Enver Hoxhaj

Fatmir Fazliu: Fuqia e ‘zgjuar’ e Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme në largim Enver Hoxhaj, vitin që shkoi botoi librin ‘Ngritja e Një Shteti; Politika e Jashtme e Kosovës’. Libri paraqet një përpjekje të autorit për të analizuar dhe shpjeguar pozitën ndërkombëtare dhe politikën e jashtme të Kosovës, përpjekje e cila meriton të çmohet. Por, përmbajtja e librit është problematike. Një vështrim kritik i librit është bërë nga Shpend Kursani në artikullin ‘How not to think about building a state’. Ky shkrim merret më në detaje me huqjen kolosale të autorit në kuptimin dhe përdorimin e nocionit ‘smart power’, të cilin ai e ka përkthyer në shqip si ‘fuqia e zgjuar’ dhe bashkë me nocionet ‘fuqia e butë’ (soft power) dhe ‘fuqia e fortë’ (hard power) i shpjegon në faqet 59 deri 64 të librit.

Koncepti ‘smart power’ është futur në përdorim nga Joseph Nye, profesor në Harvard University, autor i disa librave mbi pushtetin (power) në marrëdhënie ndërkombëtare dhe bashkëthemelues i teorisë së institucionalizimit neoliberal. Nye definon në mënyrë shumë të thjeshtë se pushteti (power) është aftësia për të ndikuar të tjerët për të arritur atë që dëshironi. Ai shpjegon se kjo mund të arrihet përmes detyrimit dhe pagesave (shkopi dhe karrota) dhe kjo quhet pushteti i fortë (hard power); ose përmes atraksionit dhe bindjes dhe kjo quhet pushteti i butë (soft power). Përdorimi i kombinuar i pushtetit të fortë dhe pushtetit të butë definohet nga Nye si pushteti i zgjuar (smart power).

Autori Hoxhaj në librin e tij, duke iu referuar Nye, e përdorë gabimisht nocionin ‘smart power’. Së pari përkthimi në shqip si ‘fuqia e zgjuar’ nuk është më i miri i mundshëm. Një përkthim më i saktë do të ishte ‘pushteti i zgjuar’. Megjithatë, mënyra sesi e përkthejmë në shqip nuk është elementi më i rëndësishëm. Në vazhdim do të përdorim nocionet në shqip në formën si i përdorë Hoxhaj. Problemi qëndron tek huqja konceptuale në kuptimin dhe përdorimin e nocionit. Edhe pse në faqen 61 autori shpjegon në mënyrë korrekte se duke pasur “parasysh kufizimet e fuqisë së fortë dhe fuqisë së butë, kohët e fundit Nye ka propozuar gërshetimin e tyre për të formësuar konceptin e fuqisë së zgjuar”, ai në vazhdim flet për shembullin e Kosovës si rast suksesi në përdorimin e fuqisë së zgjuar, çka është praktikisht e pamundur. Për të përdorur fuqinë e zgjuar në politikën e jashtme, shteti duhet gjithsesi të posedojë burime të fuqisë së fortë (Kosova nuk posedon ndonjë fuqi ushtarake, ekonomike apo politike) dhe fuqisë së butë. Vetëm përdorimi i kombinuar i këtyre dy formave të fuqisë, në strategji të suksesshme është fuqi e zgjuar.

Në faqen 63 të librit lexojmë se “shtetet e vogla gjenden nën rrethana të volitshme për ta përdorur fuqinë e zgjuar dhe të kompensojnë mungesën e fuqisë ushtarake dhe asaj ekonomike”. Kjo fjali është kontradiktore në vetvete. Fuqia e zgjuar nuk mund të përdoret nëse mungon fuqia ushtarake dhe ajo ekonomike. Prandaj, logjikisht, fuqia e zgjuar nuk mund të jetë kompensim i mungesës së fuqisë ushtarake dhe politike. Gjithashtu në faqen 62 shkruan se strategjia e fuqisë së zgjuar përdoret “edhe nga shtetet e forta”, çka nënkupton se në rend të parë janë shtetet e dobëta ato që e përdorin këtë formë të fuqisë, diçka që është e paimagjinueshme.  Shtetet e vogla nuk janë në rrethana të volitshme për ta përdorur fuqinë e zgjuar, për shkak të mungesës (ose kufizimeve) të fuqisë së tyre ushtarake, ekonomike  dhe politike, me përjashtim të pak prej tyre e kanë të pamundur përdorimin e fuqisë së zgjuar.    Autori (fq. 63) shprehet se “Kosova është një shembull i mirë në përdorimin e fuqisë së zgjuar në marrëdhëniet me jashtë” dhe përmend disa suksese të politikës së jashtme si rritja e njohjes ndërkombëtare, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare e suksese tjera, dhe konkludon se “të qenit shtet i ri dhe i vogël, nuk do të thotë se nuk duhet menduar sipas parametrave të zgjuar”. Kjo tregon për ngatërrimin nga ana e autorit të konceptit fuqi e zgjuar (smart power) me të qenët individualisht i zgjuar apo me të vepruarit në mënyrë të zgjuar në politikën e jashtme. Një ministër i jashtëm i një shteti të vogël mund të jetë i zgjuar, mund të jetë edhe gjeni, por nuk mund të flasë për përdorimin e fuqisë së zgjuar nga shteti i tij, për sa kohë shteti nuk posedon resurse të fuqisë së fortë. Pretendimi se njohjet dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare janë rezultat i përdorimit të fuqisë së zgjuar nga ana e Kosovës, përveç i pasaktë, është edhe mosmirënjohës ndaj shteteve mike kur dihet se këto suksese janë kryesisht rezultat i përkrahjes nga këto shtete, jo i politikës së jashtme të Kosovës.   Duke përshkruar politikën e jashtme të shteteve të vogla, Hoxhaj (fq. 63) shprehet se “Kosova ka mundur të mësojë nga shumë shtete të vogla evropiane me qëllim që të përmbushë qëllimet përmes jetësimit të fuqisë së zgjuar”, por nuk ofron ndonjë shembull. Nye përmend vetëm dy shtete  të vogla evropiane, Zvicrën dhe Norvegjinë, si raste kur shtetet e vogla janë dëshmuar të adaptueshme në përdorimin e fuqisë së zgjuar në politikën e jashtme. Nuk është e qartë për cilat ‘shumë shtete’ tjera evropiane e ka fjalën autori, dhe as çfarë ka mësuar Kosova nga shembulli i tyre: zhvillimin e forcave të armatosura dhe zhvillimin ekonomik (burime të fuqisë së fortë) apo përmirësimin e imazhit (burim i fuqisë së butë)? Duket se këtu autori e ka ngatërruar konceptin e fuqisë së zgjuar (sipas definicionit të Nye, të cilit i referohet vazhdimisht) me ‘smart state strategy’, që është nocion me kuptim krejt tjetër dhe i referohet shteteve të vogla të cilat fokusojnë resurset në çështje specifike, me qëllim maksimalizimin e ndikimit të tyre.

 Autori (fq. 64) shprehet se “vendi ka reflektuar fuqi të zgjuar duke ndërmarrë reforma të brendshme” dhe përmend integrimin e pakicave etnike në jetën institucionale. Integrimi i pakicave ka mundur të gjenerojë fuqi të butë, jo fuqi të zgjuar. Reformat e brendshme mund të lidhen me fuqinë e zgjuar në tjera mënyra. P.sh. nëse vendi do të kishte resurse të fuqisë së fortë dhe asaj të butë, por do të mungonte koordinimi në mes agjencive përkatëse, atëherë mund të flitej për reforma institucionale për të mundësuar koordinimin në mes tyre me qëllimin gjenerimin e fuqisë së zgjuar.  Kuptimi dhe përdorimi i gabuar i konceptit fuqi e zgjuar (smart power) nga ndonjë politikan mund edhe të kuptohet si lëshim. Por, të ndodhë kjo nga një personalitet, i cili është edhe profesor universitar i shkencës politike dhe dy herë ministër i jashtëm i Kosovës, nuk mund të konsiderohet i tillë. Nëse diçka e tillë do të ndodhte në ndonjë vend tjetër evropian karriera akademike e autorit do të vihej në pikëpyetje. Natyrisht, nuk pritet që Enver Hoxhaj të japë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Jashtëm për këtë huqje, por do të ishte e udhës që autori ta tërhiqte nga qarkullimi librin, dhe eventualisht ta ribotonte si botim të dytë të përmirësuar. Kjo do t’i kursente lexuesit e tij, sidomos studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare e të diplomacisë (të cilët nuk lexojnë anglisht apo gjuhë tjera botërore), nga rënia në lajthitje sa i përket kuptimit të përdorimit të fuqisë së zgjuar në politikën e jashtme. Kjo do të ishte edhe korrektësi etike në raport me Nye. Nuk besoj se ai do të ndihej i lumtur nëse kupton se nocionet të cilat ai i ka futur në përdorim, dhe të cilat i shpjegon në mënyrën më të thjeshtë të mundshme në librat dhe ligjëratat e tij, kuptohen e shpjegohen gabimisht në gjuhën shqipe.

(Autori ka përfunduar studimet në nivelin Master për Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci dhe është  autori i librit “Diplomacia Publike”, që është i pari në gjuhën shqipe në këtë fushë).

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …