driloni com
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Hajzer Xhemail Rexhepi (25.4.1974 – 14.4.1999)
Hajzer Xhemail Rexhepi (25.4.1974 – 14.4.1999)

Hajzer Xhemail Rexhepi (25.4.1974 – 14.4.1999)

Hajzer Rexhepi u lind më 25. 4. 1974 në Korroticë të Poshtme të Drenasit, nga prindërit Xhemail e Mirfie Rexhepi, të cilët sollën në jetë tetë fëmijë: Hajrien, Selvien, Mirshahen, Hajzerin, Bujarin, Ekremin, Nehatin dhe Beratin. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse të mesmen në gjimnazin”Skënderbeu” në Drenas. Pas përfundimit të gjimnazit u angazhua me punë në një ndërmarrje të materialit ndërtimor, që ishte pronë e familjes.

Ndonëse me moshë mjaft i ri, më 31 janar 1990 Hajzeri merr pjesë në protestat gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci, ku në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, nga policia jugosllave u vranë tre pjesëmarrësit e demonstratës: Shani Morina, Sahit Shala dhe Enver Morina, ndërsa në mesin e të plagosurve përveç Sokol Elshanit ishte edhe djali i axhës së Hajzerit, Bejta, i cili po ashtu ishte pjesëtar i UÇK-së dhe sot dëshmor i lirisë. Brutaliteti dhe dhuna e shfrenuar e milicisë serbe kundër protestuesve, Hajzerin e ri e kishin mbushur plot mllef e urrejtje ndaj pushtuesit.

Gjatë viteve në vijim, situata në Drenicë e kudo në Kosovë po bëhej gjithnjë e më dramatike. Dhuna dhe terrori serb po përshkallëzohej dita më ditë për të kulmuar më 28. 2. 1998, kur në shenjë hakmarrjeje për sulmin mbi patrullën e milicisë serbe në Likoshan e Çirez, serbët masakruan disa pjesëtarë të familjes Ahmeti, Rexhepi, Sejdiu, Nebihu dhe të tjerë. Njëzetekatër burra, gra, pleq e fëmijë të vrarë dhe të masakruar në Likoshan e Çirez ishte bilanci i asaj dite të përgjakshme që ngriti në këmbë një popull të tërë. Kthesa historike ndodhi në Epopenë e Prekazit, ku komandanti Adem Jashari u flijua me pjesën më të madhe të familjes së tij, pas të cilës ngjarje një grup i të rinjve, në mesin e tyre edhe Hajzeri, u organizuan për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të anëtarëve të rënë të kësaj familjeje emblematike. Përkundër rrahjeve dhe maltretimeve që përjetoi Hajzeri me shokë nga milicia serbe në Polac të Skënderajt, nuk u zmbraps nga rruga për ku ishte nisur. Ishte e qartë se tashmë lufta Çlirimtare kundër forcave serbe kishte filluar. Bejtë Rexhepi dhe Ajvaz Berisha vendosën pikën ushtarake në Vasilevë. Fillimisht pika quhej ”Diamanti” e cila u ngarkua edhe me detyrat ushtarake për intervenime të shpejta. Komandant i saj u zgjodh Ajvaz Berisha, kurse zëvendës i tij, Bejtë Rexhepi. Hajzeri ehe pse shfaqi gatishmërinë që të radhitej menjëherë në radhët e UÇK-së, me sugjerimin e Ajvaz Berishës ai duhej të vazhdonte edhe më tutje të merrej me furnizim të kësaj pike me karburante dhe gjëra të tjera të nevojshme. Me propozimin e Xhevë LLadrovcit, pika “Diamanti” u emërua “Shkaba 4” që mori në përgjegjësi fshatrat Vasilevë, Korroticë e Ulët, Poklek i ri, Poklek i Vjetër, Korroticë e Epërme dhe Zabel i Poshtëm.

Pas ristrukturimit të formacioneve të UÇK-së, u formua Toga e II-të, e Kompanisë së Parë të Batalioni të Parë të Brigadës 114 të Zonë Operative e Drenicës. Për luftëtarët e lirisë, Hajzeri nuk kurseu asnjëherë. Edhe gjatë luftimeve 20-orëshe në Bardh të Madh, ai për asnjë çast nuk u ndal së furnizuari me karburante dhe gjëra të tjera logjistike. Më 10.7.1998 Hajzeri u inkuadrua në radhët e UÇK-së si pjesëtar i rregullt i saj. I armatosur me pushkë gjysmautomatike, Hajzeri merr detyra të tjera konkrete, kryesisht në përcjelljen e civilëve nga një zonë në tjetrën, ndihmoi të plagosurit dhe mirrej me sigurimin e terrenit gjatë lëvizjeve nga një pikë në tjetren. Më 12. 2. 1999, nga militarët serbë, atij i vritet djali i vëllait, Rexhep Rexhepi. Etja për hakmarrje sa vinte e shtohej. Vetëm dy ditë më vonë, te “Pishat e Sllatinës” i bashkohet pjesëtarit të “Tigrave të Zinj” Bejtë Rexhepit dhe luftëtarëve të tjerë në asgjësimin e makinës serbe përplot me militarë serbë.

Pas fillimit të bombardimeve nga aviacioni i NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe, sulmet e militarëve serbë ndaj pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile u intensifikuan. Megjithë mungesën e armatimit adekuat dhe municionit të mjaftueshëm, Hajzeri asnjëherë nuk iu nda bashkëluftëtarëve.

Më 14. 4. 1999, gjatë gjithë paraditës u zhvilluan luftimet në një rreze të gjerë veprimi. Derisa avionët e NATO-s sulmonin nga ajri, luftëtarët e lirisë po e dëbonin armikun përtej bjeshkëve. Terreni po kontrollohej hap pas hapi, dhe kur tashmë besohej se kjo betejë ishte fituar, te vendi i quajtur “Bregu i Sukës ”papritmas gjashtë luftë- tarët e lirisë, pjesëtarët e UÇK-së hasin në një formacion të militarëve serbë.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, në fushën e nderit dhe lavdisë bien Hajzer Rexhepi, Bejtë Rexhepi, Naim Tiku, Mehdi Hoxha, Fazli Qerkini dhe Agron Berisha.

Rreth mesnatës, bashkëluftëtarët arrijnë që trupat e dëshmorëve t’i tërheqin dhe ta organizojnë varrimin në Paklek të Vjetër në vendin e quajtur “Rreze”, kurse rivarrimi i dëshmorëve të 14 prillit u bë në Polac, aty ku pushojnë edhe trupat e shumë dëshmorëve të tjerë të rënë në frontet e luftimit anëkend Kosovës.

Hajzer Rexhepi nuk ka qenë i martuar.

Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Drenas dhe Kuvendi komunal i këtij qyteti, për të nderuar figurën e dëshmorit të lirisë Hajzer Rexhepi dhe sakrificën e tij, familjes së Hajzerit i kanë dhënë mirënjohje dhe falenderime, kurse për ta përjetësuar emrin e dëshmorit, Komisioni për emërimin e shesheve dhe rrugëve të komunës, një rruge të komunës ia ka vënë emrin e dëshmorit Hajzer Rexhepi. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Burim Zenun Hamza (18.5.1981 – 5.7.1998)

Burim Zenun Hamza (18.5.1981 – 5.7.1998)

Dëshmori i kombit Burim Hamza, u lind më 18 maj të vitit 1981, në fshatin ...