Një lavdi marrëzie “erazmiane” e dy viteve më parë, e cila nuk mund të harrohet kurrë

Gjashtë vjet më parë ka ndërruar jetë, profesor doktor, Muhamet Tërnava, historian, i burgosur politik i viteve 80, profesor i anatemuar…

Më 6 shtator të vitit 2017 ka ndërruar jetë, profesor doktor, Muhamet Tërnava, historian, i burgosur politik i viteve 80, profesor i anatemuar në kohën e regjimit jugosllav. U lind në vitin 1947 në fshatin Lismir. Ishte djali i mulla Ademit hoxhë i njohur,  atdhetar. Muhamet Tërnava ka kryer fakultetin e Historisë, në Prishtinë. Ka magjistruar në Zarë, ndërsa ka doktoruar në Zagreb të Kroacisë, meqë në Prishtinë dhe në Beograd nuk ishte pranuar zbulimi i tij shkencor lidhur me popullsinë shqiptare të Kosovës në shekujt 14-16-të. Ai me punën studimore  dhe njohuritë e thella prej shkencëtari arriti t’i thyejë tezat e akademikëve serbë rreth përkatësisë  popullsisë së Kosovës gjatë periudhës mesjetare. Vepra shkencore e Profesor Tërnavës “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” e botuar në Prishtinë në vitin 1996,  mbetet bazament i fortë i argumentimit të vazhdimësisë së popullimit të territorit të Kosovës me popullsi shqiptare gjatë gjithë periudhës mesjetare. Në vitin 1981 u burgos për shkak të lidhjeve që kishte mbajtur me Jusuf Gërvallën dhe për   shkak të zbulimeve të tij shkencore. Gjatë vuajtjes së dënimit, në Burgun e Prishtinës inspektorët serbë e kishin goditur, me qëllim për ta paaftësuar për jetë. Pas lirimit nga burgu në vitin 1983 dhe gjatë tërë jetës pati  probleme  të rënda shëndetësore. Pas luftës për disa vjet ka ligjëruar historinë e Mesjetës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Zbulimi i tij shkencor lidhur me klasifikimin e emrave të njerëzve në mesjetë, në defterët turqisht të Vilajetit Vëllk, duke u mbështetur në mbaresat gramatikore të emrave, është zbulimi më i madh, zbulimi  historik i kohës sonë dhe thyerja përfundimtare e manipulimeve sllave  lidhur me përkatësinë etnike të Kosovës. Duke u mbështetur në këtë zbulim gjuhësor, ai iu përmbajt analizës shkencore, duke konkluduar se   trajta:

Dimiter Dimitri ishte emër e mbiemër i gjuhës shqipe.

Dimitar Dimitroviq  apo Dimitrijeviq ishte trajtë  sllave-serbe.

Dimitar Dimitrov, trajtë e vjetër sllave e bullgare.

Dimitris Dimitraqis trajta grekfolëse.

Dimitre Dimitrul trajta vllahe e kështu me radhë me të gjithë emrat e pranishëm në defterët e kohës.

Sipas një analize të tillë, ai prezantoi tërë materialin e antroponimisë, përkthyer  në gjuhën shqipe nga origjinali, në turqisht, rreth 12.000 emra. Duke u mbështetur në këtë metodologji shkencore arriti në përfundim se 80 për qind e popullatës së përgjithshme gjatë mesjetës,  në Kosovë, ishte shqiptare e krishterë, në shumicë dërmuese ortodokse, 20 për qind sllave, vllahe, hebraike, turke, sase  (gjermane), etj.

Ahmet Qeriqi

6.9.2023

Kontrolloni gjithashtu

R.Shala: FADIL VATA, një kujtim më ndryshe

a ) –  Fadil  Vata , gjatë vitit shkollor  1979 / 80 , në QAMO …