Flet “Artisti i Popullit Luftar Paja: Sulejman Pitarka ishte dhe mbetet i vetmi artist, që imitonte përsosmërisht Enver Hoxhën

Flet “Artisti i Popullit Luftar Paja:

Sulejman Pitarka ishte dhe mbetet i vetmi artist, që imitonte përsosmërisht Enver Hoxhën.

-Ndoshta Sigurimi e dinte imitimin që i bënte Enverit, por u interesonte të heshtnin.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI:

Për aktorin Sulejman Pitarka flitet shumë. Në takime mes artistësh ai ka vendin e vet në shumë diskutime dhe pse ka vite larguar nga jeta. Një ndër miqtë e tij ishte dhe mbetet Luftar Paja. Ai ka bashkëpunuar me të në 4 filma, por në jetën e përditshme shoqëroheshin shpesh ndaj Luftari ka shumë kujtime të bukura për të. Në një bisedë të gjatë unë munda t’i shkëpus disa copëza jete nga ato që ka përjetuar me Sulejman Pitarkën.

-Ju keni qenë ndër miqtë e Sulejman Pitarkës. Madje pas xhirimeve kalonit shumë kohë me të. Si do ta cilësonit Pitarkën si aktor?

Unë kam bashkëpunuar me të gjithë artistët e mëdhenj dhe kam mësuar shumë prej tyre. E them këtë, sepse vendi ynë ka pasur shumë artistë të mëdhenj, të cilët kanë lënë gjurmë jo vetëm brenda vendit. Unë mund të rendis shumë, por do ndalem ndër më të spikaturit. Naim Frashëri, i veçantë, Sulejman Pitarka, Vangjush Furxhi, Kadri Roshi, etj…Por dua të ndalem siç më thatë ju te Sulejman Pitraka. Me Sulën kam bashkëpunuar në 4 filma dhe tek drama “Pjata prej druri”. Më bënte përshypje ai njeri. Këmbëngulës, studiues, korrekt, por pak i mbyllur. Ai kishte një humor të rrallë. Fliste pak dhe kur ishte në situata të mira me dijet e tij thoshte  barcoleta që ne shkriheshim. Nuk të besdiste. Nuk fyente njeri. Kërkonte shumë nga vetja dhe ishte njeriu i përpiktë në prova. E shijoja dhe habitesha me këtë njeri pasi, në skenë ishte i madhërishëm, me një prrezencë imponuese, sharmant dhe me një plastikë të habitshme. Ai hynte në rol, bëhej njësh me të dhe interpretonte ashtu si dinte ai vetëm ta sillte atë rol. E them këtë pasi jo çdo aktor mund të luajë një rol të veçantë të fshatarit, pasi mund ta përgjithësojë një fshatar, të Mallakastrës apo Vlorës, apo Dibrës, por jo ta individualizojë atë me detaje. Kjo ishte merita e Sulës, ai e bënte çdo rol të besueshëm në detaj, me karakteristika të veçanta (si ato që ka çdo njeri) dhe jo përgjithësuese. Kur e shikoja në skenë më bënte të mendohesha dhe të bëja çmos të arrija ato që ai përcillte te spektatori. Në skenë ishte magjik, drithërues, korekt, improvizues, me një mimikë, që ndryshonte sipas fjalës dhe që përcillte  një intepretim shembullor. Ai e studionte në mënyrë absolute rolin, tekstin që kishte të bënte me personazhin duke e bërë çdo detaj pjesë të jetës skenike.

-Po në përditshmëri si ishte i madhi Pitraka?

Për mua ai mbetet një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Unik. I besueshëm. Vizionar. Plot talent dhe vëzhgues i çdo realiteti. Ai depërtonte me shikim përtej perdes së padukshme. Ishte njeri studiues dhe i ditur. Por jashtë skenës ishte disi i mbyllur. Nuk kishte shumë shoqëri. Unë them se njerëzit e realizuar e kanë të spikatur këtë cilësi. Pra nëse në prova, skenë, e ambientet e teatrit ishte  i shkrirë me të gjithë jashtë saj ishte disi i shkëputur. Nuk i pëlqente thashethemet. Kurrsesi nuk mund t’i bënte keq njeriu. Lexonte shumë dhe  mbante shënime ditore. Nuk i pëlqente rrëmuja dhe jeta e zhurmshme, pasi ishte njeri i paqtë. Ishte serioz, por me batuta që të bënte të shkriheshe. Kur ishte në orët e tij të mira barcoletat e tij të çonin në një botë tjetër. Ishte inspirues për jetën dhe idetë që kishte. Edhe vetë bëja çudi pse ky aktor kaq i madh rrinte disi i veçuar në jetën private. Por edhe i jepja të drejtë, pasi jeta artstike ka xhelozitë, ka provacionet e saj, ka thashethemet e saj dhe ai i shmangej atyre gjërave që nuk pëlqente.

-Çfarë do veçoje më shumë nga cilësitë e tij si aktor jashtë atyre që kemi parë në filma?

Ah, po. Askush nuk mund ta besojë dhe bëre mirë që më nxite të nxjerr në pah një nga cilësitë e tij të rralla. Një cilësi që nuk e ka pasur asnjë aktor. Unë habitesha me këtë cilësi dhe vrisja mendjen përse nuk realizon një skenar vetë me imitimet më të spikatura. Pra Sulejman Pitarka ishte dhe mbetet për mua imituesi më i mirë i labit, shkodranit, mallakastriotit, tiranasit, myzeqarit apo çdo krahine shqiptare. Kur imitonte njërin prej këtyre personazheve kurrë nuk e mendoje se ishte Sula. Po kurrë1 Madje ai në imitim mund të ma kalonte dhe mua kur imitonte myzeqarin. Ishte prefekt. Ishte i paimagjinueshëm. Unë ja thoshja shpesh:- ti shkruan, pse nuk bën një skenar me personazhe krahinorë dhe t’i interpretosh vetë?! Ai qeshte dhe nuk kthente përgjigje. Por e di se kush ishte imitimi më brilant i tij?

-Jo, se di!

Ta them unë. Sulejman Pitarka imitonte në mënyrën më perfekte, më të paaritshme, thuajse sozi e tij, pra imitonte përsoshmërisht Enver Hoxhën.

–Se kuptoj, si imitonte Enver Hoxhën?

Po, po imitonte Enverin të gjallë. Merrte pjesë nga fjalimet e tij në Kongrese dhe zëri tij. Lëvizjet e tij, ishin sikundër fliste dhe lëvizte Enver Hoxha. Pa asnjë dallim. i realizueshëm 100 %.

-Ku dhe si i imitonte?

Kur ishim në prova sidomos në raste specifike, ai në mënyrë spontane imitonte Enverin. Unë e dëgjova një ditë rastësisht. Nuk e dija se ishte Sula që imitonte. Dëgjova zërin në skenë dhe thashë me vete se mos fliste Enveri në radio. Sa dëgjova zërin u stepa. Kisha në krah dikë dhe i thashë hesht se flet Enveri. Kur u afrova pashë pas perdes Sulën. Shtanga! U habita! E shikoja dhe se besoja. E shikoja nga koka tek këmbët deri sa ai mbaroi intepretimin. Fshiva sytë. Po, po ishte Sula. Ai buzëqeshi dhe më tha hesht, kaq ishte. Më dukej ëndërr. Po si Enveri po të them a e beson? Më pas ta besonin shokët e tjerë e nxitëm të gjithë kur ne ishim në sallë del të skenë, ulëm preden e skenës del Sula… Filloi imitimin. Të gjithë shtangën nuk e besonin. Enveri, po, po Enveri. Nuk ndryshonte asgjë. Nëse duhej një sozi për zërin e Enverit Sula ishte aty. E bënte sikur ishte vetë ai. Të gjithë jemi befasuar nga kjo dhunti e tij.

–          Imitimi Enverit ishte me zarar atë kohë. Nuk u mor vesh kjo cilësi e Sulës dhe a nuk pati ndonjë reagim nga lart?

–          Për çudi reagim nuk ka pasur. Them, unë sigurisht që e dinin. Them pasi Sigurimi dinte çdo gjë dhe të mos dinte këtë në mes të Tiranës është e pabesueshme. Por sërish them që duke ditur kush ishte Sula, duke ditur që imitimi rigoroz për Enverin ndoshta dhe pushtetarëve ju vinte për shtat që një aktor i madh të  sillte në skenë në çdo mënyrë Enverin ishte vlerësim. Ndaj dhe ai rrallë e imitonte, por kur e imitonte dhe ne dridheshim. Kishim edhe frikë, por edhe dëshirë pasi një imitim perfekt të ngjallte kërshëri dhe respekt. I tillë ishte Sula, gjigand i skenës.

Po ndonjë episod tjetër në filma keni?

Po. Tek filmi “Streha e re”. Filmi do realizohej në Dardhë të Korçës. Ishte fund dimri, por shumë ftohtë -shumë. Ku ishim mësuar ne me atë të ftohtë. Na thanë se do instaloheni në Dardhë për 3 muaj. Zot i madh. U veshëm trashë sa dukeshim si trungje. Po të rrëzoheshim na gjeje në fund të fshatit. S’na vinte mirë po çtë bënim? Ishte urdhër? E shikoja Sulën dhe qeshja. Ai tundëte kokën me demek këtë punë kemi ndaj hesht. Regjisorë ishin: Spartak Pecani dheVladimir Kasa. Ata sa ishin kthyer nga studimet në Rumani. Kishin ide të reja. Punonim ditë e natë. Për çudi dy regjisorët kishin sjellë atë kohë një televizor të vogël me ngjyra nga Bukureshti. Flinim në një hotel dhe Sulës si më i moshuari i kishin dhënë një dhomë të veçantë në katin e tretë. Në darkë aktorët e rinj donin të shihnin një ndeshje Paok-Panathinaikos të Greqisë. Meqënëse ishim afër në kufi ata me një antenë u ngjitën në çati dhe filluan të lëvizin me britma majtas, djathtas, ule, ngrije. Lëvizën dhe tjegullat. Sula nuk dinte çbëhej lart. Del në korridor dhe shikon te kuadrati i çatisë të rinjtë që merreshin me antenën. Çfarë po bëni u thotë?

Shoku Sulë antenën të shohim ndeshjen. Kujdes çuna, kujdes, punë me zarar aty lart. Prisni dhe ca sa të ndërtojmë antenat tona, se antenat e huaja nuk bëjnë për ne. Të rinjtë e kuptuan që duhej bërë pa zhurmë ajo punë dhe pozicionuan atenën dhe u ulën pa zhrumë. Ato kohë të shihje stacionet e huaja ishte e ndaluar. Ato 3 muaj mësova shumë nga Sula. Në darkë rrija me të dhe i bëja lloj lloj pyetjesh. Habitesha se si i hahej biseda me mua pasi njihej si njeri i heshtur. Kur mbaruam u çliruam. Ishte një nga filmat më të vështirë.

-Kë nga rolet e tij do të veçosh?

Sula të gjitha rolet i ka bërë me një nivel të lartë artistik. Me një nivel të lartë profesional. Ai dhe rolin e thjeshtë e ngjiste në rangun e rolit kryesor. Kjo ishte dhuntia e tij. Ai e filloi me filmin “Furtuna” dhe pas “Debatikut” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, etj. Roli i tij më i spikatur është ai i Zheleznovit, komandantit rus, në filmin “Ballë për Ballë”. Ky film ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981 dhe është shpallur fitues i këtij edicioni. Por unë e veçoj tek drama “Pjata prej druri”. Dramë e amerikanit Edmond Morris, realizuar në Teatrin Kombëtar nga regjisori Gëzim Kame, skenografi Agim Zajmi dhe interpretuar nga aktorët: Sulejman Pitarka, Bujar Asqeriu, Reshat Arbana, Rajmonda Bulku, Luftar Pajo, Agim Qirjako etj. Në qendër të kësaj pjese, figura e një plaku, të cilin duan ta heqin qafe e ta degdisin në një azil pleqërie bijtë e vet dhe një nuse e re, fati i së cilës bëhet edhe më i dhimbshëm se nga fati i këtij njeriu, dikur të lumtur, që po pi tani kupën e hidhur të helmit të pleqërisë,- burim i një drame sociale, paksa i kapërcyer për atdheun e dramaturgut Morris, por i pranishëm, i prekshëm e tronditës, për vatrat tona të mbushura me drama të tilla, gati të përngjashme. A mund të jetë prindi barrë? Kjo është pyetja që shtron para publikut drama “Pjata prej druri”, premiera e së cilës u shfaq në 2006 në Teatrin Kombëtar. Duartrokitje të pafund për të gjithë aktorët, por mbi të gjitha për kolosin e skenës shqiptare, Sulejman Pitarkën, i cili sfidoi të gjitha ligjet e natyrës me interpretimin e tij të mrekullueshëm. Pavarësisht moshës së tij të madhe (82-vjeç), Pitarka pushtoi skenën, duke mos u ndjerë aspak keq, edhe para më të rinjve, duke lëvizur dhe interpretuar me një mjeshtëri të paparë. Me një kthjelltësi të jashtëzakonshme, ai ndoqi në çdo moment lojën e partnerëve të tij, duke mrekulluar spektatorët që kishin mbushur sallën. Një dramë e sjellë me shumë sukses në skenë nga regjisori Kame dhe një interpretim të shkëlqyer nga të gjithë aktorët. Ndryshimi i emrave të personazheve, shqipërimi i tyre, të krijonte bindjen se ngjarja zhvillohej te dera ngjitur, te pallati përballë.. . dhe magjia kishte emrin Sulejman Pitarka. Ne regjisori Kame na kishte udhëzuar që ta mbanim pranë, ta vëzhgonim, pasi mosha bën të vetën, por Sula doli më i fortë se ne.

Filmi “Streha e re”

‘Streha e re’ është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1977.

Regjia: Spartak PecaniVladimir Kasa, Skenari: Teodor Laço, Producent: Shqipëria e Re, Muzika: Josif Minga.

Përmbajtja e filmit

Sigurimi i bukës së re në një fshat malor është shumë i vështirë. Filmi bën fjalë për periudhën kur hidhet parrulla për realizimin e detyrave me forcat tona. Një linjë tjetër, që ndiqet në film është linja e dashurisë së Bido traktoristit me Verën.

Aktorët në role

Box

Jeta e Sulejman Pitarkës

Sulejman Pitarka, një ndër aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë, protagonist i mbi 70 roleve në teatër dhe rreth 20 roleve në kinematografi, kujtohet nga publiku për secilin nga këto role, të vlerësuara nga kritikët si mjaft realiste. Të gjitha rolet e tij janë vlerësuar nga kritika shqiptare si portrete origjinale, që aktori i krijoi me zërin dramatik, herë-herë imponues në skenë. Lindur më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibrën e Madhe, Sulejman Pitarka i braktisi shumë shpejt studimet, për t’i ardhur në ndihmë të atit, pasi varfëria e skajshme e familjes nuk mund të përballohej vetëm nga ai. Prej vendlindjes, vendoset në qytetin portual të Durrësit, ku fillimisht detyrohet të punojë si hamall, jo vetëm në port, por edhe në kriporet e Kavajës. Shumë shpejt, Pitarka fillon punën si ndihmësllogaritar në një firmë të njohur italiane dhe më pas në Bankën e Durrësit, por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore , ai i braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit. Pas vitit 1945 ai interpretoi në teatrin amator të Durrësit role në dramat “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Me ndihmën e aktorit të madh shqiptar, Mihal Popi, në 1951 bëhet pjesë e Trupës së Teatrit Popullor. Kanë mbetur të paharruara për spektatorët kryeqytetas rolet e realizuara prej tij në skenën e këtij teatri në dramat “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Syleshi”, Orët e Kremlinit”, “Familja e peshkatarit”, “7 shalianët”, “Vajza nga fshati”, “Doktor Aleksi”, “Epoka para gjyqit”, etj.
Çuditërisht, Pitarka ka luajtur role dytësore deri në vitin 1964, ndërsa në vitin 1956, i frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë dhe nga përvoja e vështirë jetësore, shkruan një dramë të spikatur të dramaturgjisë shqiptare: “Familja e peshkatarit”, të cilën e pason me vepra të tjera.
Kësaj kohe i përkasin disa nga rolet e tij më të paharrueshme në teatër, si në pjesët “Halili dhe Hajria”, “Borgjezi fisnik”, “Epoka para gjyqit”, “Vajza me flokë të thinjura”, “Prefekti”, “Karavidhet”, “Arturo Ui”, “Një nuse për Stasin”, etj.
Pas suksesit në filmin “Debatik”, Sulejman Pitarka do të siguronte një karrierë të pasur edhe në kinematografi. Në fakt, ai e filloi me filmin “Furtuna” dhe pas “Debatikut” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, etj. Roli i tij më i spikatur është ai i Zheleznovit, komandantit rus, në filmin “Ballë për Ballë”. Ky film ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981 dhe është shpallur fitues i këtij edicioni.
Të tjerë filma ku ai ka interpretuar janë: “Tinguj lufte” (1976), “Guna përmbi tela” (1977), “Rrethimi i vogël” (1986), “Vdekja e burrit” në vitin 1989, etj.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …