leoni

Hysni Idriz Dvorani (10.8.1971 – 30.4.1999)

Hysni Idriz Dvorani (10.8.1971 – 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i komunës së Drenasit, që konsiderohet si fshati më i madh i trevës së Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë martirë e dëshmorë. Banorët e këtij fshati që në ditët e para iu kishin bashkuar luftës së UÇK-së të gatshëm për të luftuar, punuar e mbrojtur nga falangat vrastare serbe. Banorët e Qëndresës iu kishin bashkuar luftës çlirimtare që në kushtrimin kuptimplotë të luftës për liri të dhënë nga legjendari Adem Jashari dhe familja e tij heroike e Prekazit. Të frymëzuar nga heroizmi i familjes Jashari ata treguan gatishmëri dhe vendosmëri për të luftuar e për të qëndruar. duke qëndruar e luftuar kundër pushtuesit serb. Nga lagjja Gllareva e Verbocit u martirizuan 26, nga lagjja, Dvorani 14, nga lagjja Gashani 13 e kështu me radhë. E gjatë është lista e të rënëve dhe e të martirizuarve në këtë fshat, ashtu sikur edhe në fshatrat Prekaz, Izbicë, Rezallë, Abri, Paklek, Qikatovë etj. Vetëm në këto gjashtë fshatra të trevës së Drenicës, vrastarët serbë kanë vrarë e kanë masakruar rreth 500 shqiptarë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, burra të moshuar e gra plaka, vajza e nuse të reja, djem të rinj, të mitur e të rritur. Luftës së UÇK-së Qëndresa ia ka dhënë 66 dëshmorë e martirë.
Prindërit e dëshmorit Hysni Dvorani, Idrizi e Eminja lindën dhe rritën gjashtë fëmijët e tyre: Hysniun, Avniun, Veliun, Lumniun, Hakiun dhe Hajrizin. Pesë prej tyre ranë dhe u martirizuan për çlirimin e Kosovës, kurse mbijetoi i gjashti, Hajrizi, bashkë me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët dhe vazhdoi jetën në trungun familjar, i cili u godit mizorisht nga forcat fashiste serbe, në prill të vitit 1999.
Hysniu u lind në fshatin Qëndresë të komunës së Drenasit, më 10 gusht të vitit 1971. Shkollën fillore e kreu në vendlindje.
Me rastin e daljes publike të UÇK-së, ai kishte shfaqur gatishmëri për të luftuar kundër barbarisë serbe, e cila vriste e masakronte shqiptarët liridashës, vetëm pse kërkonin lirinë e tyre dhe shkëputjen nga një regjim i egër dhe fashist e pushtues, sikur ishte Serbia. Në fillim ai i ishte bashkuar pikës ushtarake të UÇK-së në fshatin e tij, e komanduar nga Nexhmedin Dvorani, së bashku me Imer Dvoranin, Nuhi Dvoranin e shumë të tjerë. Kjo pikë në fillim kishte disa pjesëtarë, kryesisht të lagjeve të fshatit por kërkesat për armë nga djalëria atdhetare shtohej nga dita në ditë. Ishin dhjetëra e qindra të rinj të gatshëm për të marrë armët dhe shumë prej tyre, në verë të vitit 1998, ishin nisur për në Shqipëri. Ata në kushte dhe rrethana lufte e granatimi të pandërprerë nga forca policore dhe ushtarake serbe, një kohë kishin qëndruar në Glogjan, nga ku bënin përpjekje të depërtonin në Shqipëri, por për shkak të sulmeve të pandërprera të kryera nga ushtria dhe policia okupatore serbe, ishin detyruar të ktheheshin duarthatë në zonën e Drenicës. Pavarësisht se nuk kishin armë, ata i ndërronin ato në rast të vëzhgimit dhe në rast të ndonjë aksioni. Të edukuar në frymë atdhetare, këta të rinj nuk pranuan të largohen nga atdheu, që ishte përflakur në luftë. Ata, edhe pse pa armë, bredhin nga një pikë në tjetrën duke ofruar forcën dhe vullnetin e tyre të përkushtuar. U angazhuan në çështje logjistike, por edhe në hapjen e istikameve e ndërtimin e bunkerët dhe qëndronin afër luftëtarëve për të ndihmuar të plagosurit apo për të nxjerrë të rënët, në mënyrë që trupat e tyre të mos binin në duart e armikut.
Të angazhuar në ndihmën e pakursyer dhënë luftës së UÇK-së ishin edhe të gjithë vëllezërit e Hysniut: Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu. Ata ndihmuan luftën në të gjitha mënyrat edhe pse nuk kishin armë. Ato ua merrnin bashkëluftëtarëve, në kohën kur ata pushonin dhe me to bënin roje e vëzhgonin terrenin.
Në luftën e UÇK-së nga familja e Idriz Dvoranit kanë qenë të angazhuar Hysniu, Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu, si dhe djem e burra të tjerë nga kjo lagje, e cila luftës së UÇK-së i dha 14 dëshmorë e martirë.
Duke folur për dhunën dhe barbarinë masive që kanë kryer forcat serbe kundër shqiptarëve, babai i dëshmorit Ferat Dvorani, Xhaferi, në shënimet e publikuara të poemës “Pranverë e përgjakur”, shkruan: “Më 30 prill 1999, ditë e premte, u bë rrethimi i trefishtë i Fortesës, ish-Verboc dhe i katundeve përreth. Kishte këtu mbi 15 mijë njerëz të zhvendosur nga pjesët më të rrezikuara. Shumë prej tyre ishin drejtuar për në këtë vend, meqë vetë serbët u kishin thënë: Shkoni në Verboc, sepse atje është zonë e lirë!… Po atë ditë, një ditë pas bombardimit të bazës serbe në Feronikel nga aeroplanët e NATO-s, u pa se grumbullimi i shumë shqiptarëve të paarmatosur (moshash dhe gjinish të ndryshme) ishte bërë me qëllim që këtu të kapen gjallë, të vriten e të pushkatohen. Kështu që për dy ditë u vranë dhe u masakruan mbi 300 shqiptarë, duarthatë dhe kryesisht të moshës rinore”.
Një pjesë e luftëtarëve të lirisë, i ishin bashkuar popullatës civile me qëllim për ta mbrojtur atë, por në kushtet e rrethimit të plotë ata ranë qoftë nga granatat e armikut, qoftë të pushkatuar pasivisht.
Atë ditë nga lagjja Dvorani e fshatit Qëndresë ranë dhe u martirizuan: Nuhi Lan Dvorani, Ferat Xhafer Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe katër vëllezërit e tij, Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu, pastaj xhaxhai i tyre, Mehmeti, si dhe Hazir Lah Dvorani, Nuredin Dvorani e Nazmi Dvorani. Kohë më parë kishin rënë edhe Hetem Dvorani dhe Idriz Dvorani.
Atë ditë, më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Qëndresë ranë dhe u martirizuan: Hysni Idriz Dvorani, i lindur më 10 gusht të vitit 1971; Avni Idriz Dvorani, i lindur më 3 shtator të vitit 1974; Veli Idriz Dvorani, i lindur më 5 janar të vitit 1976; Lumni Idriz Dvorani, i lindur më 8 prill të vitit 1978; Haki Idriz Dvorani, i lindur më 11 prill të vitit 1980; Nuhi Lan Dvorani, i lindur më 15 gusht 1975; Ferat Xhafer Dvorani, i lindur më 2 qershor i968; Imer Fazli Dvorani, i lindur më 2 qershor 1957; Mehmet Murat Dvorani, i më 1954
Hazir Lah Dvorani, 1983; Nuredin Dvorani, i lindur më 1981 dhe Nazmi Dvorani i lindur më 1966.
Kohë më parë ishin martirizuar edhe Hetem Dvorani. Vëllai i pesë dëshmorëve e martirëve, Hajriz Dvorani ka mbijetuar, tok me prindërit, bashkëshorten dhe motrat. Familja e Idriz Dvoranit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Kuvendi komunal i Drenasit dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …