Pesë shtete të SHBA-së kanë mbajtur zgjedhjet paraprake të shtunën, për të zgjedhur kandidatët që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe atë Republikane në garën për president. Republikanët kanë votuar në katër shtete dhe favoriti i tyre, Donald Trump, ka fituar në Luiziana dhe Kentaki, ndërsa senatori Ted Kruz në Mein dhe Kansas. Senatori Marco Rubio dhe guvernatori i Ohajos, John Kasich, kanë mbetur prapa në të katër shtetet. Republikanët në territorin amerikan të Puerto Rikos i mbajnë zgjedhjet paraprake sot, ndërsa katër shtete të tjera votojnë të martën. Të shtunën, demokratët kanë mbajtur zgjedhjet paraprake në tre shtete. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila është edhe favorite, ka fituar në Luiziana, ndërsa senatori Bernie Sanders ka fituar në dy shtetet e tjera: Kansas dhe Nebraska. Fitorja e Clintonit në një shtet i ka sjellë asaj më shumë delegatë sesa Sandersit. Demokratët votojnë sot në Mein dhe në dy shtete të tjera të martën. Sa i përket numrit të përgjithshëm të delegatëve te republikanët, Trump ende mban epërsinë me 378 dhe ndiqet nga Cruz me 295. 60 veteranë republikanë të politikës së jashtme janë zotuar se do të kundërshtojnë Trumpin, duke thënë se propozimet e tij do të minojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Trump është zotuar se do të dëbojë miliona migrantë që jetojnë pa dokumente në SHBA, se do të ndërtojë mur në kufi me Meksikën dhe se do të vendosë ndalesë të përkohshme për të gjithë myslimanët që duan të hyjnë në Amerikë.
Kontrolloni gjithashtu
Behxhet Pacolli: Do të vijë shumë shpejt drejtësia për Hashim Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së
Në përvjetorin e katërt të arrestimit të eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup …