Me 27 tetor 2022 duke filluar në orën 12:00 në ambientet e Bibliotekës së Qytetit në Lipjan do të bëhet promovimi i Dokumentarit “ Plagët e Lirisë”

Fjala e autorit të filmit dokumentar, “Plagët e lirisë”, Fatmir Graiçevci, me rastin e përurimit të filmit, në Lypjan

Pjesëmarrës të respektuar, mysafir të nderuar

Jemi mbledhur këtu, për ta promovuar dokumentarin “Plagët e Lirisë”  i cili paraqet copëza dhimbjesh të bashkëkombësve tanë, të shkaktuar nga minat e vendosura nga Serbia anekënd Kosovës, gjatë luftës sonë çlirimtare e fitimtare. Ky dokumentar, përveç tjerash, argumenton se krimet e Serbisë në Kosovë dhe vrasjet e qytetarëve tonë, nuk kanë marrë fund me përfundimin e luftës por kanë vazhduar edhe pas mbarimit zyrtar të saj, por tani nëpërmjet minave të vendosura anekënd vendit tonë, nga të cilat kanë pësuar qindra banorë të Kosovës e të Shqipërisë!

 Ndonëse kanë kaluar mbi dy dekada, shumë bashkëkombës tonë vazhdojnë të përballen me dhimbjet e plagëve të shkaktuara nga minat. Dhe sa dhembin dhimbjet, aq dhemb edhe mos trajtimi i tyre sikur e meritojnë! Megjithëkëtë, ka bashkëkombës tonë humanist që i kuptojnë shume mirë dhimbjet e tyre dhe bëjnë thirrje për përkujdesje meritore të kësaj kategorie.

Po kush janë këta humanistë meritorë?

Janë nga të gjitha trojet tona etnike, nga Mali i Zi, Shqipëria, Ilirida dhe Kosova Lindore, e mbetur ende nën regjimin e Serbisë pushtuese.

   Kush mund të flas më mirë për hallet dhe vështirësitë e bashkëkombësve tonë që pësuan nga minat edhe pas përfundimit të luftës se sa  akademiku ynë i mirënjohur, profesor doktor, Anton Berishaj!? I lindur në Mal të Zi por që pjesën më të madhe të jetës së tij e ka shpenzuar duke dhënë kontribut në Kosovë, duke arsimuar e edukuar dekada me radhë, dhjetëra gjenerata studentësh ne frymën e humanizmit, atdhedashurisë e lirisë. Mishërimi i tij me hallet dhe vështirësitë e bashkëkombësve të tij në Kosovë, para, gjatë dhe pas luftës, bënë që sociologu ynë i nderuar, Anton Berishaj, të flas me shumë kompetencë për shoqërinë shqiptare, anekënd trojeve tona etnike në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti, sidomos për njerëzit që kanë pësuar nga minat.

   Profesoresha universitare, Mimoza Shahini, psikiatre. Ndonëse e lindur dhe edukuar në Shqipëri, dashuria e saj për bashkëkombësit e vet, ka bërë që me të përfunduar lufta jonë çlirimtare, tërë dijen dhe energjinë e vet, ta përdorë për të kuruar plagët shpirtërore të qindra mijërave qytetarëve tonë që kanë pësuar nga lufta. Me qëllim të njohjes sa më të mirë të halleve dhe sfidave të tyre, bashkëkombësja jonë nga Shqipëria, ekspertja e shëndetit mendor, Mimoza Shahini, vendos të mos qëndroj në zyre dhe të pres aty njerëzit që kanë nevojë për ndihmën e saj por hapëron nëpër vendbanime anë e kënd Kosovës, me qëllim që të ju gjendet afër dhe të ju ndihmon të gjithë qytetarëve që kishin nevojë për trajtimin e plagëve të tyre shpirtërore.

   Irfan Murtezani, një nga njohësit më të mirë nga kombi ynë i fushës së protetikes. Ndonëse edhe ai i lindur në Iliridë, dashuria për kombin e tij, e shtynë që me të përfunduar të luftës në Kosovë, të jap kontributin e tij për bashkëkombësit që kishin marr plagë të shumta gjatë luftës çlirimtare. Përveç dhënies së kontributit të drejtpërdrejt në fushën e protetikës dhe ortetikës, doktori i mjekësisë, Irfan Murtezai jep një kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin dhe avancimin e kuadrove të reja në fushën e protetikës që njerëzit që kanë humbur gjymtyrët, te mund te marrin sa me shpejt trajtim adekuat që dhimbjet e tyre të zvogëlohen sadopak.

   Por as ekspertët nga Kosova nuk kanë hezituar të japin kontributin e tyre për ta bërë çështje gjendjen e vështirë të bashkëkombësve tonë që dekada me radhe po përballen me plagët e tyre, të shkaktuara qysh gjatë ditëve të para të lirisë. Është ky doktori i psikologjisë, Naim Telaku. Një kuadër i Universitetit të Vjenës, e që ka vendosur kontributin e tij ta jap në Kosovë duke edukuar studentët në frymën e humanizmit dhe dashurisë për komb e atdhe.

   Një kontribut të jashtëzakonshëm për realizimin e këtij dokumentari, e ka dhënë edhe eprori i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kapiteni, Jetlir Hoxhaj duke ofruar fakte të shumta për numrin e personave që kanë humbur jetën në Kosovës pas përfundimit të luftës, për shkak të rënies në minat e vendosura nga Serbia gjatë viteve të luftës, 1998 – 1999. Zëvendës komandanti i Njësisë së Deminimit, Jetlir Hoxhaj së bashku me pjesëtar e epror të Forcës së Sigurisë së Kosovës, çdo ditë vënë jetën në rrezik për ta çrrënjosur farën e së keqes që ka mbjell Serbia në vendin tonë – minat, me qëllim që të gjithë banorët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm ngado, pa frikën se mund të pësojnë nga minat.

   Ky projekt nuk do të realizohej edhe pa kontributin e bashkëkombësit tonë nga Kosova Lindore, humanistit e biznesmenit, Fejzulla Mustafa. Përderisa qeveritë tona krenohen me pompozitet për ndihmat që do t’i ju japin bashkëkombësve tanë në Kosovën Lindore, të mbetur ende nën Serbi, humanisti, Fejzulla Mustafa pa asnjë hezitim por më shumë dashuri bëri hapa konkret për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Kosovë. Ai ndau mjete për realizimin e dokumentarit “Plagët e Lirisë” i cili ka për qëllim të vë në pah dhimbjet dhe vështirësitë e bashkëkombësve tonë, me të cilat po ballafaqohen mbi dy dekada.

   Realizimin e këtij dokumentari e ka ndihmuar edhe kryetari i komunës së Lypjanit, Imri Ahmeti. Ende jehojnë tek ne fjalët e tij që na i tha kur po i tregonim për projektin që synonim ta realizonim: “Po më vije keq që nuk kam të drejt të kontribuoj me shumë në subvencionimin e dokumentarit “Plagët e Lirisë”. Po të më lejohej, këtë projekt tuajin do ta financoja të tërin, nga buxheti i komunës sonë por pasi është projekt me karakter kombëtar, mund të ju ndihmojmë vetëm pjesërisht, aq sa kemi të drejt”, ishin fjalët e kryetarit, Imri Ahmeti, sa mbështetëse aq edhe inkurajuese për realizimin e këtij dokumentari.

   Një falënderim të veçantë edhe për tre të intervistuarit tonë, Avni Lubovcin, Xhevdet Smajli dhe Ilir Jasharin. Besoj se nëpërmjet tregimeve të tyre, ne do të arrijmë t’i kuptojmë edhe brengat dhe vështirësitë e qindra të tjerëve, që kanë hyrë në dekadën e tretë duke u ballafaquar natë e ditë, me dhimbjet e plagëve të shkaktuara nga minat dhe vështirësitë e shumta me të cilat po ballafaqohen pas humbjes së gjymtyrëve apo organeve të tyre, në ditët e para te lirisë!

   Dhe të fundit për nga renditja por jo nga rëndësia, dy mediumet tona që alfa dhe omega e tyre është kombi e atdheu – Radio Kosova e Lirë dhe Televizioni Dielli, që realizuan këtë video dokumentar me një përkushtim dhe seriozitet të jashtëzakonshëm.

   Përzemërsisht ju falënderojmë të gjithëve, duke ju dëshiruar përzemërsisht më të mirat në jetë me shpresën se do të kemi mundësi edhe në të ardhmen të bashkëpunojmë për realizimin e dokumentarëve tjerë, për brengat dhe vështirësitë e kategorive tjera të shoqërisë sonë, të margjinalizuara e të lëna në harresë, me pa të drejtë!

 

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …