Shqiperia e Re

Fitim Çaushi: Replikë me Kadarenë pas deklaratës së tij për filmat e “Kinostudios-Shqipëria e Re”

Kërkesa e disa analfabetëve të artit dhe të kulturës për të eliminuar filmat e Kinostudios shqiptare, janë pjesë e revanshizmit të shek XXI dhe egërsimit të imperializmit. Ata e filluan sulmin me rishikimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, vazhduan me goditje kundër përfaqësuesve më të talentuar të artit dhe të letërsisë shqiptare, dhe tani u vërsulën mbi filmin shqiptar. Kjo më kujton Hygonë: “Monarkët janë hedhur në sulm kundër lirisë, reaksioni është hedhur në sulm kundër paqes, por megjithatë suksesi ynë është i sigurtë. Në epokën tonë njerëzit kanë një detyrë të dyfishtë të shtypin vullnetin e monarkëve dhe të përmbushin vullnetin e popujve”.

Megjithëse shumica e popullit i shikojnë filmat shqiptarë si ushqim shpirtëror dhe estetik, këta tellallë fjalamanë, që nuk kanë krijuar asgjë me vlerë deri tani, me lehjet e tyre organizojnë dhunë psikologjike ndaj artistëve shqiptarë të filmit, që nuk janë pak, por disa qindra: regjisorë, skenaristë, operatorë, aktorë, piktorë, dekorator, montazhierë, miksazhierë, kostumografë, muzikantë, orkestrantë, etj, etj.

Këta intelektualë të rremë, pasi “mallëngjyen” vetveten dhe publikun, lëshuan kundër të Pandehurit Film Shqiptar, akuzën se ata: “ngjallin nostalgji për socializmin”, “shoqëria ka ngecur në botëkuptimin socialist”, “janë filma  qesharakë”, “janë filma  mediokër”, “janë filma idiotë”, dhe tirada e akuzave të tyre s’ka të mbaruar, çka provon se kemi të bëjmë me faktorë të pastër politik dhe me injorantë të klasit të lartë që i konsiderojnë artistët e nderuar, “mediokër” dhe “idiotë”. Njëherazi ata kërkojnë të varfërojnë trashëgiminë kulturore shqiptare për brezat që do të vijnë. Diskutimet e tyre arbitrare, arrijnë në kufijtë më ekstremë të komizmit! Në ç’kohëra jetojmë! Askushët, kërkojnë të zhvleftësojnë artistët!

Çfarë shtrese shoqërore apo drejtimi politik, përfaqësojnë këta llafomanë, që dalin si  shkuma dhe tallashi në sipërfaqen e jetës shoqërore shqiptare?! Ç’përfaqësojnë këta dekadentë, që u digjet barku për rininë shqiptare dhe si kujdestarë të paguar, kërkojnë t’i ruajnë nga “molepsja” e artit të vërtetë, të artit plot jetë?! Nga pretendimet e tyre, bindemi se padronët e këtyre analfabetëve, tremben nga ideologjia e filmave dhe realitetit socialist shqiptar, jo se kanë nivel të dobët artistik, sepse më shumë se sa filma të dobët shqiptarë, gjen me mijëra në kinematografinë botërore, të çdo kohe e të çdo vendi kapitalist. Madje, mungesa e humanizmit dhe prezenca e egërsisë, shfaqet veç të tjerash, edhe tek filmat e Hollivudit, kur vietnamezët paraqiten si kriminelë kundër amerikanëve që e dogjën me napalm tokën vietnameze!

Në Shqipëri transmetohen sot filma të huaj që demaskojnë klerin për veprime kriminale në bashkëpunim me mafien, por askush nuk ka guxuar të kërkojë ndalimin e tyre. Përse këta mercenarë të përbetuar, shqetësohen vetëm për filmat e Kinostudios tonë, ndonjë prej të cilëve trajton edhe klerin?! Shqetësohen sepse aty, kleri demaskohet si bashkëpunëtor i fashizmit (Patër Anton Harapi) dhe diversantëve, si përfaqësues i obskurantizmit, injorancës dhe prapambetjes, duke nxitur krimet kundër Cucës së Maleve, mësuesit hero, Ndrec Ndue Gjokës dhe vajzave të Mirditës.

Veprimi i këtyre analfabetëve cinikë, që kërkojnë eliminimin e filmave shqiptarë, përligjet nga interesat e borgjezisë në këtë periudhë të restaurimit të kapitalizmit, dhe propaganda borgjeze sot, është tepër luftarake. Këta pasardhës të bejlerëve të djeshëm dhe mercenarë të borgjezisë së re, të cilët kanë një  armiqësi instiktive kundër çdo gjëje që i shërben progresit dhe interesit të masave punonjëse, kanë shkuar më larg, janë kthyer në reaksionarë të kulluar, përderisa kërkojnë asgjesimin e veprave të artit, sikundër asgjësuan një pasuri kolosale 40-vjeçare të krijuar nga djersa e popullit.

Ata tremben nga idetë socialiste, ndërkohë që këto ide, si aspiratë historike e popujve, u propaganduan për herë të parë nga revolucionarët francez: “Liri-Barazi-Vëllazëri”. Veprat e artit për ta, veçanërisht baleti dhe opera “Flakët e Parisit”, vazhdojnë të jepen në disa produksione të reja nëpër Evropë, edhe sot!

Veprat artistike dhe ato letrare, gjithmonë kanë një ide, nuk mund të ketë vepër artistike pa ide.  Edhe arti dhe letërsia shqiptare, kanë qenë të kondicionuara nga politika e pushtetit në fuqi. Artistët shqiptarë nuk mund të ishin të ndarë nga ambienti shoqëror që i rrethonte. Një ndryshim i thellë shoqëror, kishte ndodhur kur filloi jetën kinematografia shqiptare, çka nënkuptonte ndryshim botëkuptimor, ideologjik dhe moral të shoqërisë. Tendencioziteti i përmbajtjes së filmave shqiptarë, buron prej realitetit historik, prej njohjes së kontradiktave të shoqërisë, këta kanë pasqyruar një realitet historik që zhvillohej në kah socialist përmes kontradiktash klasore dhe janë frymëzuar prej optimizmit të masave popullore në zgjidhjen e këtyre kontradiktave.

Në këtë stad zhvillimi, drejtimi i kinematografisë shqiptare, përfshinte jo vetëm mjetet e shprehjes artistike, por edhe veçanësitë e konstitucionit shpirtëror kombëtar, dhe veçoritë e zhvillimit historik e të rrugës për shndërrimin socialist. Për shkak të mungesës së eksperiencës, te një pjesë filmash, vërehet përshtatja jo artistike e koncepteve të përgjithshme ideopolitike, skematizmi i subjekteve, zbukurimi i heronjve pozitivë. Por këto dobësi të rritjes, kanë qenë objekt i kritikës nga vetë krijuesit e kinostudios, ndërkohë që me qindra filma të huaj,  janë ende sot filma skematikë, shabllonë dhe pa jetë.

Spekulimet se filmi shqiptar na paska qenë tërësisht i politizuar dhe artistët të indoktrinuar, si në rastet kur kanë pasur sukses të merituar edhe në dështime filmash skematikë e shabllon, është dashakeqe dhe tendencioze. Këtë e dëshmon edhe fakti se analfabetët e artit, heshtin kur shikojnë teatro, filma, ose libra që shkruhen sot për armiqtë e popullit dhe të Shqipërisë, dhe tërbohen kur shfaqen filmat e periudhës së socializmit apo opera “Komisari” dhe baleti ”Cuca e maleve”. Kjo fletë  për bashkëjetesë  me  idealin regresiv. Cila është përmbajtja e filmave shqiptarë? Lufta heroike dhe çlirimtare e popullit kundër pushtuesve të huaj përmes heronjve të tij:  Mic Sokoli, Oso Kuka,Ismail Qemali, Isa Boletini, Azem e Shote Galica, Selam Musai, Çerçiz Topulli, Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kajo Krafili, Këshilltarët e Hekalit,…etj. Përmes tyre  shprehet ideali i lartë atdhetar, vetëmohimi i luftëtarëve, urrejtja kundër armikut dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Për të mos ekspozuar këtë urrejtje kundër elementëve antipopullorë, mercenarët ulërasin për t’i ndaluar filmat!

Është e kuptueshme që larot e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe agjenturave të huaja, të mos e duan shembullin e këtyre figurave heroike, ta lënë Shqipërinë pa kontribute në koalicionin e madh Antifashist të Luftës së Dytë Botërore, pa sakrifica historike, sikundër ishte Vlora në 1920, dhe dyluftimi me rusët në bazën heroike të Pashalimanit.

Së bashku me luftën për çlirim, filmat shqiptarë trajtojnë përpjekjet për ndërtimin socialist, protagonistët e tyre i gjen në hidrocentrale, në tharjen e kënetave, në hapjen e tokave të reja për të siguruar bukën në vend, në mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, në luftën kundër kanunit, zakoneve prapanike, mbeturinave mikroborgjeze, burokracisë etj. Të gjithë filmat shqiptarë i përshkon romantizmi revolucionar, jeta shoqërohet me një lirizëm flladitës. Në to kemi skalitje karakteresh me fizionomi kombëtare, personazhe të përthyer me ngjyrime epike, dramatike, lirike, humoristike e satirike, dhënë së sfonde shoqërore, politike, e familjare, karakteristikë për periudhën e kalimit në rendin e ri. Janë skalitur me mjeshtëri karaktere tipike të papërsëritshme (Dhaskal Todri), të mirëvendosura në mjedise e rrethana historikisht konkrete.

Nëse intelektualët e rremë, nuk i duan këto filma, kjo s’do të thotë se na infektohen fëmijët me të vërtetën historike, por se tek filmat shqiptarë të periudhës së socializmit, mbetet e fiksuar në ekran, tradhtia dhe qëndrimet antipopullore të bashkëpunëtorëve të fashizmit, realizimet e mëdha ekonomiko-shoqërore të popullit të bashkuar. Dhe këto realizime ndodhën në shtetin me prapambetjen historike më të madhe  në Evropë!

Tellallët e borgjezisë pretendojnë për “infektim” të brezit të ri nga filmat e realizmit socialist, dhe heshtin për filmat e huaj dhe artin dekadent me krime, mafie, seks dhe drogë, me të cilat janë mbushur sot ekranet e televizorëve! Pse nuk shqetësohen këta tellallë, për infektim të brezit të ri, nga këta filma të huaj që estetizojnë të shëmtuarën, tmerrin, një mënyrë jetese banditeske të stimuluar nga kapitali ndërkombëtar?! Këtyre injorantëve, që i shërbejnë kockës që u hedh padroni, u vjen keq që brezi i ri do të njohë  diversantët, të cilët dërgoheshin për të përgjakur popullin, për të kompromentuar sa më shumë pjesëtarë të asaj shoqërie, familje, farefis, të lëkundur, dhe me eliminimin e tyre prej pushteti popullor, doemos do të shtoheshin të pakënaquri, çka do të shërbente si baza shoqërore e përmbysjes së pushtetit popullor.

Ata i tërbojnë disa sekuenca filmike, ku përmendet Partia dhe Enver Hoxha, sepse e kanë ndërgjegjen të errësuar, iu mungon gjykimi historik, iu mungon ndërgjegjja kombëtare. Në socializëm, Partia e Punës, identifikohej në Kushtetutë me Shqipërinë, dhe ishte ajo, dhe Enver Hoxha, që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi përfundimtar në Luftën e Dytë Botërore, duke e rreshtuar popullin në Koalicionin Antifashist. Ishte Partia dhe Enver Hoxha që e shpëtuan Shqipërinë në Konferencën e Paqes në 1946, kur Çaldaris, i mbështetur edhe nga fuqi të mëdha, kërkonte Shqipërinë e Jugut. Ishin ata dhe vetëm ata, që e shpëtuan nga kthetrat e Titos dhe Hrushovit, ndërkohë që Abdyl Frashëri, burrë i madh i Shqipërisë, vajti te Bismarku në vitin 1878, po nuk e shpëtoi dot Shqipërinë nga copëtimi; Imail Qemali, diplomat i madh, vajti në Londër në 1913, por nuk e shpëtoi dot Shqipërinë nga copëtimi, pasojat e të cilit, i kemi vuajtur deri tani, e do t’i vuajmë edhe në të ardhmen. Përse duhet t’i edukojmë brezat me urrejtje, për ata që i kushtuan jetën Shqipërisë dhe e ruajtën tërësinë territoriale të saj, kur paraardhësi i tyre i shiti trojet shqiptare tek serbi?! Përse duhet ta edukojmë brezin e ri me mohimin e atyre vlerave që e kanë nderuar Shqipërinë në Europë dhe në botë?

Kur bejlerët e varrosën nën tokë floririn e fituar nga gjaku i popullit, Enver Hoxha e investoi djersën e popullit në  ekonomi, në arsim, në kulturë, në shkencë, dhe përparim shoqëror drejt Evropës. Sikur bejlerët dhe bajraktarët, ta kishin investuar pasurinë e rrëmbyer nga populli, qysh atëherë në ekonominë shqiptare, Shqipëria nuk do të kishte sot nevojën e investimeve të huaja, do të ishte ingranuar vetë në rrjedhat evropiane. Përse nuk duhet ta dinë këtë të vërtetë historike brezat që do të vijnë?!

Nëse njerëzit do ta duan socializmin nga filmat, le ta duan, është e drejta e tyre demokratike, pse t’i mohohet 70% e popullit, kjo dashuri për socializmin dhe t’i imponohet me dhunë  “dashuria”për kapitalizmin?! Përse i shqetëson këta mercenarë të neveritshëm dashuria e rinisë për socializmin! Rinia e ka aq formim dhe mundësinë e krahasimit, sa të mos përzgjedh socializmin për mënyrë jetese, nëse ai është i dëmshëm!

Artistët shqiptarë mund të bënin filma edhe më të mirë artistikisht, me gjithë vlerësimet në festivalet ndërkombëtare apo prezantimet në veprimtaritë tona diplomatike, por ekonomia socialiste ecte proporcionalisht në të gjitha degët e saj, nuk kishte mundësi të blihej teknikë më moderne që do ta rriste cilësinë, nuk mund ta mbante filmin më shumë në procesin e xhirimit, sepse ishte përcaktuar koha që duhej t’i jepej shikuesit për edukimin e tij estetik dhe aktorët kryenin edhe detyra të tjera.

Sot flitet për kriminalizim të drejtësisë dhe të institucioneve shqiptare, shihet se Kryeministri i Shqipërisë, po përpiqet të bëjë shtet, përkundër partive të opozitës që e kanë shkatërruar shtetin ligjor. Ky është një shqetësim serioz me pasoja tragjike për shoqërinë shqiptare. Përse këta mercenarë, nëse do t’u vinte keq për rininë shqiptare, nuk e  ngrenë zërin që arti dhe kinematografia, ta pasqyrojë pikërisht këtë realitet tronditës dhe të tregojë rrugëzgjidhjen, sikundër e tregonte arti realist socialist?

Në kapitalizëm, veçanërisht me hyrjen në orbitën e vartësisë imperialiste, sado të talentuar të jenë artistët, s’mund të stimulojnë realizmin,  s’mund të ushqejnë ide përparimtare e ideale të madhërishme humanitare, solidariteti, barazie e lirie të vërtetë, ata si edhe gazetarët, varen nga qesja me para, sikundër ka theksuar Lenini.

Sot pozohet me “lirinë e fjalës”, dhe janë krijuar kushte optimale që të shtohen grafomanët, mercenarët, çka shpie në një situatë obskurantizmi të kanonizuar dhe drama e artistëve bëhet më e madhe. Këtë dramë e ndien edhe spektatori i gjerë, shijet estetike të të cilit, varfërohen për ditë. Përkundër këtij realiteti, Enver Hoxha e ktheu shtetin socialist në mbrojtës së artistëve dhe  artit,  që arti t’i shërbente popullit. Dhe sepse arti dhe filmi i shërben popullit, mercenarët e padronëve të brendshëm e të jashtëm, kërkojnë  eliminimin e tij.

Në kushtet e një katrahure dhe përçarje fatale, në atmosferën e një acarimi politik gati 30-vjeçar, roli drejtues i PPSh-së ngrihet i madhërishëm për: sovranitetin, katërfishimin e popullsisë, sigurinë dhe përparimin e ekonomisë së re socialiste (që eksportonte vlera materiale edhe në Botë), zhvillimit të kulturës, që asnjë shtet në kushtet e Shqipërisë, nuk e ka ngritur kaq lart ndërgjegjen artistike të popullit të vet.

Me keqardhje konstatojmë se edhe shkrimtari Ismail Kadare, u mban avazin këtyre mercenarë të degraduar, duke injoruar artistë dhe krijues që dhanë një kontribut të shquar në zhvillimin e filmit dhe kulturës kombëtare, në kohë aq të vështira ekonomikisht të një Shqipërie të prapambetur. Kadare pas gjysmë shekulli konstaton se filmat shqiptarë kanë “egërsi”! Mos vallë kanuni ishte i butë, i civilizuar dhe është trajtuar jo me realizëm?! Mos vallë banditët diversantë, që vinin me automatikë, thika dhe bomba, ishin të butë, të civilizuar, dhe janë trajtuar jo me realizëm?! Mos vallë sabotatorët në veprat ekonomike, kanë qenë të butë dhe janë trajtuar jo me realizëm?!

Ishte epoka e kontradiktave të mëdha, të cilën e Kadare e ka pasqyruar mirë në veprat e tij, koha kur socializmit shqiptar, iu vërsul një egërsi e madhe nga brenda dhe nga jashtë, dhe rezultantja e saj nuk mund të mos pasqyrohej në veprat e artit. Mos pasqyrimi i këtyre kontradiktave do ta bënte artin të sipërfaqshëm, pa jetë, pa realizëm. Egërsinë Shqipërisë, ia imponuan të huajt dhe larot që u shërbenin nga brenda.

Kadare duhet ta kujtojë mirë “Javën e filmit  shqiptar” në Francë, 30 mars – 5 prill 1977, me filmat “Rrugë të bardha”, “Beni ecën vet”, “Përballimi”, “Operacioni zjarri”, “Komisari i dritës”, Cuca e maleve”, dhe një sërë dokumentarësh, vlerësimet për të cilat i ka dhënë shtypi francez, e që ne i gjejmë edhe në librin e diplomatit që është marrë direkt me këtë veprimtari në Paris, prof. Hasan Luçit.  Mos vallë me qëndrimet e tij të diskutueshme, Kadare kërkon që ne të mohojmë edhe veprën e tij të periudhës së socializmit? Në asnjë mënyrë! Vepra e Kadaresë do të mbetet dëshmi e kohës së socializmit në Shqipëri, dëshmi e rritjes kulturore të një populli të prapambetur pas  500 vjet robërie otomane. Dëshmi e frymëzimit dhe nxitjes së talenteve të reja nga pushteti socialist, sepse sikundër ka dëshmuar vetë Kadare, ai nuk ka pasur asnjë trashëgimi kulturore familjare që do ta bënte atë shkrimtar apo intelektual, e bëri koha e re e socializmit.

Gjithë opinioni i shëndoshë kërkon prej Kadaresë të mos i hedhë benzinë zjarrit të një grup analfabetësh hakmarrës, të mos e ulë dinjitetin e tij, por të shqetësohet për këtë realitet të trishtuar shqiptar, që po e çon popullin në mjerim të plotë.

Në vitin 1919, Lenini theksonte: “Nuk mjafton vetëm ta shtypësh kapitalizmin. Duhet marrë gjithë kultura që na la kapitalizmi dhe me këtë kulturë, të ndërtohet socializmi. Duhet marrë gjithë shkenca, teknika, duhen  marrë  të gjitha dijet, arti…” Dhe kur socializmi ka marrë nga kapitalizmi, si të mos marrë kapitalizmi artin e socializmit, për t’u bërë më human, më njerëzor, sikundër pasqyrohet edhe në filmat shqiptarë!

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …