vipa
driloni com
Fillimi / Dëshmorët / Hamdi Ismet Krasniqi (13.3.1966 – 13.5.1999)
Hamdi Ismet Krasniqi (13.3.1966 – 13.5.1999)

Hamdi Ismet Krasniqi (13.3.1966 – 13.5.1999)

Hamdi Krasniqi ka lindur më 13 mars 1966, në fshatin Trimor (ish-Zhilivodë) të komunës së Vushtrrisë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e ka mbaruar në Kastriot (ish-Obiliq ). Më vonë ka vazhduar studimet në Shkollën e Lartë Teknike, në Mitrovicë.
Hamdiu rrjedh nga një familje fshatare, me tradita patriotike. Atdhedashuria në këtë familje u trashëgua brez pas brezi. Heroizëm, trimëri dhe atdhedashuri kishte treguar gjyshi i tij, Shaqiri me të vëllanë, Hamdiun, emrin e të cilit e trashëgoi dëshmori, emër të cilin e mbajti me nder dhe krenari. Bashkë me emrin ai trashëgoi edhe trimërinë e patriotizmin, duke e çuar në vend amanetin e të parëve të tij.
Gjyshi, Shaqiri, me të vëllanë, Hamdiun dhe kushërinjtë Rexhepin, Dautin, Hasanin dhe Dushin, gjatë viteve 1941- 1945 kishin zhvilluar shumë aksione kundër brigadave serb e sllave rreth maleve të Qyqavicës dhe Drenicës duke vrarë shumë çetnikë serbë, derisa bie heroikisht, duke luftuar ballë për ballë kundër forcave partizane të Titos dhe pas një luftimi disaorësh në vendin e quajtur “Te Poillat”, në malet e Qyqavicës.
Qysh nga kjo kohë, familja e Hamdiut kishte qenë në shënjestër të regjimit serb, madje edhe duke ia ndalur të drejtën e shkollimit dhe punësimit, babait të Hamdiut dhe duke e quajtur bir ballisti.
Hamdiu është djali i dytë i Ismetit dhe Dinores, nga 5 djemtë dhe 4 vajzat që kishin ata.
Babai, Ismeti dhe nëna, Dinorja, e kishin shumë të vështirë t’i rrisnin, edukonin dhe shkollonin fëmijët e tyre, pasi që ishin gjithmonë në shënjestër të regjimit serb, megjithatë përkundër vështirësive të mëdha ata arritën që t’i shkollonin dhe t’ua përcillnin amanetin e të parëve, që mos t’i bindeshin asnjëherë dhe për asgjë urdhëresave të pushtuesit serb. Kështu, Hamdiu u rrit dhe edukua me një frymë patriotike.
Ai aktivitetin e tij ilegal e kishte filluar qysh gjatë shkollimit të mesëm, duke marrë pjesë në të gjitha lëvizjet dhe demonstratat që organizoheshin në atë kohë, veçanërisht në demonstratat e vitit 1981 e për ta vazhduar aktivitetin e tij ilegal, deri me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku Hamdiu ishte i radhitur si ushtar i UÇK-së në Brigadën 142 të Zonës Operative të Shalës me veprim në Qyqavicë.
Hamdiu, gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës merr pjesë në të gjitha aksionet që zhvilloheshin kundër paramilitarëve dhe ushtrisë serbe, bashkë me shumë trima dhe djem të Kosovës. Mori pjesë edhe në një aksion që u zhvillua në fshatin Hamidi, më datën 11qershor 1998, ku u zhvillua një betejë e ashpër kundër konvojit të policëve serbë që po bënin përpjekje të depërtonin në fshatrat Zhilivodë, Bivolak, Strofc, Gllovotin dhe në përgjithësi në fshatrat e Artakollit me ç’rast forcat armike pas humbjes në njerëz dhe mjete u detyruan të kthehen mbrapa.
Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ushtar, përpos Hamdiut iu bashkua edhe babai i tij, Ismeti, i cili gjithashtu kishte kontribuar gjatë gjithë luftës së UÇK-së dhe motra, Maberia, e cila ishte radhitur në batalionin e mjekësisë si motër medicinale, në shërimin e ushtarëve të plagosur të UÇK-së. Anëtarët e tjerë të familjes së Hamdiut kontribuan në strehimin, shërimin dhe ushqimin si të ushtarëve të lirisë, po ashtu edhe të popullatës civile.
Bashkëluftëtarët e Hamdiut kanë qenë: Rrahman Rama, Ibrahim Kelmendi, Selver Krasniqi, Sali Krasniqi.
Hamdiu, ka marrë pjesë në vijën e parë të frontit edhe në aksionet kundër paramilitarëve rreth lumit Sitnica, në fshatin Hamidi, pastaj Bardh i Madh dhe Hade. Detyrën dhe betimin e dhënë si ushtar i UÇK-së e tregon gjatë ofensivës së 22 shtatorit të vitit 1998, në vijën e parë të frontit ku forcat ushtarake dhe policore serbe bombarduan me artileri të rëndë të gjitha fshatrat rreth Qyqavicës, Artakollit dhe Drenicës.
Gjatë kësaj ofensive, Hamdiu tregon trimëri të rrallë, duke u përballur me serbët vetëm disa metra larg. Fshati i digjet tërësisht dhe në shenjë hakmarrjeje për humbjet që pësuan, çetnikët vranë dhe masakruan shumë njerëz e në mesin e tyre edhe kushëririn e afërt të Hamdiut, Haxhi Ahmet Krasniqi. Gjatë kësaj ofansive, Hamdiu bashkë me shokët e Brigadës 142, qëndruan në malet e Qyqavicës, duke marrë pjesë edhe në disa aksione të tjera kundër hordhive serbe për t’u transferuar në vitin 1999 me detyrë ushtarake në trevën e Shalës dhe për ta vazhduar misionin e tij si ushtar i UÇK-së deri më 13 maj të vitit 1999, ku gjatë një përleshjeje me forcat ushtarake e policore serbe, bie heroikisht në fshatin, Studime të Vashtrrisë.
Trupi i tij dhe i shumë dëshmorëve të tjerë pushon në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në fshatin Bletajë të Vushtrrisë (ish-Stanoc i Epërm). Hamdiu pas vetes ka lënë babain, Ismetin, nënën Dinoren, motrat: Gyleren, Maberen, Elfijen, Fexherien dhe vëllezërit: Shaqirin, Sadullahun, Nexhatin e Arsimin.
Ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Naim Metë Nimanaj (6.5.1979 - 11.8.1998)

Naim Metë Nimanaj (6.5.1979 – 11.8.1998)

Gllogjani i komunës së Deçanit, i quajtur ndryshe edhe Gllogjani j Rekës, ku lindi, u ...