Brickos

Hamdi Hysuka: Mbresa, kujtime e krijime letrare për Dritëro Agollin

Hamdi Hysuka: Mbresa, kujtime e krijime letrare për Dritëro Agollin

Është nder i veçantë për anëtarët e Shoqatës “Bashkimit i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, anëtare e Unionit Ballkanik, që në radhët e saj është pranuar shkrimtari Dritero Agolli. Që prej 13 tetorit të vitit 2016 ai është dhe mbetet Nderi i kësaj Shoqate. Për të nderuar personalitetin e tij u zhvillua një konkurs letrar, me të cilin u përgatit dhe u hodh në qarkullim vëllimi “Dritë nga Driteroi”, me poezi, mbresa, kujtime dhe shkrime të tjera, botim i Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, përgatitur nga kryetari i saj, Faik Xhani

Mbresat dhe kujtimet për Dritero Agollin nisin me fragmente nga libri “Liriku i tokës, demoni i fjalës” i autorit Moikom Zeqo, një ndër miqtë më të afërm të Dritëro Agollit dhe vazhdojnë me regjizorin Piro Milkani. Pastaj Marash Hajati zbulon anë të panjohura të jetës studentore të shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, ku ai ishte student në Rusi në vitet ‘50. Për të rinjtë shqiptarë që kapërcenin për herë të parë kufijtë e vendit të tyre, nuk ishte e lehtë të përshtateshin me dimrin e acartë rus, as me mentalitetin ndryshe nga ai shqiptar.

Në vazhdim bashkëshortja Sadije tregon për Ninën, rusen, gruan e parë të Driteroit. Sadija nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do t’ia zinte vendin dhe do të bëhej zonjë në shtëpinë e Agollëve.

Në libër, nga dorëshkrimet e rralla të Dritero Agollit, zbulohen momentet e Kongresit të 10-të të Partisë së Punës dhe lindjes së Partisë Socialiste. Sipas tij, Partia Socialiste nuk ka themelues, sepse ka vetëm ndryshim emri. Sa për themelimin dhe ndryshimet thelbësore, thotë se ato i bëri koha. Siç shprehet politikani Gramoz Ruçi, kur fliste Dritero Agolli, të gjithë dëgjonim. Megjithëse kundër linjës politike, askush nuk guxonte ta kundërshtonte. Madje, pohon z. Ruçi, Driteroi ishte i pari që hoqi bustin e Enverit, se mendja e Dritero Agollit shkurtoi ditët e sistemit që kemi lënë pas.

Pasi u vendos pluralizmi, -shkruan z. Gramoz, -të gjithë u turrën për ta quajtur veten njeri më demokrat se tjetri, por vetëm një fjali e Driteroit i uli të gjithë në gjunjë, kur tha se “të gjitha partitë shqiptare kanë dalë nga mitra e përgjakur e PPSH-së”!

Edhe shtypi botëror ka bërë vlerësime për Dritero Agollin. Romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e quan vepër të formatit botëror, roman satirik brilant që pasuroi letërsinë botërore, sepse Zyloja dhe Demka janë figura që kalojnë kufijtë e ngushtë kohorë dhe ato gjeografikë. Vepra kryesore të Agollit janë përkthyer në Bullgari, Francë, Gjermani, Rusi, Itali, Kinë, Maqedoni, Danimarkë, Siri, Itali, Greqi, Suedi, Norvegji, Portugali, Bjellorusi, Spanjë, SHBA, Japoni etj.

 

  • • •

 

Lot, dhimbje, buqeta me lule, kurora… nga Shqipëria, Kosova, rajoni i Ballkanit e më gjërë vërshuan kur iu dha lamtumira. Secili lotoi, secili tha fjalën e zemrës, midis tyre: politikanë, shtetarë, akademikë, shkrimtarë, artistë, njerëz të thjeshtë…

Lexojmë në një intervistë të tij, ku tregon për ata që janë lëpirë nga komunizmi dhe sot thonë se janë kafshuar, fshehin dhe redaktojnë biografinë.

-Krijimtaria ime ka ecur në dy kohë, në kohën e socializmit e të demokracisë. Në të dyja këto kohë unë kam ruajtur të njëjtin stil, veçse i kam pasuruar mjetet shprehëse brenda sistemit tim figurativ. Unë nuk jam nga ata që hidhen hu më hu. Ngaherë i jam përmbajtur këshillës së popullit: Po të hidhesh hu më hu, njëri të hyn… Në të dyja kohët unë kam pasqyruar në letërsi raportet njerëzore dhe nuk jam tërhequr prej hunde nga moda.

Arkivat vazhdojnë të flasin për të urtin dhe të madhin Dritero. Ai na gjindet pranë me librat dhe veprën e tij, mjafton që të kemi dëshirën e madhe, mirënjohjen e thellë dhe vullnetin e fortë për ta lexuar e studiuar.

Pedagogu Ymer Çiraku e quan Agollin “Pelegrini i shpirtit shqiptar”, i cili, në harkun e mbi gjysmë shekulli, i është falur e përkushtuar me devocionin e besimtarit shtegtimit, apo udhës, drejt botës shqiptare.

 

  • • •

 

Të shumta janë mbresat, kujtimet dhe krijimet për Driteroin. Në vëllimin “Dritë nga Driteroi” vështrime letrare botojnë arbëreshi Matteo Mandala, akademik Rexhep Qosja, Ymer Minxhozi, Zija Çela, prof. dr. Shyqiri Galica, Hamdi Hysuka, prof. Murat Gecaj, Hyqmet Hasko, Flori Bruçi, Fatime Kulli dhe bashkëshortja Sadije Agolli.

Objekt i shkrimit të arbëreshit Matteo Mandala është kujtimi i një takimi të largët tre dhjetëvjeçarë. Atë ditë arbëreshët ia kishin dalë t’i bashkonin shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Greqisë dhe albanologë të shquar… Aty Agolli pohoi se “fenomeni historik arbëresh është ndër më mbresëlënësit”. Ai u njohu bijve dhe etërve të tij meritën e madhe, se kanë ditur të shkrijnë në një horizont të vetëm dy kauza të kundërta, por konvergjente që mund ta asgjësonin atë bashkësi: asimilimin, nga njëra anë dhe izolimin, nga tjetra. Dhe emri i Dritero Agollit do t’u transmetohej më të rinjve bashkë me njohjen e veprave të tij.

Për akademikun, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli është shumë i çmuar prej historianëve të letërsisë dhe, njëkohësisht, shumë i lexuar dhe shumë i dashur prej lexuesve, sepse është poet, tregimtar, romancier, dramaturg, skenarist, publicist, eseist dhe gojëtar i dalluar, gojëtar i madh në jetën letrare, kulturore, politike, në përgjithësi shoqërore. Në krijimtarinë e tij letrare e publicistike jetojnë të shprehura artistikisht ndjeshmëria dhe mençuria popullore.

“Poet i madh, njeri me gërmë të madhe”. Me këtë titull botohen shënimet e Ymer Minxhozit, sepse thotë që nuk janë të shpeshta rastet kur talenti i madh të përputhet me njeriun kaq popullor e mirëdashës, siç ishte Driteroi. Për ndryshimin e historisë Agolli thotë se është dakort, por jo duke ndryshuar faktet. Nuk redaktohet dokumenti historik. Nuk redaktohen dot ngjarjet që kanë ndodhur. Për shembull, rinia është si një libër që njeriu e shkruan vetëm një herë. Nuk e shkruan dot rininë për së dyti.

Në këtë libër, duke dashur të hyjë drejtpërdrejt në zemrën e prozës së Agollit, shkrimtari Zija Çela pyet veten: Cili është sekreti kryesor, mekanizmi i fshehtë që tregimet dhe romanet e Driteroit e tejkalojnë metodën e kohës kur u shkruan? Si ia doli autori të bënte më finen dhe më të rrezikshmen në vitet kur, prej diktatit politik, shkrimtarët shkruanin të shtrënguar në katrorë të ngushtë, me rregulla më strikte se fusha e shahut? Dhe sërish pyet: Cili është nukli, prej ku vepra e Driteroit shpërndan kaq rrezatim dhe përhapje komunitare? Sipas përgjigjes së tij: “Është qendra e lëvizshme e rrethit, pikërisht pika ku individi takohet me shoqërinë”.

 

Prof. Dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, shkruan:

 

“Kosova dhe viset e tjera nën thundrën e robërisë kërkonin lirinë dhe sikur prisnin vargun e fuqishëm të poetit për ta realizuar atë. Ai (Agolli) në horizont shihte shkëndijat e lirisë dhe sakrificat e shumta për ‘të, por edhe nevojën për ta ndryshuar realitetin. Frymën e lirisë që mungonte në trojet e pushtuara, Agolli e nuhat si erën e bukës dhe e përjetonte si njeri e artist, mbi të gjitha si shqiptar”.

Ndërsa për mua, Hamdi Hysukën, Agolli është i të gjithëve. Edhe pse nuk ke lidhje gjaku me ‘të, e ke tëndin, e ke mik. Vendlindje ai ka kombin. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe organet letrare të kohës Dritero Agolli solli emrat e njohur: Rudolf Marku, Skënder Buçpapaj, Adem Istrefi, Thanas Jorgji, Teodor Keko, Bardhyl Londo, Aurel Plasari, Zija Çela, Xhezair Abazi, Hysen Sinani, Besnik Mustafaj e Lazër Stani.

Përmes vargjeve në vëllimin e fundit poetik “Më prit edhe pak”, Agolli tallet me pleqërinë dhe vdekjen, duke shënuar variantin për epitaf që donte t’i shkruanin mbi varr (citoj):

 

Përjetësisht këtu fle Driteroi

me etërit, gjyshërit dhe shokët pranë,

të mira bëri pak gjersa jetoi,

më tepër mund të bënte, po s’e lanë.

 

Prof. Murat Gecaj, krahas mbresave nga vizitat në shtëpinë e Driteroit, i njeh lexuesit me një “Mirënjohje”, dërguar nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit, në Strugë, me kryetar Nevzat Dokon.

Vepra e Dritero Agollit vazhdon të komunikojë ndjesi dhe emocione. Por Hyqmet Hasko rri e mendon për mungesën e poetit në kafe “Migena”, këtij bardi të madh të lirikës dhe epikës shqiptare, poezisë, prozës, dramatikës, një zë uragan shprese e lirie, që na mësoi dashurinë për letrat, dashurinë për botën e emocioneve dhe vlerave që buruan nga shpirti estetik i botës.

Siç shkruan Flori Bruçi, vepra letrare e Dritero Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Krijimtaria e Agollit vazhdonte rrjedhën e saj, herë e vrullshme, herë e trazuar dhe herë e qetë, -thekson Fatime Kulli, -derisa lumi zuri shtrat nën shkëlqimin e gjuhës së pastër poetike, veshur me kostumin e metaforave dhe derdhet hijshëm në detin krijues, ku koha skaliti me logjikën e arsyes intelektuale portretin poetik të Dritero Agollit, poetit më të dashur e më të lexuar nga të gjitha moshat. Veprat e Agollit i mbijetuan kohës së ndryshimit, se ato mbartin vlera të mirëfillta të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

 

Në këtë libër të pathënat e dashurisë 55-vjeçare bashkëshortja Sadije nuk nguron t’i thotë

“Unë jetoj ditë për ditë dhe orë për orë me Driteroin, ditën dhe natën, prandaj kam dhe pagjumësi të vazhdueshme, pasi në çdo moment e ndjej se është pranë meje. Edhe në varreza kam shkuar më rrallë, se më duket sikur e le vetëm në shtëpi dhe do të më kërkojë. Janë mbi gjysëm shekulli që kemi qenë gjithnjë me njëri-tjetrin, kemi biseduar, kemi qeshur, jemi përlotur, jemi grindur, jemi përkëdhelur, kemi diskutuar e debatuar… Nuk po arrij të mësohem, të ambjentohem me këtë realitet, që është krejti ri për mua.

Në përmbledhjen “Dritë nga Driteroi” numri i poetëve me poezi është 42. Nisin me poetin Arben Duka, vazhdojnë Nikolla Spathari, Faik Xhani, Hamdi Hysuka, Mevlud Buci, Qemal Cenaj, Shqiponja Panajoti, Kristina Dojçe, Hatixhe Erebara, Mirvete Kabashi, Agim Desku, Basir Bushkashi, Bajram Canameti, Isuf Çipi, Islam Balaj, Halim Laçi, Nuredin Lusha, Dodona Qose, Pëllumb Ahmeti, Shaban Geclila, Ilmi Tahiri, Eda Miri, Adile Baleta, Xhemile Adili, Skënder Braka, Ilir Balili, Dije Lohja, Vladimir Muça, Hysen Hysa, Murat V. Gashi, Lola Shehi, Agron Calliku, Sabrije Selimaj, Qazim D. Shehu, Flora Agolli, Eli Kanina, Kasam Shaqirvela, Trëndafile Molla, Mevlyde Mezini (Saraçi), Mëhill Marku, Lumo Kolleshi dhe përfundojnë me të ndjerin Hysni Milloshi.

 

Himni i poetit Arben Duka për Dritero Agollin s’pranon koment. Ja se si i këndon:

 

Shikoj majën ku je ngjitur,

majën që kam parë gjithë jetën,

dhe aspak s’jam i çuditur,

pse aty je krejt i vetëm!

 

Poeti Nikolla Spathari, nëpërmjet vargjeve, i uron gëzuar poetit Dritero:

Gjithë jetën ta zunë në fyt

atë gotë të shkretë me raki,

ajo peshonte më rëndë nëpër kafenè dhe zyra,

se dhjetra vëllime me poezi.

Pije me fund, se s’u bë qameti,

do na marrin të keqen, ta them unë,

vitet dhe shëndeti…

Ndërsa për mua sinqerisht Agolli s’e ka vdekjen të vërtetë:

S’më lejohet të derdh lot

ngaqë ti ndërrove jetë,

s’të besoj dhe nuk them kot,

s’e ke vdekjen të vërtetë.

T’u përflakën togje vargjesh,

yll i kaltër ndrin mes qiellit,

flas me librat, s’ke pse tallesh

pakëz dritë i jep dhe diellit.

 

Kristina Dojçe thotë se “të jesh pa Driteroin qenka e vështirë”:

 

Nga dera e kafenesë rri e vështroj,

kafen dhe një gotë uji rrufis e vetmuar,

ka kohë që s’po vjen më Driteroi

në kafenë “Petrela” zhurmë zhurmuar.

 

Poeti Basir Bushkashi ndjehet i zemëruar me disa që Driteroin e sulmuan. Për ata të mjerë ka këtë përgjigje:

 

Po ti, Dritero, veç Dritero

aq mendjehollë, aq fjalëar

aq i përkorë, aq madhështor

sa dhe malet të ndjejnë rival.

 

Në lamtumirën për Driteroin, Trëndafile Molla (Baja) shkruan:

 

Sot për ty gjithë Shqipëria qan,

është në vaj e është në zi,

ashtu si ndahet fëmija nga nëna,

dhimbja e madhe është sot për ty.

 

-Mos ik, Dritero! -thërret poeti Lumo Kolleshi:

Mos ik, se ca ferra s’i kemi prerë mbi gërmadha

se ca fjalë të egra në buzë s’i kemi zbutur,

se ca koka të mykura, të thara

ende i kemi peshqesh nga karvani yt i mundur.

Mos ik, se atdheun s’e kemi bërë ende të bukur!

 

Për Hysni Milloshin poeti Dritero Agolli është gjení:

 

Sa krenari prej kombit mori,

sa krenari kombit i dha,

ky bardi Dritero Agolli,

ky lumë flori që s’u thá.

Tani gjeniu i Devollit

këmbëkryq ka zënë vendin,

mu në ballë të Panteonit

tok me Naimin e Migjenin.

 

Dritero Agolli është një nga ata që i ka dhënë emrin kohës dhe jo koha emrin atij. Ndaj në mbyllje të librit “Dritë nga Driteroi” renditen fakte nga jeta e burrit të mençur, që nga dëshira e tij e parë për t’u bërë veteriner, poezitë e para në “Zërin e Rinisë”, studimet në Shën-Petërburg, familja, por dhe bëmat e kohës, pa të cilat një njeri si Agolli nuk mund të imagjinohet.

 

  • • •

 

Zemra e Driteroit vazhdon akoma të punojë, fryma e tij vazhdon të gjallojë dhe vepra e tij vazhdon të dritërojë mendjet e shqiptarëve kudo ku banojnë e jetojnë. Ai vazhdon të jetë midis nesh me librat, poezitë, filmat… Driteroi veç dritëron! Ja sepse dhe anëtarët e Shoqatës “BPPSH”, do të kenë përherë mirënjohje, dashuri dhe vullnet për ta lexuar e studiuar veprën shumë dimensionale të Dritero Agollit.

 

Hamdi Hysuka: kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, Mat

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …