Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka deklaruar se vendi i tij fatkeqësisht ka ulur bashkëpunimin me Kosovën në disa sektorë. Kështu

Intervista e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, dhënë Radios-Evropa e Lirë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai inkurajon udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Në mungesë të konstruktivitetit nga palët, Rohde përmend mundësinë e sanksioneve nga BE-ja.

Radio Evropa e Lirë: Këtë fundjavë, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar për aneksin e zbatimit të një marrëveshjeje që njihet si propozimi i BE-së. Ju keni thënë se të dyja vendet nuk duhet ta “humbasin autobusin” për këtë takim të ardhshëm. Përse?

Jorn Rohde: Sepse koha nuk është në anën e Kosovës dhe të Serbisë. Ne duhet ta kapërcejmë këtë përballje të përhershme me kriza.

Të 27 vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë. Javën e kaluar, ju e dini se kryeministrja e Italisë, presidenti i Francës dhe kancelari gjerman kanë publikuar një letër për dy liderët [kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë], në të cilën kanë nënvizuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

Jam i lumtur që më 27 shkurt, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar në parim për këtë propozim evropian, i cili është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kemi dëgjuar pritje të ndryshme nga takimi në Ohër. Ka pasur më shumë skepticizëm nga pala serbe. Si e komentoni këtë?

Jorn Rohde: Ne, gjithashtu, duhet ta kapërcejmë këtë kontinuitet: Unë e di atë që nuk e dua. Mendoj se kjo është dinamika, të cilën përpiqemi ta instalojmë te palët…

Duhet të biem dakord se çfarë mund të arrijmë së bashku. Kjo është një gjë e mirë. Keni një bazë. Dhe, tani kemi aneksin e zbatimit.

E kemi bërë të qartë se çfarë presim nga Kosova, ashtu sikurse edhe i dërguari evropian [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, i cili punon shumë, e ka mbështetjen tonë të plotë dhe e ka bërë të qartë dje [14 mars] se pa [themelimin] e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] nuk ka marrëveshje.

Në anën tjetër, Serbia gjithashtu duhet të pajtohet se Kosova është një fqinj dhe ka një të ardhme evropiane. Dhe Kosova ka shumë për të fituar.

Radio Evropa e Lirë: Përvoja nga e kaluara na ka mësuar se shumë marrëveshje të arritura në Bruksel, nuk janë zbatuar. Ka pasur shumë marrëveshje pasuese dhe udhërrëfyes për zbatimin e tyre. Pse mendoni se plani i BE-së do të jetë ndryshe?

Jorn Rohde: Sepse mendoj se gota tani është gjysmë e mbushur. I përmenda më parë disa liderë [që e mbështesin], ka një sinkronizim të plotë midis BE-së dhe SHBA-së…

E kemi bërë të qartë se koha është thelbësore. Kemi një luftë në Evropë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë përballje të vazhdueshme me kriza, në lidhje me targat e makinave, barrikadat, zgjedhjet…

Andaj, na duhet një marrëveshje më 18 [mars]. Kjo është marrëveshja, e cila është në tryezë dhe duhet të zbatohet.

Pajtohem plotësisht me ju se shumë marrëveshje në të kaluarën, nuk janë zbatuar. Kjo është arsyeja përse jemi kaq të etur që këtë herë të funksionojë. Për këtë arsye keni nivelin më të lartë politik pas kësaj marrëveshjeje.

Radio Evropa e Lirë: A mund të zgjedhin palët se çfarë të zbatojnë e çfarë jo nga ky propozim?

Jorn Rohde: Natyrisht, në fund varet nga palët e interesuara, por baza është ajo për të cilën është rënë dakord më 27 [shkurt]. Dhe, tani vjen zbatimi më i detajuar.

Sigurisht, ka sekuenca, ka ende nuanca, të cilat mund të diskutohen, por aneksi i zbatimit, që është siguruar nga Lajçaku, është baza e marrëveshjes.

Përsëri, e nënvizoj se është e rëndësishme që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një obligim gati 10-vjeçar.

Radio Evropa e Lirë: E keni përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është edhe njëra ndër temat më të diskutuara në këtë propozim. Të dyja palët kanë qëndrime të forta në lidhje me këtë. Si e shihni zgjidhjen për këtë?

Jorn Rohde: Ne e kemi bërë të qartë për të gjithë dhe për miqtë tanë këtu, në Kosovë, vijën e kuqe. Natyrisht, nuk ka asnjë mundësi të përafërt që të ketë një Republikë Sërpska të dytë.

Cilado zgjidhje duhet të jetë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të jetë baza e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 që janë ratifikuar nga Kosova.

Një gjë tjetër që e shohim është se tashmë kemi struktura paralele dhe situata nuk është bërë më mirë, por më keq. Serbët e Kosovës i kanë lënë institucionet [e Kosovës], kështu që kemi një situatë të keqe.

Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit. Ky është një zhvillim i mirë, unë e shoh nga kjo perspektivë.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur se mund të ketë sekuenca [të implementimit]. A mendoni se ka hapësirë për rinegocim, për shembull për Asociacionin?

Jorn Rohde: Unë nuk mund të flas në emër të aktorëve, por kam thënë se patjetër që detajet duhet të diskutohen. Detajet e ndryshme, të gjitha bazohen në atë që është zhvilluar nga Lajçaku.

Dhe, siç kam thënë, Kosova ka shumë për të fituar: Njohje de facto, integritet territorial, njohje të të gjitha dokumenteve dhe simboleve shtetërore dhe tejkalimi i së kaluarës i bazuar në vlera evropiane.

Ky është një hap i madh përpara, nuk është fundi, por mendoj se i vendos të dyja palët në rrugën evropiane. Dhe, përsëris, të tejkalohet menaxhimi i vazhdueshëm i krizave.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, një nga nenet e propozimit evropian thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai kurrë nuk do ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara.

Jorn Rohde: Unë nuk e komentoj atë se çfarë nuk është e mundur, por dua të komentoj atë që është e mundur. Dhe, kur Serbia dhe aktorët e tjerë e pranojnë një paragraf se nuk do të bllokojnë anëtarësimin [e Kosovës] në organizata ndërkombëtare… nuk jam në dijeni se Serbia ka veto në Kombet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të thoni për organizatat e tjera ndërkombëtare?

Jorn Rohde: Ne nuk mund të flasim për ato, por mendoj se nëse ka një dinamikë që dy shtetet pajtohen për këtë, unë nuk besoj se palët e treta do ta ndotnin këtë. Është diskutuar edhe më herët se ka disa vende që nuk e njohin (Kosovën) brenda Bashkimit Evropian.

Kam shumë shpresë dhe në vazhdimësi jemi në kontakt me ta. Kam shumë shpresë që një rezultat pozitiv më 18 mars do të zhbllokojë edhe mosnjohjet.

Nuk ka garanci, por nuk shoh ndonjë arsye për mosnjohje kur vetë dy shtetet [Serbia dhe Kosova] kanë njohje de facto mes vete.

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur diskutime të brendshme apo a ka pasur ndonjë ndryshim të prekshëm të pozicioneve të vendeve mosnjohëse [të Kosovës] në rast se marrëveshja zbatohet?

Jorn Rohde: Do t’ju duhej të flisni me këto shtete, por kam njëqind për qind shpresë duke u nisur edhe nga vetë përvoja ime kombëtare. Unë jam rritur në një Gjermani të ndarë dhe si Gjermani Perëndimore, nuk e kemi njohur Gjermaninë Lindore.

Por, sapo e kemi arritur marrëveshjen bazë në mes këtyre dy shteteve, të gjitha shtetet të cilat ne i kemi ndaluar ta njohin Gjermaninë Lindore, më pas e kanë njohur Gjermaninë Lindore. Kjo nuk e ka ndryshuar marrëdhënien tonë të brendshme. Të gjitha shtetet mosnjohëse kanë thënë se nëse ka një dinamikë pozitive për normalizim të marrëdhënieve [Kosovë-Serbi], ne do ta rimendojmë pozicionin tonë.

Kështu që, për mua është pak a shumë “slam-dunk” [term që përshkruan një fitore të arritshme lehtë]. Nëse keni një rezultat ideal, do të ketë shtete mosnjohëse që do ta njohin Kosovën, jam shumë i sigurt. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta kalojmë vijën dhe të mos na ikë autobusi, siç kam thënë më parë.

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim specifikisht për Gjermaninë? A i ka premtuar Gjermania Kosovës ndihmë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare?

Jorn Rohde: Shikoni, ne jemi ndër aleatët më të ngushtë të Kosovës. Ne investojmë shumë edhe në nivelin njerëzor, kemi marrëdhënie të ngushta. Ju e dini, pothuajse gjysmë milioni kosovarë gjermanë jetojnë në Gjermani. Dua të them, ju e dini, ka një shkëmbim të vazhdueshëm. Ne jemi investuesi më i madh i huaj, burimi më i madh i remitencave, partner në tregti… Natyrisht ne flasim me partnerët tanë dhe kjo është edhe arsyeja pse unë kam shpresa.

Mirëpo, unë nuk mund të jap garanci, secili shtet vendos për vete. Por, fillimisht, është e vështirë të përgjigjesh në pyetje hipotetike.

Së pari, ne duhet ta kalojmë vijën më 18 [mars, në Ohër] dhe, nga të dyja palët kërkohet gatishmëria për të dhënë më shumë nga vetja: Për Kosovën lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe; për Serbinë, ta pranojë që Kosova është aty dhe se ka një perspektivë evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Ne kemi folur për përfitime për të dyja vendet. Cilat mund të jenë pasojat e mundshme për të dyja vendet nëse nuk janë konstruktive në këto takime?

Jorn Rohde: Sërish, [është] pyetje hipotetike. Por, natyrisht që ka pasoja. Nuk po e shoh këtë gatishmërinë, si të them, për të dhënë më shumë nga vetja. Dua të them, gjatë muajve të fundit, liderët në Evropë kanë investuar shumë. Ka pasur takime… dhe duhet ta keni parasysh situatën gjeopolitike, ne e kemi një luftë në Ukrainë.

Ka shumë sfida dhe për këtë arsye Ballkani Perëndimor përket në Evropë, por ne me të vërtetë duhet t’i japim fund këtij menaxhimi të vazhdueshëm të krizave. Do të ketë pasoja, do të ketë më pak fokus… Nëse nuk mund ta zgjidhni konfliktin, ndoshta do të menaxhohet… por, dua të them, nëse aktorët kryesorë nuk japin më shumë nga vetja, atëherë pse duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë liderët tanë?

Ne duhet t’i investojmë burimet tona në… ka një luftë përsëri dhe tani ne e kemi parë që ka një zgjidhje në tavolinë dhe unë mendoj se presin nga të dyja palët ta pranojnë atë dhe të punojnë me zell mbi të.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të insistoj për këtë temë… në një intervistë të mëparshme për REL-in, kryeministri [Albin] Kurti tha se është diskutuar për pasoja të mundshme nëse palët nuk janë konstruktive në dialog. A ka diçka specifike që i është thënë Serbisë apo Kosovës si shtytje për konstruktivitet në dialog?

Jorn Rohde: Shikoni, dua të them, ka një premtim për përkrahje dhe investim shtesë. Dhe nëse ka dështim, atëherë nuk ka përkrahje shtesë. Dhe, ju e dini, kjo veçse është një pasojë.

A do të jetë më i lehtë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare? Jo, nuk do të jetë. Do të bëhet më i vështirë sepse si mund të prisni… dua të them, rruga drejt Evropës është ndërmjet këtij propozimi dhe ne duam që të dyja vendet të jenë pjesë e Evropës. I gjithë Ballkani Perëndimor përket në BE. Shumica e vendeve, disa prej tyre, tashmë janë në NATO.

Kosova dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s. Për ta arritur këtë, ju duhet t’i bindni të gjitha vendet anëtare të NATO-s se jeni partner konstruktiv.

Radio Evropa e Lirë: Propozimi, ashtu siç është publikuar, nuk përmend njohje “de jure” nga Serbia. A mendoni se është i mundur normalizimi pa njohje reciproke?

Jorn Rohde: Të gjithë e kanë bërë të qartë që ky është një hap i ndërmjetëm, por shumë i rëndësishëm sepse nis një dinamikë që çon në normalizim të plotë.

Njohja reciproke është faza përfundimtare për ne, sepse pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE, sepse ne nuk pranojmë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Por, tani për tani, kjo është marrëveshja më e mirë që mund ta merrni dhe ka shumë përfitime, të cilat ua përmenda dhe fundi i [tentimeve] që Serbia ta bllokojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …