Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Aversioni i kryeministrit Kurti ndaj ithtarëve të “Ballkanit të Hapur” dhe simpatia për Veton Surroin e jugonostalgjikët !

Janë interesante disa qëndrime të kundërta por që bashkëjetojnë te një person, në rastin tonë, te kryeministri, Albin Kurti! Nuk është fjala për qëndrimet dhe deklaratat e bëra gjatë fushatës për mbledhje të votave me qëllim të arritjes te maja e pushtetit, të cilat më vonë, i shkeli e i gëlltiti thuaja të gjitha, por për qëndrime kundërthënëse e që e përjashtojnë njëra tjetrën por ja që ato bashkëjetojnë  në të njëjtën kohë, te kryeministri ynë!

E kuptoj kryeministrin, Albin Kurti për mospajtimin e tij për t’u përfshirë në projektin Open Ballkan pasi ka të drejt të konsideroj se brenda kësaj bashkësie shtetesh, mund të ndodhë që Kosova të ketë rol minimal, sidomos karshi Serbisë. Deri këtu, e kuptueshme. Por gjërat komplikohen kur sheh angazhimin e kryeministrit, Albin Kurti për fuqizimin dhe faktorizimin e jugonostalgjikut, Veton Surroi. Se a më shumë do të përfitonte apo dëmtohej Kosova në projektin Open Ballkan, nuk dihet me siguri absolute por se a fitoj apo humbi Kosova sa ishte nën Jugosllavi, kjo nuk do koment! Së pari, nën regjimin e Jugosllavisë, në Kosovë u vranë dhjetëra mijëra shqiptar liridashës.

Në Prishtinë u ndërtua edhe një varrezë masive ku pushkatoheshin shqiptarët që kishin bërë rezistencë të armatosur kundër ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia. Po gjatë Jugosllavisë së Titos, në Kosovë u realizua edhe spastrim etnik, nën petkun e marrëveshjes Tito – Kyprili, për gjoja riatdhesimin e turqve në Turqi. Për realizimin e këtij projekti djallëzor anti shqiptar, fillimisht bëhej ndërrimi i identitetit të shqiptarëve, duke dorëzuar dokumentet e identitetit të tyre kombëtar dhe me zëvendësimin e tyre me dokumente sipas të cilave ata paraqiteshin si turq! Kësaj shpërngulje të dhunshme, i parapriu aksioni për mbledhjen e armëve, gjatë të cilit shumë shqiptar u mbytën nën tortura e shumë të tjerë u gjymtuan, gjatë vitit 1956!

Por jo vetëm kaq. Vetëm gjatë viteve të ’80 – ta të shekullit që lamë pas, në Jugosllavinë për të cilën angazhohej të ruhej, Veton Surroi, regjimi shqiptar vrasës i dënoi me 25 mijë vite burg, mijëra të rinj e të reja, gra e burra shqiptar, vetëm pse kërkon të drejta për kombin shqiptar. Vitet që pasuan, u kuptua se asnjë popull liridashës nuk e donte Jugosllavinë. Asnjë. Madje më shumë se kaq. E urrenin. Dhe ishte kjo urrejtje që i nxiti të luftojnë për shkëputje përfundimtare nga ajo, të gjithë, një nga një, sllovenët, kroatët, boshnjakët, sllavo-maqedonasit, shqiptarët, malazezët. Po a kishte ndonjë që e donte ruajtjen e Jugosllavisë!? Normalisht se kishte. Sepse jo të gjithë bashkëndjenin me bashkëkombësit e tyre dhe rast tipik është Fikret Avdiqi në Bosnjë e Hercegovinë.

   Dhe ja për çfarë shteti angazhohej të ruhej i bashkuar, me anë të “ujdit” Veton Rexhai Surroi. Derisa ai angazhohej për ruajtjen e Jugosllavisë, në burgjet e saj mbahej simboli i rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçi dhe qindra mijëra shqiptar të tjerë liridashës ndërkohë që ushtria dhe policia e Jugosllavisë, po përgjakte anekënd kënd Kosovën me gjakun e të rinjve e të rejave që po protestonin kundër suprimimit të asaj pak autonomie nga Serbia – Jugosllavia!? Shqiptarët vriteshin edhe gjatë shërbimit ushtarak dhe ktheheshin në arkivole nëpër familjet e tyre. Janë me dhjetëra raste të tilla, anekënd Kosovës, gjatë viteve të ’80-ta. Baca ynë mbahej në burg sepse me të drejtë kishte konstatuar, shkruar e deklaruar botërisht se angazhohet për zhbërjen e Jugosllavisë e cila ishte bërë burg për popullin e tij dhe vriste pa mëshirshëm shqiptarët liridashës, nga ana tjetër, Veton Surroi angazhohej për ruajtjen e saj! Askush nuk po thotë të dënohet Veton Surroi që është angazhuar për ruajtjen e një shteti shqiptar vrasës por është çudi se si shfaq kaq shumë neveri për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama i cili takohet e bisedon me po ata me të cilët takohet e bisedon edhe vet kryeministri, Albin Kurti!

   Mandej nëse kryeministri Kurti, është në të vërtetë sikur hiqet, aktron, se i çmon personalitetet meritore të kombit për angazhimin e tyre për çlirimin dhe bashkim kombëtar, ku e kishte këtë dashuri e respekt sa ishte gjallë, simboli ynë i rezistencës kombëtare, Bac Adem Demaçi. A u angazhua ndonjëherë që baca të vendosej aty ku e kishte vendi, në krye të shtetit!? Dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte mundësi të bënte t’paktën diçka në këtë drejtim, por nuk e bëri kurrë, asgjë. As edhe një hap të vetëm! Po sikur të realizohej projekti i “ujdit” , për realizimin e të cilit ishte angazhuar edhe Veton Surroit, për ruajtjen e Jugosllavisë, çfarë faktori do ishin shqiptarët në atë shtet që mbi gjysmë shekulli diskriminoi, vrau, dëboi e burgosi shqiptar liridashës!?  Nuk duhet shumë imagjinatë për ta kuptuar këtë.

  Mandej shtrohet edhe një pyetje tjetër. Në cilin projekt Kosova mund të jetë më e faktorizuar?, në projektin “Open Ballkan” ku merr pjesë edhe Shqipëria, e cila është anëtare e NATO-s, si dhe dy shtetet tjera, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ku shqiptarët janë faktorizuar, sadopak, apo në Jugosllavinë në të cilën Kosova nuk ishte as republikë ndërsa shqiptarët ne Maqedoni dhe Mal të Zi, ishin tërësisht të defaktorizuar!? Dhe nëse shfaqim neveri për njerëz që ftojnë Kosovën të marr pjesë në projektin “Open Ballkan” si mund të shfaqësh respekt për njeriun që angazhohej për ruajtjen e një shteti shqiptar vrasës sikur ishte Serbia!? E kuptojmë mosrespektin e Albin Kurti ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që angazhohet për realizimin e projektit “ Open Ballkan”  por si ta kuptojmë e ta justifikojmë respektimin dhe angazhimin e tij për faktorizimin e Veton Surroi, i cili angazhohej për ruajtjen e një shteti që për gjysmë shekulli, vrau e masakroi, burgosi e torturoi si dhe dëboi  shumë shqiptarë nga Kosova!?

 

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …