Greqia ankohet pse “Gurët e Filatit” të Çamërisë janë vendosur në sheshin ‘Skënderbeu” të Tiranës (!)

Greqia ankohet pse “Gurët e Filatit” të Çamërisë janë vendosur në sheshin ‘Skënderbeu” të Tiranës (!)

Ambasada greke në Shqipëri ka paraqitur ankesë në Bashkinë e Tiranës, pasi në Sheshin Skënderbej janë vendosur disa gurë që janë marrë nga Filati i Çamërisë. Zyrtarja e lartë e PDIU-së, Vjollca Braho e ka cilësuar të turpshme ankesën e Greqisë drejtuar Bashkisë së Tiranës. Braho u shpreh se këto lëvizje e bëjnë më të fortë nismën dhe qëndresën e PDIU-së që atdheu është mbi gjithçka dhe nuk mund ta lëmë më të nëpërkëmbet fati i tij.

Ndërkohë PDIU doli me një deklaratë për mediat.

“Ankimi i bërë nga ambasadorja e Greqisë për vendosjen e gurëve të Filatit nga krahina shqiptare e Çamërisë në sheshin Skënderbej është jo vetëm një ndërhyrje e ulët në punët e brendshme të Shqipërisë, por edhe një fyerje ndaj historisë së kombit shqiptar. Në sheshin që mban emrin e heroit tonë kombëtar janë vendosur gurë nga të katërta anët e trungut etnik shqiptar dhe kuptohet që Çamëria është pjesë e pamohueshme e historisë së kombit tonë. Përpos kësaj, më habit se si gojë Greqia të ankohet, kur dihet që jo vetëm ka gllabëruar trojet etnike shqiptare dhe mohon të drejtat e pakicave etnike por ka ushqyer vazhdimisht pretendime të tjera ndaj territorit shqiptar. Mjafton të shikohen emrat e qyteteve të Republikës së Shqipërisë të gdhendur në murin e Parlamentit në sheshin Sintagma të Athinës për të kuptuar që oreksi shovinist i Megali Idesë vazhdon të jetë gjallë në politikën greke. Prandaj i bëj thirrje ambasadores greke, që të heqë dorë nga çdo përpjekje për të fshehur të vërtetën apo për të shtrembëruar historinë e Çamërisë, dhe të pranojë njëherë e mirë që ai truall që është zaptuar dhunshëm nga shteti grek, ka të zotët e vetë, dhe ata janë shqiptarë,” thuhet në deklaratë.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …