leoni

Intervistë me ministrin e Diasporës, Valon Murati

RKL: z. Ministër, për fillim të bisedës do të donim të njiheshim shkurtimisht mbi synimet kryesore të ministrisë së Diasporës gjatë këtij mandati?

Murati: Po realisht ne synojmë t’i realizojmë objektivat që pak a shumë janë edhe  më strategjike për diasporën dhe mërgatën. Ato kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kulturor, kombëtar, me pjesëmarrjen e diasporës tonë, zhvillimet socio-ekonomike, me përpjekjen për të rritur pjesëmarrjen e diasporës edhe në jetën politike të vendit, por edhe në vendin ku jeton.  Për të gjitha këto, ne kemi bërë përpjekje që shumë procese pozitive të cilat kanë filluar që në mandatin e kaluar ne t’i vazhdojmë t’i avancojmë dhe të nisim diçka të re. Ajo që është kurorëzim e një punë disavjeçare të mandatit por edhe e punës sonë tash e tre muaj, është arritja e nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Arsimit, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë dhe mërgatë të përbashkët. Ky program ka nisur tash e dy vjet, nuk ishte nënshkruar, por prej se e kemi marrë mandatin ne kemi punuar shumë që ta krijojmë një ambient politik që kjo marrëveshje të nënshkruhet. Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme për stabilizimin apo marrjen e një rruge të drejtë të gjuhës shqipe në diasporë. Nënshkrimi i marrëveshjes është vetëm fillimi i një pune, nuk është realizimi, implementimit i tij, kjo do të dojë sigurisht tre-katër vite që të fillojë në tërësinë e vet të zbatohet. Sidoqoftë, ne e konsiderojmë një sukses arritjen e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, se kjo krijon punë, krijon obligime për të tri ministritë, që tash ti krijojmë grupet teknike të punës dhe të fillojmë me zbatimin e asaj që mund të zbatohet. Aty përfshihet kurrikula e përbashkët, tekstet e përbashkëta të mësimit të gjuhës shqipe, të historisë, kulturës, standardet e përbashkëta të licencimit të mësimit të mësuesve. Pos kësaj,  përfshihet edhe një fushatë e përbashkët te shtetet për t’i mobilizuar nxënësit të marrin pjesë në mësim. Do të bëjmë edhe marrëveshje të dyanshme me shtetet pritëse. atje ku është diaspora jonë, në mënyrë që ne të krijojmë kushte që mësimi i gjuhës shqipe të ngritet në një nivel tjetër institucional. Në fushën e përpjekjeve për të promovuar identitetin edhe kulturën kombëtare, ne gjithashtu në mbledhjen e të dy qeverive nënshkruam edhe një memorandum bashkëpunimi me dy ministritë e kulturës, të Kosovës dhe Shqipërisë, për të organizuar aktivitete kulturore të përbashkëta, ato që ne i quajmë “Ditët e kulturës shqiptare” në diasporë. Po punojmë drejt asaj që këto aktivitete të bëhen në qendra të përbashkëta me Republikën e Shqipërisë. Kjo është në planin e kulturës, arsimit dhe ato që i kemi bërë deri tash i konsiderojmë një sukses inicial.

RKL: Është thënë shpesh se diaspora dhe mërgata shqiptare luan rol të ndjeshëm në të ardhurat financiare të mijëra familjeve në Kosovë përmes remitencave. Sa është e mundur që këtë remitenca të shndërrohen në investime kapitale për të mirën e ekonomisë së Kosovës?

Murati: Realisht ato janë shtyllë e rëndësishme e mbijetesës sonë. Ne e dimë zyrtarisht nga Banka Qendrore se  diku edhe vitin e kaluar, shifra e remitencave është 620 milionë euro, duke e mbushur një deficit të mirë kombëtar. Gjithë ne jemi të interesuar që një pjesë e këtyre remitencave, ta kthejmë në investime përmes projekteve të ndryshme ekonomike. Ne për këtë vit nuk kemi ndonjë projekt duke pasur parasysh kohën e krijimit të Qeverisë, por gjithsesi duhet të mendojmë nga viti i ardhshëm nëse ka mundësi që të bëjmë diçka bashkërisht edhe me ministritë tjera, sidomos me atë të Ekonomisë dhe Bujqësisë për ndonjë projekt në planin e bujqësisë. Tani jemi në fazën fillestare të shqyrtimit të këtyre ideve. Është e vërtetë se diaspora jonë ka një potencial të madh ekonomik,  i cili nuk duhet të shkojë vetëm në dërgesa financiare që familjet e tyre të mbijetojnë, por që të krijohet një ambient i përshtatshëm që njerëzit të investojnë. Unë shpeshherë kam thënë se diaspora jonë e ka dhënë provimin në të gjitha fazat dhe me të gjitha mënyrat. Tash na mbetet neve këtu në Kosovë, me të gjithë mekanizmat shtetërorë që të japim provimin duke krijuar një ambient që njerëzit tanë të investojnë lirshëm dhe pa presione, një ambient ku ka sundim të ligjit, zbatueshmëri të ligjeve dhe funksionim të gjykatave dhe institucioneve shtetërore.

RKL: Sa po punohet në mobilizimin e biznesmenëve shqiptarë në Diasporë dhe nxitjen e tyre për të investuar në vendlindje?

Murati: Ministria e Diasporës që në mandatin e kaluar e ka filluar krijimin e rrjeteve të bizneseve shqiptare që ka kulmuar vitin e kaluar me krijimin e Unionit të bizneseve shqiptare të diasporës, një mekanizëm ky jashtëzakonisht i mirë dhe efikas i identifikimit të bizneseve tona. Tashmë jemi shtrirë në tri kontinente dhe në shumicën e shteteve të rëndësishme, ndërkohë që po bëjmë përpjekje që të krijojmë rrjetin  edhe në Turqi. Qëllimi kryesor i këtyre rrjeteve është identifikimi i njerëzve tanë të suksesshëm në fushën e ndërmarrësisë, krijimi i kushteve që ata ta njohin njëri-tjetrin dhe të punojnë bashkërisht.  Tashmë kemi rezultate të mira në funksionimin e tyre sepse ata kanë filluar të bëjnë biznes mes vete dhe ta rrisin qarkullimin në mes tyre. Natyrisht se qëllim tjetër i këtij mekanizmi të rrjeteve dhe bizneseve është mundësia që ata të vijnë dhe të investojnë në Kosovë por edhe mundësia që ata të sjellin partner të tyre të huaj të investojnë në Kosovë. Përveç kësaj, këto rrjete shërbejnë si një mjet presioni edhe ndaj Qeverisë dhe institucioneve tona shtetërore, sepse ata na ndihmojmë t’i heqim praktikat e mos-punës. Ne jemi më shumë ministri koordinuese, për shkak se duhet të bashkëpunojmë me të tjerët në mënyrë që t’i realizojmë qëllimet. Duam t’ua bëjmë me dije të gjitha dikastereve ministrore që merren me zhvillimin ekonomik.  Dua të them se diaspora jonë ka një potencial të madh investues dhe se vija e parë e frontit që do të investojnë këtu janë njerëzit tanë nga diaspora. Ne nuk mund të jetojmë me iluzione që do të vijnë investitorët më të mëdhenj të botës, por ne duhet t’i krijojmë kushtet për bashkatdhetarët tanë, sidomos ata që janë ndërmarrës të fuqishëm falë lidhjeve të tyre mund të sjellin edhe investitorë të huaj për Kosovën. Ndonjëherë po hyjmë në hak kur po flasim vetëm për investime financiare vetëm për dërgesat financiare, pasi që diaspora jonë ka edhe një potencial të madh intelektual, profesional dhe etikë të punës. Të gjitha këto na nevojiten dhe po punojmë që ato t’i sjellim në Kosovë për t’i bërë pjesë të zhvillimit ekonomik.

RKL: Si qëndron bashkëpunimi me ambasadat e Kosovës, por edhe Shqipërisë në dhënien e shërbimeve për mërgimtarët tanë?

Murati: Unë mendoj se ambasadat dhe konsulatat tona kanë filluar të jenë më mirë të organizuara. Njëkohësisht është një punë e mirë që po bëhet që në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, kanë filluar të hapen konsulatat si ajo në Milano si dhe tash një do të hapet në Munich, në mënyrë që shpenzimet të reduktohen por edhe të punojmë bashkërisht me projekte që janë të rëndësisë kombëtare. Mendoj se ambasadat janë duke e kryer një punë të mirë edhe pse ka vend gjithmonë për më shumë profesionalizëm dhe efikasitet. T’ju them të drejtën, bashkatdhetarët kanë më shumë vërejtje për neve këtu brenda sesa për ambasadat. Ne këtu jemi duke bërë gjithashtu përpjekje me disa grupe punuese që të identifikojmë barrierat dhe problemet administrative ne të cilat ata përballen, në mënyrë që t’u bëjmë rekomandime ministrive përkatëse.

RKL: A është arritur të bëhet bashkërendimi me ministritë përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e mësimit shqip sipas planprogrameve të njësuara për fëmijët e mërgimtarëve?

Murati: Tash jemi krejt në fillim. Unë e konsideroj sukses nënshkrimin e marrëveshjes në një projekt që është punuar qe dy vite, ku ishin të pranishëm ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami. Ajo që mund ta them me siguri është se të dy ministrat kanë vullnet për të qenë pjesë aktive e këtij projekti dhe ta realizojnë atë. Atë që mund ta  garantoj unë si ministër i Diasporës, është se ne e kemi vullnetin e fuqishëm politik, prandaj ajo çka varet nga ne, do ta shtyjmë deri në fund.

Intervistoi:
Arbanë Qeriqi
25 mars 2015

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …