Giuseppe Dragone: NATO riafirmon përkushtimin për siguri në Kosovë, s’ka plane për reduktim të KFOR-it

Një nga figurat më të larta ushtarake të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të Aleancës, ka rikonfirmuar angazhimin e NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e misionit të KFOR-it për gjithë rajonin. Dragone tha se prania e NATO-s në Kosovë mbetet thelbësore për garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për qytetarët. Ai theksoi se së bashku me Komitetin Ushtarak të NATO-s, i përbërë nga përfaqësues të 32 vendeve anëtare, ka vizituar misionin për të parë nga afër realitetin në terren dhe për të forcuar vendimmarrjen strategjike të Aleancës. “Misioni në Kosovë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës dhe përkushtimin e NATO-s për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët,” u shpreh Dragone. I pyetur për mundësinë e reduktimit të trupave të KFOR-it, ai tha se NATO bën rishikime periodike të misioneve të saj, por theksoi se aktualisht nuk ka asnjë plan për ulje të pranisë ushtarake në Kosovë. Dragone kujtoi edhe situatat e mëhershme të tensioneve në veri të vendit, duke nënvizuar se në raste të tilla NATO ka reaguar me rritje të numrit të trupave, siç ndodhi në fund të vitit 2023. “Jemi fleksibilë, por për aq sa di deri tani, nuk ka asnjë plan për reduktim të trupave,” deklaroi ai, duke qetësuar pritjet për ndryshime në praninë e KFOR-it. Vizita e tij në Kosovë shihet si një rikonfirmim i qartë i angazhimit të NATO-s për stabilitetin afatgjatë në vend dhe rajon.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku feston rezultatin zgjedhor: “Hovin s’ka mujt me ma ndalë Serbia, e më së paku Albini”

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur kënaqësinë e tij me rezultatin e …