Fehmi Muhamet Lladrovci (15.5.1956- 22.9.1998)

Fehmi Muhamet Lladrovci (15.5.1956- 22.9.1998)

Fehmi Lladrovci lindi më 15.5.1956 në fshatin Shkabë (ish-Gllanasellë) të komunës së Drenasit. Ishe i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit. Ka qenë pjesëtar i një familjeje me tradita të shquara të ardhetarisë. Shkollën fillore e kreu në Dritan (ish- Dobrashec), të mesmen në shkollën teknike “19 Nëntori” -drejtimi i makinerisë-në Prishtinë, kurse në Zagreb të Kroacisë ndoqi studimet në Fakultetin Teknik-dega e makinerisë. Fehmiu që në moshën e re brumoset me ide patriotike. Ai i takonte plejadës së arsimdashësve të flaktë të kohës. Në vitet e para të shkollës fillore kishte mësues atdhetarin, mësuesin martir Fazli Greiçeci. Ishte njëri ndër militantët e çështjes kombëtare, i cili që herët kishte ndier mbi supet e veta peshën e robërisë shekullore të çizmes sllave. Dallohej me shumë tipare fisnike e burrërore, të cilat e dallonin Fehmiun nga moshatarët e tij.

Qysh si nxënës i shkollës së mesme, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Fehmiu ishte vënë në shënjestër të UDB-së së atëhershme. Lëvizjet e tij përcilleshin nga udbashët dhe shërbëtorët e tyre.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, me sukses të shkëlqyeshëm, Fehmiu do t’i vazhdojë studimet në Zagreb. Atje, ai krahas studimeve, do të bjerë në kontakt me shumë patriotë dhe mërgimtarë, ku do të vazhdojë aktivitetin patriotik dhe do të koordinojë punët me grupet ilegale që vepronin atëbotë në mërgatën tonë. Që nga fillimi i viteve tetëdhjetë, Fehmiu dhe bashkëshortja e tij e jetës dhe e idealit Xhevë Avdyl Krasniqi ishin anëtarë aktivë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, që asokohe vepronte në ilegalitet, përmes së cilës ata angazhoheshin për përgatitjen dhe mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre që jetonin të robëruar në viset e tjera etnike në Jugosllavi, për çlirim kombëtar.

Për shkak të veprimtarisë politike ilegale, Fehmiu, në fillim të shtatorit të vitit 1985, burgoset nga Sigurimi serb dhe dënohet me 10 vjet burg. Dënimin e ka vuajtur fillimisht në burgun hetues të Prishtinës dhe të Gjilanit. Pasi i shqiptohet masa e dënimit, e deportojnë në Lepogllavë e Stara- Gradishkë të Kroacisë. Duke përfituar nga një amnisti e qeverisë kroate, në vitin 1991, Fehmiu lirohet para kohe. Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë së AVNOJ-it, Armata e ashtuquajtur Popullore e Jugosllavisë sulmon Kroacinë. Fehmi Lladrovci së bashku me Jashar Prenkun e Dobrashecit dhe Mehmet Ukën e Gradicës, në shtator të vitit 1991, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, rreshtohen në frontin e luftës çlirimtare të popullit kroat. Fehmiu merr pjesë në shumë beteja të kësaj lufte, duke përvetësuar për mrekulli artin luftarak.

Në vitin 1993 shkon në Gjermani, me ç’rast vendoset në Munih. Në këtë kohë shquhej në mesin e bërthamës së parë të UÇK-së. Ai asokohe drejtoi Nëndegën e LPK-së për Gjermani.

Më 6 maj të vitit 1997, Fehmi Lladrovci së bashku me bashkëshorten, Xhevën, pastaj me bashkëluftëtarët: Luan Haradinaj, Ramush Haradinaj, Rafet Rama, Selim Krasniqi, Abedin Rexha, Ramiz Lladrovci, Emrush Xhemajli, Gani Rama, Ali Ahmeti e të tjerë, bëjnë përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhninit. Në krye të kolonës printe Luan Haradinaj. Forcat serbe të kufirit kishin njohuri për kalimin e luftëtarëve shqiptarë dhe sapo i hetojnë fillojnë luftimet.

Gjatë përleshjes bie në altarin e atdheut Luan Haradinaj, rëndë ishte plagosur Rafet Rama, ndërsa më lehtë Fehmi Lladrovci dhe Ramush Haradinaj. Në mesnatën e 11 marsit të vitit 1998, vetëm pak ditë pas Epopesë së Prekazit, Fehmiu, së bashku me të shoqen e idealit, Xhevën, si dhe me bashkëluftëtarët e paepur të çështjes kombëtare: Bekim Berisha- “Abeja”, Ismet Jashari-“Kumanova” ,Abedin Rexha ,Xhelal Hajda, Mirush Daka, Kadri Hamiti, Fatmir Limaj, Agim Bajrami, Haxhi Shala e të tjerë, depërtojnë në Kosovë.

Në këtë kohë, Drenica ishte vënë e tëra në një unazë të hekurt nga armiku. Mijëra policë, ushtarë e paramilitarë serbë, të armatosur deri në dhëmbë, kishin mësyrë këtë kështjellë të pamposhtur shqiptare.

Pas hyrjes në Kosovë, Fehmi Lladrovci me bashkëshorten e tij Xhevë Krasniqi-Lladrovci sistemohet në pikën ushtarake të fshatit Rezallë. Më vonë nga Rezalla shkon në Abri, ku i bashkohet njësitit të Musë Jasharit, Jakup Nurës dhe Jahir Demakut.  Pasi që kishte filluar zgjerimi dhe konsolidimi i pikave të luftës, Fehmi Lladvovci me bashkëshorten, Xhevën, me kushëririn Sabit Lladrovci, vendosen në pikën ushtarake, Te Tuneli i Baicës së Elshanit. Ndërkohë, me angazhimin e Fehmi Lladrovcit, Fatmir Limajt e të tjerëve, sigurohet një sasi e konsiderueshme e armatimit, 70 kallashnikovë dhe pushkë automatike dhe mijëra fishekë. Me ato armë dhe me disa luftëtarë të tjerë të pikës së “Çelikut”, më 9 maj të vitit 1998, pas një përleshje të fuqishme me forcat armike, merret nën kontroll Gryka e Llapushnikut. Me rastin e luftimeve bie në altarin e lirisë Besim Halilaj, ndërsa plagoset luftëtari Musli Demaku.

Përveç luftëtarëve të Çelikut, në zënien e Grykës së Llapushnikut nga rajoni i Drenicës Qendrore kanë marrë pjesë Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci, Rasim Kiçina, Sahit Jashari, Sabit Lladrovci, Enver Lladrovci, Mehmet Lladrovci e të tjerë.

Intervista e Fehmi Lladrovcit dhënë gazetarit anglez të BBC World, në maj të vitit 1998, shpreh tërë filozofinë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarimit të gazetarit të huaj se për serbët ju jeni terrorist, Fehmiu, si për flakë të pushkës, do t’ia kthejë:

“Mirë, le të argumentojnë serbët vetëm një akt të terrorizmit të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa ne mund t’i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm , i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua, kudoqofshin ata në territorin e Kosovës.Armët nuk i kemi marrë në dorë për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë.1 morëm kundër regjimit serb dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë”.

Ndërsa pyetjes së këtij gazetari se ” a do të vdiste për Kosovën”, ai, me një buzëqeshje karakteristike ,do t’i përgjigjej: “Me gjithë dëshirë. Ky do të ishte nderi më i madh për mua”. Ata që e ndoqën këtë intervistë tashmë e kishin të qartë platformën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas zënies së Grykës së Llapushnikut, Fehmi Lladrovci depërton në rajonin e Rahovecit, me qëllim të ushtrimit të ndikimit në mobilizimin e radhëve të UÇK-së.

Në fillim të qershorit të vitit 1998, Fehmiu me njësitin e tij luftarak vendoset në Shkabaj (ish- Gllanasellë). Në kuadër të njësitit të tij asokohe bënin pjesë: Xhevë Lladrovci, Asllan Fazliu nga Gradica, Jakup Nura, Abedin Sogojeva dhe Rexhep Morina, 68-vjeçar. Pas një kohe të shkurtër, fillon konsolidimi i shpejtë i radhëve nëpër njësitë luftarake të quajtura “Shkaba”. Shkabaj I përfshinte territorin e fshatit Çikatovë e Vjetër.

Shkaba II përfshinte rajonin e ish- Gllanasellës. Shkaba 111- Dritanin, ish- Dobrashec, Shkaba IV- në rajonin Vasilevë, Paklek dhe Korroticë. Shkaba VI- fshatin Graboc. Shkaba VII përfshinte fshatin Gradicë me rrethinë dhe Lagjen e Bardiqëve.

Më 10 qershor të vitit 1998, projektuar dhe realizuar nga Fehmi Lladrovci, Xhevë K. Lladrovci, Sabit Lladrovci, Liman Lladrovci dhe Rashit Lladrovci, shkatërrohet hekurudha Fushë -Kosovë- Pejë, afër Bardhit. Me kërkesën e komandantiti të Zonës së Shalës Mensur Kasumi, më 24 qershor 1998, Fehmiu me 12 bashkëluftëtarët e tij të ngushtë shkon në ndihmë për të konsoliduar radhët edhe në atë zonë. Gjashtë ushtarë i kishte vendosur në Hade dhe gjashtë të tjerë në Bellaqefc.

Luftën e cila asokohe u zhvillua në Bellaqefc e ka udhëhequr Asllan  Fazliu i Gradicës me bashkëluftëtarët e tij. Me urdhër të Fehmi Lladrovcit dhe të Mensur Kasumit, asokohe pozicionohen në pikën luftarake të Hades: Sabit Lladrovci, Hazir Berisha (më vonë dëshmor), Enver Greiçeci, Ukë Uka, Fejzë Greiçeci dhe disa fshatarë të Hades. Paraprakisht Fehmi Lladrovci njësitin luftarak e kishte pajisur me dy mitralozë të rëndë dhe me një minahedhës 60 mm.

Në orën 5 të mëngjesit të datës 30 qershor është zhvilluar beteja e njohur në Hade dhe në Bardh të Madh (ish- Bellaqefc). Në luftime të ashpra dhe ballë për ballë me armikun, pas tri mësymjeve me këmbësori, në altarin e atdheut kanë rënë dëshmorë: Mentor Dervishaj, nga fshati Zabllaç i Burimit, Xhemajl Mehmeti nga Plluzhina e Skënderajt dhe Ismet Uka nga fshati Ticë, po ashtu i komunsës së Skënderajt. Gjatë luftimeve arrijnë në ndihmë edhe Ilaz Dërguti, Shaban Shala, Bekim Berisha, Pal Paluca, Agon Krasniqi, Gani Koci e të tjerë. Luftimet u zhvilluan ballë për ballë.

Pas betejës në Bardh të Madh dhe në Hade, Fehmi Lladrovci me bashkëluftëtarët themelon dhe zgjeron Brigadën 114 të Zonës Operative të Drenicës, e cila përfshinte territorin prej fshatit Albanë (ish- Sllatinë) përreth anën lindore të Qyqavicës e deri në Vojtesh të Skënderajt, në udhëkryqin Tërnac- Prekaz i Epërm. Komandant i Brigadës emërohet Fehmi Lladrovci, ndërsa zëvendëskomandant Ilaz Kodra.

Nga lufta në luftë, nga beteja në betejë, Fehmi Lladrovci me trimat e trimëreshat e Drenicës ishte gjithandej ku luftohej ballë për ballë kundër armikut. Më 25 korrik të vitit 1998, kur forcat serbe me mbi 130 tanke dhe me armë të tjera të rënda kishin filluar betejën për Grykën e Llapushnikut, Fehmiu me bashkëluftëtarë nga ana e Kosmaçit depërton në vendluftime, duke sulmuar forcat armike anash në drejtim të Vukocit. Në ndihmë luftëtarëve të Grykës heroike të Llapushnikut, përveç komandant Fehmi Lladrovcit, iu kanë shkuar edhe Xhevë K. Lladrovci, Asllan Fazliu, Sabit Lladrovci, Muhamet Dërvishi e të tjerë.

Më vonë Fehmiu iu shkon në ndihmë disa luftëtarëve në fshatin Hamidi. Gjatë përleshjeve me forcat serbe, bie dëshmor Jashar Jashari i Strofcit. Në luftime, përveç Fehmiut e Xhevës, kanë marrë pjesë edhe luftëtarët Shaban Kelmendi dhe Tahir Kelmendi, po ashtu nga fshati Strofc.

Në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 1998, focat ushtarake dhe policore serbe kishin ndërmarrë ofensivë në shkallë të gjerë, sidomos në Drenicë. Kryekrimineli serb Milosheviq ngutej që para nënshkrimit të marrëveshjes me ambasadorin amerikan Hollbruk, ta thyente përfundimisht rezistencën e UÇK-së kudo në Kosovë.

Më 21 shtator, gjatë natës, forcat serbe kishin nisur depërtimin në relacionin Komaran-Gllogoc- Skënderaj. Më 22 shtator, herët në mëngjes, nga pika vëzhguese telekomunikuese Guri III në Kozmaç, jepen informacione për fillimin e depërtimit të forcave serbe në drejtim të pozicioneve të Brigadës 114 dhe 113 të Zonës Operative të Drenicës. Serbët sapo kishin filluar ofensivën në drejtim të fshatrave Çikatovë, Gllanasellë, Dobrashec, thotë Sabit Lladrovci, njëri ndër luftëtarët më besnik të komandant Fehmi Lladrovcit dhe luftëtar i radhëve të para të UÇK-së, i plagosur në Betejën e Likoshanit më 28 shkurt të vitit 1998.

Komandant Fehmi Lladrovci kishte marrë të gjitha masat dhe përforcimet në njësitë luftarake Shkaba I, Shkaba II dhe Shkaba III. Atë ditë para luftëtarëve dhe bashkëshortes së tij, po ashtu luftëtare e shquar e lirisë, Fehmi Lladrovci kishte thënë: Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë, që do të futet në analet e historisë. Sabit Lladrovcin e kishte ngarkuar në pozicione në rrugën Drenas – Gllanasellë, ndërsa vetë së bashku me Xhevën, luftëtaren Fatime Hetemi , Hazir Berishën, i cili ishte i pajisur me PKT, Muhamet Lluganin, Shefqet Morinën, Rashit Lladrovcin e të tjerë, kishte depërtuar në pikën luftarake të quajtur Gradina.

Pika luftarake e quajtur Shkaba II, të cilën e mbronte me përgjegjësi dhe forcë ushtarake Sabit Lladrovci me luftëtarët e tij, i shkatërron armikut tri tanke. Në kohën kur serbët mundoheshin t’i tërhiqnin nga vendi tanket për ta hapur rrugën, komandant Fehmi Lladrovci nga pika e tij i sulmonte forcat serbe. Luftimet janë zhvilluar në distancë 40 metra.

Ndërkohë, serbët, pozicioneve të komandant Fehmiut fillojnë t’i dalin nga prapa, meqë nuk po thyhej Shkaba II. Fehmiu me “zollën” e tij e shkatërron një tank të armikut. Në luftime e sipër nga distanca bie trimërisht e herioikisht luftëtarja e Shalës, Fatime Hetemi. Ndërkohë nga pika Shkaba I, në ndihmë komandant Fehmiut i shkon Asllan Fazliu. Ai e njofton Komandantin se forcat armike kanë thyer një pikë me ç’rast ka rënë dëshmor luftëtari i Kodrës së Trimave, Shefqet Zeka, ndërsa është shkatërruar një tank i armikut. Në një moment kritik, derisa komandant Fehmiu, Xheva dhe Asllan Fazliu po ripozicionoheshin, autoblinda armike merr në shënjestër dhe godet për vdekje komandantin sypatrembur, luftëtarin e radhëve të para të UÇK-së Fehmi Lladrovci. Duke e parë se pika ishte identifikuar dhe po sulmohej me zjarr të pandërprerë, ai urdhëron Xhevën dhe Asllanin që të largohen nga pika. Xheva, e cila nuk donte të largohej nga bashkëshorti dhe bashkëluftëtari, e urdhëron Asllan Fazliun që të largohej, duke i premtuar se pas tij do të largohej edhe ajo. Asllani arrin të tërhiqet, ndërsa Xheva reziston deri në fishekun e fundit, duke rënë pranë shokut të jetës dhe të idealeve çlirimtare.

Atë ditë në Gradinë kanë qëndruar deri natën vonë luftëtarët Hazir Berisha, i plagosur (më vonë ka rënë dëshmor), si dhe Rashit Lladrovci, Zymer Karaçica, Habib Lladrovci dhe një luftëtar tjetër. Katër ditë më vonë, pasi kishte rënë intensiteti i luftimeve, në vendrënien e dëshmorëve kishin depërtuar: Asllan Fazliu, Sami Lushtaku, Sabit Lladrovci, Liman Lladrovci, Nuredin Lushtaku, Fadil Kodra e të tjerë. Ata i tërheqin trupat e tre dëshmorëve në vendin që tani quhet Kulla e Qëndresës. Rënia e komandant Fehmi Lladrovcit, edhe pse ishte një humbje e madhe për Drenicën dhe luftën në përgjithësi, i dha edhe më tepër hov luftës çlirimtare. Kishte rënë Komandanti dhe trimerësha e maleve, por pushkët e lirisë kishin jehuarne të gjitha zonat e luftës.

Në tetor të vitit 1998, Brigada 114 përjetësohet me emrin e Fehmi Lladrovcit. Në krye të komandës zgjidhet Ilaz Kodra, më vonë edhe ky bie dëshmor, por lufta për liri vazhdon deri më 21 qershor të vitit 1999, kur nga Kosova dëbohet antihistoria, dëbohen forcat policore dhe ushtarake serbe edhe me ndihmën e forcave të NATO-s. Vepra e dëshmorit Fehmi Lladrovci është skalitur në monumente përjetësie.

Shkolla e Mesme Teknike në Drenas ka marrë emrin e dëshmorit Fehmi Lladrovci. Eshtë në përfundim e sipër kompleksi Kulla e Qëndresës, e cila po ngritet në vendrënien e Fehmiut, të Xhevës dhe të Fatimes. Për dëshmorin janë dhënë mirënjohje e dekorata nga Qeveria e Përkohshme, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe nga instancat lokale në Drenas.

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …