Intervista e akademikut Rexhep Qosja për Gazetën Shqiptare

Profesor Qosja, në një muaj, ashtu si qe paralajmëruar nga ish-deputeti i mazhorancës, Tom Doshi, Shqipëria u trondit. U trondit në fakt?

Qosja: Mediet, sidomos ato elektronike, ndodh t’u fryjnë edhe vogëlsirave dhe ashtu i bëjnë të mëdha. Realisht të shikuara, të gjitha ato që kishin të bënin me ish-deputetin Tom Doshin ishin pak gjë, por, ja, për këtë pak gjë u harxhua shumë kohë, shumë retorikë politike, shumë ndjenja! Mjerisht.

Si u pa në Shqipërinë tjetër ajo që ndodhi në lidhje me Tom Doshin?


Qosja: Shëmbëllyeshëm asaj që pritej të trondiste Shqipërinë, edhe në Kosovë, shpejt, u fol për një atentat të përgatitur si ai në Shqipëri, por natyrisht të pa bërë. I akuzuar ishte Ibrahim Kelmendi, veprimtari i çështjes së Kosovës dhe i çështjes shqiptare në përgjithësi, i cili gjithë jetën e tij, me vëllezërit e tij dhe me familjen e tij, ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në Kosovë dhe në Evropë. E kaloi prej Jugut e në Veri, prej Lindjes e në Perëndim gjithë Evropën duke marrë pjesë, duke organizuar, protesta, demonstrata, greva për atë liri e pavarësi të Kosovës. Mjerisht, klasa politike e Kosovës u tregua e padrejtë ndaj Ibrahim Kelmendit, si edhe ndaj një vargu veprimtarësh të tjerë për pavarësinë e Kosovës, duke shpërfillur meritat e tij, kur e kur, madje, duke i sjellë pikëllime në vend të gëzimeve! Dua të besoj se, akuzuesi, një veprimtar tjetër i çështjes së Kosovës dhe i çështjes shqiptare, i merituar po ashtu për këtë çështje si Ibrahim Kelmendi, shpejt hoqi dorë prej akuzës. Dhe, një dramë morale nga e cila, sipas mendimeve të mia, do të krijohej një përshtypje e keqe në opinion, mori fund me kohë dhe siç duhej.

Si i lexuat , si i dëgjuar akuzat e ish-deputetit Tom Doshi për vrasje të porositur nga kryeparlamentari?

Qosja: Asnjë çast nuk ma kanë mbushur mendjen ato akuza se kryeparlamentari Ilir Meta vërtet paska dashur ta vriste Tom Doshin. Ilir Metën e shikoj si njeri e politikan të matur, të zgjuar, inteligjent, i cili në asnjë rast nuk do t’i lejonte vetes të futej në farë aventure të tillë për çfarë u akuzua. Mund mos të kem të drejtë, por nuk mund të mos mendoj se edhe Tom Doshi edhe Ilir Meta ishin shpallur protagonistë të asaj aventure të quajtur atentat i porositur prej ndonjë kuzhine tjetër djallëzore politike!

Si i shihni marrëdhëniet PS-LSI?

Qosja: Të shikuara nga jashtë ato janë marrëdhënie në rregull, por çka ka brenda tyre, natyrisht, unë nuk mund ta di. Akuzat u hodhën poshtë me aq shpejtësi sa u bënë publike, por çoroditja mbeti. Çfarë po ndodh me imazhin e Shqipërisë nëse kemi parasysh ç’mendime na lindin në kokë, nëse kjo ndodh në Kroaci, për shembull?
Qosja: Ka shumë, tepër shumë çorodi në jetën tonë politike e shoqërore në Shqipëri dhe në Kosovë. E në përmbajtjen e këtyre çorodive më së shumti ka prishësi, që kryesisht e prodhojnë vetje të klasës politike dhe të disa medieve. E gjithë kjo çorodi po cenon rëndë përfytyrimet për Shqipërinë e Kosovën, për shqiptarët në Evropë e shumëkund tjetër. Vërtet nuk e meritojnë shqiptarët një përfytyrim aq të stërkequr që po ia “dhuron” klasa e sotme politike!

Një deputet tjetër i mazhorancës, Mark Frroku, është në burg me akuzën e vrasjes. Ndërkohë vëllai i tij u shpall i pafajshëm nga gjykata për vrasje, duke shkaktuar një zhgënjim të thellë në popull sa i takon drejtësisë. Si e pritët ju këtë?


Qosja: Nuk jam prokuror, as gjykatës, as avokat, as ministër a zëvendës ministër, as farë nëpunësi në Ministrinë e Rendit Publik që ta di më saktësisht a më përafërsisht se cili është jetëshkrimi qytetar e politik, i hapët a i fshehtë, i Mark Frrokut. Duke mos qenë as prokuror, as gjykatës, as avokat unë nuk mund ta di nëse u lirua me të drejtë a pa të drejtë i vëllai i tij. Unë, si shikues e si dëgjues i televizioneve të Tiranës, si qytetar, si intelektual, mund të mendoj, dhe në lidhje me Mark Frrokun, mendova për diçka tjetër: mendova duke shikuar e duke dëgjuar televizionet e Tiranës se në Kuvendin e Shqipërisë Mark Frrokut iu cenua integriteti dhe iu shkelën disa të drejta njerëzore dhe qytetare. Me orë të tëra, me ditë të tëra, edhe mbasi iu mor imuniteti i deputetit, deputetë mbas deputetësh, të të dy gjinive, u morën me të, me të bërat dhe me të pabërat e tij të supozuara; dhe u morën vrazhdë; dhe u morën me të si të ishin jo deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, po si të ishin prokurorë të Shqipërisë, si të ishin gjykatës të, nuk mund ta di, cilës Gjykatë të Shqipërisë. Dhe, kështu Kuvendin e Shqipërisë e shndërruan në Gjykatore, kurse Mark Frrokun e shpallën dhe e trajtuan fajtor për çka nuk mund ta dinin ata si deputetë, por për çka do ta dinë mbas hulumtimesh e gjykimesh Prokurori, Gjykata dhe avokatët.
Harruan ata, në të djathtë e në të majtë, se në demokraci edhe i akuzuari, edhe i burgosuri, edhe i gjykuari i mbajtur në burg kanë integritetin dhe të drejtat e tyre, që mbrohen me akte ndërkombëtare. Nuk ngurroj të them se trajtimi i Mark Frrokut në Kuvendin e Shqipërisë më revoltoi, bash, më revoltoi, dhe kjo revoltë në një mënyrë më solidarizoi me të. Mendja ime do të jetë kundër tij në qoftë se dëshmohet se ishte pjesëmarrës në vrasjen e bashkatdhetarit në Bruksel, por (sa shumë do të më akuzojnë për fjalinë që do ta them tani) jo pse zotërinjve evropianë u paska “dhuruar” drogë e prostituta, ua paska dhuruar dhuratat e zeza, të cilat ata, më parë, na i kanë sjellë neve!

E ndërkohë që opinioni publik vlon nga çështja Meta-Doshi-Frroku-Meta, u harrua guvernatori, u harruan faturat e majme të energjisë, u harrua papunësia, siç janë harruar më herët abuzime fondesh publike e doli i pafajshëm edhe kreu i Bashkisë së Vlorës.

Qosja: U harruan këto që i theksuat ju dhe u harruan edhe disa të tjera, që rëndojnë po aq rëndë sa të numëruarat e disa edhe më rëndë se ato: u harruan fajtorët e vërtetë për tragjedinë e Gërdecit; u harruan vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjes së katër protestuesve më 21 janar; u harruan disa të akuzuar të mëdhenj për korrupsion të madh; u harruan shkelësit e nivelit më të lartë të Kushtetutës e të ligjeve të Shqipërisë, domethënë u harruan ata që demokracinë shqiptare në kohën e tyre e kanë bërë e vazhdojnë ta bëjnë edhe sot demokraci barbare. Pse jo? Drejtësia në jetën tonë, në dy shtetet tona, s’është bërë dhe ende nuk po mund bëhet pushtet i tretë shtetëror!

Dy deputetë të parlamentit të Shqipërisë gjenden në arrest, ndërkohë që partitë duket se po venë në jetë “dekriminalizimin”, platformën e miratuar me konsensus në fund të vitit të kaluar. Si i shihni zhvillimet e fundit politike në Shqipëri?

Qosja: Zhvillimet politike në Shqipëri mua më duken fort të tendosura. Kemi dy prirje politike në Shqipëri. E para është prirja ndërtuese, reformuese e Qeverisë. Reformat kanë filluar gati në të gjitha fushat e jetës, dua të them në të gjitha fushat e organizimit shtetëror. Qeveria e sotme ka trashëguar një shtet, që kishte kufijtë dhe popullin, kurse gjithë përbërësit e tij të tjerë ishin në gjendje anarkie. Për këtë arsye mund të thuhet se me reformat e sotme (fjala reformë në këtë rast mund të zëvendësohet me fjalën ndërtim) Shqipëria po rindërtohet shtetërisht.
Prirja e dytë politike është prirje me shumëçka shpërbërëse dhe në krye të kësaj prirjeje është Partia Demokratike, në të vërtetë udhëheqja e saj me kryetar Lulëzim Bashën. Mund të quhet kështu, prirje shpërbërëse, sepse kryetari i PD-së me PD-në flet dhe vepron jo vetëm kundër gabimeve, të metave, premtimeve të parealizuara të aleancës PS-LSI; por kundër të gjitha atyre ndryshimeve, kundër të gjitha atyre reformave, që po bën Qeveria. Natyrisht kundërshtimin e tyre, prirjen e tyre shpërbërëse politike drejtuesit e PD-së nuk e quajnë shpërbërje, por në thelbin e vet ajo është duke ushtruar funksion shpërbërës në jetën ekonomike, shoqërore, arsimore, shëndetësore, e të tjera të Shqipërisë. Të gjitha paraqitjet e kryetarit të Partisë Demokratike dhe të sekretarit të saj në thelbin e vet janë konkretizim propagandistik i asaj prirjeje shpërbërëse. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tani kur e kur duket më i matur, madje, më racional në krahasim me kryetarin e tanishëm e me sekretarin e kësaj Partie.
Paraqitjet e tilla, shpërbërëse, të kryetarit të tanishëm të Partisë Demokratike janë të njëjta, shpërbërëse, si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj – në Evropë. Ai po e denoncon, po bën çmos që ta komprometojë sa më pamatshëm shtetin e vet, vendin e vet, si askush deri tani në historinë e Shqipërisë shtet. As ai, as bashkëpunëtorët e tij nuk duan të marrin mësim prej të tjerëve. E dëgjuat çka tha, e patë si u soll, kryetari i Maqedonisë, Ivanov, gjatë vizitës në Shqipëri? Kur kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, e pyeti se ç’mund të thotë për çështjen e përgjimeve në Maqedoni ai u përgjigj, o sa papritur për kryetarin tonë:
-Për çështje të tilla, tha serioz, dinjitetshëm, nuk flas jashtë shtetit tim.
E Lulëzim Basha, e Sali Berisha, a ai Ristani, e disa të tjerë nga ata kolegët e tyre, pyetjeve të tilla mezi do të pritnin në Shkup, a në Podgoricë, a në Beograd, a në Athinë a lëre më në cilat qendra evropiane, mezi do të pritnin, pra, t’u përgjigjeshin zi e më zi, me të dhëna të vërteta dhe me të dhëna të trilluara!
Këto dy prirje të zhvillimeve të tanishme politike në Shqipëri krijojnë shumë tendosje, tendosje të veçanta dhe tendosje të përgjithshme, krijojnë një gjendje që pengon mbarësinë, që dëmton Shqipërinë në BE-në. Populizmi i kryetarit të tanishëm të Partisë Demokratike në të vërtetë përmban jo pak përbërës retorikë, propagandistikë dhe praktikë revolucionarë, revolucionarë në kuptimin shqetësues të kësaj fjale!

Zgjedhjet po afrojnë, teksa kryeministri Rama po afron rreth vetes të djathtë si Bamir Topi e Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet (çamët). Por , duket sikur jashtë po mbeten të majtë si Milo dhe Gjinushi. Si e shihni ju këtë aleancë?

Qosja: Aleancën, ende zyrtarisht të pakrijuar, me Partinë e Topit e të çamëve e konsideroj të dëshiruar. E djathta dhe e majta në Shqipëri, edhe në Kosovë, nuk kanë shumë dallime mes vetes. Partia Demokratike e Shqipërisë, sot për sot, po paraqitet më e majtë se partia Socialiste. Ajo po kundërshton reformat e Qeverisë, reformat e pashmangshme në qoftë se duam që Shqipëria të bëhet vërtet shtet, po kundërshton, pra, reformat e Qeverisë me një demagogji sociale, duke mbrojtur ata që vetë, kur ishte në pushtet, i shpërfillte fare: të varfrit.
Nuk kam mirëkuptim, ndërkaq, për sjelljen ta quaj indiferente, për mua të papranuar të Partisë Socialiste ndaj të majtëve siç janë Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi. Ata me dijet e tyre, me përvojën e tyre politike dhe të përgjithshme, me aftësitë e tyre mund të jenë shumë të dobishëm në aleancën e mundshme me Partinë Socialiste. Shumë të dobishëm për Shqipërinë. Udhëheqjet e Partisë Socialiste dhe të Partisë Socialiste për Integrim nuk duhet të kenë drojë prej identitetit dhe integritetit të fortë politik të Paskal Milos, Skënder Gjinushit e disa të tjerëve.

Ato nuk duhet të frikësohen prej rolit të tyre politik dhe etik siç është frikësuar Partia Demokratike e Kosovës prej rolit të Adem Demaçit dhe të Rexhep Qosjes!
A keni ju kandidatura të këshillueshme mes të majtës për Tiranën, Vlorën etj. Po për të djathtën?

Qosja: Nuk është punë e imja të them se cili është mirë të kandidohet në Tiranë, në Vlorë, në Durrës, në Shkodër a kudo qoftë tjerët. Jo. Çmoj shumë një varg vetjesh politike në Partinë Socialiste, në Partinë Socialiste për Integrim, në Partinë Demokratike e në disa parti të tjera, por nuk do t’i lejoja vetes të them se ata do të duhej të kandidoheshin në Tiranë a në qytete të tjera. Jo. Unë çmoj shumë aftësitë, vendosmërinë, guximin, nismat e Saimir Tahirit në një sektor fort të ndjeshëm të jetës shtetërore shqiptare, por nuk do t’i lejoja vetes të them se ai është kandidati më i mirë i Partisë Socialiste për Tiranën. Jo. Partitë vetë e dinë se kë duhet të propozojnë, megjithëse kjo dinë nuk do të thotë se nuk mund të gabojnë!

Me 21  qershor Shqipëria do t’i drejtohet kutive të votimit për zgjedhjet vendore. Erjon Veliaj është zyrtarizuar kandidat i PS-së për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Keni një vlerësim për këtë kandidat?

Qosja: Partia Socialiste e di më mirë se çdokush tjetër në Shqipëri a në Kosovë se kë dhe pse do të propozojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Shumëçka e premtuar nga Rilindja para zgjedhjeve është vënë në dyshim. Zhgënjimi ka filluar të ndihet në masë të gjerë edhe te vetë militantët. Ashtu si në Kosovë, shumëkush, po mendon të ikë nga vendi. A keni ju përshtypje të tilla?
Qosja: Asnjë parti në këtë botë nuk mund t’i përmbushë të gjitha ato që votuesve ua premton para zgjedhjeve. As Partia Socialiste, as aleatja e saj e parë Partia Socialiste për Integrim nuk do t’i përmbushin të gjitha premtimet. E, qoftë edhe pse partitë në pushtet nuk do t’i përmbushin premtimet e tyre në Shqipëri e në Kosovë, shumë nga bashkëkombësit tonë do të donin të ikin nga vendi. Dëshira e tillë do të shënojë më gjatë jetën e shqiptarëve. Dhe, nuk janë vetëm rrenat e partive dhe gjendja sociale shkaqet e vetme të asaj ndjenje. Janë shumë shkaqe që i bëjnë njerëzit të përpiqen të gjejnë mundësinë për të ikur prej vendit. Në jetën tonë sot mbizotërojnë vrazhdësi të ndryshme, mandej pasiguria, krimi i organizuar, urrejtjet, padrejtësitë e shumëllojshme, mashtrimet. Dëshpërimin e qytetarëve ndaj politikës dhe pushtetit e nxisin shumë, shumë, privilegjet e zyrtarëve, lukset e tyre me asgjë të arsyeshme, mandej korrupsioni, nepotizmi, pandjesia ndaj të varfërve, ndaj shtresës së të varfërve, shpërfillja skandaloze ndaj shtresës së mesme. E të tjera. E të tjera. Pushteti i sotëm do të donte të ketë çdo gjë, sepse e gjithë ajo që e ka i duket e pamjaftueshme për pangopësinë e saj të pafund! Kur flitet për dëshirën e shqiptarëve që të ikin sot prej vendit të tyre, qoftë prej Kosovës, qoftë prej Shqipërisë, pashmangshëm më kujtohen fjalët e albanologut, Robert Elsie, që tha në një bisedë në Top Channel para më shumë se dy vitesh. Në pyetjen se a do të dëshironte të jetonte në Shqipëri, ai u përgjigj menjëherë, shkoqur, shumë sinqerisht se nuk do të donte të jetonte në Shqipëri, sepse në Shqipëri, sepse në Shqipëri ka shumë vrazhdësi, vrazhdësi, që nuk haset në vende të tjera në Evropë.
Dhe, kjo vrazhdësi në variante të ndryshme po na e helmon jetën të gjithëve dhe është vrazhdësi që vjen prej sulltanëve politikë, shërbëtorëve dhe dorasëve të tyre, zbatuesve të punëve të tyre të  pista në media, në punësim – kudo këta sulltanë e kanë përshtrirë pushtetin e tyre, kudo, në institucionet shtetërore, në universitete, në institucionet e shkencës, të kulturës, të shëndetësisë; kudo, pra, e kanë përshtrirë pushtetin e tyre përmes argatëve të tyre; më  së shpeshti mediokritete, gënjeshtarë, mashtrues, agresivë ose bizantisht shumëfytyrësh. Posaçërisht fyeshëm e terrorizueshëm po realizohet pushteti i tyre përmes disa delikuentëve në disa medie!

Kryeministri serb Vuçiq arriti që duke bërë të alarmuarin të shkaktojë një reagim të Brukselit për deklaratën e Edi Ramës, në një intervistë. Rama foli për bashkimin klasik Shqipëri – Kosovë. Si e  vlerësoni deklaratën dhe reagimet që pasuan?

Qosja: Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se “shqiptarët po ecin drejt bashkimit”, kurse “Shqipëria e Kosova kanë dy alternativa: ose të bashkohen në familjen evropiane ose të bashkohen në mënyrë klasike”, ishte një deklaratë vërtet historike. Të them sinqerisht: për mua ishte e papritur dhe ishte e papritur duke pasur parasysh se prej krijimit të Shqipërisë shtet dhe tani të krijimit të Kosovës shtet, Fuqitë e Mëdha dhe institucionet ndërkombëtare u kanë bërë trysni të ndryshme zyrtarëve tanë të lartë politikë e shtetërorë, që ta harrojnë idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve!
Kjo deklaratë e Edi Ramës shkaktoi reagime jo vetëm në Serbi, në disa vende të tjera të Ballkanit, në Bashkimin Evropian, por edhe prej disa politikanëve dhe intelektualëve tanë. Qeveria e Serbisë në lidhje me këtë deklaratë tha jo vetëm edhe çka pritej se do të thoshte, por tha diçka edhe më shumë. Kryeministri i Serbisë, Vuçiq, në Kuvendin e Serbisë, përpos të tjerash, tha se “shqiptarët kurrë nuk do ta shohin të ëndërruar (të realizuar deshi të thoshte) ëndrrën e tyre të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dhe, me këtë deklaratë ai sikur na u kërcënuar me luftë.
Më befasuese se kjo deklaratë e kryeministri serb, i cili edhe më kërcënueshëm fliste në kohën kur ishte ujari i Sheshelit për Kosovën Republikë (e Kosova, megjithatë, u bë shtet) ishte deklarata e kryeministrit kroat, Millanoviq, i cili deklaratën e Edi Ramës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e quajti deklaratë provokative! Nuk pritej një deklaratë e tillë bash prej një kroati!
Jo më pak befasuese se deklaratat e të tjerëve për mendjen time ishin reagimet e disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri ndaj deklaratës së Edi Ramës.
Kosova e sotme, për fat pa Serbinë, po ma përkujton Kosovën e viteve të tetëdhjeta, pas demonstratave të rinisë sonë studentore, me Serbinë! Si atëherë po thuhet e po bëhet shumë shpesh çka kërkon Zotëria: atëherë Serbia – Jugosllavia pushtuese, kurse sot Bashkimi Evropian kolonialist. Kur them kështu unë nuk njejtësoj vlerat evropiane me interesat evropiane. Dua të them, ne duhet të duam, të çmojmë e të kultivojmë në jetën shoqërore, politike e shtetërore këto vlera, por do të doja që atdheu im, Kosova-Shqipëria, Shqipëria-Kosova, të jenë kujdesshëm syçelë ndaj interesave evropiane.
Ç’është e vërteta, prej viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, ne kemi një ndarje të inteligjencies në inteligjencie kombëtare dhe në inteligjencie, si e quajnë disa sot, mondialiste. Nga radhët e këtyre të dytëve u reagua negativisht ndaj deklaratës së Edi Ramës. Prej ndonjërit , ndërkaq, u reagua shumë ashpër. Nuk kuptoj, në asnjë mënyrë nuk jam në gjendje të kuptoj, pse mund të ketë shqiptar që është kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. I kuptoj pse janë kundër serbët, i kuptoj pse mund të jenë kundër malazeztë, maqedonasit, grekët, por nuk kuptoj, jo, nuk kuptoj, pse mund të jenë kundër shqiptarët!
Por, edhe e pakuptueshmja kur e kur duhet të kuptohet! Nuk thuhet kot se idetë e mëdha gjithmonë e gjithkund i kanë pasur dhe vazhdojnë t’i kenë kundërshtarët e tyre të papendueshëm a të pendueshëm.
Këta të ashtuquajturit mondialistë, pjesëtarët e inteligjencies kombëtare i quajnë romantikë, nacionalistë dhe irredentistë. Ç’është e vërteta ata quhen inteligjencie kombëtare pikërisht pse janë nacionalistë dhe irredentistë, pse mbrojnë idenë e madhe të bashkimit kombëtar, domethënë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Por, kultura e tyre e përgjithshme, përkushtimet e tyre politike, kulturore, intelektuale në përgjithësi janë evropiane, gjithsesi shumë më dukshëm se të inteligjencies së quajtur mondialiste.
Intelektualët kombëtarë nga ana e tyre, kur e kur dhe kë e kë, nga radha e inteligjencies mondialiste, i quajnë intelektualë që edhe për çështjet kombëtare, madje edhe për çështjet më të mëdha kombëtare mendojnë e zotohen duke pasur parasysh në radhë të parë qëndrimet politike, në të vërtetë qëndrimet e përgjithshme të të tjerëve – të qendrave jashtëkombëtare.

Në kohën kur Kosova ishte e pushtuar prej Serbisë dhe Jugosllavisë këta intelektualë ishin vënë në shërbim të klasës politike kosovare, e cila me përkushtim tragjik i zbatonte të gjitha vendimet partiake e shtetërore krejt dhunë të Jugosllavisë, në të vërtetë të Serbisë, ndaj Kosovës. Ishin këta intelektualë, në të vërtetë gjysmintelektualë – shërbëtorë të klasës politike që ishin përzgjedhur me qëllim që dhunën e terrorin politik e policor serb e jugosllav ndaj popullit shqiptar në Kosovë ta bënin të ligjshme!
Në kohën tonë, kur falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falë kryetarit të SHBA-ve, Bill Klinton, dhe kryeministrit britanik, Toni Bler, Kosova është çliruar nga pushtimi serb, intelektualët tanë mondialistë qëndrimet e tyre ndaj çështjeve të ndryshme kombëtare dhe politike në përgjithësi nuk i paraqesin si zyrtare, siç bënin paraardhësit e tyre në vitet tetëdhjetë, por si qëndrime vetjake. Por, me ato qëndrime të paraqitura si vetjake, ata, në të vërtetë kujdesen të shprehin qëndrime të qendrave të jashtme, evropiane, ndaj atyre çështjeve shqiptare. Përjashtim prej këtij ta quajmë”rregulli” mund të quhet paraqitja e një këshilltari politik shtetëror, në një emision televiziv para disa ditësh, i cili qëndrimin e tij skajshëm mohues ndaj idesë së bashkimit kombëtar, në të vërtetë ndaj bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të cilësuar si utopi të utopistëve, u kujdes ta bëjë qëndrim zyrtar, shtetëror. Nuk mund ta di nëse me këtë ndëshkim që iu bë “utopistëve” kombëtarë do të pajtohej i këshilluari i këtij këshilltari, i cili në luftën çlirimtare kishte marrë pjesë si i përkushtuar ndaj idesë së bashkimit kombëtar dhe i cili, shpresoj, edhe sot mendon siç mendonte në kohën kur kishte marrë pjesë në luftë.
Duke deklaruar siç kishte deklaruar, këshilltari në fjalë kishte shprehur dëshirën e tij që Kosova dhe Shqipëria të mos bashkohen kurrën e kurrës dhe të mos bashkohen jo pse bashkimi i tyre nuk është në interesin e tyre kombëtar, ekonomik, arsimor, shëndetësor, shkencor, kulturor, ushtarak, të përgjithshëm, por pse, është e bindur mendja e tij kundërutopike, ashtu duan fqinjët ballkanikë dhe disa qendra politike evropiane.
Këshilltari shtetëror e kishte shprehur atë dëshirë aq të flaktë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë i bindur se utopitë pavarësisht çka përmbajnë dhe prej kujt krijohen nuk mund të sendërtohen kurrë. Kishte harruar, kështu, se në këtë planetin tonë që i themi Tokë një varg utopish janë bërë njëmendësi gjatë historisë.
E njëmendësi, jam fort i bindur, do të bëhet, nuk them sot, por një ditë gjithsesi edhe kjo utopi, si e quajti ai, e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Pse jo? Kur një popull do të bëjë diçka, ai këtë doemos do ta bëjë një ditë. E populli shqiptar, në të dy anët e kufirit të sotëm, do ta bëjë bashkimin kombëtar, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Çka të thuhet në fund për këtë betejë politike që kohëve të fundit është përforcuar dhe përshtrirë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë?
Po bëj pyetjen që po e bëjnë shumë qytetarë të Kosovës: a ka kjo betejë kundër idesë së bashkimit kombëtar, kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, mbulesë institucionale apo partizanët e kësaj beteje, pashmangshëm dështuese, flasin e shkruajnë krye më vete? A kanë këta luftëtarë kundër idesë së bashkimit kombëtar, kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, përkrahjen e fshehtë të më pak a më shumë zyrtarëve të pushtuar prej dëshirave e leverdive feudale?
Nuk ka dyshim se përgjigjen në këtë pyetje do ta japë koha e ardhshme. Pavarësisht prej kësaj përgjigje të pritur, kundërshtarëve të idesë së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë duhet t’u dhurohet mendimi i një filozofi të madh të Evropës së bashkuar: mediokritetet gjithmonë e gjithkund janë lokalë, kurse gjenitë janë universalë.
Betejën e saj kundër idesë së bashkimit kombëtar, në të vërtetë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë mondialistët tanë të sotëm e bëjnë krahas edhe dy betejave të tjera politike: e para; krahas betejës politike ndaj gjuhës standarde dhe, e dyta, krahas betejës për krijimin e kombit të ri, të dytë shqiptar – të kombit kosovar.
Edhe në këtë pikëpamje gjedhja e sotme politike në Kosovë po e shëmbëllen me të madhe gjedhen politike të viteve tetëdhjetë.
Asokohe, në vitet tetëdhjetë, në të vërtetë pas vitit 1968, inteligjencia serbe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, në Universitetin e Beogradit dhe në Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë e kishte pritur me shumë shqetësim Konsultën gjuhësore të Prishtinës, në të cilën intelektualët shqiptarë në Kosovë e në Jugosllavi në përgjithësi kishin shprehur vullnetin e tyre që të kenë të njëjtën gjuhë të bashkuar letrare, domethënë standarde, me vëllezërit e tyre në Shqipërinë shtetërore. Disa prej tyre qëndrimin mohues ndaj gjuhës së përbashkët letrare shqipe e çonin edhe më larg duke thënë se shqiptarët nuk mund të bëjnë gjuhë letrare sepse folësit e dy dialekteve shqipe nuk mund të merren vesh kurrë mes vete. Është e çuditshme se si kundërshtarët tanë të sotëm të gjuhës sonë standarde nuk mendojnë se më këtë kundërshtim të tyre ndaj gjuhës standarde shqipe vetëm sa përkrahin një politikë të kahmotshme të Serbisë ndaj gjuhës shqipe. E harrojnë një mësim shumë të rëndësishëm historik: në qoftë se armiku të thotë shko djathtas ti shko majtas e në qoftë se të thotë shko majtas ti shko djathtas.
Atëherë, në vitet tetëdhjetë, inteligjencia serbe i kishte filluar përpjekjet për veçimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi prej bashkëkombësve të tyre në Shqipërinë shtetërore. Dhe, kishte krijuar nocionet për sendërtimin e kësaj përpjekjeje. Kështu, fjala vjen, shqiptarët e Shqipërisë shtetërore në politikën dhe në publicistikën serbe quheshin albanci kurse shqiptarët në Kosovë e në Jugosllavi në përgjithësi quheshin shiptari ose,  kur e kur përbuzshëm, shiftari!
Dhe, kështu këta shqiptarët, shiftarët do të bëheshin komb i veçantë i cili ndaj kombit të albancave do të sillej siç silleshin popujt e tjerë të Jugosllavisë, siç silleshin në radhë të parë, serbët, maqedonasit dhe malazeztë. Ata që po bëjnë sot betejën për krijimin e kombit të ri shqiptar, të kombit kosovar në Kosovë, sikur po harrojnë se me këtë përpjekje po e vazhdojnë një politikë që ndaj Kombit shqiptar po bënte Serbia sidomos në vitet tetëdhjetë. Dhe, kështu po e harrojnë prapë mësimin e cituar më sipër historik: kur armiku të thotë shko djathtas, ti shko majtas, e kur të thotë shko majtas, ti shko djathtas.
Gjatë kësaj beteje politike, që kundër idesë së bashkimit kombëtar, në të vërtetë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që shumëkujt, shumëkujt në Kosovë po ia kujton gjedhen politike të Serbisë e Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, në kohën e fundit u dëgjuan edhe tri deklarata skajshëm të papranueshme, skajshëm politikisht, kombëtarisht dhe historikisht të dëmshme për popullin shqiptar.
E para, është deklarata e një këshilltari politik, ndoshta jo zyrtar: serbët në Kosovë do të mund të ndihen të sigurt vetëm kur shqiptarët të krijojnë dhe të shpallin identitetin e tyre të ri – identitetin kosovar!
Domethënë: sipas këtij deklaruesi, shqiptarët në Kosovë duhet të shpallen komb i ri, kosovar, për hatër të atyre serbëve që jetojnë në Kosovë!
E dyta, është deklarata e një gjuhëtari, i cili posa u caktua në një detyrë të re arsimore e shkencore tha: nuk kemi gjuhë standarde, koha e imponimit ka kaluar, gjuhën standarde duhet ta bëjmë!
Domethënë: ne duhet të bëjmë një gjuhë të re standard, apo ndoshta gjuhë të dytë standard, qoftë edhe për t’u bërë qejfin të huajve që e dëshirojnë krijimin e kombit të dytë shqiptar – të kombit kosovar, i cili duhet të ketë edhe gjuhë të re standarde!
E treta, është deklarata e një të treti, i cili akademikët e Shqipërisë të gjithë, i shpërfilli duke e futur në thonjëza titullin e tyre akademik, kurse vëllezërit tonë të besimit ortodoksë i quajti urrejtshëm neortodoksistë dhe filogrekë!

Domethënë…? Domethënë se në Evropë më këtë racizëm brendakombëtar do të merreshin prokurori dhe gjykata.

Ka një ide nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Koço Kokëdhima, për legalizimin e kanabisit në vend. E shihni të mundur materializimin e këtij propozimi?
Qosja: Jetojmë në një kohë kur, si po shohim e po dëgjojmë, të gjitha, ama bash të gjitha, janë bërë të mundshme. Po të organizohej referendum për këtë propozim unë do të votoja kundër.

 Shpërthimet e gazit në Marinzë pranë Elbasanit, duket se kanë dëmtuar jo vetëm banorët e zonës por edhe më gjerë. Ndërkohë që problemet e zonës me firmën Bankers Petrolium,kanë rënë në vesh të shurdhër për kaq vite. Sipas jush, a ka ardhur koha të shihet me përparësi kjo çështje?
Qosja: Jo se ka ardhur koha që kjo çështje të shihet me përparësi, por kjo çështje është dashur të shihet me përparësi prej se nxirren nafta dhe gazi në Marinzë dhe kudo në Shqipëri.

Reforma në arsim dhe mbështetja e universiteteve private nga shteti ka hasur në mjaft kundërshti në Shqipëri. Ju, si njohës i mirë i çështjeve të arsimit, kulturës dhe nevojave të studentëve, si mendoni, ç’duhet bërë me universitetet private?

Qosja: Në arsimin e lartë shqiptar , në Shqipëri dhe në Kosovë, janë bërë shumë, shumë ndryshime. Domethënë është bërë reformë rrënjësore. Dhe, këto ndryshime, kjo reformë, ka sjellë disa të mira, por, siç shihet e siç dëgjohet, ka sjellë më shumë të këqija. Ishin këto ndryshime, ishte kjo reformë, jo e natyrshme, por e shpallur e domosdoshme prej faktorëve të jashtëm evropianë. Këto ndryshime kanë sjellë sasi por kanë cenuar cilësitë. Kjo reformë e kërkuar prej përjashta, e quajtur sistemi i Bolonjës, ka sjellë shumë universitete, shumë fakultete, shumë mastere shumë doktorata, duke ulur cilësitë në të gjitha: në universitete, në fakultete, në mastere, në doktorata. Tani dihet sesi janë dhënë diplomat në një varg fakultetesh në Shqipëri e në Kosovë; tani dihet sesi janë blerë diploma, mastere e doktorata në Kosovë dhe në Shqipëri! Po dëgjoj se në Kosovë plagjiaturat pothuaj janë bërë të ligjshme: me to fitohet titull shkencor në fakultete dhe me to bëhesh anëtar në Akademinë  Shkencave e të Arteve.
Korrupsioni, thuhet, ka shtrirje të gjerë e të thellë në universitete, sidomos në universitetet publike.
Po i përcjell përpjekjet reformuese që po bëhen në arsimin e lartë në Shqipëri. Me shumë nderim i shikoj paraqitjet e ministres së arsimit, Lindita Nikolla, kur e shpjegon reformën arsimore në Shqipëri. Ajo është ministre që ka mendim të sistemuar, që ka parimësi, që mendimet e veta gjithnjë i shpreh me maturi, dinjitetshëm, që di të jetë plotësisht e bindshme. Por, megjithatë, shumë nga argumentet e saj, sado të arsyeshme, sado të dobishme për shërimin e arsimit të lartë, po mohohen! Pse? Sepse të paligjshmet, privilegjet, korrupsionet, lehtësirat që cenojnë cilësitë, janë më të leverdishme se ndryshimet që propozon ajo!

Si e patë ju mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës më 23 mars në Tiranë.
Qosja: Nuk është mirë që t’i përsëris ato që kam thënë e shkruar më parë për atë mbledhje, por lejohem ta shtoj një fjali: në mbledhjet e ardhshme të këtyre dy qeverive ndoshta do të ishte mirë që të ketë më pak estradë se ç’pati në atë të 23 marsit.

Kosova duket se i harroi largimet masive të shqiptarëve drejt Evropës. Çfarë po ndodh? A po bëhet Kosova një vend më i mirë për të jetuar?

Qosja: Largimet masive të shqiptarëve prej Kosovës drejt Evropës dhe, kush kishte mundësi, drejt Amerikës e Kanadasë nuk u harruan , jo. Nuk po lënë që ato largime të harrohen ata që vazhdojnë të bëjnë përpjekje për t’u larguar prej Kosovës. Mbrëmë , me 15 prill, në Top Channel dëgjova lajmin se për nga numri i atyre që kërkojnë azil në Evropë shqiptarët nga Kosova zënë vendin e parë, në vendin e dytë janë sirianët e në vendin e tretë janë shqiptarët nga Shqipëria; në vendet e tjera janë qytetarë nga Maqedonia, Serbia e nga disa ish-republika të tjera të Jugosllavisë.
Nuk ka dyshim se si Kosova ashtu edhe Shqipëria do të bëhen dy vende, me të mira për të jetuar e dikur, të shpresojmë, do të bëhen një vend më i mirë se sot për të jetuar. Por, sot për sot, edhe Kosova, edhe Shqipëria janë vende të mira për të jetuar njerëzit e klasës politike, familjarët, miqtë dhe shokët e tyre, biznesmenët dhe të afërmit e tyre, në përgjithësi oligarkia, që fëmijët e vet i shkollon në shkolla të huaja, që shkollat shtetërore ia ka “falur” fukarenjve, që po i sundon këto dy vende me pushtetin politik dhe me pushtetin e pasurisë, që kur bëhen bashkë janë pushteti më i padurueshëm.
Domethënë: largimet masive të bashkatdhetarëve tanë në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe në muajt e parë të  të këtij viti nuk janë  harruar e nuk mund të harrohen qoftë edhe pse, në numër më të zvogëluar, po vazhdojnë edhe më tej. Mjerisht.

Aleanca Thaçi – Mustafa i mbushi 100 ditët e para . Si i  vlerësoni ju vendimet e tyre, nismat e tyre, politikat e tyre?

Qosja: Kam folur më gjatë për njëqind ditët e para të kësaj Qeverie në bisedën e botuar në gazetat Epoka e Re në Prishtinë dhe Telegrafi në Tiranë, prandaj nuk e do rendi që t’i përsëris ato që kam thënë. Opozita po tregon shumë pakënaqësi me njëqind ditët  dhe, në përgjithësi, me politikën e kësaj Qeverie, prandaj këtë pakënaqësi të madhe ndaj kësaj politike ajo e ka shprehur në protestën që u mbajt të shtunën më 18 prill. Unë mund të them se gjatë 100 ditëve të kësaj qeverie është shtuar dhuna gjuhësore, është shtuar frika e njerëzve; është shtuar dhe kontrolli i medieve, po dëgjoj se policë në veshje civilësh, si në kohën e Serbisë, qarkullojnë nëpër fakultete! E të tjera.

Si e mendoni të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian?

Qosja: Të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen e Shqipërisë si shtete të veçanta në Bashkimin Evropian e mendoj si anëtarësim që pas disa vjetësh do të sjellë bashkimin e tyre në një shtet pikërisht në Bashkimin Evropian. Dhe këtë bashkim të Kosovës dhe të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në qoftë se nuk e kërkojnë vetë shqiptarët (e unë do ta kërkoja po të isha deputet në Parlamentin Evropian) do ta kërkojnë anëtarë të tjerë të këtij Bashkimi. Dhe, do ta kërkojnë sepse do t’u duket e paarsyeshme, e palejueshme që dy shtete të të njëjtit popull të ndarë në dy shtete ta kryesojnë nga gjashtë muaj Bashkimin Evropian; dhe do t’u duket e paarsyeshme, dhe e pakuptueshme, që dy shtete shqiptare të mbrojnë interesat e një populli të ndarë e të pabashkuar në atë Bashkim; dhe do t’u duket e paarsyeshme, e pakuptueshme, që vetëm shqiptarët edhe në BE të jenë të ndarë në dy shtete. Mund të besohet se ky bashkim i dy shteteve shqiptare në një shtet do t’i gëzojë edhe fqinjët ballkanikë, përpos Serbisë, dhe përpos atyre shqiptarëve që po dëshirojnë dhe po përpiqen tani e sa kohë që prej një Kombi, prej Kombit shqiptar, të bëjnë dy kombe: kombin shqiptar dhe kombin kosovar!

Materialet që ka publikuar lideri i opozitës maqedonase, Zaev, sa po i ndihmojnë partitë shqiptare në Maqedoni, apo e mendoni të kundërtën?
Qosja: Megjithëse kam parë dhe kam dëgjuar në televizione se disa nga partitë shqiptare në Maqedoni kanë protestuar, ndonjëra ashpër, ndaj paraqitjeve të tij, sipas mendimit tim, materialet që ka publikuar ai janë më shumë të dobishme se të dëmshme për partitë shqiptare.

Kryeimami i një xhamie në Prizren ka deklaruar se në Kosovë nuk kishte shqiptarë para ardhjes së Turqisë. Çfarë i nxit këto deklarata?

Qosja: Të papranueshme fort e konsideroj deklaratën e kryeimamit të një xhamie në Prizren sipas të cilit në Kosovë nuk kishte shqiptarë para ardhjes, domethënë para pushtimit të Kosovës prej Perandorisë Otomane! Një deklaratë të tillë e nxit: e para, vetëdija skajshëm fetare dhe, e dyta, mosdija e të vërtetës se në Kosovë kishte Ilirë që prej kohës së lashtë e, mandej, trashëgimtarë të ilirëve shqiptarë para pushtimit të saj prej Perandorisë Otomane.

Meqenëse jeni nënshtetas i Shqipërisë, a do të merrni pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit?

Qosja: Në vend të përgjigjes në këtë pyetje unë dua të them edhe dy gjëra: e para, në jetën tonë, mjerisht, edhe pushtetari më i kufizuar mund të gjejë boll puthadorë të palodhshëm që përtokas do ta lajkatojnë, dhe e dyta, në jetën tonë intelektuale ende nuk është krijuar vetëdija për fajin e heshtjes. Për këtë arsye ne me të madhe vazhdojmë të heshtur të jetojmë edhe në kushtet e barbarisë demokratike.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …