Fjala, e simbolit të gjallë të rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, në ambientet e Shtëpisë-Muze Berishë, më 20 qershor 2010

Zonja dhe zotërinj!

Familje të heronjve dhe dëshmorëve tanë, ju përshëndes të gjithëve, ju dëshiroj të gjithëve që t’u prijë e t’u përcjellë e mbara kudo që të shkoni.

Sot jemi tubuar këtu, që të bëjmë nderimet tona, për qendrën e fjalës së lirë, për qendrën e fjalës së vërtetë, për qendrën e qëndresës, për qendrën e fjalës e të mendimit dhe të besimit për fitoren tonë, e cila shpërndahej në tërë Kosovën, dhe popullata jonë e dëgjonte me interesim të jashtëzakonshëm.

Krahasuar me rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që pati ky stacion i vogël, po me të vërteta të përditshme që lansoheshin brenda dhe jashtë, ne nuk kemi arritur që t’ia bëjmë nderimin si duhet, dhe nuk kemi arritur ende që këtu ta bëjmë një qendër, e cila do të kualifikonte, do të bënte qe këtu njerëzit që merren me informatikë, gazetarët tonë të vijnë këtu dhe të magjistrojnë, të vijnë këtu dhe të doktorojnë, sepse këtu me të vërtetë pas një robërie të gjatë 2000 vjeçare lindi fjala e lirë, lindi Kosova e Lirë dhe bashkë me këto fjalë, bashkë me gjakun tonë njëqind vjeçar që e derdhëm, ne na takoi fati që të ishim forca e fundit e cila arriti të plotësonte të gjitha dëshirat dhe synimet e qindra e mijëra luftëtarëve dhe luftëtareve që dhanë jetën e tyre  për lirin e popullit tonë, për lirin e kombit tonë.

Prandaj po them kjo le të jetë vetëm si një fillim modest, por le të jetë edhe një kërkesë e kohës, që gjurmët tona të mëdha të vërteta, të shkruara edhe me gjak, duhet ti ruajmë, duhet ti ndriçojmë, duhet ti paraqesim para popullit tonë, i cili shpeshherë i ngarkuar dhe i bombarduar me emisione të ndryshme, me seriale të ndryshme, hajgare të shumta, po harrojnë kohën dhe ditët e lavdishme të një pjese të robëruar të kombit tonë. Prandaj më çudit që këtu në mesin tonë këta dai që janë të preokupuar me punë të tjera të marra, të mbrapshta e të këqija, nuk po kanë kohë që në këtë ditë të diele të vijnë dhe të marrinë pjesë në këtë nderim të madh të fjalës së lirë, e pa fjalën e lirë, pa mendim e lirë, nuk do të ishim as ne të lirë, prandaj rëndësia e fjalës së lirë, e mendimit të lirë, është shumë e madhe dhe nuk duhet të konsiderohet e parëndësishme.

Ne e dimë se këta miqtë tanë që erdhën dhe na ndihmuan kur e panë se e kemi ndërmend që të farohemi  të gjithë, që të mos ndalemi dhe të flijohemi e të luftojmë deri në fitore të lirisë, atëherë e panë të arsyeshme dhe të domosdoshme se nuk mund të shikonin dhe të bënin sehire atje prej Brukselit, e prej Evrope kah farohej e asgjësohej një popull. Ne i falënderojmë ata shumë dhe nuk ua harrojmë këtë ndihmë dhe përkrahje që na i dhanë, por atyre duhet tu themi sa pa gjakun tonë, pa luftën tonë, pa vendosmërinë tonë 100 vjeçare, nuk ishte kjo vetëm sakrifica jonë e lufta jonë  e fundit, po ishte dhe është vargu i luftërave të pandalshme në drejtim të fitimit të lirisë.

Sot kemi arritur në një pikë që nuk ka kthim mbrapa, mirëpo kemi arritur në një pikë e cila është duke u frenuar nga  shumë ndërhyrje pikërisht të miqve tanë, të cilët kanë llogaritë e tyre midis tyre, kanë aspiratat e tyre ,dëshirat e tyre, kanë pazarllëqet e tyre, mirëpo ne jemi këtu dhe duhet të jemi që tu themi atyre zotërinjve, ne ju duam shumë, ne luftuan për Evropën, ne vdiqëm për Evropën ne jemi vetë Evropa dhe kur ishim ne këtu, këta, shumë prej këtyre shteteve që sot e kanë fjalën kryesore në Evropë, kanë ardhur pas nesh, i kanë gjetur të parët tanë këtu, dihet se kur kanë ardhur këta, hunët gotët, vizigotët etj, ilirët kanë qenë këtu dhe nuk dihet kur kanë ardhur, d.m.th, kemi ardhur atëherë, siç thoshte i madhi, Tahir Berisha, sepse jemi në truallin e tij këtu, kur e kanë pyet disa dallaverexhi të Serbisë kur keni ardhur këtu, ai ju është përgjigjur, ne kemi ardhur para dreqit.

Kështu që ne duhet të insistojmë me këmbëngulje, t’i bindim miqtë tanë, të cilët ne i duam fort, që ta kuptojnë se lëshimet që i bëhen regjimit serb, lëshimet që i bëhen imperializmit rus, nuk janë të mira, ato janë në dëm të demokracisë, janë në dëm të lirisë janë në dëm të humanizmit e të bashkëpunimit të popujve. Nuk do të demokratizohet Serbia derisa Kosova të mbetet në çfarëdo mënyre e lidhur me Serbinë, nuk do të demokratizohet Serbia,derisa populli serb të ballafaqohet me të vërtetën, se Serbia ishte okupatore e Kosovës.

Edhe në historinë e largët, edhe në ditët e sotme, Serbia nuk ka këtu kurrfarë të drejte për Kosovën, dihet se serbët kur kanë ardhur në shekullin e 6 e 7 –të, kurse ne kemi ardhur këtu e jemi këtu se di as kush se kur kemi ardhur, ne ishim gjithmonë shumicë këtu dhe mbetëm shumicë, pavarësisht përpjekjeve të tyre që të na farojnë e të na vrasin, e të na përzënë e shpërngulin.

Ne duhet që me fjalë te buta dhe me qëndrime të forta t’iu bëjmë me dije atyre zotërinjve që nuk duam ta harrojmë të kaluarën tonë, ne të kaluarën tonë do ta ndriçojmë, gjithnjë e më shumë, do ta ngrehim gjithnjë më lart sepse edhe ata nuk e kanë harruar dhe nuk mund të harrojnë të  kaluarën e vet, dhe si na mësojnë neve diçka çka ata vetë nuk e bëjnë! Unë kam qenë nëpër Amerikë, kam shëtit gjithë Evropën, gjithandej kanë përmendore të vogla e të mëdha,  pllaka, të cilat i përkujtojnë dhe duhet t’i lënë gjurmët  e ecjes së tyre gjatë  historisë.

Prandaj edhe ne duhet të përpiqemi me këmbëngulje për t’i lënë gjurmët e forta, që gjeneratat e reja, këta të rinj, këta të vegjël, këtu ka edhe të atillë që janë 20 vjeç dhe si fëmijë i kanë përjetuar tmerret e luftës, shumica prej tyre kanë lindur pas lufte, ata duhet të kenë fakte të gjalla dhe ti prekin ato fakte, t’i prekin me duar të veta dhe të thonë  ja ku qenkan heronjtë tanë, ku qenkan dëshmorët tanë që e thanë fjalën e lirë, e ruajtën fjalën e lirë dhe bashkë me fjalën e lirë, e liruan edhe Kosovën nga pushtuesit, dhe bashkë me fjalën e lirë do të arrijnë që ta bindin Evropën, që ti bindim miqtë tanë, që ta kuptojnë se vetëm duke përkrah popullin shqiptar, vetëm duke pranuar lirinë e plotë të popullit shqiptar do të arrijnë që ta demokratizojmë edhe Serbinë, se vetëm atëherë ata do të ballafaqohen me të vërtetën të cilën sot e fshehin.

Në Serbi ende janë në pushtet ata që i bënë katër luftëra dhe i bënë gjithë ato tmerre, ende janë radikalët partia më e madhe në Serbi, ende janë ata trashëgimtarët e partisë së Sllobës, ende janë të tjerët që janë çetnik, të tjerët ndoshta janë më të zi se ata të parët, prandaj detyra e Evropës është që ta qetësojë këtë pjesë të Ballkanit, t’u jap të drejtë atyre qe kanë të drejtë, t’u jap të drejtë atyre që derdhen gjak, për ta fituar edhe një pjesë të robëruar të cilin nuk guxuan ta shikonin po në të cilën morrin pjesë edhe ata që shqiptarët dalëngadalë të çlirohen.

Ne kemi edhe shumë detyra, ne na presin edhe shumë punë dhe nuk jam i sigurt që kemi një Kosovë plotësisht të lirë. Ju e dini se 25% të territorit tonë e kontrollon Serbia, në atë 25% miqtë tanë për një ditë të vetme në vitin 2000,  u vranë dhjetëra shqiptarë, i bënë që të dyndeshin nga shtëpitë dhe banesat e veta gati 20 mijë shqiptarë, të cilët kanë të drejtë të kthehen në vatrat e tyre. Dhe na e bënë miqtë tanë sepse atëherë e kontrollonin atë pjesë  francezët. Mitrovicën veriore e bënë serbe, pa qenë serbe asnjëherë edhe në ditët më të zeza të diktaturës titiste e millosheviqiane atë pjesë nuk qenë në gjendje ta serbizojnë tash e bënë Mitrovicën serbe.

Udhëheqësit tanë nuk kanë guxim tu thonë, po zotëri ne do të përpiqemi që të gjithë serbët që nuk kanë bërë krime të luftës në Kosovë te kthehen në Kosovë, mirëpo edhe shqiptarët tanë që u përzunë nga Veriu i Mitrovicës të kthehen në shtëpitë e tyre. Kjo është drejtësia , kjo është demokracia, dhe jo të harrohen shqiptarët, jo të na bëjnë ne atje edhe një Republika Srbska në territorin tonë, se kjo është tendenca dhe qëllimi i tyre që të na bëjnë neve edhe një Republikë Serbe këtu në truallin e Kosovës, dhe të na lënë neve një vatër të flakës, një vatër të luftërave e gjakderdhjeve të ardhshme, por le ta zgjidhin bashkë me ne problemin si duhet, e jo të thonë: ne nuk jemi as me ju e  as me ata, e  çfarë doni pra nëse nuk jeni të përcaktuar.

Ne na thonë hapur sepse edhe ashtu është juridikisht, që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është kufi administrativ, d.m.th. juridikisht kjo ende konsiderohet si tokë e Serbisë. Dhe udhëheqësit tanë prore thonë  Kosova e lirë, Kosova e lirë, Kosova sovrane, Kosova e Pavarur etj, etj, d.m.th. mundohen të na vënë në gjumë ashtu siç dëshirojnë ata zotërinjtë atje, të cilët mundohen të na bëjnë që të harrojmë të kaluarën dhe të kryejnë projektet e tyre të cilat do të jenë në favor të lëshimeve të pa princip dhe të lëshimeve të padrejta që i bëjnë ndaj regjimit serb, e përse vetëm që ta bëjnë që Serbia të jetë anëtare e NATO-s, e BE-së, kurse cila Serbi do të jetë?

Do të jetë Serbia me çetnikët në pushtet, do të jetë Serbia e cila është e larë me gjakun e pafajshëm të sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, të shqiptarëve. Po them edhe njëherë ne duhet  të insistojmë, dhe këta që i thonë vetës liderë, dhe lavdërohen që i kanë fituar votat tona, duhet tu tregojnë atyre zotërinjve që mos bëni gabime trashanike, sepse populli ynë nuk do të pranojë të copëtohet Kosova edhe njëherë, nuk do të pranoj një gjendje të aktit të kryer që atje të na bëhet edhe një shtet i vogël serb. Nuk do të lejojmë që të na cungohet liria dhe të na pengojë që të barazohemi me botën. Këtë e kanë për detyrë t ua thonë, kurse ne e kemi për detyrë që të jemi të gatshëm ashtu sikur ishim që kurdo që ta kërkoj interesi i kombit të jemi të gatshëm që për kombin të flijohemi nëse duhet edhe njëherë.

Unë besoj se dal ngadalë edhe në Evropë, sidomos në Amerikë po krijohet vetëdija që projektet e  tyre të bëra nëpër kancelaritë, projektet e tyre të bëra në letër, projektet e bëra nga ndikimet e kryqëzimet e interesave të ndryshme të botës kanë dështuar dhe nuk mund të kalojnë sepse megjithatë ky popull e do lirinë më shumë se jetën, e do lirinë aq fort saqë e kupton që pa liri jeta nuk ka kuptim. Unë ju thërras që të mos zhgënjeheni shumë kur keni probleme, sepse kështu e ka fillimi, mirëpo gjithashtu të jemi të bashkuar dhe ta kuptojmë se vetëm si të bashkuar në baza kombëtare, duhet të mendojmë kombëtarisht, të punojmë kombëtarisht, të veprojmë kombëtarisht, kjo është politika e jonë që duhet sot dhe që do të na duhet edhe 100 e 200 vjet.

Prandaj mos të fillojmë të kopjojmë të tjerët të cilët kanë harruar për robëritë e tyre që kanë pasur, sepse ne i kemi të freskëta dhe e kemi gjakun ende të pa tharë, kështu që le ta kujtojmë të kaluarën tonë të lavdishme dhe të punojmë për ditët tona, për vetën tonë, le të punojmë për të ardhmen tonë.

Rrofshin heronjtë dhe dëshmorët tanë që ranë për lirinë e Kosovës, rroftë populli ynë heroik i cili asnjëherë nuk u përkul e asnjëherë nuk u dorëzua dhe gjithmonë ishte i gatshëm që të flijohej për të mirën e atdheut dhe kombit të vet. Rroftë Drenica heroike, rroftë Berisha heroike, rrofshi të gjithë!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …