KEK
Fillimi / Fejton / GJOKË DABAJ: DO TË VIJË NJË KOHË TJETËR II
Gjokë Dabaj

GJOKË DABAJ: DO TË VIJË NJË KOHË TJETËR II

Shkrimin me titull “Namik Luci, inxhinieri nga Peja që u arrestua i akuzuar se do t’i bënte atentat Enver Hoxhës” e lexova te gazeta “Tema” e datës 26 dhjetor 2019.

 

Është e vërtetë që Enver Hoxha është treguar shumë i ashpër ndaj të gjithë shkelësvet të rregullavet të tija shtetërore. Por ai e dinte që do të vinin ditë të zeza për vendin tonë (dhe këtë e ka thënë), prandaj përpiqej që ta shtynte sa të ish e mundur qëndresën, duke ndërtuar një bazë të fuqishme ekonomike, qoftë edhe me sakrifica, dhe duke shpresuar që ajo bazë ekonomike do ta mbante më këmbë këtë vend. Por është gjithkështu e vëretë që ai i kish nëpër këmbë gjithfarë ngatërrestarësh, të cilët s’ish aspak e lehtë që t’i zbuloje. Kush ishte Ritë Markoja që iu ankua Enverit për Skënder Backën dhe ia arriti ta largojë atë prej kosovarëvet?! Kush ishte Andre Markoja, vëllai i Ritës, që i sillej nëpër këmbë Skënder Backës?! Kush ish Ramiz Alia, i cili arriti t’i laguritej Enverit deri sa Enveri dha shpirt, e pastaj e la Republikën e Shqipërisë të rrokullisej tatëpjetë, sikur të ish një vend krejt i pavlerë?! Ç’ishin ata „atentate“ që gjoja do t’i bëheshin Ramizit diku në Has a në Tropojë?! Kush ishte një Tod Lubonja, i cili, mu në zyrën e tij në Korçë, i pat thënë sime shoqeje: “A unë të thashë të marrësh një burrë të huaj?!”

Në vitet e mëvonshëm: Ç’ishin ata kosovarë që vinin këtu me veturat e tyre luksoze dhe shfaqnin pakënaqësi se rrugët e këtushme na qenkeshin me gropa?! Kush ishte Luljetë Pula, që Namiku e zinte në gojë shpeshherë dhe që përmendet edhe në shkrimin të gazetës “Tema”?! Dhe kush ishin mjaft nga ata vizitues që “interesoheshin” aq shumë për ta takuar Namik Lucin?!

Në ndërkohë, le të ndalemi pak edhe te Kapllan Resuli. Ç’kërkonte Kapllan Resuli, i cili, me paratë e shtetit, dërgohej vend më vend për t’u folur njerëzvet mbi mënyrën se si e tradhtuan sërbët Kombin Shqiptar?! Kapllan Resuli kish shkruar një libër me titull “Tradhtia”, me vlera mjaft të mira njohëse dhe artistike. Ç’i duhej atij që vajti e shkroi edhe librin me titull “Jezu Krishti” dhe kërkoi me arrogancë që ai libër t’i botohej pikërisht në RPSSH, ku temat dhe titujt me personazhe të fevet nuk përkraheshin?! Dhe pse duhej ky Kapllan Resul të merrej me gjëra të vogla, si në tregimin “Shyta”, ku  partizanët gjoja qenkeshin treguar cinikë dhe mosmirënjohës ndaj të zotit të një dhie me emrin Shytë? Kapllan Resuli është shembull, i cili, po të mos kish bërë budallallëqe dhe aventura, do të mund të përafrohej sot, në kulturën shqiptare dhe në historinë e shqiptarëvet, deri edhe me Adem Demaçin e madh. Sepse të tillë ishin fillimet e karrierës së Kapllan Resulit.

Sot është lehtë, madje edhe privilegj, të flasësh kundër Enver Hoxhës. Por cila ka qenë e vëreta?! Historianit nuk i takon të ndikohet prej rrymavet politike të çastit. Një historian që ndikohet prej politikavet të çastit, është një lake dhe një puthador pa vertebër! Enver Hoxha e dinte ç’do të ndodhte, prandaj dhe e sforcoi ekonominë, për të ndërtuar fortifikimet. Prandaj edhe i porositi ushtararakët ta ruanin Atdheun kur të vinin ditë të vështira. Por, as populli ynë, as oficerët tanë, nuk ia dolën për t’i ruajtur ata fortivikime që i kishin projektuar e ndërtuar vetë, me shumë privacione. Një nga ata ndërtues të pakursyer ishte edhe Alfred Moisiu. Por as ai nuk arriti të na i ruajë bunkerët, që të mos na shkatërroheshin! Ata bunkerë që ishin aq të bukur dhe aq të parrëzikshëm për cilindo shtet që na rrethon! Mjaftonte që ai shtet, fqinj ose jofqinj, të mos kërkonte poshtërimin apo nënshtrimin e këtij populli.

Në kohën kur unë isha i internuar në Tepelenë, në një rast kur Kadri Hazbiu pat ardhur për gjah në malin e Trebershinës dhe, kur në mbrëmje i qe shtruar darkë në fshatin Malas, dikush prej të pranishmëvet i paskish thënë për mua: „Kemi një jugusllav  këtu në fermë. Është djalë me shkollë dhe sillet mirë. A mund ta vëmë normist apo llogaritar?” Kadriu kish pyetur për emrin tim, pastaj kish kundërshtuar: “Kurrsesi! Ne atë e kemi prurë këtu, të punojë vetëm në kazëm!” Këtë bisedë ma pat rrëfyer që të nesërmen Vero Alikaj, anëtar i PPSH-së dhe roje nate në fermën e Beçishtit.

Një rast tjetër, kur unë tashmë isha mësues në krahinën e Matit, po ai Kadri Hazbi i pat thënë dikujt (tani s’më kujtohet emri, por është e verifikueshme): „Mirë ai (ish fjala për mua), se e dimë kush është, por po çuditem me qëndrimin e së shoqes!“ Ime shoqe është përmetare dhe, në raste „emergjencash“, tregohet mjaft kategorike. Kjo e paska çuditur ministrin! Por ai mbase nuk e dinte që ime shoqe ishte mbesa e një patrioti dhe dëshmori nga më të shquarit e Jugut tonë!

Kur qe burgosur dhe dënuar Namiku, një i njohuri ynë, që e dinim se ishte informator i organevet të Sigurimit (dhe që s’na prishte aspak punë, sepse, në fund të fundit, ai thjeshtë po tregohej vigjilent), ka ruajtur rastin kur unë nuk isha në shtëpi dhe ka ardhur për vizitë. Ndërsa ime shoqe po bënte gati kafenë, ai ka shfletuar një album me fotografi, ka gjetur atje Namik Lucin dhe ka thënë: „Pse thotë Gjoka që nuk ka pasur lidhje me Namik Lucin? Ja ku kanë dalë bashkë në fotografi!“ Ime shoqe, duke e ditur kush ishte mysafiri, e ka marrë atë fotografi, e ka grisur, e ka futur në sobë (që të mos mund të përdorej si „dokument“), dhe i ka thënë: „ Oh! Ne këtë album ka kohë që nuk e kemi hapur. Kushedi si ka mbetur këtu kjo fotografi. Me Namikun, ka shumë vite që nuk kemi komunikuar.

I thashë të gjitha këto, për të dëshmuar me fragmente konkretë të jetës sonë, si ishe ajo kohë që sot quhet „Koha e Enverit“. Historiografia vërtet i përdor ngjarjet e veçuara, por nuk nxjerr konkluzione pa i analizuar ato në mënyrë shkencore.

Kujt i interesonte burgosja dhe ndëshkimi i shqiptarëvet të ardhur nga përtej kufirit? Përse duhej të shpalleshin „armiq të Partisë e të Pushtetit Popullor“ herë një grup e herë një grup tjetër? Përgjigjja është kjo: U interesonte atyre që nuk e donin forcimin e Kombit Sjhqiptar. Ata që nuk e donin forcimin tonë si komb, i futnin në kurthe, edhe naivët edhe jo naivët, kë të mundnin, në mënyrë  që ruajtësit e shtetit të gjendeshin para faktevet dhe t’i ndëshkonin të akuzuarit. Këto tragjedi nuk ka si bëhen më tragjike!

Ndërsa Radio-Kukësi buçiste natë për natë duke lexuar artikuj të gjatë që i përkrahnin kërkesat tona përtej kufirit, duhej stisur diçka që të dëshmonte se „Shqipëria nuk po i do kosovarët.“ Rruga më rezultative ishte, të shqyrtoje informacionet mbi bisedat konfidenciale të këtyre djemve atdhetarë dhe t’i thoshe Partisë: „Ja kush është filani!“

Agjenti shqiptar, spiuni i Sërbisë, i cili ndodhej në një karrike të rëndësishme, realizonte dy përfitime njëheresh: E para, e rrëfente veten „besnik të Partisë“ dhe e dyta, kryente punën e atyre që e kishin futur prej kohësh në kuth. Kryente detyrën e UDB-së sërbe.

Namik Luci, Istref Këlmendi dhe Selim Këlmendi, në bisedat e tyre konfidenciale, siç e dëshmova më parë, u kishin dhënë spiunëvet të Sërbisë mjaft material për t’i paraqitur këtu në Tiranë si „armiq të Partisë e Pushtetit“. Spiunët e Beogradit fare pak gjëra duhej të shtonin, si për shembull „këta po përgatiteshin për të vrarë Enverin“, dhe kjo mjaftonte për t’i rrasur në birucë e për të mos i nxjerrë më kurrë prej andej, edhe atëherë kur alibia e atentatit nuk do të vërtetohej.

Në përfundim, po dua të them edhe diç tjetër: Kam qenë një çerek shekulli mësuses dhe u kam folur nxënësvet të mi për Kosovën dhe viset e tjerë shqiptarë nën Jugosllavi, sa herë që më është dhënë rasti. Askush nuk më ka ndalur. Kam çuar recitues në Girokastër, të cilët me recitimet e tyre zgjonin mall për vendet e paçliruar dhe askush s’më ka ndalur. Përkundrazi, kemi fituar çmime. Në vitin 1982 i kam dërguar Enver Hoxhës, jo letër, siç ndodhte zakonisht, por libër 100-faqesh, në të cilin mbi 30 herë kam treguar të zezë mbi të bardhë se „kështu nuk bëhet socializmi“. Dhe nuk më tha askush asnjë fjalë të keqe, jo më të më shpallnin armik. (E publkiova atë libër në vitin 2017, si pjesë të një libri 380-faqesh, me titull “Rrnoj edhe unë për me tregue“.)

Dua të them edhe diç tjetër në fund të këtij shkrimi: Namik Lucin e ka çorientuar dhe pastaj arrestuar dhe dënuar, jo ai që e kish bërë inxhinier dhe që e thërriste për ndihmë kudo ku kish nevojë për dituritë e tija, por ai të cilit i vinte keq që Namik Luci, duke qenë një specialist shumë i zoti dhe atdhetar i madh, po e ndihmonte fuqishëm zhvillimin dhe funksionimin e industrisë kimike në këtë pjesë të Shqipërisë. Jam unë dëshmitar që ia kam parë Namikut gishtat, të djegur prej acidit sulfurik deri në kockë!

Për ta konkretizuar edhe më qartë këtë që thashë, le të shtrojmë edhe këto pyetje: Kombinatin e Laçit, ku Namiku shkriu një pjesë të jetës, kush e ndërtoi dhe kush e shkatërroi?! E ndërtoi RPSSH-ja e udhëhequr nga Enver Hoxha dhe e shkatërroi, pa dyshim, një forcë antishqiptare, e njëjta forcë që ia kish hequr atij Kombinati inxhinierin e saj më të mirë, Namik Lucin. 

Dhe unë jam dëshmitar që, mbas daljes nga burgu, Namik Luci po punonte me mish e me shpirt për ta mbajur më këmbë atë Kombinat. Prandaj dhe dyshoj shumë që Namik Lucin e kanë asgjësuar (ndoshta helmuar) pikërisht ata të cilëvet nuk u duhej një atdhetar i pakorrigjueshëm. Unë jam dëshmitar që Leno Luci, bashkërortja e Namik Lucit dhe bijë e një atdhetari shumë të nderuar të Jugut tonë, kur tentoi të ndalte pushtimin dhe shkatërrimin e repartit të tankevet, që gjendej në territorin ku ajo ish Kryetare e Këshillit të Rrethit, asaj iu tha në telefon: „Po ty ç’të duhet që merresh me atë punë?!“ Ata ishin shkatërruesit e Shqipërisë, po edhe të familjes Luci, e cila fatkeqësisht, nuk mundi t’u shpëtojë kurthevet.

Përfundimisht, ta mbyllim kështu: Është e nevojshme që të evidentohet cilët kanë qenë dëshmitarët në gjyqin që është zhvilluar kundër grupit të Namik Lucit. Duhen parë dhe analizuar krejt dokumentet e atij gjyqi dhe ajo analizë, mendoj unë, do ta përforconte bindshëm pohimin tim që, në krejt ato punë të ulëta ka vepruar dora e zgjatur e Beogradit. Le ta kryejnë këtë punë gazetarët investigues, me që dikush e paska quajtur të nevojshme t’i rikthehet kësaj ngjarjeje 20 vjet mbas vdekjes enigmatike të Namik Lucit! Gjithsesi, do të vijë një kohë që, edhe Namik Luci, edhe Istref Këlmendi, edhe Selim Këlmendi, do të konsiderohen viktima të një konspiracioni të shëmtuar antishqiptar. Ata do të kujtohen me keqardhje të thellë, shoqëruar me porosinë jetike drejtuar të gjithë brezavet: Shqiptarë, kini kujdes! Mos bini viktima të atyre që kanë dashur dhe po duan të na shfarosin!

 

26 dhjetor 2019.             Gjokë Dabaj.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: Ofensiva e verës kundër UÇK-së prej 21 deri në 24 gusht të vitit 1998 II

Përpjekjet titanike për të ju rezistuar forcave armike duke i mbrojtur popullatën në male dhe ...