Gjatë fundjavës u zhvilluan punimet e Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO,për herë të parë, në Tiranë

Gjatë fundjavës u zhvilluan punimet e Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO,për herë të parë, në Tiranë

Gjatë fundjavës janë zhvilluar punimet formale të Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO, për herë të parë në vendin tonë. Ndër çështjet kryesore që u diskutuan në këtë konferencë, ishin projektimi i stabilitetit të NATO, arritja e kapacitetit fillestar operacional të Qendrës për Jugun dhe mbështetja për vazhdimin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket misioneve të Aleancës, krerët ushtarakë rikonfirmuan vazhdimin e mbështetjes për Afganistanin dhe nënvizuan se qëndrimi i KFOR në Kosovë është lidhur me rrethanat në terren. Në përfundim të takimit, shefat e Mbrojtjes së NATO, zgjodhën shefin aktual të Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, gjeneral Sir Stuart William Peach, si kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO, i cili do ta marrë detyrën në vitin 2018. Pas përfundimit të punimeve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA shqiptare gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, gjeneral Petr Pavel, dhanë një konferencë për mediet.

“Sikurse jeni në dijeni, mjedisi i sigurisë në vitet e fundit karakterizohet nga paqëndrueshmëria, kompleksiteti dhe paqartësia. Megjithëse shenjat ishin dhënë më parë, viti 2014 (kur u krye aneksimi i Krimesë, duke shkelur hapur normat dhe ligjet ndërkombëtare), shënoi një pikë kthese të fortë për të gjithë ne, Aleatët, në vetëdijësimin e çështjeve të sigurisë. Sigurisht, Koncepti i Mbrojtjes Kolektive, e ka shtjelluar edhe pozicionimin tonë për mbrojtjen, pasi tashmë kufijtë e çdo Aleati janë edhe kufijtë tanë”, u shpreh Gjeneral Brigade, Bardhyl Kollccaku, Shef i Shtabit tw FA shqiptare

“Shqipëria ka kryer pjesën e saj dhe vijon të ndajë barrën e përgjegjësisë në procesin e adaptimit politik, institucional dhe ushtarak të Aleancës. Ne qëndrojmë të palëkundur në ruajtjen dhe promovimin e principeve themelore të unitetit, solidaritetit dhe kohezionit midis aleatëve.

Siguria jonë e përbashkët ka një çmim e për këtë qëllim, qeveria shqiptare është angazhuar të rrisë progresivisht buxhetin e saj të mbrojtjes në vitet në vijim për të mbërritur në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Megjithatë, ne besojmë se ndarja e barrës së përgjegjësisë në NATO nuk lidhet vetëm me “shtimin e parave”, por dhe me zhvillimin e kapaciteteve, si dhe kontributet operacionale”, vijoi ai.

Kryetari Komitetit Ushtarak tw NATO-s, gjeneral Petr Pavel u shpreh se, Aleanca përballet me një sërë sfidash. “Ekzistojnë kërcënime komplekse të jashtme dhe detyrat e brendshme të shtëpisë që Aleanca duhet t’i adresojë për të siguruar vazhdimësinë e përmbushjes me sukses të misionit që filloi rreth 70 vjet më parë, i cili është ruajtja dhe mbrojtja e territorit dhe popullsisë sonë nga çdo kërcënim, nga cdo drejtim, 360 gradë. Filluam sot duke u fokusuar në rolin e NATO për projektimin e stabilitetit. Qoftë kur i kthehemi Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, qoftë pragut të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, NATO  duhet të luajë një rol për formësimin më të mirë te mjedisit të sigurisë. Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes ofruan një sërë propozimesh konkrete për kontributet ushtarake, për të ndërmarrë një qasje gjithëpërfshirëse, sistematike dhe koherente për axhendën e projektimit të stabilitetit të NATO”, tha Petr Pavel.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, ai shtoi se, shefat e Shtabeve të Mbrojtjes shprehën mbështetjen për vazhdimin e integrimit euroatlantik të rajonit, përfshirë bashkëpunimin më të ngushtë ushtarak. (ATSH)

Kontrolloni gjithashtu

Millojko Spajiq, ka folur sërish lidhur me qëndrimin e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, është shprehur se qëndrimi zyrtar do të bëhet …