Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Mirë që i çmojmë heronjtë e popujve tjerë, po tanët pse i margjinalizojmë, i nënçmojmë dhe i keqtrajtojmë!?

   Nuk ka se si të mos gëzohet njeriu kur sheh bashkëkombësit duke shfaq admirim për heronjtë e kombeve tjera. Gëzimi të shtohet edhe më shumë kur vëren se si i vlerësojnë aktet e vet flijimit për interesin e kombit e atdheut, mandej shpërndarjen e akteve të tilla nëpër rrjetet sociale dhe mënyra tjera të të shfaqurit të admirimit. Ama gëzimi shuhet sakaq kur kujton se pse nuk admirohen dhe afirmohet me kaq pasion e përkushtim edhe heroizmi i heronjve tonë!? Dhe kur vret mendjen edhe pak më gjatë, zhgënjimi veç sa vjen e rritet! Jo nga fakti pse nuk afirmohet heroizmi i tyre por pse përbuzet, nënçmohet e poshtërohen çdo ditë e më shumë dhe ne të tjerët, në vend se të revoltohemi, ne kënaqemi duke u qeshur!? Dhe nuk ka se si të mos vijnë ne mendje ato vargjet e poetit tonë të madh – Migjenit:

….

O si nuk e kam një grusht të fort

Malit që s’bëzan mu në zemër me ja ngjesh

E unë  të kënaqem

Të kënaqem duke u qesh,..

   Dhe kur kujton nënçmimin, talljen, margjinalizimin e heronjve tanë, nuk ka se si të mos vije në mendje, simboli i rezistencës sonë kombëtare, frymëzuesi i shumë gjeneratave për rezistencë e luftë të armatosur për komb e vatan, Bacë, Adem Demaçi. Si është e mundur që thuaja të gjithë flasin me admirim për Mandelen e Afrikës ndërkohë që kurrë nuk e kemi trajtuar as përafërsisht sa duhet Mandelen tonë, i cili iu vu përball një pushtuesi shumë më të ashpër e më mizor se sa atë që kishte Mandela!? E kemi vrarë ndonjëherë mendjen se çka kemi bërë ne për simbolin e rezistencës tonë në të gjallë të tij!? E kemi vlerësuar ashtu sikur e trajtuan afrikanët Mandelen e tyre duke e vënë në krye të shtetit – aty ku e meritonte me të drejt. Ama ja që sipas partive tona, Baca i ynë, që rininë e kaloj nëpër burgje anë e kënd Jugosllavisë, nuk ishte i denjë as për këshilltar të ndonjë ministri, se deputet jo se jo e të mos flasim për ndonjë pozitë të kryetarit, ministrit apo kryeministri!?

   Por pavarësisht keq trajtimit e margjinalizimit që ja bënë sa ishte në mesin tonë, Baca me asocion gjithmonë në diellin ndriçues e shporrës të acarit të cilin e zëvendëson me ngrohtësi, baca më asocion edhe në dëbuesin e robërisë dhe zëvendësimin e saj me lirinë! Baca me kujton edhe njeriun stoik që i del i vetëm para stuhisë që ata mbrapa tij të jetojnë në paqe e lumturi! Baca me kujtohet edhe sa herë shohë diellin teksa agon dhe shporrë errësirën e acarin nga vendi jonë!

   Por nuk është vetëm Bac, Adem Demaçi që është keqtrajtuar e margjinalizuar nga të gjithë ish pushtetarët e djeshëm dhe këta të sotëm, ani pse tash aktrojnë dashamirësit e tij! Ç’ hipokrizi!!!

   Është e gjatë lista e atyre që i kemi margjinalizuar e nënvlerësuar në vazhdimësi. Është interesante nëse krahasojmë admirimin që po shfaqet nëpër medie e rrjete sociale për ushtarët e Ukrainës në njërën anë, dhe tallja e nënçmimi që bëhet me ushtarët dhe eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në anën tjetër!!!

   Nuk është se nuk kam admirim për çdo ushtar që lufton për lirinë e kombit dhe të atdheut të vet por heroizmi i tyre dhe lufta vet mohuese e luftëtarëve tonë të lirisë, është dukshëm më e madhe. Përderisa përball ushtrisë pushtuese ruse prej afër 190 mijë pjesëtarëve po luftojnë 250 mijë ushtarë ukrainas, Ushtria Çlirimtare e Kosovës që kishte rreth 10 mijë deri 15 mijë pjesëtar kishte përball një ushtri po kaq të madhe. Por jo vetëm kaq. Përderisa ushtria e Ukrainës kishte armatim të mjaftueshëm dhje po furnizohet me armatim nga vende anekënd botës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës operonte në një territor me kufij të mbyllur thuaja hermetik!!! 90 për qind e ushtarëve armatim superior e kishin një kallash me pak municion ndërsa kishte raste edhe që bënin rezistencë me pushkë të gjahut! E ka parë ndokush ndonjë ushtar ukrainas me pushkë gjahu!? Po ndonjë ushtar pa armatim fare por që i qëndron afër shokut që kur ai të vritet, t’ia merr armën dhe të vazhdoj luftën çlirimtare!?

Por jo vetëm kaq!!! Ishin të shumta betejat në të cilat numri i tankseve të ushtrisë serbe ishte më i madh se numri i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ju dilnin para me ata pak kallash, me ndonjë pushkë gjahu e bombë dore por me një dashuri të jashtëzakonshme për komb e atdhe! Ishte kjo dashuria e jashtëzakonshme fal së cilës nuk donin t’ia dinin se përball kishin më shumë tankse, blinda e praga se sa kishin bashkëluftëtarë!!! Dhe nuk ishte vetëm një betejë e tillë por shumë, anekënd Kosovës!!! Por ja që ne i kemi harruar. Por ja që ne nuk jemi mjaftuar vetëm me harresën e heroizmit të tyre por edhe kënaqemi duke qesh me talljen e tyre!!! Është ky nënçmimi i ynë që i ka bërë me dhjetëra heronj të tillë t’ia drejtojnë armën vetes së tyre pas çlirimit!?

Shumë heronj të tillë, që vite me radhë nuk mund të na i vras armiku edhe pse me qindra herë i shënjestroi dhe drejt tyre qëlloi me armë të ndryshme, por nuk arriti t’i vras dot ama i vramë ne pas lufte. Me injorimin tonë i vramë, me përbuzjen e nënçmimin që ua bëmë dhe me qeshjet tona kur të tjerët talleshin me ta!?

   Sot e gjithë bota flet me të drejt me admirim për presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski. Po ne a kemi burrështetas të tillë!? Burrështetas që bënë më shumë për komb e vatan se sa ka bërë Volodimir Zelenski deri më tani!? Dhe nuk ka ndjenjë më të mirë se sa kur kësaj pyetje mund t’i përgjigjesh me një PO të madhe e me asnjë grimë mëdyshje. Edhe ne kemi burrështetas që rininë e tyre e kanë kaluar nëpër burgjet anekënd Jugosllavisë që ju kanë ngjarë rrathëve të ferrit. Burra që kalimi i këtyre rrathëve nuk i ligështoi e as nuk i theu por nga ata rrathë dolën edhe më të kalitur. Burra që ideuan dhe drejtuan luftën çlirimtare dhe nuk ia kthyen kurrë shpinën armikut por qëndruan me fytyrë përball tyre. Burra që dashuria e madhe për lirinë e kombit e të vatanit i bënte që me ato armë primitive t’i dalin para makinerisë vrastare të dushmanit. Heronj që t’kujtojnë përballjen e Davidit me Goliatin!? Jemi me fat që i kemi por ja që nuk janë në mesin tonë por sërish janë burgjeve!!! Dhe përderisa rininë e kanë nisur e kaluar nëpër burgje, pjekurinë në frontet e luftës e pleqërinë sërish në burg, ka horra e shkuar horrave që tallen me ta, e ne të tjerët në vend se të shfaqim pezm e revoltë ndaj poshtërimit e nënçmimit të tyre, kënaqemi duke u qeshë!!!

   Mbase ky sistemi ynë  i vlerave ka bërë të jemi këtu ku jemi sepse ata që kanë luftuar me vet mohim për lirinë e kombit e të atdheut, i margjinalizojmë, tallemi e i nënçmojmë ndërsa ata që ia kanë kthyer shpinën kombit e vatanit, i lartësojmë!!!

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …