Ftesë publike për kryeministrin Haradinaj nga kryetari i Junikut, Agron Kuqi

Në Ftesën publike drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, nga kryetari i komunës së Junikut Agron Kuçi thuhet: I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj! Po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi! Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019. I nderuar Kryeministër, veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave. Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës së Junikut, Ju bëjmë Ftesë Publike që si Kryeministër i vendit dhe Kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t’i shfuqizoni këto vendime. Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm.

Në pritje të vendimit tuaj, ju përshëndes !

Me respekt, Agron Kuçi – kryetari i komunës së Junikut!

Kontrolloni gjithashtu

Jetën ia falën lirisë, që të jetojë i lirë shqiptari

Sot në Gllogjan e Maznik të komunës së Deçanit, në nder të 25-vjetorit të rënies …