Sot, në përvjetorin e 27-të betejës së lavdishme në Vërboc dhe Shtuticë të Drenasit, përkujtojmë me nderim të thellë luftën heroike dhe rënien e Komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, së bashku me 40 luftëtarë të lirisë, të cilët më 30 prill 1999 u përballën me forcat pushtuese serbe.
Ilaz Kodra ishte ndër bashkëluftëtarët e parë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, me të cilin zhvilloi aksionet e para të suksesshme kundër forcave armike që nga vitet 1992/93, duke i shtrirë ato në gjithë territorin e Kosovës. Pas rënies heroike të Komandantit Fehmi Lladrovci më 22 shtator 1998, ai mori drejtimin e Brigadës “114”, të cilën e riorganizoi dhe e përgatiti për betejat e tjera në Drenicë.
Në ato ditë të rënda, kur popullata shqiptare ishte vënë në rrethim të hekurt, Ilaz Kodra dhe luftëtarët e tij qëndruan në vijën e parë të mbrojtjes së popullit. Në mëngjesin e hershëm të 30 prillit 1999, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të egër dhe brenda dy ditësh masakruan rreth 275 civilë të paarmatosur shqiptarë të të gjitha moshave. Ndër ta ishte edhe tezaku dhe shoku im i fëmijërisë, Hysni Morina, me të cilin u rritëm bashkë, ndamë bankat e shkollës dhe kujtimet më të pastra të jetës. Humbja e tij nuk është vetëm dhimbje familjare, është plagë që mbetet përjetë në zemrën time dhe kujtim që nuk shuhet kurrë.
Falë gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, si dhe mbështetjes së NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot gëzojmë lirinë që nga 12 qershori 1999 dhe shtetin tonë sovran që nga 17 shkurti 2008, të njohur mbi 120 shtete mike të botës.
Por kjo liri mbetet e paplotë pa drejtësi. Edhe sot, kriminelët serbë që kryen këto masakra jetojnë të lirë, ndërsa çlirimtarët tanë, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen tash e gati gjashtë vite në çelitë e Hagës, në Gjykatën Speciale. Kjo është një padrejtësi e rëndë ndaj tyre e luftës sonë çlirimtare, ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe ndaj vetë dinjitetit tonë kombëtar.
Tani kanë mbetur edhe pak ditë kur pritet vendimi përfundimtar, zëri ynë është i qartë dhe i palëkundur: kërkojmë drejtësi! Kërkojmë që heronjt tanë të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen pranë familjeve të tyre, pranë shoqërisë dhe atdheut, faqebardhë dhe triumfues. Sepse ata janë simbol i lirisë sonë dhe historia nuk mund të ndryshohet e as të gjykohet padrejtësisht.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
