Frank Shkreli: Konfuzioni i pesë anarkive te shqiptarët, në 50 vjetorin e vdekjes së Fan Nolit

Ish kryeministri i Shqipërisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Peshkop Fan Noli ndërroi jetë me 13 Mars, 1965 në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, nga një sëmundje e rëndë në moshën 83-vjeçare.  Ai kishte jetuar atje gjatë disa viteve të fundit të jetës së tij pothuaj i izoluar nga jeta aktive politike dhe shoqërore.

 

I përndershmi Imzot Fan Noli konsiderohet si njëri prej më të dalluarve të politikës shqiptare të shekullit të kaluar, si një ndër më të njohurit udhëheqës fetarë shqiptarë si dhe ndër më të shquarit  shkrimtarë, poetë e përkthyes, ndër të tjera.  Në moshë të re ai kishte emigruar në Boston të Shteteve të Bashkuara, ku më 1908 themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.  Fan Noli gëzon një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe si përkthyes i veprave letrare me fame botërore. Talentet e Nolit në fushën e letërsisë, përkthimit dhe të poezisë njiheshin edhe jashtë botës shqiptare.  Në Korrik të vitit 1964, me rastin e 400-vjetorit  të Shekspirit, së bashku me disa personalitete të letërsisë botërore, Fan Noli ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Lyndon Johnson për të marrë pjesë në përkujtimin e rastit.

 

Fan Noli diplomohet në njërin prej universiteteve më të dalluar të Amerikës dhe të botës, në Universitetin Harvard. Ai zhvilloi një aktivitet të ngjeshur politik dhe shoqëror në komunitetin e atëhershëm shqiptaro-amerikan në Boston të shtetit Masaçusets, ku shërbeu si President i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj gazetës Dielli, duke e bërë atë de fakto udhëheqësin kryesor të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

 

Si njëri prej arkitektëve të një partie politike shqiptare të tipit perëndimor, ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë në fillim të 1920-ave. Me përpjekjet e tija diplomatike në mbështetje të Shqipërisë dhe të sovranitetit të saj, ai mundi të siguronte përkrahjen e Presidentit amerikan të kohës së tij, Woodrow Wilsonit për shtetin e ri shqiptar dhe me zotësitë e tija politike dhe falë rolit të tij diplomatik, Fan Noli siguroi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve — para-ardhësen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – duke i siguruar vendit të tij njohjen ndërkombëtare brenda kufijve të sotëm, njohje që i mungonte deri atëherë shtetit të ri shqiptar.

 

Me ardhjen e Mbretit Zog në fuqi, Fan Noli detyrohet të arratiset në Evropën Përendimore, duke i dhënë fund një eksperimenti politik shqiptar që konsiderohet nga disa si periudha e lirisë së vërtetë dhe e një parlamentarizmi të pashoq të në jetën politike shqiptare gjatë viteve 1921-1924.

 

Gjendja e kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar ishte e mjerueshme. Ndërkohë që popujt ballkanikë po i jepnin grushtin e fundit sundimit shekullorë të perandorisë otomane, shqiptarët të ndarë e të përçarë në krahina e besime të ndryshme dhe me paragjykime dhe inate ndaj njëri tjetrit, po kalonin nepër një konfuzion dhe njëkohsisht po përballeshin me një anarki politike, shoqërore dhe morale. Ndër shqiptarët, sundimi otoman kishte lënë gjurmë prapambeturie mjesjetare që nuk do të fshiheshin kollaj. Ishte kjo një periudhë kur populli shqiptar rrezikohej nga armiqtë shekullorë të kombit shqiptar, ndërsa vetë shqiptarët kërcënoheshin nga një anarki politike e brendshme, e cila rrezikonte jetën e përditshme dhe sado pak pasuri që posedonin shqiptarët e thjeshtë.  Ishte kjo gjendja e vërtetë me të cilën përballej Fan Noli në fillim të 1920-ave, një errësirë kombëtare dhe morale kjo e cila, për fat të keq, do të afektonte të ardhmen e kombit dhe fatet e tija për dekada me radhë.

 

Ishte ky një realitet që i tronditi shpirtin dhe zemrën Fan Nolit, një aktualitet i shoqërisë shqiptare që Noli ndjeu thellësisht për popullin e tij shumë të vuajtur, i lënë në mëshirë të Zotit nga të huajt dhe nga udhëheqësit e tij. Siç duket, i lodhur shpirtërisht dhe politikisht dhe i vetëdijshëm ndaj asaj që ai ka cilësuar si anarki politike dhe morale të asaj kohe, Fan Noli i bën një analizë — mund të thuhet një analizë të qëlluar të politikës shqiptare të afër një shekulli, ndërkohë që i mbetet lexuesit ta vlerësojë se sa krahasuese është analiza e Nolit e shkruar me 27 shtator, 1923 me gjendjen e sotme të aktualitetit politik, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.   Në analizën e tij, Fan Noli deklaronte në vitin 1923, me një ton dëshpërimi se:

 

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

 

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

 

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.

 

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

 

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhtari bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkretuar anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

 

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e këtyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.”

 

Fan Noli, i diplomuar nga një prej universiteteve më me famë botërore, kishte mundësinë të jetonte shumë mirë në Amerikë dhe të mos çante kokën se ç’po ndodhte në Shqipëri.  Ai mund ta bënte këtë ndoshta si një profesor në ndonjë universitet të njohur amerikan, apo në ndonjë fushë tjetër veprimtarie akademike, por jo. Ai, si edhe shumë bashkpuntorë  të tij, si Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Bajram Curri e të tjerë, vendosi që t’i dedikonte kombit të vet të gjithë energjinë mendore dhe fizike si dhe talentet e shumëta që i kish falë Perëndia. Por megjithë trajtimin që mori dhe megjithë anarkinë që la pas në vendin e tij — Fan Noli zgjodhi Amerikën, vendin e lirisë dhe të demokracisë, ku u vendos përfundimisht, për të vazhduar t’i dedikonte të gjitha fuqitë e tija për të mirën e fatit të kombit shqiptar dhe të idealeve të atdheut – drejtë një realizimi ku shqiptarët, më në fund, të gjejnë një vatër të përbashkët lirie, demokracie, paqeje dhe mirëkuptimi për bashkjetesë — veprimtari të cilat ai nuk i ndërpreu deri në vdekjen e tij 50-vjetë më parë, në mars të vitit 1965, në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara. Për kontributet e mëdha historike dhe për rëndësinë e veprës së tij, Fan Noli duhet të kujtohet në këtë përvjetor dhe përgjithmonë, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan të cilin ai e udhëhoqi për shumë vite dhe me të cilin bashkpunoi ngusht tërë jetën për të mirën e kombit të vet – por nga të gjithë shqiptarët kudo.

 

Nga Frank Shkreli

 

 

 

FAN NOLI:

 

Jepni Për Nënën

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë-

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

Shpirt e zëmër përvëluar;

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!”

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Qan e lutet Nën’ e mjerë,

Kërkon vatrën edhe nderë,

Do lirinë dhe atdhenë,

Si ç’e pat me Skënderbenë,

Bijt’ e besës thërret pranë.

Kur i thirri dhe s’i vanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Cilët jan’ ata tiranë

Që të pren’ e që të vranë

Që të therrë bij e bija,

Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?

Derthni plumba, o Shqiptarë,

Gjakn’ e Nënës për të marrë,

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan

Dhe të doqnë dhe të shuan

Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë

Pa fole, pa zog, pa shpatë?

Këta qena, o shok’ i mbytni,

Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s’ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

S’kursen jetën as paratë;

Hithni, hithni tok dollarë,

Të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer

Për ty, Nëna jon’ e vyer,

Që me drit’ e nder të thuresh

Dhe me bijt’ e tu të mburesh.

Cila Nënë lyp paranë?

Cilët bij me shpirt s’i dhanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,

Qesen edhe shpirtin hithni:

Për lirin’ e vëndit t’onë,

Sot -se nesër është vonë-

Jepni, Nënën të shpëtoni,

Komb e vatra të nderoni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

1917

 

Kontrolloni gjithashtu

Flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës në mars e prill të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive …