Hapet Zyra lokale e RYCO-s në Kosovë

Në ambientet e Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në një ceremoni të organizuar, të martën u hap Zyra Lokale në Kosovë e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (Regional Youth Coopration Office RYCO), ku morën pjesë Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ambasadorë të misioneve diplomatike në Kosovë dhe përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare nga shoqëria civile. Roli i kësaj zyre ka për qëllim bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të forcojë procesin e Berlinit, bashkëpunimin paqësor dhe demokratik në rajon. Me programet e saj të shkëmbimit, RYCO synon të përmirësojë mirëkuptimin reciprok në mes dallimeve kulturore dhe të zhvillojë respekt të ndërsjellë, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për rajonin dhe Evropën midis të rinjve të Ballkanit Perëndimor. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në emër të Qeverisë së Kosovës, shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë për këtë zyrë e cila ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes të rinjve në rajonin e Ballkanit, duke u zotuar se kjo iniciativë është, me përkrahjen edhe të Qeverisë dhe do të jetë e suksesshme. Ndërkaq, ministri Gashi, i cili është edhe anëtar i Bordit të RYCO-s, u shpreh se kjo është një ngjarje e veçantë për të rinjtë e Kosovës, me rastin e hapjes së zyrës edhe në vendin tonë. “Qëllimi parësor i kësaj zyre është arritja e pajtimit dhe miqësisë së popujve të Ballkanit përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimeve rinore në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit. Promovimi i tolerancës, solidaritetit, besimit të ndërsjellë, bashkëpunimeve sociale dhe ekonomike janë disa prej temave që kjo zyre do të synojë, duke pasur në fokus eliminimin e paragjykimeve”, tha ndër të tjera ministri. “Do të shfrytëzoja rastin këtu për një falënderim të veçantë për ndihmën e tyre shtetit të Francës dhe Gjermanisë dhe Zyrës Franko-Gjermane për të Rinj, për një punë të shkëlqyer që kanë bërë nga fillimi i këtij procesi deri në përfundimin e saj” shtoi më tutje ministri. Ndërsa përfaqësuesi i të rinjve të Kosovës në Bordin e RYCO-s, Arianit Jashari, tha se ndër problemet më të madha me të cilat përballen të rinjtë janë papunësia dhe qarkullimi i lirë pa viza në Bashkimin Evropian. Në këtë ceremoni hapëse folën edhe ambasadorët e Gjermanisë dhe Austrisë në Kosovë, të cilët u shprehën të kënaqur që shtetet e tyre kanë marrë pjesë dhe ndihmuar një projekt kaq të rëndësishëm të rinjtë e rajonit. Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i RYCO, Djuro Blanusa, u shprehu falënderimin të gjithë aktorëve dhe partnerëve që bënë të mundur hapjen e zyrës lokale edhe në Prishtinë pas asaj në Malin e Zi, duke e zgjeruar kësisoj rrjetin e zyrave të RYCO-s në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), si mekanizëm rajonal, i themeluar nga gjashtë qeveritë e Ballkanit Perëndimor (Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria) në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile. Aktualisht RYCO është në fazën e hapjes zyrtare së Zyrave Lokale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

Shqiponja (Jabllanica) e Dushkajës festoi 25-vjetorin e çlirimit dhe nderoi veprën atdhetare të të rënëve në luftën për liri

Shqiponja (Jabllanica) e Dushkajës – kjo fole e atdhetadashurisë dhe dëshmi e qëndresës së pamposhtur …