Hykmete Bajrami kritikon MASHTI-n për tekstet shkollore: Vetëm pesë ditë para 1 shtatorit, prindërit ende pa mjete

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vonesat në ndarjen e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore, duke ngritur shqetësimin se vetëm pesë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor prindërit ende nuk kanë marrë mbështetjen financiare për sigurimin e librave. Bajrami ka reaguar edhe ndaj deklaratës së ministrit të Arsimit, i cili, sipas saj, u ka bërë thirrje prindërve që të presin me blerjen e teksteve, me arsyetimin se ministria është duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese. “Vetëm pesë ditë deri më 1 shtator! Prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet nga MASHT-i për blerjen e librave. Për më tepër, ministri u ka thënë prindërve: mos i bleni librat, sepse jemi duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese”, ka shkruar ajo. Sipas Bajramit, vonesat krijojnë vështirësi shtesë për familjet, veçanërisht në komunat ku nuk ka librari. Ajo ka theksuar se prindërit në këto zona përballen çdo vit me probleme për sigurimin e të gjitha teksteve, ndërsa shtëpitë botuese, duke qenë biznese private, i shtypin librat në bazë të kërkesës. Deputetja e LDK-së e ka cilësuar situatën si “amatorizëm”, duke argumentuar se sigurimi i teksteve shkollore ka qenë ndër proceset që, sipas saj, ka funksionuar më mirë në sistemin arsimor. Ajo ka shprehur shqetësimin se vonesat e fundit mund t’ua vështirësojnë prindërve sigurimin në kohë të materialeve të nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së

OVL e UÇK-së, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

OVL UÇK, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e …