leoni

Feti Mehdiu: Deideologjizimi i ligjit për lirinë fetare, pararojë e ardhmërisë së Kosovës

         “Myslimanë e të krishterë, Perëndia na ka bërë, jemi vëllezër të të tërë”, thoshin rilindësit tanë, por kësaj mund t’ia shtonim vetëm edhe fenë hebraike.

Projektligji nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë, i cili ditë më parë u shqyrtua në Kuvendin e Kosovës, por nuk kaloi, ka disa mangësi. Versioni i vitit 2006 në esencë nuk ka ndryshuar asgjë për mbarë. Përkundrazi ka bërë rrëshqitje për teposhtë. Versionin e vitit 2006 e kam diskutuar në nivel të komunikimit të brendshëm me subjekte relevante e me përgjegjësi shoqërore në Kosovë. Diskutimet në Kuvendin e Kosovës në seancën e datës 30 nëntor 2015, më bindën se ato sugjerime kishin hasur në vesh të shurdhër.

 

Prandaj iu ktheva edhe një herë projektligjit të përmendur dhe vendosa që, disa nga ato vërejtje, t’ia bëj me dije në radhë të parë përpiluesve të ligjeve, por edhe opinionit publik shqiptar. Dilema e parë që më doli përpara, pas kësaj seance të Kuvendit të Kosovës, është: a diskutoi Kuvendi i Kosovës: për ligjin për lirinë fetare, apo për privilegjet që ua afron ky projektligj sekteve fetare – shkollave filozofike fetare, për t’i barazuar ato me fetë ekzistuese në Kosovë: fenë hebreje, krishtere dhe islame.

 

Përmbajtja e këtij projektligji bartë në vete dozë të madhe të ideologjizimit të feve konkrete. Ky projektligj mund të prodhojë platformë kaotike fetare në Kosovë. Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi propozimin e afruar, por kërkoi nga qeveria ta rishqyrtojë, pastaj ta sjellë në Kuvend. Fillimisht, t’i rikujtojmë lexuesit për cilat nene bëhet fjalë, krahas të cilëve do të vijnë edhe dilemat konkrete, me qëllim që ligji për lirinë fetare në Kosovë të deideologjizohet për të mirën e ardhmërisë së Kosovës. Këtu po marrim në shqyrtim nenin 4-A dhe nenin 7-B. Kam parasysh versionin në letër, ku kërkohen propozime e sugjerime deri më datën 8 dhjetor 2014.

 

Në tekstin e Projektligjit nr. 02/L-31, Neni 4-A, pika 4. 1. lexojmë: “…në Republikën e Kosovës ekzistojnë gjashtë (6) bashkësi fetare, të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës, Bashkësia e Besimit Hebrej dhe Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës; (nënvizimet janë të miat).

 

Formulimi “…gjashtë (6) bashkësi fetare…” nuk është i saktë dhe nuk është i qartë. Termi “bashkësi fetare” në këtë kontekst nuk është i qartë. Është fjala për fetë apo për shoqatat joqeveritare me ngjyra fetare? A është fjala për fetë apo për shkollat fetare? Këtu ka dallime thelbësore që kërkojnë qasje shumë serioze. Veçanërisht kur bëhet fjalë për akte normative që obligojnë shoqërinë të sillet brenda atyre kornizave që i dikton ligji përkatës.

 

Numri “gjashtë (6)”, gjithashtu është shprehje konfuze! Nëse u referohet feve, është shifër e madhe, joreale, sepse në botë ka vetëm tri fe: hebreje, krishtere dhe islame; por nëse u referohet shkollave fetare, gjegjësisht ideologjizimt të ndonjërës prej këtyre feve, është shifër e vogël, sepse në botë ka disa dhjetëra e më tepër shkolla filozofike fetare. Në rajonin e Ballkanit gjallërojnë shtatë a tetë sish, me tendencë të shtimit. Kosova nuk mund të jetë imune nga kjo epidemi ideologjish të maskuara me petk fetar. Tani u duhet vetëm edhe përligjja me akte normative ligjore për ta shprehur agresivitetin e akumuluar përbrenda vetes.

 

Përpiluesit e ligjit për lirinë fetare në Kosovë, mendoj, duhet të kenë njohuri për këto çështje dhe t’i kenë parasysh rrethanat e Kosovës: gjeografike, fetare, arsimore, ekonomike, demografike, kulturore, strategjike, historike etj. dhe të bëjnë ligj të qëndrueshëm afatgjatë, me të cilin vihet rend në shoqëri. Shkollat filozofike fetare janë, edhe në botë, një superstrukturë fetare që ka për qëllim të kultivojë superklasë fetare, që për Kosovën është luks i madh. Për të mos rënë në këtë grackë duhet deideologjizuar ligjin për lirinë fetare, që iu ka paraqitur Kuvendit të Kosovës.

 

Ligji duhet të jetë i qartë. Me ligj nuk duhet ngatërruar fetë me ideologjitë, as me shkollat fetare, njëlloj sikur që nuk duhet ngatërruar kombin me partitë politike. Vetëm kështu ky ligj mund të jetë në shërbim të ardhmërisë së Kosovës. Për këto sqarime Kosova ka potencial profesional me kompetencë. Vetëm se duhet kërkuar ndihmën e profesionalistëve.

 

Në seancën e 30 nëntorit doli përfushë mosbashkëpunimi i përpiluesit të ligjit me subjekte relevante për çështje të feve dhe me ekspertë të tjerë. Kjo qasje ka prodhuar barazimin e Bashkësisë Islame të Kosovës me Bashkësinë e tarikateve të Kosovës. Deri në shekullin 17 kanë qenë të njohura 12 (dymbëdhjetë) tarikate. Aktualisht mund të janë edhe më shumë. Projektligji për lirinë fetare që ishte afruar në Kuvendin e Kosovës për ta marrë përkrahjen e deputetëve krijon infrastrukturë ligjore që secila lagje (me 50 veta) të themelojë një “Bashkësi fetare”! Në këtë mënyrë legjitimohet kaosi i organizimit të jetës fetare në vend.

 

4. 3. lexojmë: “…ekzistuese dhe ato të reja që regjistrohen kanë statusin e personit juridik…”. Çfarë do të thotë këtu shprehja: “…dhe ato të reja që regjistrohen…”? Asgjë më tepër përveç asaj që sapo të bien në ujdi pesëdhjetë veta, nën maskën e fesë të regjistrojnë një fe të re! Menjëherë gëzojnë “statusin e personit juridik”, njëlloj sikur që e ka Kisha Katolike apo Kisha Ortodokse Serbe, të cilat janë në skenë nga shekulli 11 dhe mbështeten në Ungjill dhe i besojnë bartësit të Ungjillit – Jezu Krishtit, njëlloj sikur që e ka Bashkësia Islame e Kosovës, e cila është në skenë t Kosovës nga shekulli 13 dhe dokumentin themelor e ka Kur’anin, të cilin e transmetoi tek njerëzit i Dërguari Muhammed. Kjo është plotësisht e qartë se nuk ka më fe “…të reja që regjistrohen…” nëpër zyrat ku regjistrohen partitë politike. Mirëpo shoqata joqeveritare mund të ketë. Edhe të atilla që kanë karakter fetar, por nuk mund të dalin përtej kornizave që janë vënë nga: Musa-Mojsiu, nga Isa (Jezusi) dhe nga Muhammedi. Kjo duhet të rregullohet dhe të shprehet qartë me ligjin për lirinë fetare. Është detyrë e shtetit.

 

Te Neni 7-B Pika 2 lexojmë: Në Kosovë mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare nëse i plotësojnë kushtet e mëposhtme. Joserioziteti arrin kulminacionin kur një akt (ligj) i përpiluar nga një grup njerëzish hap shtegun “…të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare…”.

 

2. 2. …të kenë të paktën pesëdhjetë (50) anëtarë”. Kjo do të thotë pak më pak se një familje tradicionale shqiptare.

 

Të regjistrosh “bashkësi të re fetare” pa pas profet të ri dhe libër të ri të shpallur, sikur që e kanë hebrenjtë – Torën, të krishterët – Ungjillin dhe Myslimanët – Kur’anin, është një formulim konfuz, destruktiv, me pasoja të rënda për ardhmërinë e Kosovës. Me fjalë të tjera, është më tepër se skandaloz!

 

Shihen qartë ngatërrime konceptuale.

 

Kjo është pasojë e hendekut që krijoi sistemi komunist për një periudhë prej pesëdekadash, kur faktori fe ishte përjashtuar nga skena shoqërore shqiptare, diku me akte juridike, siç veproi Tirana në vitin 1967 kur ndali çdo aktivitet fetar. Në hapësirën tjetër shqiptare ndodhte e njëjta gjë, por në heshtje.

 

Diskutimet në Kuvendin e Kosovës dëshmuan se ka paqartësi, mungesë të njohurive dhe ngatërrim nocionesh për çështje të fesë. Kjo ndodh nga shkaku se shoqëria kosovare edhe në sistemin demokratik vazhdon të ngurrojë, të diskutojë haptazi për çështje të fesë. Sillet me papërgjegjësi ndaj një faktori shumë të rëndësishëm shoqëror. Injoron faktin se feja është barrë delikate dhe kërkon trajtim me kujdes. Feja nuk lejon keqpërdorimin e saj për nevoja ditore, nuk duron politizimin për qëllime të ngushta klanore, as partiake, as shtetërore; nuk fal manipulimin me të, për asnjëfarë arsye.

 

Është e domosdoshme që grupi punues ta shtrijë veprimin e vet dhe ta kërkojë ndihmën e strukturave kompetente qofshin në institucionet fetare apo shkencore – madje edhe qarqet kulturore. Sepse çështja e fesë, si tërësi, pa e ndarë në fe hebreje, krishtere dhe islame, përmban në vete diçka që nuk përkon plotësisht, me teoritë sociologjike e filozofike të asnjë kohe. Aq më pak të kohës sonë, kur janë përmbysur disa vlera të rëndësishme në nivel botëror.

 

Aktualisht në mesin tonë nuk shoh profesionalizëm në diskutimet rreth fesë(feve). Institucionet relevante dhe me kompetencë e potencial, madje edhe me përgjegjësi për këtë çështje, janë strukur dhe nuk u ndihet zëri fare! Këtë e dinë ata pse. Por që kjo heshtje e tyre dhe lënia e kësaj çështje në duar të diletantëve që shtihen të gjithëdijshëm, të cilët deri dje janë tallë me fenë ose e kanë injoruar, sot rrahin gjoks dhe dalin të japin sqarime dhe maskohen për të përfituar nga karta e fesë, e dimë të gjithë dhe e shohim në praktikë. Teoricienë të materializmit nuk mund të japin vlerësime meritore për çështjet fetare, tek të cilat kërkohet shkrirja e materies dhe e shpirtërores në një tërësi.

 

Ka edhe dilema të tjera që kërkojnë sqarime dhe përgjigje si, p.sh.: Çka do të thotë bashkësi fetare, komunitet fetar, komuniteti fetar ortodoks, komuniteti fetar islam, komuniteti fetar katolik, komuniteti fetar protestant, komuniteti fetar bektashian, komuniteti fetar i tarikateve.

 

A ka dallim feja nga komunitetin fetar? A ka feja tretman të shoqatës joqeveritare apo të institucionit qeveritar? Qoftë edhe e ndarë nga shteti, për shkak të formulimeve jo të qarta… Çfarë do të thotë shprehja: nëse grumbullohen kaq apo aq numër i banorëve mund të themelojnë një komunitet fetar? Çfarë? Të bëjnë fe të re, apo të formojnë një organizatë paralele me fenë konkrete, sikur që veprohet me partitë politike, të cilat formohen mbi bazën e bashkimit të një grupi njerëzish për t’i mbrojtur interesat e njëri-tjetrit… Nomenklatura nuk është aq e thjeshtë. Kërkon konsultim gjithëpërfshirës nga shumë këndvështrime para se të bëhet pjesë normative në legjislacionin e shtetit të Kosovës.

 

Ligjvënësit që hartojnë ligje për shoqërinë e shtetit të Kosovës duhet të kenë parasysh që ai ligj të jetë i mbështetur në themele serioze, jo ideologjike dhe të jetë i qëndrueshëm. Në të kundërtën, shtetin dhe shoqërinë e Kosovës e lënë peng të ndryshimeve të vazhdueshme. Edhe më keq se kaq! Rininë e Kosovës e fusin në binarë të theqafjes, kush e di se ku…! (sot është aktuale Siria… e nesër…?!) Duket se ligjvënësit nuk kanë përfillë strukturat përgjegjëse për fetë në Kosovë. Nuk kanë kërkuar as ndihmën e profilit shkencor dhe kulturor që posedon Kosova. Është e domosdoshme përfshirja dhe bashkëpunimi konkret, korrekt e konstruktiv i tërë spektrit intelektual të Kosovës.

 

Vetëm atëherë mund të bëhen ligje që i qëndrojnë kohës. Feja nuk është çështje ekskluzive e organeve të shtetit, as pushtetit, as shoqërisë civile. Organeve kompetente të Qeverisë së Kosovës me të gjithë mekanizmat e tjerë që përbëjnë shoqërinë e Kosovës u mbetet detyrë, që pa u vonuar, t’i përvishen punës me seriozitet, me sinqeritet, me bashkëpunim korrekt, dhe të mos humbin kohë për regjistrime të shkollave filozofike fetare… të reja në Kosovë. Të përqendrohen qartë për çështjet fetare.

Kosova me një grusht njerëz nuk e ka luksin të humbasë kohë edhe me shkolla filozofike fetare, sikur që e bëjnë vendet qindra-milionëshe dhe me zhvillim krejt tjetër ekonomik e kulturor.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve është një fenomen “sui generis” në historinë e qytetërimit

Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë  të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë …