leoni

Lutfi Avdush Musiqi (18.12.1968 - 30.4.1999)

Lutfi Avdush Musiqi (18.12.1968 – 30.4.1999)

Në vitet 30 të shekullit 20, periudhë e njohur në Kosovë si koha e Serbisë së Dytë, familja Musiqi nga fshati Manzë (ish-Sfaraçak) i komunës së Vushtrrisë, si shumë familje të tjera shqiptare, detyrohet të marrë rrugën e shpërnguljes për në Turqi. Siç dihet, kjo shpërngulje ishte pjesë e strategjisë serbe për të përzënë të gjithë shqiptarët nga trojet e tyre të lashta në Kosovë, në mënyrë që ajo të bëhej tokë serbe, apo Stara Serbi. Disa vjet më vonë, kjo familje largohet nga Turqia dhe vendoset në Shqipëri, ku qëndron tri vjet. Mirëpo, siç thonë, guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet, prandaj vendos të kthehet në Kosovë, në vendlindjen prej ku ishte shpërngulur. Pas kthimit, në tokën e saj gjen kolonët uzurpatorë serbë, kështu që detyrohet të ngulitet në fshatin Ceceli. Në Manzë rivendoset në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar.
Më 18 dhjetor të vitit 1968, në këtë familje, prindërve, Avdush e Shehide Musiqi u lind fëmija i pestë, Lutfiu. Ai kishte katër vëllezër, e një motër: Shyqëriun, Sabriun, Enverin, Rexhepin dhe Bahrien. Sikurse që dita e mirë shihet në mëngjes, edhe tiparet e Lutfiut dallohen qëkur ishte i vogël: çapkën, tërheqës, kureshtar dhe shumë inteligjent. Shkalla e lartë e inteligjencës, e mban kureshtjen e tij përherë të zgjuar, duke e bërë të dallohet në mesin e shokëve në shkollë e në studime, por edhe në jetë. Në shkollë, sidomos e tërheqin mësimet e fizikës, matematikës dhe të lëndëve teknike. Duke pasë prirje të theksuar në këto lëndë, gjatë shkollimit të mesëm, merr pjesë në shumë gara mësimore, të cilat në atë kohë zhvilloheshin jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj dhe dallohej në to. I vetëdijshëm për aftësitë e tij intelektuale, ai te vetja shihte shkencëtarin e ardhshëm të shkencave teknike, prandaj në studime zgjedh degën e elektroteknikës, të cilën e kryen me sukses të lartë. Ambiciet e tij në rrugën e shkencës i vazhdon edhe për një kohë të shkurtër, në synim të titullit më të lartë. Mirëpo, titullin e doktorit nuk arrin ta marrë, sepse atë e zëvendëson me titullin më të lartë të nderit, dëshmor i kombit.
Dëshmori Lutfi Musiqi, mësimet fillestare i mori në shkollën fillore “Ali Kelmendi” të Vushtrrisë. Në këtë qytet kreu edhe gjimnazin matematikor, ndërsa fakultetin teknik në Prishtinë. Në personalitetin e tij ishte formuar një ndërgjegje pothuajse e parakohshme, në krahasim me moshën. Kishte shprehi pune dhe ishte i palodhshëm në mësime. Si i tillë, në të gjitha nivelet e shkollimit arrin sukses të shkëlqyeshëm.
Meqenëse në vitet 90 të shekullit të kaluar, Serbia zbatoi ligjet raciste të apartheidit, duke larguar punëtorët shqiptarë nga vendet e tyre të punës, e duke ua mohuar të tjerëve të drejtën për punë, në rrethanat e krijuara, perspektivë nuk kishte as për inxhinierin e ri, Lutfi Musiqi, i cili sapo kishte mbaruar fakultetin. Që të mos bjerrë kohën dhe i etur për të përsosur profesionin e vet, në vitin 1995 vendos të marrë rrugën e mërgimit drejt Perëndimit. Së pari shkon në Norvegji, ku ndodhej duke punuar vëllau i tij, Sabriu. Pas një kohe vendoset në Angli, në Londër dhe meqenëse e zotëronte mirë gjuhën angleze, regjistron studimet për magjistraturë. I apasionuar pas profesionit, temën e magjistraturës e mbron në vitin 1997. Kontributi i tij në trajtimin e kësaj teme në lëmin e elektroteknikës, çmohet lartë nga komisioni vlerësues.
Në vitin 1997, po ashtu zë punë në një kompani të telekomunikacionit elektrik, e cila merrej me projekte të ndryshme elektrike. Në këtë kompani, Lutfiu dëshmon aftësi të theksuara profesionale, prandaj së shpejti tërheq vëmendjen, por edhe respektin e drejtuesve të saj. Mirëpo, as angazhimi në këtë punë nuk do ta kënaqte e stabilizonte për kohë të gjatë shpirtin e trazuar të një të riu që po përjetonte nga larg vuajtjet e Kosovës e të popullit të tij nën pushtimin serb. Tashmë, në pranverë të vitit 1998, në Kosovë kishte shpërthyer lufta e armatosur, po vriteshin njerëzit e po digjeshin shtëpitë, por populli shqiptar nuk po dorëzohej, sepse në ballë kishte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjendjen në Kosovë po e përcillte orë e çast. Shqetësimet e tij për fatin e popullit shqiptar të Kosovës, Lutfiu i shpreh sa herë që flet me vëllezërit në Norvegji, ku në vjeshtën e vitit 1998, për nevoja shëndetësore nga Kosova arrin edhe vëllau tjetër, Enveri. Këtë rast, Lutfiu e shfrytëzon për t’i vizituar vëllezërit, prandaj shkon nga Anglia në Norvegji. Ky ishte takimi i tij i fundit i çmalljes me ta. Kësaj radhe te ai duket qartë vendosmëria për të shkuar në Kosovë, në frontin e luftës çlirimtare. Kishte vendosur të shkonte në luftë, sepse po e thërriste zëri i atdheut. Këtij zëri, dikur i ishte përgjigjur edhe stërgjyshi, Sadiku. Ai në fund të perandorisë turke, kishte luftuar kundër hordhive serbe në Merdar, të cilat donin të depërtonin nga Serbia në Kosovë, për ta pushtuar atë. Në një betejë të zhvilluar në Llapashticë të Podujevës, merr plagë vdekjepruese.
Një natë fundmarsi të vitit 1999, Lutfiu, nga Londra i njofton vëllezërit në Norvegji se po nisej për në Shqipëri ku do të mobilizohej në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u shprehur i lehtësuar pasi nuk kishte obligime familjare. Lamtumirën Londrës ia lë më 30 mars. Për në Shqipëri udhëton së bashku me bashkëluftëtarin e ardhshëm, Bajram Beqiri, nga Shala e Bajgorës, i cili po ashtu po shkonte në front. Më 1 prill arrin në bazën stërvitore të UÇK-së në rrethin e Tropojës. Pas dy javë stërvitjesh të nevojshme ushtarake, shkon në front te Rrasa e Koshares, në radhët e brigadës 138 “Agim Ramadani”, e komanduar nga eprori Rrustem Berisha. Tashmë UÇK-ja kishte filluar operacionin ushtarak “Shigjeta” dhe beteja për thyerjen e kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë vazhdonte e ashpër dhe e pandalshme. Gurët e këtij kufiri të mallkuar numëronin ditët e fundit para rrokullisjes, sikurse edhe vetë identifikuesi i tyre, pushtuesi serb.
Në pozicionet e UÇK-së te Rrasa e Koshares, Lutfiu ishte edhe më 30 prill të vitit 1999. Rreth orës 7 të kësaj date, armiku fillon granatimin e pozicioneve të UÇK-së. Pas shpërthimit të granatës së parë, dëgjon zërin e një luftëtari në një pozicion të afërt, prandaj shkon për të parë gjendjen e tij. Duke u kthyer me shpejtësi në pozicionin e vet, granata tjetër e godet për vdekje. Në këtë rast plagoset edhe ushtari i quajtur “Hoxha”, nga Prizreni, ndërsa fare pranë tij gjendeshin edhe luftëtarët Besim Mahmuti, Bashkim Kalaveshi, Milazim Berisha, Bajram Beqiri (me të cilin kishte ardhur nga Anglia) e të tjerë.
Më 1 maj të vitit 1999, trupi i dëshmorit Lutfi Musiqi varroset në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit Bajram Curr. Ceremonia e varrimit bëhet me nderime të larta ushtarake, ku përveç bashkëluftëtarëve pjesëtarë të UÇK-së, marrin pjesë edhe pjesëtarë të Divizionit të Kukësit të ushtrisë shqiptare.
Megjithëse me përgatitje shkencore, dëshmori Lutfi Musiqi nuk kishte gradë as funksion komandues. Ai kishte mbetur ashtu siç kishte dëshiruar: ushtar i thjeshtë e i devotshëm. Në front, shkonte me përgatitje komplete. Ishte shenjtar i dalluar. Përveç armës automatike, ishte i pajisur edhe me minahedhës e me bomba dore. Po ashtu me vete merrte edhe mjetet e tjera të nevojshme për kamuflim. Në momentin e rënies, në xhepat e uniformës ushtarake kishte ngjyra fytyre për kamuflim, pllakën metalike me numrin identifikues të ushtarit, në të cilën shkruan: Lutfi Musiqi: 132/2-1, shkrepsë, brisk me lugë, orë dore, si dhe dy pako cigare. Ndërsa në shtabin e brigadës kishte lënë dokumentet personale (pasaportën, patent-shoferin dhe disa letra xhirollogarie). Të gjitha këto gjëra, sot ruhen në familjen e këtij dëshmori, si relikte të shenjta që ringjallin kujtimin e ëmbël e të përjetshëm për të. Dhoma ku janë vendosur ato është një muze i vërtetë përkujtimor, që zgjon ndjenja kujtimi, malli e krenarie dhe që reflekton rreze drite për brezin e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë dhomë-muze janë vendosur edhe pjesë të uniformës ushtarake (jeleku antiplumb, kapela në formë helmete etj.), si dhe garderoba e gjërat e tjera personale të sjella nga Anglia (ora e tavolinës, disqe të ndryshme muzikore, fotografi të shumta, tema e diplomës dhe e magjistraturës, litaraturë e shumtë profesionale etj.). Pjesë e kësaj vlere muzeale janë edhe mirënjohjet dhe pllakat dekoruese, të dhuruara pas rënies së dëshmorit, nga institucione të ndryshme (pllakë metalike – familjes së dëshmorit, dhënë nga Shoqatat e dala nga lufta të zonës së Dukagjinit; Pllakatë e dhuruar nga brigada 138 “Agim Ramadani”; Pllakatë e dhuruar nga kuvendi komunal i Vushtrrisë; “Mirënjohje”, akorduar nga shoqata Bashkimi i Shqiptarëve me seli në Britani të Madhe etj.).
Në shenjë respekti e nderimi për gjakun e derdhur për atdhe, si dhe për hir të aftësive të shquara intelektuale të personalitetit të tij, emri i dëshmorit Lutfi Musiqi i është vënë shkollës së mesme teknike në Vushtrri. Emri i tij u është vënë edhe një rruge në Vushtrri dhe një tjetre në Prishtinë.
Sot, trupi i dëshmorit Lutfi Musiqi prehet në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Bletajë (ish-Stanovc), ku rivarroset më 1 shtator të vitit 1999. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …