Feim Faik Morina (19.8.1966 - 10.7.1998)

Feim Faik Morina (19.8.1966 – 10.7.1998)

Një nga bijtë më të devotshëm të atdheut tonë, që e donin popullin dhe urrenin robërinë nga pushtuesi serb, është edhe Feim Faik Morina, i cili lindi më 19 gusht të vitit 1966 në fshatin Samadraxhë. Feimi, fëmijërinë e tij e kaloi në një familje të varfër dhe me kushte të rënda ekonomike. Shtëpia në të cilën kishte lindur Feimi, e kishte trashëguar babai i tij nga gjyshi, gjysma e së cilës ishte e rrënuar. Viti i lindjes së tij ishte viti i ndërtimit të një shtëpie të re, të cilën arritën ta përfundojë me shumë mundime babai i tij. Kryesisht në atë shtëpi e ka kaluar fëmijërinë Feimi, dy vëllezërit më të rritur dhe tri motrat, së bashku me fëmijët tjerë të xhaxhait.
Gjatë fëmijërisë, Feimi shquhet për shkathtësi, guxim e zgjuarsi, veti këto që u dalluan nga ai gjatë shkollimit fillor, në të cilin arriti sukses të shkëlqyeshëm. Sidomos në klasën e tetë, ai u vërejt, që është i pandarë nga leximi i veprave letrare të rilindësve dhe shkrimtarëve tjerë shqiptarë. Ishin vitet e përplasjeve të mëdha, kur Feimi kreu shkollën fillore. Ishin vite të shpërthimit të demonstratave, kundër robërisë që po shkaktonte ndaj shqiptarëve Jugosllavia. Këto demonstrata, kishin nisur për të treguar se populli shqiptar është kundër shtypjes e skllavërimit të popullit.
Në vitin 1982 ai regjistrohet në shkollën e mesme në Suharekë dhe po atë vit kishte pasur arrestime dhe burgosje të shumë nxënësve, ndër të cilët ishte edhe vëllai i dytë i Feimit. Asokohe ishin burgosur edhe shokë të tjerë, për fat të mirë ende kishte veprimtarë që UDB-ja nuk mundi t’u binte në gjurmë, dhe ata vazhdonin të kryenin punë që po ua diktonte koha dhe rrethanat e krijuara. Në atë periudhë kohore Feimi, ishte nxënës i vitit të parë në gjimnaz, kur u njoh me shokë, që vepronin në organizatat ilegale, të cilët i ndihmon në shpërndarjen e literaturës, siç janë: librat, gazetat dhe pamfletet e ndryshme, që vinin fshehurazi nga Pretendimi dhe nga Shqipëria.
Agu i shtatëmbëdhjetë janarit të vitit 1983 i gjeti shumë qytete e fshatra të Kosovës, të stolisura me pamfletet për njëvjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Ndër ato fshatra ishte edhe Samadraxha, ku në gjithë fshatin kishte shpërndarë pamflete i vetëm Feimi. Ai, tani më kishte krijuar përvojë në punët e veprimtarisë ilegale, saktësisht në muajin maj të vitit1983, kur po martohej vëllai i tij Kujtimi, për të mos u bërë përshtypje spiunëve të UDB-së, në natën e dasmës e zbukuron fshatin me parulla. Sa që të nesërmen mbesin të befasuar fshatarët e Samadraxhës. Parullat e shumta gjithandej mureve nëpër ndërtesa të fshatit, paralajmëronin pjekurinë politike të rinisë liridashëse të Samadraxhës. Informatorët dhe hyzmeqarët e pushtetit titist, kishin nisur hulumtimin në mënyra të shumta, duke u interesuar për familjen e Feimit. Shkaku kryesor ishte se atyre ditëve ishte liruar nga burgu vëllai i tij, i cili kishte përfunduar dënimin nga pushteti, të shqiptuar një vit më parë. Hulumtuesit hiqeshin si dashamirë kur hynin brenda në odën e familjes së tyre. Ata i thonë babait në odë “Përhajër që e martove djalin e madh, e shyqyr që të erdhi edhe i dyti nga burgu!” Por, gjithnjë përpiqeshin të mësonin diçka më shumë rreth aktivitetit atdhetarë të djemve të asaj shtëpie, duke shtruar pyetje “Ka i ke djemtë, çka po të punojnë, e kah po shkojnë”!? Veprimet e “miqve” për familjen ishin tepër të dukshme, kështu që Feimi duhej shmangur nga ndonjë arrestim i mundshëm. Pasi e vlerësojnë situatën bashkë familjarët, ai pajtohet që të largohet nga fshati për një kohë dhe shkon në Idria të Sllovenisë tek disa kushërinj dhe fillon të punojë në firmën e tyre ndërtimore. Ndër shkaqet esenciale që nuk vazhdoi më tutje shkollën e mesëm ishte edhe largimi i tij nga vendi. Qëllimi i shkuarjes në Slloveni ishte që t’i largohet ekspozimit të armiqve. Mirëpo edhe nevoja ekonomike familjare e detyroi të punonte atje edhe për shumë kohë, për arsye se nuk kishte mundësi tjera për të siguruar ekzistencën dhe mirëqenien e familjes. Prandaj, bashkë me vëllain Kujtimin vendosën në rajonin e Novo Mestos po në Slloveni dhe atje i kalon gati dhjetë vite duke punuar. Por, për asnjë ditë nuk u nda nga veprimtaria atdhetare dhe mbante lidhje të vazhdueshme me veprimtarët, që vepronin në vendlindje.
Shkatërrimi i Jugosllavisë dhe luftërat në Slloveni e Kroaci, e detyrojnë Feimin që të largohet nga andej dhe të vjen në vendlindje. Në këtë periudhë martohet me Elhame Elshanin nga Suhareka dhe u lindin tre fëmijë, dy djem Etniku më 1994, Erandi më 1996 dhe vajza Kosovarja në nëntor të 1998-ës (katër muaj pas rënies së tij në altarin e lirisë). Feimi vazhdoi në fshatin e tij të punonte të gjitha llojet e punëve në fushën e ndërtimtarisë. Asnjëherë nuk lodhej, çdo herë ishte i qeshur dhe i qetë. Shpesh herë i rastiste që kur vinte nga puna në shtëpi, të takonte në odën e tyre shumë nga shokët e vëllait të tij, i cili aso kohe vepronte ilegalisht në organizatën Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Ata zhvillonin biseda të ngrohta dhe të sinqerta për çështjen e rëndë që po kalonte populli ynë dhe jepnin konstatime se si duhet zgjidhur ajo.
Nga heshtja që krijohej për shqetësimet e përgjithshme, Feimi merrte çiftelinë, të cilën e kishte pasion dhe interpretonte melodi të ndryshme me virtuozitet mahnitës. Puna e përditshme e ndërtimtarit e kishte larguar nga pjesëmarrja e drejtpërsëdrejti në veprimtaritë ilegale. Këtyre viteve kur LKÇK-ja kishte vendosur një bazë të mirëfilltë të organizimit politiko-ushtarak, e shtoi interesimin e bijve më të mirë të popullit, në kuadër të tyre ishte edhe Feimi, që pajtohet me pikëpamjet e LKÇK-së se si e ka përcaktuar rrugëzgjidhjen e çështjes kombëtare. Në pozitën e simpatizantit Feimi kryen mjaftë punë në përhapjen e gazetës ”Çlirimi” dhe frymës mobilizuese për fillimin e luftës së armatosur. Ai shpreh guximin dhe trimërinë e tij e pa hezitim e dëshmoi, duke u bashkuar me njësitin luftarak si anëtar i LKÇK-së. Në këtë fazë fillestare të luftës, pra në maj të vitit 1998, kur kishin rënë dy shokë udhëheqës të LKÇK-së, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani. Rënien e tyre Feimi e përjetoi rëndë, si një humbje të pazëvendësueshme për interesin e organizatës dhe të luftës çlirimtare, e cila kishte marrë përmasa të gjëra. Për rënien e shokëve ai shpesh herë theksonte “Hakun duhet ta marrim shumëfish për shokët!”
Feimi ishte njohës i mirë i çështjeve ushtarake, në këtë drejtim ai punon aktivisht në përgatitjen taktike dhe fizike, duke i mësuar djemtë e vashat liridashëse për t’i përdorur disa lloje të armëve të lehta. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre tregoi sukses të mirë dhe demonstroi njohuri konkrete për veprime luftarake. Për nivelin e kënaqshëm që e kishte treguar Feimi, caktohet komandant togu në strukturën komanduese të Kompaninë së Dytë.
Tani ishim në rrethana lufte, ku për çdo ditë rritej numri me luftëtarë të lirisë, shtohej edhe kërkesa për armë. Feimi, pasi ishte njohës i mirë i të gjitha llojeve të armëve, caktohet edhe me një detyrë tjetër nga komanda e Brigadës. Caktohet, që të shkojë për furnizim me armë në Shqipëri. Nisja e grupit me të cilin udhëtoi Feimi bëhet me tre korrik 1998. Ai së bashku me shumë të rinj nga njësiti i fshatit tregon gatishmëri për ta zbatuar detyrën e caktuar. Korriku ishte muaji që kishte marrë hov zgjerimi i UÇK-së dhe njëkohësisht zhvilloheshin beteja të ashpra me pushtuesin. Ky grup kishte lëvizur në këtë kohë nëpër disa vendbanime të Malishevës, Klinës dhe në Gllogjan e prej andej në drejtim të Rrasës së Zogut në Hoxhaj të Tropojës. Në këtë fshat, ku ishte një bazë armatimi e UÇK-së, Feimi së bashku me shokë disa ditë kishin qëndruar në pritje për t’u armatosur me pajisjet e nevojshme ushtarake. Më 10 korrik të vitit 1998, Feimi zbret nga ajo bazë e fshatit Hoxhaj në qytetin Bajramcurri, për të blerë një uniformë ushtarake. Në Bajram Curr kishte shkuar së bashku me Bashkim Kabashin nga fshati Leshan i Suharekës. Duke u kthyer nga qyteti rreth orës 16 të asaj pasditeje, në mes fshatit Hoxhaj dhe Tropojës së Vjetër goditen me plumba vdekjeprurës nga pusia e përgatitur prej agjenturave kriminale të pushtuesit serb. Kjo dorë e zezë barbare, me vrasjen e këtyre luftëtarëve trima, kishte për qëllim ta vrasë luftën çlirimtare të Kosovës. Por, synimet e errëta kriminelët nuk arritën kurrë t’i realizojnë, dy çlirimtarët i vranë, por nuk arritën ta vrasin idealin e tyre të lirisë, atë e mbajtën flakadan të pashuar qindra e mijëra luftëtarë e dëshmorë tjerë, që u përjetësuan në altarin e lirisë.
Sot populli ynë i mban lartë në piedestalin e Dëshmorëve të Kombit, të cilët janë gjallë e të pavdekshëm në mesin tonë. Edhe Feim Morina përjetësohet nga populli në lapidarin e fshatit dhe në emra të rrugëve në disa vendbanime. Ndërsa, rapsodi popullor e kujton Feimin me vargjet e këngës:

”Kriminel dërgoi barbari,
N’prita t’vrasi shqipe mali,
Vranë Feimin shtat si lisi,
Zemër bardhin sikur plisi…”[1]

(Rexhep Morina)

Kontrolloni gjithashtu

Agim Abaz Mazrekaj (27.11.1970 -7.7.1998)

Agim Abaz Mazrekaj (27.11.1970 -7.7.1998)

Dëshmori Agim Mazrekaj ka lindur në fshatin Sllup të Deçanit më 27 nëntor 1970, në …