Inflacioni në Kosovë arrin 7.5 për qind, rriten ndjeshëm çmimet e transportit dhe energjisë

Kosova po përballet me një valë të re shtrenjtimi, pasi inflacioni gjatë muajit prill 2026 ka arritur në 7.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se rritja e çmimeve po vazhdon të prekë pothuajse të gjithë sektorët e konsumit. Sipas raportit, vetëm brenda një muaji, krahasuar me marsin 2026, çmimet në vend janë rritur për 1.1 për qind, duke rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve. Rritja më e lartë është regjistruar në sektorin e transportit, ku çmimet janë ngritur për 16.1 për qind në baza vjetore. Pas transportit, shtrenjtim të madh kanë pësuar edhe strehimi, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse, me rritje prej 15.2 për qind. Sipas ASK-së, rritje të konsiderueshme janë shënuar edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.8 për qind, ushqimi dhe pijet joalkoolike me 5.6 për qind, si dhe pijet alkoolike dhe duhani me 5.1 për qind. Shtrenjtim është evidentuar edhe në sektorin e shëndetësisë me 4.7 për qind, kujdesit personal dhe shërbimeve sociale me 3.6 për qind, ndërsa mobiljet dhe pajisjet shtëpiake janë rritur për 3.1 për qind. Edhe në baza mujore, ndikimin kryesor në inflacion e ka pasur sektori i transportit, ku çmimet janë rritur për 4.9 për qind vetëm gjatë muajit prill. Rritje mujore janë regjistruar gjithashtu te pijet alkoolike dhe duhani me 1.2 për qind, rekreacioni dhe kultura me 0.4 për qind, si dhe te ushqimi, veshjet dhe pajisjet shtëpiake.

Kontrolloni gjithashtu

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror n

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në …