Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Libri, “Rinia e Mbretit Zog” i Azis Gjergjit ofron fakte përballë mashtrimeve që synojnë ta paraqesin, rrënuesin si shpëtimtar

   Të rralla janë personalitet e historisë sonë kombëtare për të cilat debatohet, sikur për Ahmet Zogollin, që e donte Shqipërinë për ta sunduar, në të kundërtën, ishte i gatshëm për ta masakruar territorin e saj dhe shndërruar në një principatë të kohës së mesjetës. Për ta arritur këtë qëllim, ai me dëshirën më të madhe bashkëpunonte edhe me armiqtë e përbetuar të saj, sikur ishte Serbia dhe regjimi i saj shqiptar vrasës! Por pavarësisht këtyre, atij i janë ngritur përmendore, njëra në kryeqendrën e Shqipërisë, në Tiranë!

   Me gjithë këto, është çudi se si ende ka përpjekje për ta përligjur veprimtarinë e tij kundër kombit e atdheut! Mbase kjo ndodhë për shkak se disa studiues kanë ndërtuar bindje për të duke u bazuar në historitë e treguar për veten e tij nga vet Zogolli dhe gruaja e tij Gjeraldina, e cila gjithashtu na e dëfton historinë duke u bazuar në atë çfarë i ka rrëfyer i shoqi i saj gjatë netëve të qeta nëpër pallate e hotele anekënd botës. Është edhe një fakt tjetër interesant. Ahmet Zogolli historinë e tij e ka rrëfyer në veten e tretë. Nga historitë e treguara prej kësaj dyshe të famshme, ministrit amerikan Bernshtajn, mësojmë se si Ahmet Zogolli vije nga një familje me të kaluar të lashtë e patriotike dhe se si nëse gërmojmë në të kaluarën e largët, do të mësojmë se kanë prejardhje nga dera e ndritur e Kastriotëve! Nga rrëfimi i tyre mësojmë gjithashtu se si për shkak të shpirtit kryengritës të familjes Zogolli dhe babait të tij, Xhemajl Pashë Zogolli, të cilin Perandoria Osmane nuk po e bënte dot zap, ia mori peng djalin e tij të shumë dashur, Ahmet Bej Zogollin dhe e degdisi në Stamboll me qëllim që Xhemajl Bej Zogolli të mos mund të udhëhiqte kryengritje! Mandej, Ahmet bej Zogolli, si trim që ishte, nuk kishte pranuar të nënshtrohej as përball Sulltan Hamidit II por pas lutjeve të shumta, adoleshenti, Ahmet bej Zogolli kishte hequr dorë (përkohësisht ) dhe ishte përulur përball Sulltanit dhe kishte pushuar së shikuari atë drejt në sy, kuptohet me një shikim që shfaqte neveri e revoltë ndaj tij. Kështu na e ka dëftuar veten e tij Ahmet Bej Zogolli dhe ky auto rrëfim i tij për veten e tij është konsideruar e konsiderohet i vërtetë!!!

  Duket se Ahmet Bej Zogolli nëpërmjet këtij rrëfimi ka dashur të na bind se familja e tij, jo vetëm që buron nga dera e ndritur e Kastriotëve por se fëmijëria e tij ishte identike me atë të kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!

  Kur dëgjon këto histori të sajuara me shumë kujdes e dinakëri nga Zogolli, ai që nuk e njeh anën tjetër të biografisë së tij,  do të emocionohet dhe fillojë ta admirojë e vlerësojë atë, por posa fillon të lexojë të dhëna tjera që bien ndesh me rrëfimin e tij, e kupton se sa djallëzore ka qenë mendja dhe shpirti i tij. E këto të dhëna i ka mbarështuar në mënyrë mjaft të dokumentuara e realiste studiuesi, Azis Gjergji në librin e tij “Rinia e Mbretit Zog”, për shkrimin e të cilit, ai tregon se ka bërë hulumtime për tetë vite me radhë.

  Në këtë libër, ai na ofron fakte se ndonëse Ahmet Zogolli na dëfton se ai ishte marr peng në Stamboll, kishte kohë që ishte de fuqizuar ligji i devshirmesë në bazë të të cilit Perandoria Osmane merrte peng djem nga vende të ndryshme! Dhe mjafton ballafaqimi i këtij fakti për ta kuptuar se Ahmet Zogolli ka sajuar rrëfimin e tij, sipas të cilit qenka  marr peng!

   Studiuesi, Azis Gjergji, nuk ndalon këtu. Duke u bazuar në studime të shumta, ai përgënjeshtron edhe një pretendim tjetër të Ahmet Zogollit. Ndonëse ky rrëfente histori se si kishte ndjekur mësime në shkolla elitare në Stamboll duke ia dal që brenda një viti kalendarik t’i përfundonte dy vite shkollore ( d.m.th super inteligjent – vër.ime), studiuesi Azis Gjergji vë në pah një fakt tjetër se si u bë që Ahmet Zogolli askund nuk ka rrëfyer se si quheshin këto shkolla ku ai shkëlqente në mësime!? Se Ahmet Zogolli ka ndjekur shkolla askush nuk e mohon por nga shënimet e moshatarëve të tij, ai askund nuk rezulton të ketë shkëlqyer në mësime. Përkundrazi, ai kishte vështirësi të theksuara në shkrimin e gjuhës shqipe prandaj ai kurrë nuk i ka shkruar askujt me dorën e vet ndërsa edhe nëse provonte të shkruante ndonjë letër në turqisht, e bënte me një gjuhë tejet të varfër e me një sintaksë që linte shumë për të dëshiruar! Kaq për adoleshencën e Ahmet Zogollit dhe vetë rrëfimet e tij të cilave duhet të jesh adoleshent me mungesë të theksuar të mendimit kritik. për t’iu  besuar.

   Nga leximi i librit “Rinia e Mbretit Zog” të studiuesit Azis Gjergji, mësojmë se miku i Zogollit, Çatin Saraçi, ka dëshmuar se mbreti nuk ishte ndonjë lexues i pasionuar por kishte për zemër dy tri libra që rrëfenin për personalitete botërore dhe se këta libra i mbante ngado. Ai e lexonte librin e Napoleon Bonapartës dhe librin e Nikolla Makiavelit “ Sundimtari” (“Princi”) në të cilin tregohet se nuk mund të jesh edhe i moralshëm edhe i suksesshëm në politikë dhe për pasojë, nëse dëshiron  të kesh suksese mbresëlënëse në politikë, më parë duhet të heqësh dorë nga morali. Dhe Ahmet Zogolli e bën këtë pa asnjë hezitim. Ai  përdori çdo mjet të mundshëm për të arritur në majat e pushtetit dhe mbajtjen e tij me çdo kusht, qoftë edhe duke bashkëpunuar me vrasësit e kombit të vet, sikur bashkëpunoi me Mbretërinë Serbo-Kroato Sllovene dhe kryeministrin serb, Nikolla Pashiq, gjatë pushtetit të të cilit, ushtria serbe realizonte fushatën barbare anekënd Kosovës kundër popullit shqiptar, duke i vrarë e dëbuar, dhunuar e masakruar dhe djegur për së gjalli duke i lidhur për stoqe të sanës dhe ua vënë flaken më pastaj!!!.

Doli nga shtypi libri: Rinia e Mbretit Zog, vepër e autorit, Azis Gjergji

   Ja cilit sundimtar i kanë ngritur përmendore! Nga leximi i librit shterues të biografisë së Ahmet Zogolli, të studiuesit të përkushtuar, Aziz Gjergji, gjithashtu mësojmë se edhe ku e kishte katandisur Shqipërisë e asaj kohe, katandisje për të cilën kemi mundur ta krijojmë një panoramë nga poezitë dhe tregimet e përfaqësuesit më të mirë të letërsisë sonë realiste, Migjenit.

Duke shfletuar librin “Rinia e Mbretit Zog” gjithashtu mësojmë se Ahmet Zogolli me pretekst të zhvillimit dhe ndërtimit të Shqipërisë, kishte marr kredi të shumta por që kujdesej që një pjesë e konsiderueshme e tyre nga Shqipëria të niseshin tutje për në banka të shteteve perëndimore, një pjesë tjetër për të ardhura e pasurim të tij në Shqipëri dhe thërrmijat që mbesnin, shfrytëzoheshin për realizmin e projekteve për të cilat ishin marr kreditë nga Italia. Ai ishte kujdesur që paga e tij të jetë 500 mijë franga ari në vit, ndërsa paga e mësuesit ishte 300 franga. Thënë ndryshe, paga e tij ishte e barabartë me pagat e 166 mësuesve. Por kjo nuk është e tëra.

Duke shfletuar librin,  gjithashtu mësojmë se në emër të vjeljes së fondeve e kredive nga “dashuria për komb e atdhe”, deri në vitin 1934, pasuria e Ahmet Zogollit  arrin  vlerën 20 milionë franga ari ndërsa buxheti i vjetor i Shqipërisë në atë vit ishte rreth 19 milion franga ari! Njohësi dhe pjesëmarrësi i transaksioneve të Ahmet Zogollit, Çatin Sarraqi ka treguar se ishte obliguar shumë herë nga mbreti i Shqiptarëve,  ( sepse Italia ia kishte ndaluar të quhej Mbreti i Shqipërisë –vër. ime ), Ahmet Zogolli që të marr shumë herë pjesë në bartjen e pasurisë në formë monedhash e ari, nëpër banka anekënd botës. Aq shumë e donte ky mbret fronin e Shqipërisë sa për të ardhur në krye të saj, kishte bashkëpunuar edhe me Serbinë dhe për kompensim ia kishte dhuruar manastirin e Shën Naumin dhe Vërmoshin, për të cilat udhëpërshkruesit ndërkombëtar kanë shkruar se janë viset më të bukura të Evropës.

  Por a përfundojnë këtu bëmat e Ahmet Zogollit!?

Në librin e Azis Gjergjit mësojmë edhe për  angazhimin me mish e shpirt të Ahmet Zogollit për zhdukjen e ajkës së atdhetarëve shqiptar, disa prej të cilëve i internoi për t’i vrarë më pastaj, disa i burgosi, të tjerë që nuk i arrinte dora e tij, i dënoi me vdekje në mungesë, sikur ishte kryetrimi i Kosovës, Azem Bejtë Galica, shumë të tjerë i vrau, në mesin e të cilëve Elez Isufin, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën, për të cilin urdhëroi t’i hiqej koka – akt barbar, i llojit të vet.

   Por pavarësisht këtyre bëmave të zeza sterrë, Ahmet Zogollit ju ngrit përmendore në Tiranë gjatë kohës kur kryeministër ishte Sali Berisha ndërsa gruas së tij, Gjeralndinë, ju ngrit përmendore ditë më parë, gjatë kohës së kryeministrit Edi Rama!!! Gjeraldinës ju ngrit përmendorja sepse ishte gruaja e një mbreti të vet shpallur të Shqipërisë që ia ktheu shpinën asaj duke marrë me vete pasurinë, por nuk di të jetë biseduar ndonjëherë që t’i ngritët përmendore Donika Kastriotit, gruas së kryetrimit e krye mbretit të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që nuk e braktisi për asnjë moment por e mbrojti dhe luftoi për lirinë, pavarësinë dhe lartësimin e  saj, deri në frymën e fundit. Por jo vetëm kaq. Donika kultivoi dashurinë për popull e vatan edhe te djali i saj, Gjoni, i cili fal kësaj edukate erdhi sërish në Shqipëri dhe luftoi për çlirimin e saj por pa sukses por askund nuk kam lexuar se çfarë kontributi ka dhënë i biri i Gjeralndinës, Leka Zogu, për komb e për atdhe.

   Dhe për fund, është shqetësues se si moralizojmë në njërën anë si shoqëri e si veprojmë në anën tjetër. Të gjithë, me të drejt, flasim me admirim për atdhetarin shembullor Hasan Prishtina dhe veprimin e tij të jashtëzakonshëm – shitjen e gjithë pasurisë për komb e vatan por ja që nuk di ta ketë ndonjë përmendore në Tiranë!, sikur e ka Ahmet Zogolli, i cili gjatë braktisjes së Shqipërisë, mori arkën e shtetit dhe me ata florinj, dhe jetoi nëpër hotelet më të shtrenjta nëpër qytetet e Evropës.

   Kam frikë se kështu do të trajtohen edhe pushtetarët e sotëm në të ardhmen. Pasi i kanë ngritur përmendore. Ahmet Zogollit, pasuria e të cilit tejkalonte vlerën e buxhetit vjetor të Shqipërisë, nuk duhet hequr nga mendja se një ditë do të ju ngritën përmendore edhe këtyre të tjerëve që i kemi mes nesh e që vetëm për derivate të naftës, brenda muajit bëjnë shpenzime përafërsisht sa paga e një mësuesi, doktori apo familje dëshmori!!! Nuk i dihet, mbase janë të frymëzuar nga jeta e Ahmet Zogollit që nëpërmjet zhvatjes së pasurisë së Shqipërisë, arrit të krijojë pasuri më të madhe se sa buxheti i saj vjetor!!! Nuk është se i krijoi ato  për një vit e dy por për disa dekada. Nuk do të arrinte ai atë pasuri nëse do i tregohej vendi me kohë, aty ku e meriton, në fund të shoqërisë. Kështu duhet treguar edhe këtyre pushtetarëve të kohës tonë, të të gjitha partive, pozitë e opozitë. Sa më shpejt që është e mundur sepse sa më shumë që vonohemi, do ta kemi aq më vështirë. Të keqen duhet çrrënjosur para se të lëshoj rrënjë e ta ushqej dhe rris shtatin.

Duke shkruar për këtë vepër, studiuesi, Ahmet Qeriqi ka saktësuar se Azis Gjergji, “Duke qenë studiues  i përkushtuar, njohës i metodologjisë së punës kërkimore, shkencore, njohës i shkëlqyer i kushteve dhe rrethanave politike, sociale e diplomatike të kohës për të cilën ka shkruar, studiuesi i mirënjohur, Azis Gjergji,  ka arritur që figurën kontroverse  të Ahmet Zogut ta paraqesë, në mënyrë integrale,  duke e parë dhe duke e “zhveshur” atë nga të gjitha anët, nga të gjitha segmentet, nga të gjitha dromcat e jetës së tij, duke mos e kursyer asnjë  anë të karakterit dhe veprimeve të tij, të intrigave dhe luftës së pandershme politike, që ka zhvilluar gjatë tërë jetës së tij, Ahmet Zogu, të cilin  nuk e kemi njohur deri në këtë, nivel sikur e ka zbuluar dhe sikur e ka paraqitur atë me gjuhën e fakteve,  autori i këtij libri, i cili begaton literaturën tonë me një vepër tjetër të arrirë shkencore, pas monografisë për Myslim Peza dhe vepra të tjera historike e publicistike, të cilat i ka shkruar dhe i ka botuar ky autor. Azis Gjergji, në këtë libër ka shfrytëzuar një literaturë tejet të pasur jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera dhe duke u mbështetur në fakte e dëshmi të shumta historike,  ka arritur që tërë lëndën ta sintetizojë në mënyrë kronologjike, duke shkrirë në tërësinë e saj dhe duke mos i lënë anash asnjë fakt të duhur e të nevojshëm, madje duke zgjedhur edhe nga mesi i atyre, që kanë pasur dhe kanë konsideratë për Ahmet Zogun, me të cilin ende manipulon një segment i politikës shqiptare jo vetëm në Shqipëri…

Azis Gjergji është njëri ndër studiuesit më të shquar  dhe më serioz të kohës sonë. Me veprat e tij të botuara deri tani, sidomos me monografinë për Myslim Pezën, por edhe shumë studime të tjera të botuara e me siguri edhe  të tjera në dorëshkrim, ai zë vend ndër studiuesit më të zellshëm dhe më të përkushtuar të kohës sonë. Libri për Ahmet Zogun dhe jo vetëm ky  i vërteton shumë më mirë këto konstatime e vlerësime të mia si lexues i kësaj vepre, e cila mjerisht nuk është sa duhet e pranishme për lexuesit, në Kosovë sepse autorit librin nuk ia ka  botuar ministria e Kulturës, me mijëra ekzemplarë, po e ka botuar autori me ndonjë donatori modeste.

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …