leoni

FSK-së i shtohen 302 ushtarë të rinj

Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, sot u mbajt ceremonia e betimit dhe certifikimit për 302 ushtarët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të gjeneratës 01-2023. Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zv.ministri Shemsi Syla, zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i DIS-it, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Hysen Dreshaj, ushtarakë ndërkombëtarë, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, oficerë të lartë të FSK-së, drejtues komunalë dhe familjarë të ushtarëve të rinj.

Në vijim gjeni fjalimin e ministrit Maqedonci drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni të betimit të rekrutëve:

“Të nderuar rekrutë, familjarë dhe pjesëmarrës

Duke qenë se pak kohë më parë kam lënë uniformën për të pranuar detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, uniformë të cilën e mbajta veshur për vite me radhë, marr të drejtën që juve rekrutë të djeshëm e ushtarë të sotëm, të ju flas për peshën e uniformës, e cila para se të jetë simbol i ushtrisë tonë është identitet e trashëgimi e brezave të tërë që kontribuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Pesha e uniformës që mbani sot veshur është shumë e rëndë, sepse shumë të rënda e të vështira ishin vitet kur Ademi dhe Hamza, Zahiri dhe Luani, Agim Ramadani dhe mijëra dëshmorë të tjerë sfidonin vdekjen duke përqafuar luftën për jetë dhe liri.

Sot të rreshtuar para nesh, para familjarëve tuaj dhe popullit tonë, ju po ruani një gjë shumë të vlefshme e të rëndësishme, vazhdimësinë, vazhdimësinë e qëndresës, vazhdimësinë e shpirtit luftarak dhe të ndjenjës së mrekullueshme të shërbimit ndaj atdheut.

Të dashur ushtarë të Kosovës, ditët dhe javët këtu sigurisht që kanë qenë sfiduese, trajnimi që keni zhvilluar në kursin bazë, ju ka sfiduar fizikisht dhe teorikisht, ju ka bërë që të njihni limitet tuaja dhe të njihni mundësitë tuaja për të tejkaluar ato limite, por ndjehuni të sigurt që ju ka kalitur, maturuar dhe përgatitur për tejkaluar sfida të ndryshme të jetës dhe profesionit, por mbi të gjitha ky trajnim do të ju shërbej si bazë e ndërtimit tuaj në profesionin e shenjtë të ushtarakut. Formësimi juaj si ushtarak fillon këtu dhe nuk duhet të përfundoj asnjëherë, ashtu siç nuk duhet të përfundoj vullneti dhe gatishmëria juaj për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve të vendit tonë.

Jemi të vetëdijshëm që vullneti dhe gatishmëria varet dhe nga ekzistenca e vullnetit politik të lidershipit shtetëror dhe nga përkushtimi profesional i eprorëve tuaj për të ju mbështetur në përmbushjen e misionit tuaj. I bindur thellësisht, ju them, që vullneti politik i institucioneve shtetërore dhe përkushtimi profesional i lidershipit tuaj ushtarak është më shumë se kurrë, sa i dukshëm, aq edhe prezent.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e në veçanti Ministria e Mbrojtes është duke mbajtur në fokus të veçantë zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. Nga viti 2021 deri në vitin 2023 buxheti për mbrojtje është rritur 120%, që ka ndikuar dukshëm në përshpejtimin e ngritjes së kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbështetja nga Qeveria dhe vazhdimësia e mbështetjes nga partnerët tanë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s, po prodhojnë rezultate të dukshme dhe të përditshme si në aspektin e zhvillimit profesional të ushtarakëve tanë, gjithashtu me kompletimin me pajisje dhe sisteme moderne të armatimit.

Në anën tjetër është për t’u vlerësuar lartë qasja profesionale e Gjeneral Jasharit, Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtuesve të komandave dhe njësive të FSK-së që duke maksimizuar në mënyrën më të duhur mundësitë e kësaj mbështetje, po zhvillojnë një forcë profesionale dhe të gatshme për të mbrojtur tërësinë territoriale të Kosovës, për të ruajtur sovranitetin e vendit tonë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe botë dhe për t’u dal në ndihmë qytetarëve të vendit tonë në rast të fatkeqësive natyrore.

Të nderuar familjarë të rekrutëve, vlerësojmë lartë besimin tuaj në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe mbështetjen që u dhatë bijave dhe bijëve tuaj për të përmbushur misioni që ja kishin dhënë vetes për të kompletuar stërvitjen ushtarake bazë. Kjo mbështetje e juaj pa dyshim kishte rëndësi të veçantë, dhe jam thellësisht i bindur që një mbështetje e tillë nuk do të mungoj asnjëherë.

I nderuar Gjeneral Dreshaj, përfundimi i suksesshëm i stërvitjes ushtarake bazë, patjetër që mbanë vulën e profesionalizmit dhe dedikimit tuaj profesional si dhe përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit drejtues dhe instruktorëve të Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës. Ju përgëzoj për përfundimin e suksesshëm të stërvitjes dhe ju inkurajoj të vazhdoni të bëni punë të mira për zhvillimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të dashur rekrutë – ushtarë, ju uroj përfundimin e stërvitjes ushtarake bazë, ju përgëzoj për disciplinën dhe përkushtimin dhe në emër të institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë, ju kërkoj, të mbani me nder dhe krenari uniformën e ushtrisë tonë, të prezantoni në mënyrën më të mirë, Republikën e Kosovës, dhe të respektoni të kaluarën e lavdishme të popullit tonë duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt për të ardhmen e atdheut tonë.

Urime dhe faleminderit!”

Kontrolloni gjithashtu

Hikmete Bajrami

Bajrami: Gjatë qeverisjes së Qeverisë Kurti, ekonomia ka degraduar tej mase

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se gjatë udhëheqjes …