leoni

Masakra në Çamëri

Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike II

Edhe gjermanët u përpoqën ta hedhin minoritetin shqiptar në luftë kundër EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar. Këto përpjekje regresive shoqëroheshin me një propagandë me ngjyra të theksuara nacionaliste.

Në kuadrin e bashkëpunimit të popullit shqiptar dhe atij grek, u bënë përpjekje për të vendosur ura lidhjeje në linjën e atyre forcave që udhëhiqeshin nga Partitë Komuniste. Në bisedimet midis përfaqësuesve të të dy palëve ishte vendosur që në tetor të vitit 1943, të harmonizohej puna në minoritet. Për këtë qëllim ishte pranuar që të vinin në minoritetin grek në Shqipëri anëtarë të Partisë Komuniste Greke “që të bëjnë punë në minoritete duke enë në lidhje gjithmonë me ne”. Po kështu do të procedohej edhe në Çamëri.

Minoriteti grek në Shqipëri u synua me lakmi nga reaksioni zervist grek për të depërtuar në të, me qëllime të hapura antishqiptare. Të dërguarit e EAM-it në minoritet, si Aleks janari, me propagandën e tyre shfrytëzuan marrëveshjen që përmendëm më sipër, për të ngjallur ndjenjat nacionaliste të minoritetit, “për t’i bërë masat e minoritetit t’i drejtojnë sytë nga Greqia”. Në një miting që ishte bërë në Akrovjan ishte deklaruar hapur se “ne pranojmë të jemi një Greqi qoftë komunikste, qoftë djalliste, por vetëm Greqi të jemi”. Sipas të njëjtit burim del se grumbullimet dhe veprimtaria e reaksionit grek financohej me të holla. Nga Dhrovjan dhe Leshnicë ishin dërguar për tek Zerva 23 veta “pasi ky paguante 1 stërlinë për tre anëtarë të familjes” (minoritare). Ndjenjat nacionaliste po merrnin forcë në minoritetin shqiptar në Greqi, domethënë në Çamërinë e përtejme, duke ndikuar në çoroditjen e popullsisë çame ndaj situatës në luftës dhe të mbështetjes së saj. Megjithatë, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, duke pasur bindje në vijën e bashkëpunimit midis dy popujve, dërgoi një delegacion në Konferencën Panepirotike të EAM-it sipas ftesës së bërë nga Komiteti Panepirotik Nacionalçlirimtar i Greqisë më 14 qershor 1944. Duhet shënuar se ky bashkëpunim inspirohej nga qëllime fisnike të bashkëjetesës midis fqinjëve me devizën : luftë e ashpër dhe e paprerë armikut nazist dhe gjithë reaksionit në shërbim të tij.

Peshë jo të vogël në trajtimin e çështjes çame dhe të pozitës së Çamërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore do të luante dhe qëndrimi i nacionalistëve çamë, i cili aspironte hapur me qëndrimin e vet bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë.

Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill krahinor me organizmat e tij në nënprefekturat dhe fshatrat. Pjesëtarë të këshillit krahinor të Çamërisë ishin njerëz me influencë si vëllezërit Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti, Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi Shehu etj. Këshilli krahinor kryente në një farë mënyre detyra të qeverisjes siç ishin mbajtja e rrefullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, interesohej për hapje shkollash shqipe etj.

Një veprimtari e tillë ishte e papranueshme për qeveritarët e Athinës. Ndaj Qeveria greke e Ralisit shtroi kërkesën këmbëngulëse pranë të Dërguarit të Posaçëm gjerman për Evropën Juglindore Nojbaherit “për rivendosjen e prefektit të administratës greke në Thesproti”, “të cilët do të kryenin funksionet e tyre zyrtare në Çamëri, duke u mbështetur në Vermahtin gjerman”. Mirëpo autoritetet gjermane mbanin një qëndrim të dyfishtë. Sipas këtij qëndrimi, gjermanët nuk njihnin zyrtarisht veprimtarinë e Këshillit Krahinor çam, çka presupozonte njohjen e administratës shqiptare. Nga ana tjetër, nuk i jepte përgjigje të prerë as qeverisë së Ralisit. Megjithatë, në heshtje, autoritetet gjermane e pranonin punën e Këshillit, i cili siguronte mbajtjen e qetësisë në krahinë, gjë që u interesonte edhe gjermanëve. Nacionalistët shqiptarë çamë nuk përkrahnin përpjekjet e oficerit anglez të ndërlidhjes për një marrëveshje bashkëpunimi me grupin nacionalist të Zervës. Është e qartë se këto përpjekje nuk dhanë ndonjë rezultat, sepse qëllimet e këtyre grupimeve nacionaliste ishin diametralisht të kundërta.

Nacionalistët shqiptarë synonin bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, ndërsa përkrahësit e Zervës e kundërshtonin me çdo mënyrë një gjë të tillë. Madje zervistët prisnin rastin e volitshëm për një sulm vendimtar mbi Çamërinë, për të ushtruar mbi të shfarosjen kombëtare.

Për të realizuar synimet e tyre, nacionalistët çamë bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut, për të mënjanuar rrezikun zervist për fatin e Çamërisë. Një qëndrim të tillë e kishin konstatuar dhe autoritetet gjermane. “Sipas raporteve që i kanë ardhur të dërguarit të posaçëm të Rajhut, Nojbaherit, vërenin gjermanët-grupi nacionalist shqiptar po punon për t’ia aneksuar Çamërinë Shqipërisë”. Në përgjigje të këtij telegrami pohohet me gojën plot se “Ky grup (nacionalistët) është gati të lidhet me këdo, mjaft të bashkojë Çamërinë me Shqipërinë”.

Rreziku i një raprezaljeje nga bandat shoviniste të Zervës i bën më të vetëdijshëm nacionalistët çamë që të ngulnin këmbë në pikëpamjen e tyre se rruga e bashkimit të tyre ishte rruga e bashkimit të forcave politike shqiptare.

Edhe pse Marrëveshja e Mukjes (gusht 1943) ishte denoncuar nga PKSH në mënyrë të njëanshme, nacionalistët çamë i referoheshin asaj si e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare. Për këtë ata bënë disa herë thirrje për të shmangur luftën vëllavrasëse dhe për bashkimin e të gjitha forcave për mbrojtjen e çështjes kombëtare, në këtë kuadër dhe atë të Çamërisë. Në një letër që Nuri Dino i dërgonte më 21 shkurt 1944 Shefqet Peçit, konstatonte se në Greqi po bëheshin përpjekje për bashkimin e dy forcave kryesore politike të EAM-it dhe EDES-it me synimin që “grekët të shkatërrojnë Shqipërinë edhe nën maskën komuniste…”. Dhe më tej ai i kujton Sh. Peçit se “mjaft gjak shqiptari vaditi tokën tonë, mjaft larg u dëgjua afshi i popullit tonë për liri dhe kjo mjafton për të nesërmen, por e nesërmja duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë”. Thelbin e kësaj letre e përbënte kërkesa këmbëngulëse për bashkim “për hir të gjakut që na bashkon dhe të zakonit që s’mund të na ndajë”. Ai kërkonte mendimin për bazat e bashkimit, por me “kusht që të mos preken parimet tona dhe karakteri kombëtar”.

Përballë bashkimit të armiqve të kombit shqiptar, një qëndrim i tillë për bashkimin e forcave politike shqiptare ishte më se i justifikuar. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse denoncimin e Mukjes e kishte sanksionuar edhe Konferenca Nacionalçlirimtare e Labinotit (shtator 1943).

Në anën tjetër, popullsia çame gjendej përballë veprimtarisë së ethshme antishqiptare të EDES-it të Zervës, i cili e kërcënonte atë me raprezalje dhe shfarosje. Zerva u përpoq ta përdorte popullsinë çame si forcë kundër ELLAS-it. Kjo manovër djallëzore synonte së pari ta fuste popullsinë shqiptare në kurthin e luftës midis forcave politike në Greqi, së majtës ekstreme dhe së djathtës ekstreme, me synimin që cilido të ishte rezultati i konfrontimit politik në Greqi, të krijohej preteksti dhe konjuktura e përshtatshme politike për shfarosjen dhe dëbimin e saj.

Së dyti, të shtonte forcat për të goditur EAM-in kundërshtar, pra ta përdorte popullin shqiptar si mish për top. Në bisedimet e zhvilluara në fshatin mininë në -3-6 korrik 1944, të dërguarit e Zervës i parashtruan popullsisë çame këto kushte:

    Çarmatimin e plotë

Mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë çame në radhët e EDES-it si dhe të pranonin pushtetin e EDES-it në Çamëri.

Populli çam u gjend në pozita të vështira. Ai nuk pranoi të futet në luftën midis forcave rivale në Greqi dhe si ndëshkim Zerva filloi ndaj kësaj popullsie sulmin e përgjithshëm të 8 korrikut 1944 që ka patur ato konsekuenca që dihen. Ky fakt pohohet dhe në letrën e Këshillit Antifashist të Çamërisë dërguar: Qeverisë greke të Bashkimit Kombëtar, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive të Fuqive të Mëdha, Komitetit Qendror të EAM-it, Guvernatorit të Epirit, Komitetit Panepirot të EAM-it.Në arkivat e Shqipërisë ruhen shumë dëshmi të emigrantëve çamë lidhur me krimet e forcave zerviste.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …