Hapet rreth 3000 metër kanal kulluese si masë për evitimin e vërshimeve në Ferizaj

Siç edhe ishte zotuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, pas stuhisë së majit që përfshiu dhe vërshoi në shkallë të gjerë Ferizajn, ditë më parë ka filluar aksioni për hapjen e kanaleve kulluese në disa zona të qytetit dhe fshatrave, përkatësisht në rrugën “Ramadan Rexhepi” (në afërsi të kafiterisë “Cosmo”), në afërsi të pishinës “As Petrol”, prapa Shkollës së Mesme Profesionale të Bujqësisë “Zenel Hajdini”, në zonën e vërshuar në fshatin Talinoc i Muhaxherëve, zonën Luboc – Kosinë – Koshare si dhe në hapësira të tjera në fshatra e qytet. Ky aksion po zhvillohet nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, përkatësisht drejtorit Arben Halili. Ekipet e ndërhyrjes janë vazhdimisht në terren edhe këto ditë ku reshjet e shiut, ndonëse jo të intensitetit të lartë, kanë rritur dendësinë. Territori i Ferizajt për nga natyra gjeografike paraqet një zonë jo të vërshueshme, mirëpo vërshimet e fundit kanë vërtetuar se përveç intensitetit të tyre që nuk mbahet mend në dekadat e fundit, ka ndikim edhe faktori njeri, përkatësisht mbyllja e pusetave dhe kanaleve kulluese me mbeturina të ndryshme dhe materiale ndërtimore si dhe prerja e pyjeve. Autoritetet komunale janë në gatishmëri të plotë të ndërhyrjes në rast vërshimesh në zona të caktuara në gjithë territorin e Ferizajt. Vendosmëria e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu që të mbikëqyr drejtpërdrejt punën në hapjen e kanaleve kulluese dhe rritjen e kontrollit dhe ndëshkimin ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm që bllokojnë pusetat dhe kanalet kulluese, apo dëmtojnë pyjet është tregues se qeverisja lokale është jo tolerante ndaj cenimit të sigurisë dhe pronës së qytetarëve për shkak të fajit individual. Ky aksion do të vazhdoj deri në hapjen e plotë të të gjitha kanaleve kulluese të evidentuara nga kompetentët lokal, në mënyrë që të shmangen përmbytjet në zona të caktuara dhe të garantohet siguria dhe prona e qytetarëve ferizajas. Komuna e Ferizajt, apelon tek të gjithë qytetarët që të shtojnë kujdesin ndaj mjediseve të përbashkëta, veçanërisht në mos bllokimin e kanaleve kulluese nga mbeturinat si dhe të denoncojnë tek Inspektorati Komunal dhe organet tjera kompetente rastet e ndotësve të mjedisit dhe dëmtuesve të infrastrukturës e investimeve publike.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.P.K

Komuna e Deçanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.PK. “Nënshkruam kontratën me kompaninë …