radhë nuk ndihen, pasi që janë të zënë duke organizuar, apo duke marr pjesë nëpër iftare të shumta që organizohen gjithandej botës shqiptare. Këtë kur them mendoj pikësëpari në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK-un), Komunitetin Mysliman Shqiptar(KMSH-në), Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë(BFIM-it), të cilët do të duhej të ishin avangardë dhe në ballë të aktiviteteve myslimane shqiptare kundrejt agresionit izraelit në Gaza. Sot, në ditën e xhumasë, në të gjitha xhamitë  anembanë trojeve shqiptare, hytbeja (ligjërata) javore e xhumasë do të duhej të ishte kushtuar Ditës së përkujtimit të Kudsit (Jerusalemit) dhe Gazës,  dhe pas kryerjes së xhumasë të gjithë së bashku në protesta paqësore rrugëve dhe shesheve duke filluar që nga kryeqytetet  shqiptare, si në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Preshevë e Ulqin, e gjithandej qyteteve tjera anembanë trojeve shqiptare. Ky do të ishte zëri i vërtetë i Ummetit (Bashkësisë) Myslimane përball agresionit izraelit në përkrahje të popullit të përvuajtur palestinez.

 

Por në rast se për këtë, nuk kanë pas fare ide, interes apo kurajo dhe guxim për të ndërmarr një veprim të tillë, bile në aspektin humanitar do të kishin mund të ndërmarrin një gjest simbolik, ashtu që me 7 korrik të vitit 2014, ditën e parë të fillimit të sulmeve dhe bombardimeve izraelite në Gazë, do të duhet të bënin thirrje, apel, të tri  bashkësitë islame (BIK-u, KMSH-ja dhe BFIM-i) të gjithë atyre që kanë pas qëllim organizimin dhe shtrimin e iftareve të përbashkët, që këtë  Ramazan të pezullojnë, dhe të gjitha mjetet financiare të dedikuara për iftare, qoftë vullnetare, qoftë donacione të brendshme apo të jashtme, të grumbullohen dhe të dedikohen për ndihmë humanitare popullatës palestineze në Gazë. Jam i sigurt se më së paku do të tuboheshin 1 milion euro gjithandej trojeve shqiptare, e që sipas mendimit tim do të ishte një ndihmë  minimale nga populli ynë shqiptar mysliman për popullin e përvuajtur palestinez në Gazë dhe Bregun Perëndimor.

 

Por për fat të mirë, falë Zotit, kjo heshtje shqiptare përball Gazës, u thye sot në kryeqytetin shpirtëror shqiptar, në Prizren, në saje të aksionit të të rinjve prizrenas nëpërmjet rrjeteve sociale dhe fletëthirrjeve arritën të organizojnë një protestë paqësore në përkrahje të popullit palestinez në të cilin morën pjesë një numër i konsiderueshëm i të rinjve dhe qytetarëve të

 

Prizrenit, të cilët pas namazit të xhumasë, u tubuan në sheshin Shadërvan në ora 2.00 dhe filluan marrshin e tyre me pankarta dhe flamujt rrugës unazore të qytetit, dhe me klithje dhe brohoritje:” Allahu Ekber (Zoti është i madh), Izraeli terorirst”, etj, drejt  Namazgjasë ku edhe përfundoi protesta në mënyrë të qetë dhe pa asnjë incident. Një falënderim të posaçshëm i shkon  edhe  Policisë së Kosovës, të Rajonit të Prizrenit, e cila në mënyrë të shkëlqyer është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës paqësore, duke ruajtur  rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve.

 

25.07.2014                                                     

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …