Hilë Lushaku: Arben Ujka ishte stolia e radhëve të policisë shqiptare

 


Sivjet mbushen 16 vjet nga dita kur Arben Ujka u nda nga jeta, nga ajo ditë e zezë, më e zezë se nata, që solli një vdekje të kobshme, të cilën as qyqja e bjeshkëve të Kelmendit nuk mundi ta qajë. Më 22 gusht 1993, rreth orës 22 të mbrëmjes, Arben Ujka 22 vjeçar, i plagosur nga një plumb poshtë kraharorit, ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Shkodrës. Për njerëzit e fisit Ujka, për shokët e miqtë, për ata që qenë pranë tij në ato momente, e veçanërisht për punonjësit e policisë të repartit special “Renea”, kjo datë do të mbetet e paharruar në përjetësi. Për ata që sot janë të rinj në polici ky emër mund të mos njihet, fatkeqësisht mund të mos jetë dëgjuar, natyrisht se ata, ahere, qenë 5 apo 10-vjeçarë. Është detyrë e jonë, bashkëkohësve të Arbenit të përjetshëm, të mbajmë të gjallë emrin dhe lavdinë e tij. Deri kur shkrova librin “I përjetshmi Arben Ujka”, më 1998, kam pasur një ndrydhje në krahëror, një brengë që më sillte një ndjenjë shkumëzimi e vlimi për të përjetësuar realisht djaloshin që humbi jetën tragjikisht, por heroikisht, kur ishte në lulen e rinisë. Edhe sot, si ish komandant i Renea-s në atë kohë, ndjehem i obliguar për të shkruar e kujtuar me dhimbje, për të mbajtur të gjallë heroikën e tij e të policëve të rënë në detyrë.

Jetëshkrimi

Arben Ujka u lind më 25 janar 1971, në Baks-Rrjoll, Velipojë, Shkodër. Prindërit e pagëzuan me emrin Arben, jashtë dëshirës së tyre, duke e gjykuar si emër jo të besimit të shenjtë katolik, ndonëse kishin dëshiruar emrin Vangjel ose Albert. Arbeni rrjedh prej një familjeje malësore, nga Velipoja e Vermoshit, burrat e të cilës janë përmendur edhe nga i madhi Fishta në Lahutën e Malësisë. I prejardhur prej bjeshkëve të Kelmendit, ai qe shumë i pasionuar për të njohur të kaluarën e të parëve të tij, vrarë e prerë me shkjaun e pabesë, në përpjekje për mbrojtjen e trojeve amtare. Kur ishte i ri, ai mësoi se trojet e të atit janë atje lart, në bjeshkën e artë, afër Javorrit, në Mruz të Vermoshit, në Përbicë e në Jasnicë. U rrit shpejt fizikisht, çfarë ndikoi që arsimin fillor e nisi para kohe, në vitin 1976, në moshën 5 vjeçare. Kur qe fëmijë, ka qenë shumë i lidhur me prindërit dhe i ndihmonte në punët e përditshme të shtëpisë. Mbase kjo i solli edhe fatin që i shpëtoi tërmetit shkatërrimtar të mëngjesit të 15 prillit 1979, kur iu rrënua tërësisht shtëpia, ndërsa ai merrej me punë jashtë saj. Mbasi mbaroi me rezultate të mira arsimin 8-vjeçar, në vendlindje, po aty kreu edhe arsimin e mesëm bujqësor, profil i cili ishte parësor në atë kohë në shkollat e fshatrave. Ndonëse jetoi në fshat, Arbeni qe aktiv në jetën e gjallë të të rinjve. Pas kryerjes së shkollës së mesme punoi një vit në fshat, duke përmbushur detyrimin si të gjithë të rinjtë e asaj kohe, për “t’u edukuar në gjirin e klasës”. Më 4 qershor 1990, në moshën 19 vjeçare, u rekrutua ushtar i shërbimit të detyrueshëm në repartin special të Policisë nr.326, i shquar në atë kohë për kontingjente me sportistë kampionë kombëtarë në lloje të ndryshme sporti, ku spikatnin kryesisht mundësit, peshëngritësit, qitësit, atletët e notarët.
Pati një karantinë ushtarake rraskapitëse, me stërvitje kryesisht taktike, rreshtore e fizike, të cilën e përballoi mrekullisht, ku mori vlerësimet maksimale për cilësitë që shpalosi, sidomos në përpikërinë e përmbushjes së detyrave me disiplinën të lartë. Në këtë periudhë provoi gjëra të papara e të padëgjuara për rregullin strikt ushtarak dhe njohu shumë të rinj, me të cilët do të shërbente në vijimësi. Falë cilësive të tij, pas përfundimit të fazës përgatitore, ai u caktua efektiv në kompaninë e quajtur “sambiste”, me kontingjent ushtarë aktivë. Kur Beni ishte rekrut, më 2 korrik 1990, ndodhi shpërthimi i ambasadave të huaja në Tiranë. Kjo ka qenë periudhë formimi e sprove për sambistin e ri, të cilit natyra i kishte falur bukuri e cilësi fizike të rralla, por edhe intelektin e duhur për të kuptuar se çfarë po ndodhte në Shqipërinë komuniste.
Ai nuk u shkëput asnjë ditë nga rreshtimi organik i nënrepartit të tij, që mori pjesë në shërbime të panumërta për mbajtjen e rivendosjen e rendit në rrethe të ndryshme të vendit, ku dhuna kishte shpërthyer fuqishëm dhe qe bërë e pafre. Ai ka qenë pranë me shokun e tij, Lulzim Salillarin, kur plumbi vrastar ia rrëmbeu nga duart në ngjarjet e Akademisë Ushtarake, në shkurt 1991, kohë kur llava e vullkanit antikomunist shqiptar kishte filluar të derdhej gjithandej. Dita e përfundimit të shërbimit ushtarak ishte ditë diplomimi i Arben Ujkës dhe njëkohësisht edhe ajo e fillimit të punës në repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë nr.714, në Linzë të Tiranës. Në testimin e bërë për plotësimin e normave të qëndrimit në punë, më 10 shkurt 1992, Arben Ujka mori maksimumin e pikëve, plot 100 të mundshme. Në qershor 1992 paraqiti kërkesë për të punuar në Renea (Reparti i Neutralizimit të Elementeve të Armatosur) dhe pas testimeve të bëra, më 15 korrik filloi me zell detyrën e re. Shpejt u përfshi në ekipin e boksit e të sambos, me dëshirën për të konkurruar ndërmjet më të fortëve të specialëve. Natyra i kishte falur cilësi e pamje fizike të papërshkrueshme. Krahas kësaj ai manifestonte qetësi mahnitëse në shërbime dhe sjellje njerëzore. Saktësia e tij në veprime e bëri të përzgjedhurin më të preferuar në shërbimet e vështira.
Janë të panumërta shërbimet e suksesshme ku ai mori pjesë, ndër të cilat mund të përmenden ngjarjet me pengmarrje në Poliçan në korrik 1992, shërbimi në emergjencën e përmbytjeve nga lumi Mat në nëntor 1992, ndërhyrja në minierën e Bulqizës, pjesëmarrja në shumë arrestime të vështira, etj. Për cilësitë e tij morale e fizike dhe përkushtimin e lartë në detyrë, speciali Arben Ujka u përzgjodh nga mjeshtrja e spektakleve të “Miss Albania”, Vera Grabocka si personi më i besuar dhe më i hijshëm fizikisht për të shoqëruar gati dy muaj vajzat e bukurisë shqiptare në konkursin e vitit 1993, ku fitoi simpatinë e të gjitha bukurosheve.

Dhimbje e përjetësim

Të dielën e 22 gushtit, një ngjarje e pazakontë tronditi Dajçin e Bregut të Bunës. Një konflikt i ashpër solli vrasjen e dy personave dhe ndezi sherrin midis dy fiseve. Policia lokale dhe Renea u aktivizuan në shërbim për zgjidhjen e situatës, ku nuk mungoi edhe inspektimi i ministrit të Brendshëm, Agron Musaraj. Arben Ujka shoqëroi ministrin nga Tirana në Shkodër dhe në vijim iu bashkua grupit të tij për kapjen e autorit të ngjarjes. Fati i keq e solli që Arbeni dhe personi në kërkim u përballen befasisht me zjarrin e armëve, duke derdhur breshëri plumbash ndaj njëri-tjetrit, gjatë së cilës Benin e mori një prej tyre poshtë kraharorit, mbi stomak, në qendër të shtyllës kurrizore, madje në një nga enët kryesore të gjakut, që i solli vdekjen e pashmangshme pas disa minutash. Mund të përzgjedhim fjalët më të përsosura artistikisht për ta bërë Arbenin të pavdekshëm teorikisht, por kjo ka vetëm vlerë emocionale. Kryesore është se ai ka 16 vjet që nuk është i gjallë, askush nuk mund ta korrigjojë atë që ndodhi, askush nuk mund ta kthejë të gjallë mbi tokë, dhe ai vazhdon t’u mungojë familjarëve.
Një gur i rëndë peshon dhimbshëm në kraharorin e secilit prej tyre. Ata e dëshironin atë të gjallë midis tyre, t’i gëzonin dasmën, por ua mori kuçedra e krimit në atë gusht kur zakonisht nuk bëhen dasma. E pritën t’u sillte përkrahu nusen fustanbardhë, një shtojzovalle si ato të bjeshkëve të Kelmendit, por shtriga e mortjes e mbërtheu për gjoksi dhe e solli shtrirë, ngrirë akull, në arkivol. Atë krismë që i mori jetën, të afërmit e miqtë e kishin dëshiruar përshëndetje e dhendërrit që po hyn në oborr me nusen, por ajo u solli lajmin e kobshëm.
I pari i fisit të Ujkave mbase nuk e kishte menduar kurrë që Flamuri Kombëtar, simbol i tyre në bjeshkët e Vermoshit, atë ditë do të rrinte shtrirë mbi arkivolin e drunjtë, kur zakoni e ka t’u prijë krushqve. Shokët e miqtë e Benit nuk munden të pinë raki, verë, shampanjë, të gëzohen e të dehen prej qejfit, sikurse kishin ëndërruar për t’u gëzuar e sikur bënin përherë në dasmat e njëri-tjetri. Atë ditë hidhërimi shpirtëror, ku vreri kishte hyrë në çdo qelizë njerëzore, nuk u pi raki si në dasmën malësore, por vetëm kafe e cigare ngushëllimi e inkurajimi. Hareja e vallja e papërmbajtshme malësore i kishin lëshuar vendin heshtjes e mpirjes, ndërsa dollitë e mirësitë u zëvendësuan prej fjalëve ngushëlluese. Arben Ujka, divi i specialeve, i mposhtur ligësisht nga vdekja, nuk arriti kurrë të presë e përcjellë dasmorë.
Ai u mor në krahë nga shokët, për të mos u kthyer kurrë më në banesën ku e lindi nëna, Mrija (sot e ndjerë), pa mundur të djegë shaminë e beqarit, pa marrë dhuratat e shpërndarë tortat e mirësisë. Në mbretërinë e kujes së grave e goditjes së gjokseve nga burrat, që mbyten edhe breshëritë e të shtënave me armë, në nderim të tij, ai u dërgua në strehën e përjetshme, ku mori pushimin e pasosur. Prindërit e përmalluar vunë shenjën e zisë. Vetëm ata e dinë se çfarë dhimbje kanë provuar në shpirt për birin e dashur, kurse të tjerët dinë të flasin, madje të thonë fjalë të bukura, por jo prej zemrës së copëtuar nga brenga. Arben Ujka nuk arriti të gëzojë shokët e vet, nuk u bë kurrë bashkëshort, ndonëse qe shumë i lakmuar e i dëshiruar prej shumë bukurosheve. Ai u mungon fizikisht jo vetëm të afërmve, por edhe shokëve e miqve, të cilët kurrë nuk e kanë harruar. Në çdo 22 gusht ai përkujtohet me respekt e mall nga specialët e Reneas, të cilët përkulen me nderim të lartë mbi varrin e tij, atje ku ai prehet i qetë, në Velipojë, në vendlindjen e tij të dashur. Të gjithë e donim të ishte i gjallë, tashmë 38 vjeçar, por fati e ndau dhimbshëm, duke e lënë të tillë në kujtesën e shpirtin tonë. Ai nuk na la amanete, por sytë e tij shprehin diçka, kërkojnë atë që meritojnë të gjithë të rënët e detyrës. Teksa vështrojmë foton e Benit, në porcelanin e artë, ngjitur mbi pllakën e mermertë, ndjehemi të obliguar edhe ndaj familjarëve të tij. Ai mori padrejtësisht çmimin e vdekjes. Ndonëse Bashkia e Tiranës, me vendim nr. 63, datë 23 gusht 1993 vendosi “Z. Arben Nikoll Ujka të shpallet dëshmor”, prindërit e tij nuk përfitojnë shpërblimin e merituar. Arbeni është i gjallë në Flamurin Kombëtar dhe në Flamurin e Policisë, sepse aty servohet gjaku i të rënëve për atdhe, por kjo nuk është nderim i tij por nderim që ai i ka bërë vendit të tij, dhurata më e shtrenjtë mbi tokë që mund të falë ndokush.

Apel

16 vjetori i përkujtimit të rënies në detyrë të Arben Ujkës më nxit për apel njerëzor, mbasi Shqipëria e përgjakur ka shumë si Arbeni. Sot, kur është komoditet të punosh në Polici, fytyra e gjaku i Arben Ujkës në momentet e plagosjes, të cilat nuk kam për t’i harruar kurrë, më duket sikur më flasin, sikur më kërkojnë diçka që i mungon, sikur apelojnë për më shumë nderim të të rënëve të policisë në detyrë. Këtë duhet të kuptojnë më shumë ata që merren me këtë punë, të kuptojnë jashtë kornizave të politikës, se të rënët e detyrës veprojnë në emër të misionit e përgjegjësive të funksionit që mbajnë, se punonjësit e Policisë gjithnjë janë misionarë të sigurisë publike dhe jo të idealeve të politikës apo besimeve të ndryshme. Si të tillë duhen konsideruar të veçantë, pavarësisht sistemeve politike. E kjo më shtyn të apeloj për respektim e nderim më të madh njerëzor, madje më të organizuar të punonjësve të rënë në detyrë. I bën nder shtetit dhe çdo strukture të qeverisjes vendore, të angazhohen në këtë proces, duke hartuar lista të sakta të të rënëve të policisë, ngritur përmendore, lapidarë apo obeliskë, dhënien e emrave rrugëve ku ata ka rënë në krye të detyrës, emërtimin e institucioneve apo objekteve të ndryshme pranë vendngjarjeve tragjike, hartimin e kalendarëve enciklopedikë, pasqyrimin në muzetë e rretheve e ato të policisë, shkrimin e monografive apo realizimin e dokumentarëve televizivë, etj.
Duke u rezervuar në prezantimin e këtij problemi, kujtoj se të vrarët e të plagosurit nga radhët e Policisë, këto vitet e fundit, kalojnë shifrën 200 vetë, ndonëse e tashmja jonë ka regjistruar vetëm një politikan të vrarë. Koha do ta japë shpjegimin e këtij fakti kur duhet, por le ta dinë brezat kush janë të rënët, le të përjetohet e hidhura mbi tokë, le të qëndrojnë ata në foto dhe të shënohet historia jonë tragjike mbi pllakat e mermerta. Të kulturuarit le të vendosin nga një lule apo trëndafil, të përshëndetin në heshtje ato foto që flasin përjetësisht. Gjykoj se kjo do të jetë një qelizë e memories së kombit, një respekt i vetvetes dhe atyre që u flijuan për ne. Së pari u bëj apel politikanëve shqiptarë, në veçanti atyre ish-policë, që të jenë më të ndjeshëm për ish-kolegët e tyre dhe ndaj të rënëve në detyrë. Ndonjërit dua t’i kujtoj se mund t’i ketë ende rrobat që iu përgjaken nga plaga e Arben Ujkës. Le t’i kujtojnë ato kohë. Nëse kanë harruar kjo është puna e tyre.
Së dyti i bëj apel kryeministrit aktual, ish presidentit të vendit, i cili me dekret nr.636, datë 23.08.1993 ka nderuar të ndjerin Arben Ujka me “Urdhrin e Trimërisë”, duke deklaruar njëkohësisht se: “Figura e policit është e shenjtë dhe kush vë dorë ndaj tij, vë dorë ndaj ligjit”. Teorikisht nuk ka më bukur, më njerëzishëm dhe deklarim më serioz qeveritari, por çfarë është bërë me të rënët e pafund dhe me zgjidhjen e kërkesave njerëzore të familjarëve të tyre?
Dëshiroj t’i sjell në vëmendje kryeministrit se në arkivin e kryeministrisë është një letër që iu kujton paraardhësve të tij: “Shoku kryeministër…djali im është vrarë për këtë qeveri, por me sa duket ju shikoni karrigen tuaj, por mos harroni se ajo karrige është larë me gjak nga djali im dhe gjaku i tij nuk është shpërblyer…”. Besoj se jam i saktë të shënoj se ajo letër mban datën 18.04.2002.
Nisur nga kjo letër e dhimbshme, kur isha ndihmës i kryeministrit Majko, për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, mora guximin e përgatita një memo për të korrigjuar një padrejtësi të periudhës 1991-1999, bërë policëve të rënë në detyrë, familjarëve të tyre, dhe të plagosurve të asaj periudhe. Kryeministri u tregua shumë i ndjeshëm dhe urdhëroi kabinetin e tij për të përgatitur praktikën shkresore për të korrigjuar gabimin njerëzor.
Gabimi nuk qe i të vrarëve apo i familjarëve të tyre, por i shtetarëve, të cilët miratuan vendimin nr. 552, datë 27.11.1999 “Për trajtimin ekonomik-financiar të familjeve të punonjësve të policisë të vrarë apo të plagosur në krye të detyrës”, duke diskriminuar disa prej tyre. Më saktë kjo shpjegohet në memon time të datës 11.07.2002 “Mbi zgjidhjen e kërkesave të pjesëtarëve të familjeve të policëve të vrarë për shkak të detyrës”, dhe në protokollin e kabinetit të kryeministrit të datës 15 korrik 2002, me pjesëmarrjen e zëvendësministrave të Rendit, Drejtësisë e të Financës e të disa drejtorëve të përgjithshëm të tre institucioneve, të cilët ranë dakord në parim për të bërë korrigjimet e duhura.
Në periudhën 1991-1999 janë 135 punonjës policie të regjistruar të vrarë dhe 140 të plagosur (kanë përgatitur dokumentacionin e rregullt për të përfituar trajtimin ekonomik-financiar) si dhe 32 të tjerë të vrarë e 104 të plagosur, por që nuk kanë plotësuar dokumentacionin për të përfituar trajtimin financiar. Asnjë nga kabinetet qeveritare, pas atij “Majko-2” nuk e konsideruan kurrë shqetësimin e drejtë, për t’u dhënë një të drejtë të mohuar familjarëve të të rënëve në detyrë nga radhët e policisë.
Së treti, u bëj apel misionarëve të huaj, atyre që asistuan për shumë vite Policinë shqiptare. Unë nuk mund të harroj kurrë misionarët italianë Dr.Nikolla Simone e të ndjerin Militelo (që u shua në Shqipëri), shefin e parë të MAPE, francezin Labro, danezet Jorgen Hoxer e Lyngbo, kolonelin gjerman Baltez, turkun N. Akinxhi, suedezin Kungberg, amerikanin Denis Mc.night, e të tjerë, të cilët u bashkuan dhe punuan me policët e përgjakur shqiptarë në vitin 1997 e më tej. Nuk besoj se në të gjithë vendet e BE, të llogaritur së bashku, të ketë një statistikë me një shifër të tillë të rënësh në detyrë sa ka Shqipëria në periudhën 1991-2002. Në gjykimin tim kjo shifër lidhet kryesisht jo me ashpërsinë e krimit por me profesionalizmin policor. Në këtë aspekt ka vend për qëndrim të prerë të misionarëve të BE ndaj disa pseudoreformave, veçanërisht në fushën e personelit, ku politika 17 vjeçare shqiptare nuk po rresht politizimin e policisë sipas kaheve të secilës, pavarësisht demagogjisë për reformimin e saj sipas standardeve që ju na keni ofruar. Arben Ujka dhe shokët e tij u flijuan jo për politikanët por për të ardhmen tonë evropiane, për integrimin tonë, aty, ku ju na keni shtrirë çiltërsisht dorën dhe keni investuar miliarda, të cilat gjykoj se nuk i keni të tepërta dhe nuk i hidhni kuturu, pa një llogari të studiuar me kujdes.
Apel u bëj drejtuesve të sindikatës së Policisë, për të bërë më shumë në plotësimin e misionit të saj, në të mirë të policëve shqiptarë, atyre që janë gjallë e atyre që nuk jetojnë. Së fundi i bëj apel këshillit komunal Velipojë, nëse lexon këtë shkrim, t’i bëjë nder Velipojës, të pagëzojë një objekt me emrin e dëshmorit Arben Ujka. Pse jo dhe Shkodra!

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …