Brickos

Fazli Maloku: Dëshmori : Indrit Lulzim Cara

Indrit Cara u lind në qytetin e Kavajës më 11 korrik  1971, nga prindërit Lulzim Cara dhe Xhemaile Cara.  Lindja e çdo fëmije tek shqiptarët nga prindërit përjetohet me gëzime dhe emocione të veçanta.  Nënë Xhemaileja shpjegon: ” Qe një foshnje e bukur si drita,ndaj dhe e quajtëm Indrit”. Indrit lindi, u rrit dhe u  edukua në një famije atdhetare me taban kombëtar.  Të  jetë i dashur me shokë, i sinqertë dhe besnik ndaj shokëve e Atdheut. Arsimin tetëvjeçar e kreu në shkollën “Mehmet Babamusta”.

Indrit Lulzim Cara

Mësuesja e tij Minavere Sinella flet për ish nxënësin e saj – Indritin : “Indriti ishte nxënës shembullor e sistematik, i edukuar dhe i dashur me fëmijët e tjerë”. (shih tek libri: Indrit Cara-“Ushtar Kavaja”,autor Zyhdi Shehi, fq. 13). Indriti ishte djalë i shëndetshëm e plot gjallëri. Përveq mësimit merej me sport-futboll por bënte pjesë edhe në grupin e valleve popullore. Indritit përveq mësimeve shkollore i interesonte edhe e kaluara e familjes Cara sidomos mësoi për veprimtarinë, atdhetare të stërgjyshit të tij-Mustafa Cara (1868-1955), i cili në kohën e pushtimit osman e xhonturk ishte përhapës i gjuhës amtare me alfabetin latin. Me gazeta e libra shqip, fshehur në trup, shkonte nëpër fshatrat e Kavajës, Durrësit e Shijakut për t’u mësuar bashkatdhetarëve shkrim-këndimin e shqipës…(po aty,fq-20). Një frymë atdhedashurie Indritit i vinte edhe nga dajallarët, familje kjo kontribuese në zhvillimet luftarake kundër fashizmit.

Më 28 gusht 1985 në mëngjes Indrit Cara, i shoqëruar nga i ati, u paraqit në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” ku edhe u regjistru nxënës i kësaj shkolle. (po aty,fq-25) Komandanti i tij i togës Xheladin Curri kujton: “Familja e Indritit ishte nga më të interesuarat për mbarëvajtjen e të birit në shkollë. Me babanë e tij, Lulzimin jemi takuar shumë herë”. (po aty,fq-29)

Dashamir Leka, bashkënxënës me Indritin në shkollën “Skënderbej” e më pas në të lartën, kujton: ” …Indriti fiskulturën e bënte me qejf, sidomos veglat gjimnastikore. Kishte fizik të bukur e ai e mbante gjithnjë në formë… Indriti më ka ndihmuar shumë në mësimin e gjuhës ruse. Ishte i papërtueshëm për cilindo që i kërkonte ndihmë. I qetë e buzagaz, i shoqërueshëm me të gjithë, kudo që ndodheshim…(po aty, fq-30)

Ngjarjet e vitit 1991-92 Indriti i përjetoi shumë rëndë. Po thuaj çdo gjë rrënohej dhe thuase gjithëka duhej nisur nga e para! Gjendja sociale e familjes ishte po ashtu mjaftë e rëndë. Indriti pa dëshirën e tij ju desh të marr rrugën e mërgimit fillimisht në Itali. S’bashku me te edhe i vëllai – Doriani dhe babë Lulzimi. Po si u pritën në portet italiane shpjegon vet Lulzimi: “Trajtimi ynë nga ana e autoriteteve të Barit dhe e forcave të policisë nuk kishte si bëhej më keq e më poshtrues. Mijëra e mijëra refugjatë na ngjeshën si bagëti në stadium. Tualetët ishin të bllokuara, uji i pjëshëm e për tu larë mungonte, ushqimin në qeska na e hidhnin nga lartë, nga helikopteri duke krijuar pamje të shëmtuara me duar që zgjateshin e të uritur që shtyheshin e bërtitnin për një copë bukë…( po aty,fq-49-50) Indriti filloi punën në një kompleks për rritje pulash. Kah gjysma e dytë e vitit 1995 Indriti vendos ta lëshoi Italinë dhe të mërgojë në Angli. Një vit më vonë atje shkon edhe i vëllai Doriani. Edhe pse të dy vëllezërit u sistemuan edhe me punë edhe me banim, hallin e kishin edhe diku tjetër. Indriti ishte njeri i arsimuar dhe tanimë njihte tri gjuhë: Italishtën,rusishtën dhe anglishtën. Trupin e kishte në londër, por mendjen tek Shqipëria e trazuar dhe me halle shumë. Shpirtin e tij djaloshari e mundonte për së tepërmi edhe gjendja që ishte krijuar në Kosovën Martire. Me vëmendje të madhe ndiqte informacionet që vinin nga andej. Vlerësonte se ORA e MADHE kishte ardhur edhe për shqiptarët e Kosovës që të çlirohen nga pushtuesi shekullor serbian. Indriti nuk pati kohë të mirrej me jetën rinore dhe me “dashuriçkat” rinore siq bënin moshatarët e tij. Bile nuk i shkonte mendja as të krijoi familje. Kraharori i gufonte për Kosovën dhe popullin atje të katandisur para xhelatëve serbianë. Kësaj i dha prioritet.

Në Kosovë ishte krijuar dalëzotësja e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në të cilën ishin rreshtuar djemt e bijat më të mirë të Kosovës, por kishte edhe eprorë e ushtarë edhe nga Nënlokja Shqipëri, siq ishte kolonel Dilaver Goxhaj _ “Shpetim Golemi”, i cili ishte emruar zv shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, s’bashku me të birin-Dritanin-pilot ushtarak, Major Adem Shehu, komandant i Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, oficeri Tahir Sinani, tani dëshmor e plot të tjerë. Indriti si ushtarak që ishte e dinte më mirë se kushdo tjetër sa është i nevojshëm për luftën e Kosovës. Pa hezitim ai ra në kontakt me përsonat e autorizuar të UÇK-së në Londër, dhe bëri kërkesën që sa më shpejtë që është e mundur të futej në Kosovë. Pleurat Sejdiu, njëri nga drejtuesit e UÇK-së në Londër kujton: “Aty nga fundi i vitit 1995 në klubin shqiptar “Faik Konica në Londër u organizua një tubim përkujtimor, kushtuar të rënëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu…vrarë në përpjekje me policinë më 3 nëntor 1989…Si mbaroi tubimi vura re të vinte drejt meje një djalë. “Po të thërras “shok”, jo “zotni”, më foli. Quhem Indrit Cara, nga Kavaja. Mund ta pimë një kafe bashk?”…Dukej serioz, i vëmendshëm e me shikim zhbirues. Miratova dëshirën e tij…. Indriti më rrëfeu me pak fjalë jetën e tij…Në takimet tjera biseda u përqëndrua për gjendjen në Kosovë…Indriti e kuptonte thellësisht çeshtjen kosovare…”( po aty,fq-67-69)

Më datën 8.12.1997 në Londër, Indriti botoi një shkrim tepër domethënës te gazeta “Zëri i Kosovës”me titull : UÇK-ja, Shpresë dhe Krenari Për Kosovën dhe të Gjithë Shqipërinë.(po aty,fq-82)

Pleurat Sejdiu vazhdon kujtimin: “Në Dhjetor 1998 u vendos të përgatitej grupi i dytë i vullnetarëve për në Kosovë. Këtë grup do ta udhëhiqte Indrit Cara, tashmë anëtar i strukturës së UÇK-së në londër…(po aty,fq-82)

Në rrugë për në Kosovë Indriti kthen në familjen e tij pas tetë vjetësh mërgimi, pikërisht më 26 janar 1999 (po aty,fq-85)

Por sipas shenimeve Indriti ndejti vetëm një natë në familjen e tij. Ç’mallja me prindërit, familjen e të afërmit as që kishte filluar. Indritit nuk i pritej. Në mëngjesin e hershëm vazhdoi për Tiranë për tu takuar me shokët dhe për të rrugëtuar për në Kosovë. Edukatën për ta dshur, por edhe për ta mbrojtur çdo cep T’Adheut, Indriti e kishte marrë pjesërisht në edukatën familjare si dhe në edukatën ushtarake në shkollat ushtarake të Tiranës. Gadishmërinë e oficerëve të karierës të Nënlokës Shqipëri për sakrificë sublime u dëshmua katërcipërisht në betejat e Kosovës e të trojeve shqiptare të pushtuara nga sllavët, jo vetëm ata që ranë ndërshmërisht në altarin e lirisë, por edhe ata që nuk e patën fatin ta kapte plumbi i serbit. Po e konkretizoj me një shembull. Ishte muaj prill ’99 në Zllash të Prishtinës. Brigada 153 e ZOLL-it me komandant tiranasin Adem Shehu ishte rrethuar keqas nga forca të shumëta ushtarë, policë e paramilitarë serbianë. Kom. Shehu urdhëroi të rreshtohet i gjithë efektivi në mbrojtje të Shtabit rreth 200 ushtarë. Doli para tyre me një shëmbëlltyrë profesionale të ushtarakut dhe foli: ” Të dashur e të respektuar ushtarë e eprorë. Brigada jonë ndodhet në një rrethim të hekurt e të plotë me mijëra ushtarë, policë e paramilitarë serbianë. Gjendja paraqitet tepër e vështirë, por jo edhe pa rrugëdalje…Si çdo njërin prej jush edhe mua mund të më kap plumbi i shkaut. Ua lë amanet, aty ku derdhet gjaku im, aty të varroset edhe trupi im. Trupi im njësoj do të prehet lirshëm si në Marec, Mramor, Prapashticë (fshatra këto të Gallapit të Prishtinës) si në Tiranë.

Çdo cep i tokës Arbërore është Atdheu im.” Kështu veproi edhe ushtaraku Indrit Cara. Në Tiranë u takua me shokë dhe vazhduan rrugën për në Kosovë. Pas shumë orë udhëtimi të lodhshëm arrijnë në fshatin Cahan buzë kufirit me Kosovën. Pas disa tentimesh të kalim kufirit të dështuara më 16-18 shkurt ’99, me shumë mund e sakrifica të papërshkruara, grupi prej rreth 30 vetash arrinë të depërtoi, bile pati edhe shokë të plagosur, arritën në fshatin Nishor të Therandës, ku ndodheshin përkohësisht drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nga Shtabi i Përgjithshëm Indrit Cara emrohet kuadër drejtues pranë kompanisë autonome të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me bazë në Divjakë të maleve të Berishës ku nuk arriti kurrë të shkelë këmba e shkaut. Indrit Carës i shkëlqente fytyra nga gëzimi. Para drejuesve të lartë të SH P, në prezencën edhe të Dilaver Goxhajt zv shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Indriti u shpreh: “Erdha në luftë që ta mbaroj akademinë ushtarake, të cilën e lashë përgjysmë”( po aty,fq-101). Në rrethinë zhvilloheshin luftime të përgjakshme. Forcat serbiane kishin marrë ofenzivë me të gjitha forcat për ti pushtuar Malet e Berishës. “Më datë 25 mars ’99 Indriti s’bashku me një grup ushtarë 13-14 veta nisen për në malin e Gallushës, afër Suharekës, në ndihmë të disa forcave të UÇK-së që e mbronin atë zonë përballë ushtrisë serbiane, trgon shoku i luftës Jonuz Morina.” ( po aty,fq-103) Në luftime në afërsi dhe po thuaj fytafyt me shkie bashkëluftëtari i Indritit, Besim Gashi shprehet:

” Një ditë luftimesh në Semetisht, një predhë goditi një polic ushtarak tonin me emrin Haxhi, duke ia këputur të dyja këmbët dhe duke e lënë të vdekur në vend. Ajo pamje e tmerrshme sikur i mpiu ushtarët, sidomos ata më të rinjët, nën njëzet vjeç. Humbja tragjike e shokut e tronditi tërë njësitin. Ato çaste të rënda, kur breshëri i predhave të mortajave armike nuk kishte të ndalur, jehoi zëri burrëror i “Ushtar Kavajës” dhe fjalët balsam të tij vërshuan si gjak i nxehtë në zemrat e luftëtarëve: ” Qetësohuni, burra! Mos e lëshoni vetën! Ne e dimë pse luftojmë. Ne mbrojmë tokat tona, fëmijët, gratë, pleqtë, varret e të parëve tanë. Ne mbrojmë lirinë dhe vetën tonë. Po liria mbrohet me jetën tonë, me gjakun tonë. ” Si heshti pak sekonda dhe i shikoi ushtarët një nga një në dritë të syrit, vijoj:” Dashuria për liri ‘ska kufi, ajo s’e njeh dekën, andaj s’do ta njohim as ne. Lum ai që vdes në shërbim të Atdheut, në shërbim të kombit! Luftimet vazhdojnë me intenzitet të shtuar. Pranë Indritit shpërtheu një tromblonë dore armike, por ai qe shmangur në çast dhe i shpëtoi goditjes. Tek u hodh serish përpara, një tromblonë e dytë i shpërtheu te këmbët dhe ai u rrëzua. I pari pranë tij u gjind Ramiz Qeriqi, i cili e kapi dhe e mbëhteti në gjoksin e vet. Të gjithë u sulën drejt Indritit. Në rrugë e sipër për në fshatin Nishor, për ti dhënë ndihmën e parë, zemra e Indritit pushoi së rrahuri…( po aty,fq-110-113). Këtu pushoi zemra e këtij djaloshi sy shqiponjë. Trupi i pajetë i Indritit u la me lotët e bashkëluftëtarëve të tij, të cilët do ta kujtojnë për jetë e mot. Gjaku i Indritit dhe i dëshmorëve të tjerë sot ngrohë rreze lirie, anë e kënd Kosovës. Në përkujtim dhe respekt të Indritit- “ushtar Kavajës”, dhjetëra djem të Kosovës mbajnë emrin e Indritit, kjo nuk mund të jetë diçka tjetër për veq “Ringjalljës”!

Më 13 qershor 2004 Lulzim Cara i ftuar merr pjesë në ceremoninë festive të pesëvjetorit të çlirimit të Therandës nga pushtuesi serb. Një ditë mjaftë e ngjeshur me aktivitete e veprimtari të shumëta. Lulzim Cara ishte në qendër të vemendjës së organizatorëve për respekt që e meritonte. Syrprizë e gjithë kësaj është vizita e Lulzimit në familjen e ish komandantit të Brigadës 123 të ZOP-it, z. Gëzim Hazrollit, në fshatin e tij ku ishte i ftuar. ” Gëzimi hapi derën. Në oborr, me një djalë të vogël në krah, qëndronte bashkëshortja e tij. Kur u afrua Lulzimi, Gëzimi zgjati dorën në drejtim të voglushit dhe i tha Lulzimit: Indriti ! Lulzimi e vështroi me dashuri e buzëqeshje voglushin dhe hapi krahët për ta marrë. Ai, pa ngurrim , u shkëput nga e ëma dhe zgjati doçkat drejt Lulit. Ky e mori dhe zuri ta përkëdhelte e ta puthte… Indriti u ringjall.” ( po aty,fq-65). Kështu veproi edhe ish komandanti i njësitit special të SH.të Përgjithshëm që luftoi në Gallushë…z.Besim Gashi, e shumë të tjerë.

Trupi i pa jetë i Indritit fillimisht u varros në fshatin Ngucat me një ceremoni të thjeshtë ushtarake, për shkak të rrethanave të luftës. Dhëmbja ishte e madhe për të gjithë bashkëluftëtarët e tij. Lajmi për vrasjen e të birit ngjajti me një rrufe përbindshe edhe në familjen e Indritit. E tërë Kavaja ra në dhëmbje e lot, por krenaria triumfoi edhe në çastet më të vështira. Bacë Lulzimi dhe nënë Xhemaileja të fortë si shkëmbi ngushllojnë shokët e Indritit.

Dhjetë tetor ’99 trupi i dëshmorit Indrit Carës përcillet për në Kavajë, në vendlindjen e tij të dashur, për të pushuar përgjithmonë. Rivarrimi ishte sa madhështor po aq edhe dinjitoz. Dhëmbja e krenaria nuk kanë të ndarë. Sot në sheshin kryesor të Kavajës madhështore rrezaton rreze lirie përmendorja e dëshmorit të kombit- Indrit Carës. Po ashtu në vendin e rënies , në malin e Gallushës

ngritet madhështor lapidari i dëshmorit – Indrit Carës.

Brezat e ardhshëm do të bëjnë nderim dhe respekt për jetë e mot për dëshmorët e lirisë.

Qoftë e ndëruar familja e Lulzim Carës që e lindi, e rriti dhe e gatoi një djalë të tillë!

Lavdi dëshmorit Indrit Cara!

Lavdi dëshmorëve të lirisë të të gjithë brezave!

Rroftë Shqipëria Etnike!

Prishinë, datë. 25 mars 2012

Fazli Maloku-mësues

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …