Kryetari i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar që bashkëpunimi në mes të dy shteteve të shtrihet në të gjitha fushat

Fjala e kryetarit të Shqipërisë, Bajram Begaj me rastin e 28 Nëntorit Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë

Sot në Vlorë, në qytetin historik të shqiptarëve,  ku më 28 nëntor 1912, Isamil Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, u mbajt  ceremonia festive për këtë ditë. Në tingujt e Himnit të Flamurit, zyrtarë e lartë të dy shteteve u përkulën dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

Në fjalën e tij, kryetari i Shqipërisë  Bajram Begaj u shpreh se në këtë shesh dhe në këtë qytet, më 28 nëntor të vitit 1912, për herë të parë kumboi Himni i Pavarësimit të Shtetit të ri Shqiptar, të një populli që hynte në epokën e mëvetësisë dhe sovranitetit, si kurorëzim i përpjekjeve, aspiratave dhe sakrificave të panumërta shekullore.

Ai  thekso se patriotë të mëdhenj dhe mendjendritur, nga të gjitha viset e Shqipërisë, udhëhequr nga i urti Ismail Qemali, jetësuan përpjekjet e mëdha të Rilindjes Kombëtare dhe i dhanë atdheut, vendin që i takonte në familjen e madhe të kombeve.

Begaj vuri në dukje se historia jonë kombëtare është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, është histori përpjekjesh të pafundme për dije e progres, është histori e një populli që dashurinë për tokën dhe atdheun e ka mbi gjithçka.

Sipas tij, Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt, që me përgjegjësi historike, në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit, me shumë guxim dhe largpamësi.

110 vjet pas shpalljes së pavarësisë, vijoi Kreu i Shtetit, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkan, në Evropë e në mbarë botën.

Begaj deklaron se kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat dhe rolin e tij të merituar, duke u bërë një faktor dhe aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë.

“Nëse para 110 viteve diskutohej copëzimi i trojeve shqiptare, sot Shqipëria si një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e  Kombeve të Bashkuara, luan rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe për promovimin e demokracisë. Ajo është e fokusuar në objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë dhe rruga më e sigurt për Shqipërinë, për gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe vetë rajonin”, tha Presidenti.

Më tej, Begaj u ndal edhe te Samiti BE-Ballkani Perëndimor që mbahet më 6 dhjetor në Tiranë  duke e cilësuar një ngjarje dhe përgjegjësi e madhe.

Ai theksoi se ky Samit është një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët dhe të ardhmen tonë në familjen evropiane duke nxitur njëherazi një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike për vijimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane.

“Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe respektimin e çdo individi dhe të drejtave, që burojnë nga kushtetuta. Duhet të jemi bashkë në luftën kundër korrupsionit, pabarazisë dhe varfërisë; bashkë për çështje të sigurisë kombëtare dhe reformës në drejtësi; bashkë për një shoqëri të lirë, të angazhuar dhe të arsimuar; për një Shqipëri të mundësive të barabarta, të medias së lirë, të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve, e të rinjve që gjejnë hapësirë dhe shpresë për ëndrrat dhe idealet e tyre që të ardhmen  tyre ta ndërtojnë në vendlindjen e tyre Shqipëri. Përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq”, u shpreh Begaj.

Presidenti theksoi se “ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare.Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë”. (ATSH)

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …