Frank Shkreli

Frank Shkreli: Miqësia shqiptare-kroate

Kryetarja e Republikës së Kroacisë Znj. Kolinda Grabar-Kitaroviq gjëndet këtë javë për një vizitë shtetërore në Tiranë, e ftuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta. Media shqiptare njofton se Presidentja e Kroacisë do të pritet me ceremonitë më të larta shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, ndërkohë që do të takohen delegacionet e dy vendeve ndërsa udhëheqësit e lartë do të mbajnë së bashku një konferencë për gazetarët vendas dhe ata kroatë, të cilët shoqërojnë Presidenten Kitaroviq.  Përveç pritjes dhe takimeve me homologun e saj shqiptar, Udhëheqësja kroate do të zhvillojë gjithashtu bisedime edhe me udhëheqja të tjerë shqiptarë, përfshir Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi dhe Kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Z. Lulzim Basha.  Një ndër pikat kulminante të vizitës së Presidentes kroate në Tiranë do të jetë fjalimi që ka në plan të mbajë në Kuvendin e Shqipërisë ditën e enjtë.

Në rendin e ditës të vizitës së Kryetares së Kroacisë në Shqipëri, sipas medies së Tiranës, është edhe takimi me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj dhe vizitat që pritet të bëjë Presidentja Kitaroviq, jashtë Tiranës. Është në plan që ajo të vizitojë Durrësin për të paraqitur projekt-planin kroato-shqiptar për mbrojtjen e mjedisit në Detin Adriatik, që pasqyron një shqetësim të konsiderueshëm ky për autoritetet kroate, pasi njoftohet se mbeturinat nga bregdeti shqiptar janë përhapur edhe në brigjet e bregdetit kroat, në veri të Adriatikut.  Pritet që Presidentët Meta dhe Kitaroviq të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale për mbrojtjen e detit nga ndotjet.  Ndërkohë, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë do të ndalet edhe në Berat dhe në Kalanë historike të Krujës, sipas njoftimeve të medies.

 Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Zagrebit, ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kroacisë nga Federata ish-jugosllave, kanë vazhduar të jenë të shkëlqyeshme.  Vizita e Presidentes Kolinda Grabar-Kitarović këtë javë në Shqipëri është një pasqyrim i natyrshëm i këtyre marrëdhënieve miqësore midis dy kombeve, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Presidentja kroate pritet që gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë shqiptarë në Tiranë, të premtojë mbështetjen dhe ndihmën e saj dhe të vendit të saj ndaj përpjekjeve të Shqipërisë, për antarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithse, siç dihet për arsye të politikës pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ekzistonin marrëdhënie ndër-shtetërore, marrëdhëniet miqësore midis kombit Shqiptar dhe Kombit Kroat janë të vjetëra.  Ato shkojnë mbrapa në histori, e cila shënon se lidhjet midis dy kombeve të hershme – sidomos ndërmjet Arbërisë dhe Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) kanë filluar qyshë në kohën e Kastriotëve, kur ata gëzonin liri të pa kufizuar tregëtie me njëri tjetrin dhe marrëdhënie të tjera. Përveç lidhjeve tregtare midis Kastriotëve me Republikën Raguzës, lidhjet midis Arbërisë dhe Raguzës si dhe qëndrave të tjera në territorin e dikurshëm të Kroacisë së sotëme, kanë qenë të forta edhe në fushën e diplomacisë dhe të arsimit.  Thuhet se diplomati, kleriku, oratori i njohur dhe njeriu besnik i Gjergj Kastriotit, Palë Gazulli, ka shërbyer si ambasador i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Republikën e Raguzës.  Thuhet se Pal Gazulli ka qenë gjithashtu edhe rektor i shkollave të Raguzës.  Këto lidhje në fushën e arsimit, sidomos për studentët nga të gjitha trojet shqiptare vazhdojnë edhe sot, siç kanë kanë vazhduar, historikisht. Madje edhe gjatë periudhës komuniste – të rinjtë shqiptarë nga trojet shqiptare në ish-Jugosllavi — preferonin të shkonin në shkollat kroate dhe sidomos ata të fesë katolike regjistroheshin në seminaret katolike anë e mbanë Kroacisë, përfshirë edhe qytetin e Rjekës, vendlindja e Presidentes kroate, Kolinda Grabar-Kitarović – ku edhe unë kam kaluar vitet më të bukura në shkollën e mesme klasike të urdhërit salezian në atë qytet.

Këto marrëdhënie të ngushta e të hershme midis dy popujve tanë, janë përforcuar edhe më vonë në fillim të shekullit të kaluar nga puna e palodhshme e shumë kroatëve, përfshirë historianin dhe albanologun e njohur kroat, Milan Shufflaj, i cili nepërmjet hulumtimeve dhe disa veprave të tija, ka dokumentuar historinë e shqiptarëve në Mesjetë — veprimtari të cilën ai, fatkeqsisht, e pagoi me jetën e tij, duke rënë martir i albanalogjisë. Ai u vra nga dora e zezë serbe në Shkurt të vitit 1931, një ditë pasi ishte këthyer në Zabgreb nga një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që po përgatiste një botim tjetër mbi historinë e Shqiptarëve.  Kontributi i tij konsiderohet nga historianë dhe akademikë të njohur, si unik dhe i pazëvëndsueshëm.

 Por, megjithë ndihmën dhe kontributet kroate ndaj historisë dhe kulturës shqiptare, por edhe në fusha të tjera, nuk duhet të mungojmë së përmenduri se pjesë e këtyre marrëdhënieve të ngushta nuk është vetëm kontributi i kroatëve gjatë historisë së shqiptarëve.  Kroatët kurrë nuk do të harrojnë ndihmën dhe kontributin e shqiptarëve, sidomos shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, gjatë luftës më 1990 dhe në themelimin e shtetit të pavarur kroat në fund të shekullit të kaluar. Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç   NË një konferencë të përbashkët me homologun e saj Ilir Meta ka cilësuar shqiptarët si një ndër të paktët popuj miq për Kroacinë. Kitaroviç ka shprehur mirënjohjen e thellë për shqiptarët që ndihmuan në lirinë e vendit, njofton gazeta Telegraf e Tiranës.  “Sot diskutuam për bashkëpunimin mes Kroacisë e Shqipërisë dhe Shqipëria ishte miku jonë kur miqtë ishin të paktë. Na mbështetën gjatë luftës në Kroaci. Ne e vlerësojmë këtë mbështetje. Nga komuniteti shqiptar në Kroaci, që janë rreth 10.000 shqiptarë, 2.500 ishin vullnetarë në luftën e Kroacisë, 87 humbën jetën 37 janë të zhdukur. Kjo është një çështje shumë e madhe për ne dhe i jemi mirënjohës shqiptarëve që luftuan për lirinë e vendit tonë”, tha Kitaroviç, në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit Meta, nga Presidenca.

Këtë fakt e kanë theksuar edhe personalitetet të tjera, të njohura kroate, përfshir edhe ish-presidentin Stipe Meshiq, një mik i madh i shqiptarëve, i cili si njohës i mirë i çështjeve ballkanike dhe i realitetit nën të cilin kanë jetuar shqiptarët ndër shekuj, por njëherazi edhe si një person që kontribon çdo ditë në afrimin midis dy popujve, ka shprehur vazhdimisht dhimbjet e tija dhe të kroatëve në përgjithësi, për fatin e keq dhe për vuajtjet e shqiptarëve në trojet e veta. Në një intervistë, ish-Presidenti kroat, Meshiq është shprehur: “Unë jam një njeri, i cili gjithmonë ka njohur realitetin dhe është e njohur për këdo se bota ndaj shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zemërgjerë, veçanërisht ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.   Shqiptarët në ish-Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene nuk kanë pasur asnjë të drejtë. Ata nuk kishin të drejtë për kombësi, gjuhë, kulturë, nuk kishin asgjë”, ka thënë ai.

Është pra në këtë këndveshtrim të lidhjeve historike midis dy kombeve tona që Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović zhvillon këto ditë vizitën e saj shtetërore në Shqipëri, ashtuqë me një kuptim të historisë – le të ndërtohet baza madje edhe më e fuqishme së ç’është tani, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, sidomos në bashkpunimin dhe rolin që duhet të luajnë Kroacia dhe Shqipëria së bashku — por gjithmonë në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të dy vendve — për një të ardhme më të mirë për të dy kombet dhe për paqën dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kroatët kanë përshëndetjen e tyre, “Bog i Hrvati” që do të thotë, “Zoti dhe Kroatët”. Është një shprehje që është përdorur nga politikani dhe shkrimtari kroat Ante Starçeviq, në fjalimin që ka mbajtur para parlamentit kroat në vitin 1861 e në të cilin ka thënë në kontekstin e kohës, se e ardhmja e Kroacisë nuk duhej të vendosej nga Austria, por nga Zoti dhe Kroatët. I lutemi Zotit pra, që vizita e Presidentes së Kroacisë këto ditë në Shqipëri, të shërbejë si një hap tjetër drejt përforcimit të mëtejshëm të miqësisë historike dhe të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis dy vendeve dhe dy kombeve tona, si kontribues të paqës dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të Shqiptarëve dhe Kroatëve dhe që Zoti të jetë gjithmonë me ta që të vendosin vet të ardhmen e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …