Fitim Selimi: Kur ngacmimi sistematik prodhon afekt – po krijohet një klimë e rrezikshme për shoqërinë

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, mjeku i luftës Fitim Selimi ka ngritur shqetësimin për atë që e quan ngacmim sistematik dhe të vazhdueshëm ndaj luftëtarëve të lirisë dhe njerëzve të lidhur me luftën çlirimtare, duke paralajmëruar se një klimë e tillë mund të prodhojë reagime afektive me pasoja të paparashikueshme për shoqërinë. Në një analizë të tij, Selimi thekson se ekziston një dallim i qartë mes kritikës demokratike dhe sulmeve të vazhdueshme që, sipas tij, synojnë poshtërimin, etiketimin dhe zhvlerësimin e një grupi të caktuar njerëzish. Ai argumenton se, sipas psikologjisë, përsëritja e vazhdueshme e sulmeve krijon atë që njihet si “sumacion i ngacmimit”, një proces ku çdo sulm i ri i shtohet barrës emocionale të grumbulluar ndër vite, duke rritur tensionin dhe ndjenjën e padrejtësisë. Sipas Selimit, në këto rrethana krijohet gjendja afektive – një shpërthim i fuqishëm emocional që ndodh kur individi ndjen se është cenuar në dinjitetin, identitetin dhe vlerat që përfaqëson. Ai nënvizon se, ndonëse reagimet e forta nuk mund të justifikohen automatikisht, ato bëhen të kuptueshme nga këndvështrimi psikologjik kur janë rezultat i presionit të vazhdueshëm. Në fund, ai drejton kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke pretenduar se ata po krijojnë një klimë që mund të prodhojë reagime të tilla për përfitime elektorale. “Askush nuk duhet të befasohet nga pasojat e një gjendjeje afektive, nëse më parë ka heshtur përballë shumfishimit ose i ka nxitur ngacmimet që e prodhojnë atë”, përfundon Selimi.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …