Fitim Selimi

Fitim Selimi: Më 12 shtator do të jem në Marshin për Liri, për drejtësi dhe për të vërtetën e UÇK-së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fitim Selimi, ka ftuar qytetarët që më 12 shtator t’i bashkohen “Marshit për Liri”, duke theksuar se pjesëmarrja në këtë organizim është në mbështetje të drejtësisë, por edhe në mbrojtje të së vërtetës historike për luftën çlirimtare të Kosovës. Në një mesazh drejtuar bashkëkombësve, Selimi ka kujtuar rrugëtimin e tij në veprimtarinë kombëtare dhe angazhimin në radhët e UÇK-së, të cilën e ka cilësuar si kulmin e përpjekjes së popullit të Kosovës për liri. Sipas tij, lufta çlirimtare dhe mbështetja e botës demokratike u bashkuan në një qëllim të përbashkët, çlirimin e Kosovës dhe përfundimin e sundimit serb. Selimi ka shprehur shqetësimin e tij për, siç ka thënë, relativizimin dhe shtrembërimin e asaj periudhe historike, duke theksuar se drejtësia duhet ta bëjë punën e saj dhe se secili individ ka të drejtën për një proces të drejtë. Megjithatë, ai ka nënvizuar se qytetarët kanë edhe të drejtë dhe detyrim moral ta mbrojnë të vërtetën historike të luftës dhe dinjitetin e sakrificës së popullit. “Do të jem aty jo kundër drejtësisë, por për drejtësi. Jo për ta gjykuar gjykatën, por për të thënë se historia e UÇK-së nuk mund të reduktohet në një aktakuzë”, ka theksuar Selimi, duke përmendur edhe bashkëluftëtarët që ndodhen në Hagë, dëshmorët, familjet e të rënëve, të burgosurit, të përndjekurit dhe të gjithë ata që, sipas tij, sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Në fund, Selimi ka bërë thirrje që në marsh të marrin pjesë qytetarët pa dallime partiake, krahinore apo bindjesh, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen: “Liri për çlirimtarët. UÇK-ja është pjesë e historisë sonë. Sakrifica është pjesë e ndërgjegjes sonë. Liria është e përbashkëta jonë. Liria ka emër!”

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku i përgjigjet LV-së: “Kushtetuta nuk mund të lexohet ndryshe varësisht se kujt i konvenon”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje pas deklaratës …